top of page

Fatmir Terziu: Krijimtaria poetike e Vinçenc Prendushit, poetikë e rrënjëve dhe e dinjitetit njerëzor


ree

Krijimtaria poetike e Vinçenc Prendushit, poetikë e rrënjëve dhe e dinjitetit njerëzor


Nga Fatmir Terziu

 

Krijimtaria poetike e Vinçenc Prendushit gjen peshë estetike dhe morale pikërisht në mënyrën se si bashkon ndjenjën, besimin dhe përkatësinë kombëtare. Ai ndërton një poezi ku gjuha shqipe, sidomos në idiomin gegë, fiton një mallëngjim të qartë, një ritëm të thjeshtë por ekspresiv, dhe një figuracion që i qëndron besnik jetës së përditshme, duke e ngritur në plane simbolike. Tri poezitë e tij, “Nana”, “Kuq e zi” dhe “Ushtari i vogël”, të mbetura kujtim nga koha ime rinore, krijojnë një vijë narrative të brendshme: nga intimiteti familjar (nëna), tek komuniteti historik (komb-flamur), e deri tek formimi moral i brezit të ri (ushtari i vogël). Në këtë kuptim, ato mund të lexohen si një etikë poetike e përkatësisë.

Tek poezia “Nana”, sakralizimi i përkujdesjes dhe estetika e thjeshtësisë mbetet diskurs më vete, me të cilin poeti ndërton një krahasim të vazhdueshëm midis bukurisë së natyrës dhe pranishmërisë së nënës. Vargje si, “Por lulet aq s’i due…/Sa m’knaqë perherë mue nana” përfaqësojnë një hierarki vlerash, ku natyra, e bukur dhe e dendur me figura (hyj, zogj, prroje), mbetet dytësore përballë nënës si metaforë e virtytit dhe e dashurisë pa kushte. Në aspektin teknik, poezia mbështetet në ritmin e përmbajtur, me figura të qarta (simboli i hyjnive, i pranverës, i gurgullimës), antitezën midis të jashtmes (natyrë e gjallë) dhe të brendshmes (kujdesi i nënës), motivin biblik të heshtjes që flet: “Nuk ka nevojë me m’folun, / kam mjaft kur ajo më kqyrë.” Kjo poezi tejkalon sentimentalizmin e thjeshtë; ajo ndërton një etikë të nderimit. Nëna nuk është vetëm subjekt dashurie, ajo është model moral, pasqyrë e virtytit dhe themel i identitetit.

Në poezinë “Kuq e zi”, flamuri shqiptar përfytyrohet si “lule lirike”, një figurë e fuqishme që e humanizon simbolin dhe e kthen në subjekt ndjenjash. Kjo “lule” është gjyrë gjaku (kujtesë e sakrificës), zi funerale (përjetim i tragjedive historike), dhe njëkohësisht shenjë ringjalljeje, “njomsi prendvere”, pra mbetet simbolika e flamurit dhe estetika e sakralitetit kombëtar. Struktura e poezisë ndërton një diskurs afirmativ. Ai e bën flamurin jo thjesht shenjë politike, por sakrament kulturor, “Shejtë á lulja kuq e zi”. Këtu Prendushi nuk mbetet në retorikë. Ai i jep flamurit funksion moral-pedagogjik: bashkim, dinjitet, përgjegjësi. Ndërkohë, vargjet mbi burrat, vajzat, fushat e betejës dhe kremtimet kolektive flasin për një komunitet që e merr identitetin nga një simbol i përbashkët. Poeti, kësisoj, ndërton një mit modern: flamuri si trup i përbashkët i historisë.

Me poezinë “Ushtari i vogël”, poeti krijon pedagogji patriotike dhe ironia e ëndrrës, ku gjuha bëhet e brishtë, lozonjare, herë-herë e ngarkuar me ëndrra infantile për lavdi. Poeti krijon një zë fëmije që thotë “Kqyrni sa i bukur jam!” Kjo auto-ironi i butë nuk e nënvleftëson idealin; përkundrazi, e shfaq patriotizmin si aspiratë formuese, e cila lind nga fantazia e fëmijës, por maturon në vizion moral: “Gjall a dekë, veç për Atdhe.” Në planin kritik, poezia qëndron në një territor delikat: ajo lavdëron gatishmërinë për flijim, por e ankron atë në ndjenjën e përgjegjësisë, ndërgjegjen e drejtësisë, dhe jo në militarizim të verbër. Figura e “gjeneralit” dhe e “armiqve” shërben si metaforë e pjekurisë: ëndrra është e bukur, por e kushtëzuar nga koha (“Por ç’dobi se ndodha i vogël…”). Kjo e bën poezinë një reflektim edukativ, jo një thirrje triumfaliste.

