Sakip Cami: Kongresi i Triestes, mars 1913
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 16
- 3 min read

Kongresi i Triestes, mars 1913,
Kongresi i Kolonive Shqiptare për mbrojtjen e vendit nga copëtimi.
Dibra dhe delegatët e saj.
Nga Sakip Cami
Kongresi Shqiptar i Triestes ishte një kongres i shqiptarëve i mbajtur në Trieste në periudhën 1 – 4 mars 1913, organizuar nga Faik Konica dhe Sotir Kolea me mbështetje të fuqishme nga autoritetet austriake. Qëllimi i Kongresit të Triestes ishte mbrojtja e Shqipërisë nga copëtimi.
Nga e majta: Dervish Hima, Mark Kakarriqi (në këmbë), Faik Konica, Stefan (Tefë) Curani, Fan Noli, Masar bej Toptani, Hilë Mosi (në këmbë).
Lajmin për mbajtjen e kongresit e dha gazeta “Liria e Shqipërisë” e drejtuar nga Kristo Luarasi që dilte në Sofie në numrin e saj 66 datë 15 shkurt 1913. Sipas Haki Stërmillit kryetar i komisionit prej 7 vetësh ishte Hil Mosi, nënkryetar ë Dervish Hima dhe Faik Konica.[1] Anëtarë të kryesisë së kongresit ishin Dervish Hima, Fazil Toptani, Hil Mosi, Pandeli Evangjeli dhe Stef Curani. Si organizatorë të Kongresit njihen Faik Konica dhe Sotir Kolea.
Qarku i Dibrës u përfaqësua nga Hamdi bej Ohri, nipi i Iljas pashë Dibrës dhe Islam Dibra. Përvec këtyre dy përfaqësuesve nga Dibra ishte edhe Baftjar Kuka, i cili ndodhej atje, i larguar nga Shqipëris në arrati.

Pas pushtimit të Dibrës së Madhe nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene në nëntor të vitit 1912 dhe mos lejimit nga ana e autoriteteve ushtarake të saj e ngritjes së flamurit shqiptar më 28 nëntor 1912, flamurit të dërguar nga Qeveria e Vlorës dhe Ismail Qemali, dibranët intensifikuan veprimtaritë e tyre atdhetare dhe luftarake. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e tyre në këtë kongres të kolonive shqiptare, kongres që gëzonte mbështetjen e Perandorisë Austro-Hungareze. Trieste asokohe ndodhej nën Perandorinë Austro-Hungareze.
Kongresi i Triestes u mblodh në një kohë kur viset shqiptare ishin të përfshira nga Lufta Ballkanike. Ai ishte dhe mbetet provë e aspiratës së shqiptarëve për një shtet evropian e cila në vitin 1913 mbështetej fuqimisht nga Perandoria Austro-Hungareze. Delegatët shqiptarë në kongres shfaqën vokacionin e tyre perëndimor dhe treguan mirëkuptim ndaj grupeve të tjera etnike që ndanin të njëjtin fat me ta në Ballkanin që digjej nga lufta
Cështjet që u diskutuan:
1. “Kërkesat per nji Shqipni të madhe, të tillë që të mund të jetojë e pamvarme politikisht dhe ekonimisht.2.Tue marrë para sysh se Vllahët që jetojnë në rreth të Shqipnisë dëshirojnë të jenë unjisuem me shtetin e ri, të lirë, na tue i pëlqye me zemër i pershndesim vllaznisht së bashku me të tjerë kombsie së ndryshme që dëshirojnë me jetue në Shqipnin e re.3.Tue dijtë se fuqitë e mëdha kanë njoftun si parim formimin e nji Shqipnije të lirë e se dhe qeveria jonë asht diftue asnjanse në këtë luftim, na, n’emën të drejtësisë, lypim që t’u epet fund luftës e rrethimevet.4.Shkoqitje mbi formën e qeverisë”. (Zgjedhja e formës së qeverisjes)
Delegatët e kongresit në diskutimet e tyre folën rreth gjendjes tragjike të Shqipërisë, nevojën për bashkim dhe domosdoshmërinë për t’i treguar botës pjekurinë e shqiptarëve.
Dervish Hima, Leonidha Losi dhe Orazio Iriani përshëndetën nxehtësisht Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe kërkuan që kongresi të mos njohë tjetër qeveri pos asaj të shpallur nga Ismail Qemali.Nga kongresi iu drejtuan telegrame falenderimi Kontit Berchold, Markezit Di San Giuliano dhe Ministrit të Jashtëm të Rumanisë. Delegatët në kongres u shprehën kundra armiqve të Shqipërisë dhe veprave të tyre barbare që po kryen në tokën shqiptare.
Në kongres morën pjesë tre pretendentë për fronin të Shqipërisë. Ata ishin Princi Albert Gjika, Baroni Franc Nopcsa dhe Markezi i Auletës.
Nga arbëreshët e Italisë në kongres ishte i pranishëm Prof. Zef Skiroi që në fjalën e tij hodhi poshtë thëniet se shqiptarët janë barbarë e refraktarë të qytetërimit, duke i paraqitur armiqve kolonitë e lulëzuara të shqiptarëve që gjenden në shtete të ndryshme. Ai foli për dobinë që i vjen Austrisë e Italisë nga një Shqipëri e plotë, natyrale dhe e mbylli bisedën duke thënë: “Na jepni dhjetë vjet liri e keni per të pa kush janë shqiptarët”.
Pjesëmarrës në Kongresin e Triestes si Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Idriz Manushi, Haki Florina, Fan Noli, Mark Kakarriqi, Pal Gjergji, Fadil Toptani, Dervish Hima, Frano Kinigo etj., kundërshtuan fuqimisht copëtimin e viseve shqiptare të Kosovës dhe Manastirit.
[1] “Haki Stermilli, “Dibra në prag të historisë : 2023, faqe 152









Comments