top of page

Fatmir Terziu: “Çili, besniku i zemrës” i Hasan M. Shahinajt

ree

(autobiografi, simbolikë rurale dhe etika e besnikërisë në prozën shqiptare të kujtesës)

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Botimi i shkrimtarit Hasan M. Shahinaj, “Çili, besniku i zemrës” shfaqet si një roman autobiografik ku autori Hasan M. Shahinaj përdor memuaren personale për të rindërtuar një narrativë kolektive. Kthimi në fëmijëri nuk është nostalgji e thjeshtë, por një akt rivendosjeje kuptimore: rrëfimtari kërkon të kuptojë se si njeriu formohet përmes punës, përgjegjësisë dhe marrëdhënieve me të tjerët,  përfshirë edhe me kafshët. Pakti autobiografik ndërtohet në mënyrë të besueshme: lexuesi ftohet në një univers rural ku punët e pyllit, dimri, varfëria, kooperativa dhe solidariteti familjar nuk janë thjesht kontekst, por forca formësuese të karakterit. Autobiografia, në këtë rast, nuk e glorifikon “unë”-in; përkundrazi, ajo krijon një “unë” që mëson, dyshon, rrëzohet, rritet,  dhe në fund pjeket nëpërmjet besnikërisë.

Themi këshktu pasi romani “Çili, besniku i zemrës” përfaqëson një formë të veçantë të vetërrëfimit, në kufirin midis autobiografisë, kronikës së fshatit dhe prozës së formimit. Autori “rikthehet” në hapësirën rurale të Trebishtit për të rindërtuar një narrativë të pjekurisë, ku kalimi nga fëmijëria në përgjegjësi shoqërore përthyhet përmes figurës së një kali, Çilit, që bëhet bosht etik dhe emocional i rrëfimit. Në këtë prizëm, romani mund të lexohet si pakt autobiografik (Lejeune), autori, narratori dhe protagonisti ndërthuren në një marrëveshje të heshtur besimi me lexuesin, ku kujtesa private merr kuptim publik.

Një nga figurat më domethënëse është gjyshi Zeqir, ku ai mishëron autoritetin e urtë, përvojën, masën dhe drejtësinë. Romani ndërton një poetikë të këshillës, ku fjala e të moshuarit bëhet guidë morale: “Ai në çdo situatë të jep këshillën e duhur…” Në plan antropologjik, gjyshi përfaqëson institucionin e kujtesës së gjallë. Ai është ura midis traditës dhe modernitetit, midis ritualit dhe ndryshimit. Autori nuk e paraqet atë si autoritar; përkundrazi, paraqitet si mentor, ai “negocion” dëshirën e nipit për t’u bërë pjesë e jetës së burrave, duke krijuar ritin e kalimit. Kjo e kthen romanin në një bildungsroman rural, rrëfimi i rritjes lidhet drejtpërdrejt me pranimin e përgjegjësisë.

Segmentet që përshkruajnë jetën në fshat, punën me drutë, ritmet sezonalë, ekonominë e mbijetesës  nuk janë thjesht sfond realist. Ato ndërtojnë një poetikë të punës dhe një etikë të nderit, të përqendruar te figura e gjyshit Zeqir, i cili përfaqëson autoritetin moral, kujtesën tradicionale dhe normën patriarkale të maturisë: “Sa praktik dhe i mençur është gjyshi im i mirë!… a do të bëhem ndonjëherë si gjyshi im?” Kjo pyetje retorike vendos boshtin hermeneutik të romanit: rruga drejt pjekurisë është imitim moral, jo vetëm përjetim emocional.

Një element i rëndësishëm tematik është puna. Autori e përshkruan procesin e prerjes së druve, mësimin e sëpatës, lodhjen e trupit, jo si vuajtje absurde, por si praktikë edukimi moral: “mësova aq shumë gjëra praktike se si zotërohet sëpata…” Sëpata, pylli, dëbora dhe rruga janë figura që mbartin një metafizikë të thjeshtësisë: nëpërmjet punës fizike ndërtohet vetëdija etike. Kjo qasje e bën romanin më shumë se dokument social; ai kthehet në reflektim mbi dinjitetin njerëzor në kushte kufizuese.