Në të tre poezitë, Prendushi mbetet me thelb tek gjuha, ritmi, dhe identiteti estetik përdor gegërishten si mjet ekspresiv dhe identitar, ndërton kadenca të thjeshta, por të kujdesshme, zgjedh figura të afërta me kulturën popullore (nëna, lulja, ushtari), për t’i ngritur në një nivel simbolik. Kjo zgjedhje gjuhësore nuk është vetëm stilistike; ajo është akt kulturor, ruajtje e trashëgimisë dhe e nuancave të kujtesës kolektive. Perspektivë kritike, midis sakralitetit dhe humanizmit mund të thuhet kur ajo është e lexuar si tërësi, dhe kur poezitë shfaqin tri shtylla humanizmi etik (Nana), dashuria si themel i botës, sakraliteti kombëtar (Kuq e zi), pra identiteti si përgjegjësi, apo dhe formimi qytetar (Ushtari i vogël), më saktë patriotizmi si vetëdije, jo si impuls agresiv. Kritikisht, mund të theksohet se poezia e Prendushit priret drejt një idealizimi të qëllimshëm, por ky idealizim është i përpunuar estetikisht dhe i justifikuar nga misioni moral që poeti i jep fjalës. Poeti, kështu, mbetet mesatar midis traditës lirike dhe një modernizmi etik, ku metafora nuk shërben për të fshehur, por për të ndriçuar kuptimin.

Dua të shtoj se epiteti “ i pavdekshëm” për Vinçenc Prendushin lidhet pikërisht me aftësinë e tij për të krijuar poezi që nuk konsumohen nga koha: ato flasin njëkohësisht për dashurinë, përflakjen historike dhe edukimin e ndërgjegjes. Në këto tri poezi, ai ndërton një hartë vlerash:

nga shtëpia, te flamuri, te fëmija që ëndërron të bëhet mbrojtës i Atdheut. Ky është, në thelb, projekti i tij poetik, ta shndërrojë ndjenjën në përgjegjësi, dhe fjalën poetike në kujtesë të përhershme.

Me këtë theksi vihet tek leximi. Leximi i poezive të Vinçenc Prendushit nuk mund të shkëputet nga koha e tyre historike. Poeti jetoi dhe krijoi në një periudhë të trazuar për kulturën shqiptare: tranzicione politike, tensione identitare dhe, më pas, një klimë represive që e kufizoi, margjinalizoi dhe shpesh e heshti fjalën e lirë. Ky sfond e bën krijimtarinë e tij jo vetëm një akt estetik, por edhe një dëshmi morale. Prendushi lidhet natyrshëm me traditën françeskane të letrave shqipe, një traditë që vuri theksin mbi formimin e njeriut përmes dijes dhe etikës, përkthimin, botimin dhe standardizimin e gjuhës, dhe ndërthurjen e besimit me përgjegjësinë qytetare. Në këtë trashëgimi, poezia nuk është zbukurim, por mision edukues. “Nana” dhe “Ushtari i vogël” e dëshmojnë qartë këtë: ato mësojnë virtytin jo duke moralizuar, por duke e bërë të dashur përmes figurash prekëse dhe të thjeshta.

Në një kohë kur retorika nacionaliste shpesh merrte ngarkesa ideologjike, Prendushi zgjodhi ta konceptojë kombin si kategori etike. Në “Kuq e zi”, flamuri nuk është thjesht emblemë pushteti; është shenjtëreshë e kujtesës. Ky vizion nxit një formë patriotizmi që shkon përtej propagandës: ai është ndërgjegje, përgjegjësi dhe nder. Kjo e vendos poezinë e tij në dialog me traditën e poetëve të tjerë shqiptarë që kanë punuar mbi mitin kombëtar, por Prendushi e bën këtë me një ton të përmbajtur, duke mbetur besnik i ndjenjës, jo sloganit. Për shkak të rrethanave historike, vepra e Prendushit pati periudha heshtjeje institucionale. Shumë tekste u lexuan pak, u ribotuan me vonesë, ose u përfshinë me kujdes në diskutimet akademike.

Paradoksalisht, kjo heshtje e përforcoi idenë e tij si poet “ i pavdekshëm”, jo sepse u lexua vazhdimisht, por sepse u rikthye sa herë që kultura kërkonte modele etike dhe gjuhësore. Ribotimet, studimet dhe interesimi bashkëkohor e kanë rikthyer krijimtarinë e tij në një pozicion të rëndësishëm kanonik.

Ndikimi i Prendushit ndihet në disa drejtime në ligjërimin poetik gegë, duke ruajtur finesën e dialektit dhe duke e lidhur me një univers të gjerë simbolik, në poezinë qytetare dhe patriotike, e cila fiton përmasa etike pa rënë në retorikë, në letërsinë për formimin e brezave, ku figura e fëmijës, e nënës dhe e flamurit shndërrohen në arketipe. Poeti bëhet kështu urë mes traditës dhe modernitetit: ai ruan thelbin e trashëgimisë kulturore, duke e përkthyer atë në gjuhë poetike që flet për njeriun, jo për pushtetin.

Vendosur në këtë kontekst, tri poezitë e analizuara nuk janë vetëm krijime të bukura lirike; ato përbëjnë një kurs të shkurtër etike: si ta duash nënën, si ta nderosh flamurin, si ta mendosh Atdheun pa urrejtje, por me përgjegjësi. Ndaj ndikimi i Vinçenc Prendushit në letërsinë shqiptare lidhet me këtë mesazh të qëndrueshëm poezia ka detyrë të ruajë kujtesën, të formojë karakterin dhe të hapë horizonte shprese. Kjo është arsyeja pse leximi i tij sot mbetet i domosdoshëm, jo vetëm si akt letrar, por si akt kulture dhe ndërgjegjeje.

