top of page

Sakip Cami: Poezi të shkruara në vitin e mbrapshtë


Poezi të shkruara në vitin e mbrapshtë

 

Nga Sakip Cami

 

1. Sfidë

Gjithçka rreth meje e brënda meje përpëlitet

Unë jetoj duke sfiduar

Sfidoj trishtimin

Gëzimin pa shijuar

 

Mbi jetën time, i forti, hajduti, i poshtri

Ngre jetën e tij

Por unë dhe ti

Së bashku i bëjmë sfidë

Së bashku …

 

2. Mos u dëshpëro o njeri !

 

Nëse në jetë dështon një herë

Mos u dëshpëro !

Çdo hidhërim një rrugëdalje e ka

Një dritare e re që hapet

Një ëndërr që pret

të bëhet realitet

 

Ka një zemër që të fal dashuri

Ka një dorë që të zgjatet

Ka një Zot që të përkrah

Ka një çast të lumtur njeriu

Një ide prej gjeniu

Rrëmbeje

 

3. Shpirti i poetëve

 

Eh, ç’shpirt të plasur paskan patur poetët

Kurrë, një herë nuk u kënaqën.

 

Eh, ç’shpirt të pasur paskan të shkretët

S’e mbajnë për vete, të tjerëve ua falën.

 

Eh, ç’shpirt të pastërt paskan patur poetët

Nuk i shteruan vargjet, dashuri falën.

 

Eh, ç’shpirt të madh paskan patur poetët

Ata nuk përkulen, mbi supe botën mbajnë.

 

4. Fat apo marrëzi ?

 

Mbjellim grurë, grurin shkelim

Shkollë duam, librat djegim

Në kishë venë dhe s’besojnë

Me sy nga qielli vetëm presin.

 

Për një gardh, vrasin vëllanë

Për një plesht djegin jorganin

Nëpër botë pastrojmë kanalet

Po e lenë të gjithë vatanin.

 

Kemi det e kemi male

Kemi fusha e minerale

Kemi fat, por jemi të marrë

Të gjithë duam të jemi të parë…

 

 

5. Me kë je ti ?

 

Në të majtë ekstremistë

Në të djathtë ekstremistë ndesh

O me mua, o kundër meje

O me ne, o kundër nesh

 

Me kë je ti ?

Jam me Shqipërinë

Shqipëria jemi ne

O me ne, o pa ne ?!…

 

Me kë je ti ?

Me kë je ti ?

Parti të tilla u shofshin

Parti ime: Nëna Shqipëri

 

6. Llogari e vështirë

 

Të numërosh shqiptarët është e lehtë

Se ata, shumë nuk janë.

 

Të numërosh të vdekurit, të vrarët,

të mbyturit, të plagosurit

Është e vështirë se ata, shumë janë.

 

Të evidentosh vrasësit dhe viktimat

Sa e lehtë, po aq e vështirë

Se ata një gjak kanë.

 

O Zot ! Ruajna mendjen !

 

Mars 1997

 

7. A erdhi sivjet pranvera?!

 

Në këtë mars nuk çelën lulet

U trembën nga krismat e armëve

Fëmijëve u munguan pekulet

Se nënat nga mandatet u tmerruan

Avionë më shumë se sa zogj

Në qiellin e Shqipërisë

Dallëndyshet nuk u kthyen

A erdhi sivjet pranvera?!

 

Mars-maj 1997

44 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page