Sakip Cami: BALADË...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 5
- 5 min read

BALADË PËR DËSHMORËT E FSHATIT TIM
(Në prill të vitit 1941 në fshatin Viçisht të Dibrës, fashistët italianë pushkatuan katër kryengritës dhe burgosën 20 të tjerë.)
Fushë e mirë e Mireshit
Priti bijtë, po të vijnë
Po të vijnë dorë për dore
Thotë fusha: Mirëse të vijnë.
Fushë e bukur e Mireshit
Priti bijtë kapedanë
Prit Mexhitin dhe Seferin
Prit Ejupin dhe Musanë
Ti o prill dyzetë e një
Na i more djemtë tanë
Na i more në rini
Na e dogje thellë xhanë.
Pushkatim, o i mallkuar
Pushkatimin ke për hak
S’vriten trimat jo, me plumba
Se kanë zemrat si bajrak.
S’ lidhen zemrat me zinxhir
S’ mbyllen sytë me shami
Se shqiptari vdes i lirë
Si shqiponjë në kaltërsi.
Plumbat e fashistëve
Këngën nuk e prenë
Malet oshëtinë
Burra, besë a besë.
Edhe mali zë përkulet
Edhe bora s’don të shkrijë
Nuk po çelin as lulet
Edhe moti mban zi.
Dhe e thau barin fusha
U drodh toka si tërmet
I thau degët gëmusha
Dheu trimat nuk i tret.
Ejupi
(gjimnazisti)

Edhe në shkollë partizan
Më i miri gjimnazist
Me trup ishte në Tiranë
Dhe me zemër në Viçisht.
Djalë i pashëm dhe i bukur
Ballëgjërë, flokëdredhë
I shkathët porsi një turtull
Si shtatore trupi derdhë.
Ballëmenduar dhe syqeshur
Nën kapelë flokët dallgëzojnë
Nën xhaketë mban revolver
Në demonstratë dhe aksion.
Përmbi ballë beretë e vogël
Nën ballë dy sytë e zinj
Nën gjoks zemra këndonte
Në kokërdhokë dritë e lirisë
Zemra e re djaloshare
Me një zemër dashuruar
Kënga e tij 19 vjeçare
Me një tjetër është bashkuar
Lamtumirë, e dashura ime
Se fashistët më gjurmojnë
Do të kthehem me lirinë
Do të kthehem me shqiponjë.
Lamtumirë Tiranë e dashur
Unë po nisem për Viçisht
Lamtumirë mike e dashur
Këtë unazë mbaje në gisht.
Moj unaza gurakuqe
Moj unaza rreth floriri
A e din ku lufton ai ?
A e din ku prehet trimi ?
Dibra e Madhe seç dëgjon
Krismën e sertë të pushkës së tij
Në Miresh bashkë me shokët
Mbeti trimi më i ri.
Moj unaza gurakuqe
A do të më çosh një porosi
Me i thanë të mirës nuse
Gëzo për mua, ti, lirinë.
Seferi
(komiti)

U rrit në Sepetovë
Me ujë trimërie
Në dejet e tij u rrit burrëria
Në sytë e tij dritë lirie
Hasmit ja numëroi
Lule Sefer Komiti
Populli në zemra
Lapidar i ngriti.
Musai
(bujku)
Pesë fëmijë i dalin para
Katër djem dhe një vajzë
Babë, ku shkon babë
Thirje e fëmijve e bën si luan.
Edhe prangat i këputi
Në betejë shokët ftoi
Breshëri e mitrolozit
Mbi dëborë e rrëzoi.
Seç e grryen një merak
Edhe sytë i mban çelë
Sheh tek nusja foshnjën në bark
Pret një gonxhe për të çelë.
Mexhiti
(bariu)

Fëmijëri e grisur e ndoqi pas
Rritur me njëmijë mundime
Arrna, arrna e grisa grisa
Kurrë s’u ngop me thërime.
Në calik një grusht gjizë
I mbante shpirtin njëzet orë
Qumësht milte, qumësht nuk pinte
As në verë, as në dimër me borë.
Blegërimë e ëmbël e deles
Cicërimat e bilbilit
Kënga kreshnike e fyellit
Vijnë me të në këtë fillim prilli.
Ç’të duhet ty politika ?
Të pyetën në kuesturë
Që ju të mos na thithni gjakun
Shtetin tim ta drejtoj unë.
Fasliu (mësuesi)