Çili nuk është thjesht kalë. Ai është personazh, bart ngarkesa, përballon dimrin, ruan familjen, shoqëron fëmijën drejt shkollimit, bëhet dëshmitar i pjekurisë. Autori i jep atij inteligjencë, besnikëri, qëndrueshmëri, cilësi që shpesh i presim nga njerëzit. Këtu hyjmë në sferën e antropomorfizmit etik: kafsha shfaqet si pasqyër e virtytit njerëzor. Në këtë dimension, romani lidhet me traditën ndërkombëtare (Mark Twain, Jack London), por ruan specifikën shqiptare: Çili lidhet me gjyshin, me fshatin, me bahçen, me amanetin. Ai nuk është vetëm shok, është kujtesë e shtëpisë. Pra,kKalorësia, mundi dhe besnikëria e Çilit i japin kafshës dimension antropomorfik dhe pothuaj mitik. Në tekst, ai nuk është vetëm mjet pune; është shok, dëshmitar dhe bartës i destinacionit familjar. Këtu shfaqet një paradigmë totemike: kafsha bëhet shenjë identitare, kujtesë e përbashkët dhe pikë bashkimi midis brezave.

Paralelizmi me Mark Twain,  sidomos me “Historinë e një kali”, vendos romanin e Shahinajt në një traditë më të gjerë letrare, ku marrëdhënia njeri–kafshë funksionon si pasqyrë e etikës njerëzore. Ndryshe nga satira e hidhur e Twain-it, Shahinaj zgjedh një ton elegjiak dhe përkujdesës: kafsha nuk ironizon njeriun, por e nderon.

Si pasojë paralelet me Mark Twain mbesin dy horizonte, një temë. Teksti vetë na fton në një krahasim me Mark Twain. Ky krahasim nuk është dekorativ; është analitik: Twain problematizon skllavërinë, hipokrizinë shoqërore, kontradiktat morale të Amerikës. Shahinaj problematizon përfshirjen detyruese në punën kolektive, varfërinë, moralin familjar në kushte politike të kufizuara. Është domethënëse që në të dyja rastet, kafsha bëhet kanal rrëfimi për çështje më të mëdha shoqërore. Por Twain përdor më tepër satirën; Shahinaj zgjedh elegjinë dhe afeksionin. Në të dy rastet, kafsha është kategori morale: ajo ekspozon humanitetin (ose mungesën e tij). Por te Shahinaj, lidhja mbetet më intime, më familjare, e rrënjosur në mikrobotën e fshatit.

Romani është i përshkuar nga një nostalgji produktive: jo thjesht mall sentimental, por përpjekje për të arkivuar një mënyrë jetese që rrezikon të humbasë. Detajet topografike (Klenjë, Shutec, “Bahçja e Çilit”) krijojnë një hartë të kujtesës ku hapësira bëhet teksti i së kaluarës. Epilogu, me ruajtjen e pajimeve “si relikte”, artikulon qartë funksionin muzeal të rrëfimit: letërsia bëhet akt memoralizimi, vazhdimësi përtej zhdukjes fizike. Rruga nga Trebishti në Klenjë, përshkrimet e maleve, fushës, stanit, nuk shërbejnë vetëm si sfond. Ato krijojnë një gjeopoetikë: hapësira rrëfehet, vendet bëhen simbole, çdo toponim mbart histori. Letërsia këtu bëhet arkiv. Në një kohë kur fshati rrezikon të zhduket, romani vepron si një depo kulturore, një muze letrar i jetës shqiptare rurale të shekullit XX.

