top of page

Sakip Cami: Laprakë promovohet libri i 30-të i tij “ ODA DIBRANE”

ree

Më 28 tetor 2025, ora 11.00 në Kinema “ Maks Velo” Laprakë promovohet libri i 30-të i tij “ ODA DIBRANE”

 

HALIL RAMA - Mjeshtër i Madh në publicistikë, por jo vetëm...

 

Nga Sakip Cami

Poet, publicist, studiues

 

 

·      Dimensioni njerëzor, dashuria për familjen, prindërit, bashkëshorten, fëmijët mbesat, nipin, miqtë dhe shokët zënë vend kryesor në këtë libër.

·      Në poezitë kushtuar miqve të tij shkrimtarë e intelektualë bien në sy poezia kushtuar Artistes së Popullit Margarita Xhepa dhe ato për shkrimtarët Shefki Karadaku, Teodor Laço e Hazis Ndreu

                                  

 

 

 

“Në 65-vjetorin e ditëlindjes time, një tufë me poezi e tregime dedikuar familjes, miqve e shokëve të shumtë në hapësirën mbarëshqiptare në botë”.

Ky është dedikimi i poetit dhe shkrimtarit Halil Rama në faqen e parë të librit të tij të 30-të “ODA DIBRANE”.

Këtë 28 tetor, miku im i kahershëm i letrave dhe i familjes Halil Rama është 65 vjeç dhe ky libër më hodhi në vitet e hershme të krijimtarisë sime dhe të Halilit.

Ishte vetëm 20 vjeç kur fitoi çmimin e parë në poezi në një konkurs letrar të Rrethit Dibër organizuar nga Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve me kryetar Artistin e Merituar Hazis Ndreu. Këtë e vërteton edhe një poezi e autorit Rama botuar në gazetën “Ushtima e Maleve” në vitin 1988, që autori pasi e ka gjetur në arkivin e tij e ka futur në këtë libër. “Tek kroi mes livadhit do të të dal unë; /Të të tregoj gurët që kam parë n’këto male”…”(“Ushtima e Maleve”, - nëntor 1988.)

 

ree

                          

Por ndërkohë ishte përfshirë në publicistikë me reportazhe, përshkrime, portrete e kronika në shumë gazeta të vendit.

Kush ka punuar në shtypin e përditshëm e di mire ngarkesën e gazetës së përditëshme. Ishte kjo ndoshta arsyeja që Halili bëri një shkëputje të gjatë në kohë nga dashuria e tij e vjetër, poezia.

Dimensioni njerëzor, dashuria për familjen, prindërit, bashkëshorten, fëmijët mbesat dhe nipin zënë vend kryesor në këtë libër.

Ja si shkruan për nënën e tij që i mungon shumë: “Për këdo, e shtrenjtë është nëna/ Por e imja, më e mira, / Ndonëse ish më e përvuajtura/ Ajo qe vetë mirësia…..”,/

Por unë do të veçoja poezinë kushtuar bashkëshortes që i ka të gjitha brenda saj: “Ndërsa ti dremit në gjumin e drekës, /Unë lodroj në sytë e tu të shkruar, /Pres të më japësh puthjen e radhës, /Përjetësisht – Ne të dashuruar.”

Në poezitë kushtuar miqve të tij shkrimtarë e intelektualë bie në sy poezia kushtuar Artistes së Popullit Margarita Xhepa dhe ato për shkrimtarët Shefki Karadaku, Teodor Laço e Hazis Ndreu.

Për Nderin e Kombit Hazis Ndreu, atë që na nxiti dhe inkurajoi në rrugën e letërsisë dhe publicistikës autori shkruan:“Ezopi i Dibrës”, Hazis Ndreu/ Odën Dibrane na e la testament /Ai që shpërtheu si Prometeu /Në panteonin e vlerave, ka zënë vend…”

Për të paharruarin Sokol Olldashi, politikan dhe publicist i shquar, bashkëpunëtorë te gazeta “Albania” shkruan: “Ti më mësove si shkruhet lajmi/ Kur bashkë punonim te “Albania”/ Por s’e besoja o Kol vëllai, /Se Brenda teje jetonte poezia…”

Tek cikli “Motive popullore” do të veçonin poezinë “Lule Zoje majë Runjës”: “Lule Zoje/ E bardh si bora/ Kush të prek/ I dridhet dora/ Lule Zoje/ Mbretëreshë e malit/ Si ja vodhe zemrën djalit…”.


ree

Kredoja e poetit del te poezia “Të rënëve”: “Në zemrat tona njëmijë herë jeni rritur, /Ju o pishtarë të lirisë /S’do harroheni në njëmijë breza, /Vepra juaj në piedestal është ngritur.”

Në poezitë kushtuar vendlindjes në krye të vendit qëndron ajo për origjinën e Kastriotëve. Kujtojmë se autori e ka origjinën nga këto troje.

“Këtu ka trojet Gjon Kastrioti, /Këtu ka hedhur rrënjë liria./ Muhurri im bukuri nga Zoti, /Mbi të ulur historia.”

Poezinë filozofike dhe historike: “I urti dhe I mencuri Sulë Dika” do ta kishte dëshirë ta kishte çdo poet në arsenalin e tij:

“Një mushkë ngarkuar me flori,/Pas saj një misionar anglez/ Sulë Dika, shoqëruesi i tij /Burri që e kishte marrë në besë./ S’mund të pranoj “mall haram” /Kur vendi im rënkon në robëri, /Kështu i tha mendjeholli dibran/ Anglezit që desh ta blinte me flori. /Ka mjegull të madhe në anët tona /S’dihet ku të zë e të merr lufta /Këtu ka sy e vesh edhe toka/ I tha anglezit Sulë Dika” Dhe për ta plotësuar mencurinë e këtij plaku të urtë dibran autori vazhdon: “Në mexhelise i zinte fjala/ Kur e pyesnin: Ç’thotë politika?! /“Burrin e prishin tre gjana: /Parja e madhe, karrikja e naltë dhe gratë e bukura! / Përgjigjej i mençuri Sulë Dika .”

Edhe në pesë tregimet e kapitullit të dytë të këtij libri, secili më mbresëlënës se tjetri të bien në sy gjetjet dhe subjektet në dy kohë.. Veçanërisht dy tregimet e para: “Dashuri të stuhishme në plazhin e gjeneralit” dhe “Zonja me tri shtetësi e tri shtëpi” sjellin tek lexuesi mesazhe origjinalë dhe bashkëkohore.

Por tregime të tjera ka në sirtarin e tij të punës dhe të mendjes autori Halil Rama dhe atëhere do t’i analizojmë më në thellësi ato.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page