Normalisti i “rrezikshëm”
Kurrë fshatin s’e harroi
Fshatin ku i jati i tij
Kundër serbëve luftoi
Deshën që t’i jepnin gradë
Dhe t’a bënin oficer
Që të shkelte mbi babanë
Që të shkelte besë e nder.
Tekstet italiane i hodhi tej
Abetaret i nxorri nga dheu
“Mësoni pushkën, o fëmijë,
Librin e pushkën e atdheut”
I kish ruajtur gjyshi
Në sepetin e gurtë
I kish ruajtur nëna
Bashkë me flamurë
Në gjoks mbante hartimet
E vocërrakëve të mësuar
O sa shumë ëndërrime
E kishin pushtuar.
Me dhjetra fashistë
Rrugën seç ja prenë
Por nuk pritet drita
Nuk ndalen rrufetë.
Hartimet u gjakosën
U gjakosën ëndërrat
Trupin e mësuesit
E mbështollin nënat.
Të gjithë

Kuestori Abisino
Shkumbëzon, bërtet e cirret
Ç’janë këta njerëz të pamposhtur
Ç’është kjo tokë që nuk bindet.
Gjaku i tokës, gjaku i shqipes
Në gjokset tona dhe të bijve
Njëqind herë po të vdesim
Njëqind herë do të ngrihemi.
*
Viçishti vend i rrallë
Shtat lart si bijtë e tij
Flokët ja kreh era
Ballin lart tek yjet.
Tre përrenj si tre lumenj
Bashkohen në Drinin e Zi
Dhjetra kodra si lëmenj
Si gjerdan e si stoli.
Jamishtja, pyll i bukur
Fshatit i qëndron kurorë
Krahë shkruar porsi flutur
Krahë fortë si shqiponjë.
Këtu u mblodhën nëntë malet
Këtu u thyen shumë ushtri
Këtu u mundën të gjithë krajlët
Këtu u njoh vetëm LIRI.
Njëzet burra nga ky fshat
Burra pleq dhe të rinj
Janë gati që të maten
Ballë për ballë me Itali.
Thonë do i çojnë në Itali
Thonë do i mbajnë në Tiranë
Në Burrel në burg të zi
Ti groposin për së gjallë.
*
Ditari i komandantit
Shkruar plot me mall
Mbushur plot me ëndrra
Mbushur plot me plagë.
Dilaveri

Në qeli të burgut
Gjysmë metro ujë
Dyzet kile pranga
Varur ndër gjunjë.
Qindra kamzhikë
Racion për çdo ditë
Uritur për bukë
Etur për dritë.
Një nga një dhëmbët
I shkulte xhelati
Këngë pas kënge
Këndonte evlati.
Në kuesturën fashiste
Dhimbjet përtypte
Nga goja betuar
Gjë të mos nxirrte.
Ta përplasën kokën
Në murin e betonit
Zemra të pushoi
Syri larg vështroi…
…
I kishte marrë malli
Për një rreze dielli
U digjej xhani
Për kupën e qiellit.
Ja letra e parë
E dërgonte nëna
Natën e ndriçoi
Porsi diell kënga…
Hamiti

Ti udhëtar që kalon
Tek Çezmja e Turkeshit
Edhe sot e dëgjon
Krismën e tij t’ rrebeshit
Pushka e tij në brigadë
Pushka e tij në kufi
Nuk u ndal në shtrëngatë
Nuk u ndal
në stuhi
Ti udhëtar që po pi ujë
A e vë re se është i kuq ?
Me pika gjaku i përzier
Dhjetra vjet nuk u zhduk
Dhjetra vite, edhe qindra
Do të kujtohesh, o Hamit
Tek kjo çezëm që nuk ndalet
Rrezaton ti vetëm dritë...
Komandanti i Çetës
Ahmet Cami

Golloborda jonë me halle
Për një krodhe kurbetlie
Golloborda jonë me male
Seç u bë pishtar lirie.
Çeta e saj mblodhi bijtë
Përmbi Drin, beteja e parë
Nga Stebleva në Viçisht
Dolën trimat vullnetarë.
Ahmetin e deshën shumë
Ndaj e zgjodhën komandant
Goja mjaltë e fjala punë
Qerpiku s’ju drodh një çast.
Komandant e komisar
Lidhur fort mish e kockë
Ndonëse Spiro ish korçar
Buzë Drinit rritur tok.
Nga aksioni në aksion
U hodh çeta me vërtik
Por një ditë në tetor
Komandanti ç’u godit.
Syrin hapur përmbi shtekëz
Ballin mbi pushkë mbështetur
Gishtin gati përmbi këmbëz
Si snajper sypafjetur.
*
Hidhen trimat vetëtimë
Pas teje o komandant
Dielli në mal flakërin
Flamuri valvitet mbi Korab
Lufton Çeta e Gollobordës
Luftojnë trimat si luanë
Në palën e skuqur të flamurit
Pjesën e gjakut ata kanë.
*
Fusha e blertë e Mireshit
Lapidarin ka në ballë
E hap gjoksin dhe nxjerr djemtë
Siç i mori, ashtu, të gjallë.
Comentários