top of page

Sakip  Cami: Protesta e gjimnazistëve të Dibrës

Protesta e gjimnazistëve të Dibrës

para Ministrit  të Brendshëm të Turqisë në mars të vitit 1911

Nga Sakip  Cami

Në mars  të vitit 1911 erdhi në Dibër një komision nën kryesinë e Haxhi Adil Beut, ministër i brendshëm i Perandorisë Osmane. Qëllimi i ardhjes së tij, gjoja ishte për me vënë në zbatim reformat në favor të shqiptarëve, por në fakt kishte ardhur për të bërë fushatë zgjedhore për partinë e “Itihad ve Terekki”.[1]

Në emër të shkollave që kishin dalë me e pritë Ministrin turk ishte edhe ajo e bullgarëve të pakët që gjendeshin në Dibër. Mësuesi i kësaj shkolle kishte vënë një kordon në krahëror me shenjat e flamurit bullgar. Kaq u desh dhe filloi përleshja me bullgarët dhe proturqit.

Sikurse edhe herët e tjera, edhe kësaj here studentët e gjimnazit të Dibrës i banë një lutje (kërkesë) ministrit turk për lejimin e shkollave dhe gjuhës shqipe. Lutja kishte këtë përmbajtje:” Kur urdhnoi në Manastrir, Madhnia e tij, Sulltan Reshati, tha për Shqipninë se ajo është brilanti i Kurorës Otomane. Që të bahet Shqipnia brilanti i kurorës  Otomane lypset të pajiset e të ndricohet populli shqiptar me kulturë, me gjuhën dhe shkollat shqipe. Prandaj ju lutem, t’urdhnoni  futjen në programin e gjimnazit tonë mësimin e gjuhës shqipe.

Kjo lutje u nënshkrua prej këtyre gjimnazistave: Haki Stërmilli, Ejup Xhidri, Reshit Daci, Hamit Pustina, Zija Tërshana, Rifat Langu, Abdyl Sula, Tafë Agolli, Xhemal Bajati, Rasim Xhemalce, Ismet Zllatku, Shaban Langu dhe disa të tjerë.

Lutja ju dorëzua vetë ministrit turk nga gjimnazistat.

Nga ana  tjetër Paria e Dibrës me Sefedin Pustinën në krye i paraqitën ministrit turk një projekt të gjërë për reformat dhe kërkesat që kishin për qytetin. Këto kërkesa për kabinetin e kryeministrit Salih Pasha, të cilat ai i premtoi,  ishin:

1.    Administrata Civile dhe Gjykatat të zgjidhen me ndeshmëri dhe drejtësi.

2.    Xhandarmëria dhe Policia të përmirësohen

3.    Burgjet të rregullohen dhe të përmirësohen

4.    Të ndërtohen ndërtesa qeveritare të reja.

5.    Të ndërtohen rrugë të përgjithshmeë dhe komunale.

6.    Të fillojë  ndërtimi i hekurudhës.

7.    Pastrimi i lumit Buna, bërja e tij i lundrueshëm.

8.    Edhe më e rëndësishmja: Arsimi shqip, shkolla shqipe, gjuha shqipe.

Për këto veprimtari atdhetare shkruan edhe gazetat :Lirija e Shqipnisë” dhe “Drita” [2]


[1] Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë, faqe 129

[2] Gazeta Drita Nr 52, datë 1 shkurt 1911, Gazeta “Lirija e Shqipnisë” Nr 7, datë 17 mars 1911

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page