Sakip Cami: Edlira Saraçi fituese e Çmimit të parë “Mirash Ivanaj”, Mësuesi i Vitit 2026”
- Mar 23
- 2 min read

Instituti, Fondacioni “Mirash Ivanaj” me qendër në Tiranë më 7 mars, në diten e mësuesit shpalli çmimet për mësuesit më të dalluar të Tiranës.
Drejtësia, ndershmëria dhe transparenca ishin parimet mbi të cilat ndërtohet çdo iniciativë e M. & M. Ivanaj Institut.
Edicioni i parë i Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” u zhvillua pikërisht në këtë frymë, duke vendosur në qendër vlerësimin e meritës në arsim.
Procesi angazhoi rreth 18,000 pjesëmarrës nga komuniteti i nxënësve, prindërve dhe kolegëve të mësuesve të Tiranës, fillimisht në fazën e propozimeve dhe më pas në votimin publik për finalistët. Ky çmim synon të ndërtojë një traditë të re vlerësimi publik për mësuesit që çdo ditë formojnë të ardhmen e shoqërisë.
Për ciklin e arsimit fillor fitues u shpallën: 1. Çmimi i parë Edlira Saraçi e Shkollës 9 vjeçare “Edit Durham” Tiranë 2. Çmimi i dytë Anila Hoxha 3. Çmimi i tretë Mimoza Karaj. Për ciklin 9 vjeçar u shpallën këto fitues: 4. Juli Kovaçica , çmim të parë 5. Belinda Xhafka, çmim të dytë 6. Kujtim Mërzira, çmim të tretë. Për arsimin e mesëm u shpallën fitues: 7. Majlinda Ziu, çmim të parë 8. Vera Prendi, çmim të dytë 9. Elmira Gjonaj, çmim të tretë.
Shpallja e fituesve u bë në TV Klan në emisionin “Ka një mesazh për ty” nën drejtimin e moderatorit të mirënjohur Ardit Gjebrea dhe me përshëndetjen e Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro.

Fituesja e çmimit të parë Edlira Saraçi nga Dibra, mësuese në Shkollën 9 vjeçare “Edit Durham” nderon gjithë komunitetin dibran në Tiranë, në Dibër dhe më gjërë.
Edlira është lindur në Gjoricë të Dibrës. Arsimin 8 vjeçar e kreu në Gjoricë me rezultate të shkëlqyera.
Prindërit e saj Sere dhe Ferit Cami ishin arsimdashës dhe nxitën te Edlira dhe motrat e vëllezrit e saj dashurinë për dijen.
Edlira ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike të Peshkopisë, një shkollë me tradita që ka përgatitur shumë gjenerata mësuesish jo vetëm për Dibrën, por edhe për gjithë Verilindjen.
Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike me rezultate të larta , Edlira fitoi të drejtën e studimit për në Universitetin e Shkodrës në degën e mësuesisë.
Ka punuar si mësuese në Peshkopi dhe pas transferimit të bashkëshortit të saj Emin Saraçi, ushtarak, tani jurist dhe avokat në Tiranë, Edlira ka mbi 20 vite që jep mësim në ciklin 5 vjeçar në Shkollën 9 Vjeçare :” Edit Durham” duke u bërë një mësuese shembullore.
Ajo gëzon respektin e kolegëve, të nxënësve dhe të prindërve.
Ka fituar të gjitha kualifikimet pedagogjike ndër vite sipas kurikulave të MA.
Çmimi i parë “Mirash Ivanaj” është një vlerësim dhe meritë e shtuar edhe për Shkollën 9 Vjepare “Edit Turham”, një nga më të dalluarat në kryeqytet.








Comments