top of page

Sakip Cami: Kongresi i Lushnjës janar 1920 dhe roli i konsullit britanik Morton Frederik Eden

Kongresi i Lushnjës janar 1920 dhe roli i konsullit britanik Morton Frederik Eden

 

Nga Sakip Cami

 

Kongresi i Lushnjës është ngjarja më e madhe dhe vendimtare për shpëtimin dhe ringritjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Historiografia shqiptare e paraqet me të drejtë Kongresin e Lushnjës si sukses i politikës shqiptare të kohës, por duhet nënvizuar fakti se ky sukses erdhi pas një lufte të ashpër politike midis dy grupeve rivale politike, midis grupit të Esat pashë Toptanit dhe të Qeverisë së Durrësit dhe grupit të politikanëve patriotë e mendjendritur të kryesuar nga Aqif pashë Elbasani (Biçakçiu), Ahmet Zogu, Sulejman Delvina etj. Organizimi i kongresit ishte një veprimtari politike me karakter kombëtar, por nuk flitet sa duhet për faktorin ndërkombëtar dhe konkretisht për rolin britanik, veçanërisht të konsullit britanik Morton Eden. Qeveria Britanike nuk ishte dakord me praninë e trupave italiane në Ishullin e Sazanit dhe në qytetin e Vlorës, nuk ishte dakord me politikën nënshtruese të Qeverisë së Durrësit ndaj italianëve, nuk ishte dakord me kërkesat ekspansioniste të Serbisë dhe të Greqisë për zgjerim të tyre në dëm të Shqipërisë, prandaj përkrahu mbajtjen dhe vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe ndikoi nëpërmjet konsullit të saj Morton Eden. Mbështetës për organizimin e Kongresit të Lushnjës ishin edhe ministrat e qeverisë së Durrësit, që morën pjesë në Konferencën e Paqes në Paris Mehmet Konica, Mihal Turtulli dhe imzot Liugj Bumçi, të cilët u takuan në Paris edhe nga konsulli i Anglisë Morton Eden.


Eqerem Bej Vlora që ishte kundër zhvillimit të Kongresit në kujtimet e tij tregon se konsulli Morton Eden fliste hapur me nacionalistët shqiptarë për dëbimin e italianëve dhe zhvillimin e një kongresi kombëtar. Ai e kishte pritur konsullin në shtëpinë e tij. Në një dorëshkrim të Ahmet Shehut që ruhet në Shtëpinë Muze të Kongresit të Lushnjës jepen të dhëna për një takim të konsullit Eden në Teqenë e Karbunarës ku foli për nevojën e një kongresi kombëtar pasi sipas tij pavarësia e Shqipërisë ishte në rrezik. Pas marrjes së vendimit për mbajtjen e kongresit në Lushnjë, Eden shkoi në Peqin, Tiranë, Mat dhe Shkodër.

Gjatë udhëtimit për në veri ku shoqërohej nga Preng pasha ai u plagos, por nuk e përhapi lajmin se kjo do ta dëmtonte misionin e tij. Në Kongresin e Lushnjës ai merr pjesë së bashku me kolonelin britanik Philips. Ndërkohë, Qeveria e Durrësit, e mbështetur edhe nga forcat ushtarake italiane, u përpoq me çdo mjet të pengonte zbatimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjës. PPërballë presioneve dhe kërcënimeve të armatosura, disa delegatë nga Tirana, Elbasani, Kavaja dhe Shijaku shprehën mendimin që të qëndronin përkohësisht në Lushnjë, nga frika e sulmeve të mundshme nga forcat italiane, të nxitura nga qeveria e Durrësit. Në detyrën e Ministrit të Brendshlm, Ahmet Zogu luajti një rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e rendit dhe autoritetit shtetëror në një Shqipëri të trazuar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u vendos në Tiranë dhe që nga ai moment, Tirana mbetet kryeqytet i Shqipërisë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page