Në roman ka lot, mall, frikë, gëzim të përmbajtur. Por emocionet nuk janë melodramë; ato janë përgjigje njerëzore të kontrolluara. Kjo ekuilibër emocional është thelbësor: përmes tij kuptojmë se pjekuria nuk është zhdukja e ndjenjës, por vendosja e saj në shërbim të përgjegjësisë. Në këtë dritë, thirrja e fundit: “Lamtumirë, o Çil…” nuk është vetëm pikëllim, është rit i përfundimit, një dëshmi e mirënjohjes. Ruajtja e pajimeve të Çilit “si relikte” dhe pagëzimi i bahçes me emrin e tij krijojnë një sakralizim simbolik. Kafsha shndërrohet në mit familjar, një figurë që ruan nderin dhe historinë. Ky është funksioni më i thellë i romanit: shkrimi nuk është tregim për të kaluarën; është garanci për mos-humbjen e saj.

Proza e Shahinajt ndërthur përshkrimin realist me figura lirike, ndonjëherë pranë baladës. Dialogu me gjyshin, thirrjet apostrofike (“O Çil…”) dhe tonaliteti elegjiak krijojnë një kohë të dyfishtë: kohën e përjetuar dhe kohën e kujtuar. Kjo tërheq lexuesin në një përvojë bashkë-dëshmie, ku rrëfimtari është njëkohësisht pjesëmarrës dhe interpretues. Në fund, “Çili, besniku i zemrës” afirmon një etikë të qartë: nderi, fjala, kujtesa dhe besnikëria janë vlera që duhet të trashëgohen. Formula e mbylljes, “Na ishin njëherë një kalë azgan e një druvar”, sintetizon mitin familjar në një proverb narrativ: kafsha fisnikëron njeriun, ndërsa njeriu e pavdekëson kafshën.

Romani i Hasan M. Shahinajt duhet lexuar si tekst kujtese, roman formimi dhe alegori e marrëdhënies njeri–natyrë. Ai krijon një narrativë të besimit dhe qëndresës, ku kafsha shndërrohet në simbol të përgjegjësisë dhe dashurisë së heshtur. Në plan më të gjerë, vepra hap një dialog me traditën ndërkombëtare të letërsisë për kafshët (Twain, Jack London, etj.), por mbetet thellësisht shqiptare në përmasën e saj antropologjike: fati i njeriut matet me mënyrën si ai i qëndron besnik kujtesës, tokës dhe atyre që e kanë shoqëruar në udhë.

Çili, besniku i zemrës” është shumë më tepër se histori e një kali dhe një djaloshi. Ai është roman formimi, autobiografi e jetuar, elegji për botën rurale, reflektim mbi punën, nderin dhe besnikërinë, dhe një kontribut në traditën letrare që nderon marrëdhënien njeri–kafshë. Duke i dhënë zë kujtesës, Hasan M. Shahinaj e vendos veprën e tij në një rrugë ku letërsia bëhet përgjegjësi për veten, për familjen, për komunitetin, për historinë.

1 Comment


Merita Thartorja
11 hours ago

Analiza e Prof. Dr. Fatmir Terziut mbi romanin “Çili, besniku i zemrës” shquhet për qartësinë teorike dhe aftësinë për ta lexuar tekstin si më shumë sesa një rrëfim autobiografik: ajo e vendos veprën në ndërthurjen mes romanit të formimit, memuaristikës dhe prozës së kujtesës rurale. Veçanërisht i suksesshëm është përdorimi i koncepteve si pakti autobiografik, figuracioni antropomorf dhe gjeopoetika që e bëjnë analizën të qëndrueshme akademikisht, por edhe komunikative. Komenti i thelluar mbi figurën e gjyshit si arkiv i gjallë i traditës, ashtu si edhe leximet simbolike të Çilit si totem besnikërie, sjellin në pah dimensionin etik që strukturojnë romanin. Krahasimet me Twain dhe traditën ndërkombëtare të letërsisë për kafshët vendosin tekstin e Shahinajt në një horizont krahasimor më të gjerë…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page