 

 ______________________________________________________________

 

Poezitë e poetit Vinçenc Prendushi

Nana

 

M’i kande hyjt, qi ndrisin

Aq bukur atje n’qiell;

I due lulet e kandshme,

Kur njomshëm çilin n’Priell.

 

Knaqem sa herë m’bjen zogun

Me e ndie pyllës tuj vallzue.

A i ve un’ veshin prronit,

Kah rrshket tuj gurgullue.

 

Por lulet aq s’i due

S’i due aq hyjt vizluesa,

As m’knaqë blerimi i tokeve,

Me sa janë zogj kënduesa,

 

Sa m’knaqë perherë mue nana:

Virtytesh nji pasqyrë,

Nuk ka nevojë me m’folun,

Kam mjaft kur ajo më kqyrë.

 

 Kuq e zi

 28 nanduer

 

 

Fishkllon veri, ushton duhija,

Bjeshkët për rreth mbushen me borë:

Por kjo stinë për ne â me orë,

Qysh se i lule me rrit desht:

Rriti lulen kuq e zi,

Qi â ma e bukra në Shqipni.

 

Ngjyra e saj, njomsi prendvere,

Përtrin viset e Shqipnisë;

Lule â kjo, lule lirike,

Qi ne nderën n’vend na e çon,

T’falem, lule kuq e zi,

Si ty s’rritë mâ kjo Shqipni.

 

Kuq si gjaku, si përhera

N’dej t’ Shqiptarve idhtë pat vlue,

Zi si futa, qi pat mlue

Njat anmik qi me e njoft s’desht.

T’falem, lule kuq e zi,

S’t’ka kush, jo, pos ksaj Shqipni.

 

Ty t’bajnë burra nder lamije,

Vashvet parzmat jua stolise;

Je nderue nder kombe e fise,

Si dhanti e t’Naltit Zot.

Shejtë â lulja kuq e zi

E â ma e çmueshmja e ksaj Shqipni.

 

N’çdo kremtim, n’gzime kombtare

Mbledhë shqiptari çetë mas çetë,

Gjallnim s’ka, nuk nep shej jete,

Kur ket lule ngjet s’e shef.

Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi

Qi â ma e hiejshmja e ksaj Shqipni.

 

Rueje, pra, Shqipni fatlume,

Ket dhuntin e t’Përgjithmonit,

Afër lterit, afër fronit,

Ndër dit‘ gzimit e n’mjerim,

Rueje lulen kuq e zi,

Qi s’ka shoqe n’kët Shqipni!

 

Ushtari i vogël

 

Veshë e njeshë kshtu si ushtar,

Si ushtar e si shqiptar,

Shpatë për bri e pushkë ndër duer,

Me i rresht çmime në krahnuer,

M’ndieni, burra, n’po u tham:

Kqyrni sa i bukur jam!

 

 

A thue vjen për mue kurr ditë,

E kto armë, qi shof tuj ndritë.

Njekto armë, qi sot un bari,

T’i shti n’punë si i shtjen shqiptari;

T’i shti n’punë për me qindrue

Për vend t’em, p’r Atdhe t’bekue!

 

T’ishem sot n’ushtri me tjerë,

Me korrë kishem nam e nderë;

Punë fort t’mdha kishem me krye,

Edhe anmiqt kishem me i thye:

Me qindresë e dalë-kadalë

General kishem me dalë.

 

General! s’a’ punë me luejtë:

Me ra n’luftë edhe me muejtë;

Me drejtue gjith’ at ushtri,

Veshë e njeshë për bukuri.

Por ç’dobi, se ndodha i vogël,

As s’di ç’ujë e ban kët gogël.

 

Njizet vjet kishem me dashtë,

E atëherë kënd s’kishem me drashtë:

Me m’ndigiue kish’ gjith’ ushtrija;

Me m’permendë kish’ gjith’ Shqipnija;

N’luft’ un kish’ me ra si rrfe,

Gjall a dekë, veç për Atdhe.

 

Nji ditë baba bisedote

E ne djelmve kshtu na thote:

Për ke dekë bjen për atdhe,

Mos t’thonë diq, por t’thonë ka le.

Edhe unë pra, sado qi fmi,

Me dekë kishem për Shqipni.

 

Por ma parë un due me mujtë,

Due me i pa anmiqt të prujtë,

E, masi, me ndihmë të Zotit,

T’siguroj tokët e Kastriotit,

Edhe anmiqt un do t’i fali,

Mjaft qi t’më thonë: “Rrnoftë generali!”

 

General, s’a’ punë me luejtë:

Me ra n’luftë edhe me muejtë,

Me drejtue gjith’ at ushtri;

Veshë e njeshë për bukuri.

Por ç’dobi se ndodha i vogël

e s’di ç’ujë e ban kët gogël!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page