Sahati i Elbasanit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 15, 2020
- 3 min read

Shtrëngatë
Nga Fatmir Teërziu
Tehu braktiset nga shtriqja e ajërt
copëton barkun e zgjatur të ujit.
Nga dega këputet një litar i zjarrtë
mbi suprinën e plasarritur
si një mangall i mbushur.
Hiri e ndjek heshtazi dihatjen
e shpirtit të lodhur
dhe e struk
në gjirin e tij.
Nga brenda me gojën shkumë
dashurohet me shtrëngatën
thëngjilli i mbuluar djeg më shumë.
Sahati i Elbasanit
Nga Fatmir Terziu
Nëse hedh hapin përsëri, më ndje
jam shurdhuar duke të pritur
mjalti i diellit është mbledhur mënjanë
shamia e verdhë e gushtit i mbështjellë në gjoksin tënd
sekretet e rrahjeve në asfalt
atë çast jam vetë mysafir i takave të tua
më ndje, nëse hedh përsëri një çap,
petale të freskëta të kuqe të muzgut do të mbledh
mbi buzët e tu do t’i ngjyej me mjaltë.
Eh, më ndje nëse hapi im shurdhohet nën pemë
jam duke lexuar magjitë e mbrëmjes
si ciganët, po akordoj një këngë të çuditshme.
Eh, më ndje nëse jam duke heshtur
e heshtja të duket fare kot
po nxjerr vragën nga brenda pemëve,
ndaj dihas të të dhuroj oksigjen të pastër…
… të alarmuar nga kjo zhurmë gjethet ranë në tokë,
sikur njëmijë dihatje qëlluan në ajër.
2019-2020
Votoni: numri… Kala!
Nga Fatmir Terziu
Mijëra gurë kanë bërë paqe me dhimbjen
mijëra burra ngrihen e ulen
gratë në telajon e një dite me diell
kumuritë në mantel
një kube e vetme prej ajri
bën garë me harabelat e vjetër
diku ndjej aromë severgjeni
një kopsht me zerdeli
me disa portokalle të shpërndara
pa të qeshura
e heshtur
një govatë gjysmë e mbushur në dalje
me ujë të gjelbër
disa shapka të vjetra
një qoshe e ndërtuar nga erërat
aty nuk shitet, as nuk blihet
vetëm qentë e rrugës ndalojnë sa herë u pshurret
më poshtë festohet
turmat e të angazhuarve zihen për flamuj të grisur
çdo cep ndarës i rrugës
kurban i nxirë
shkronja të hapërdala nga kuptimi e fjala
Votoni: numri… Kala!
Elbasan 2019
Tingulli i “Banesave”
Nga Fatmir Terziu
E ndjej kolovitjen e llampës gjysëm të varur
në rrokopatinën e madhe që po kaloj
takat e lehta trembin zemrën e natës,
binjakëzohet me mua dhe hija ime
jam i vonuar
me një shishe ujë të gazuar në dorë
askush nuk është atje përveç erës dhe pemës,
dhe një vegimi tipik qorr.
Kthej kokën të pyes hijen:
ajo struket nën një gazetë të zverdhur
e më pas dridhet
ngrihet mbi një mur të thatë duke lexuar
“Kjo vilë shitet!”
Më tej s’ka heshtje
psherëtimat mes vetes grinden fort e më fort
kërkojnë zgjidhjen me një soj pasaportë.
Pa qetësi dritat janë shuar
Ullishtja është strukur në dritaret me qepena
nata nuk ka të zgjuar
as Ti nuk je më aty brenda… as Ti
dhe ajo që ndjej
tingulli i “Banesave” është konsumuar
kush është më i ngjashmi me mua?
E lodh më kot kërkimin edhe këtë herë
duke u përpjekur të gjejë sedimentin e tij,
po ikën ora në puthjen magjike
Hëna diku shfaqet me flashitje në sy
është si një maskë prej frike
derisa në zemrën e natës
heshtja ushqen përsëri banditizmin e saj.
Elbasan, “Banesa” 2019.
Tek “Kristoforidhi”
Nga Fatmir Terziu
Ajri i lagësht
ka punuar jashtë orarit
gravura me pisha gjëmbaçe
poshtë sofrabezit ku pickojnë bletët
në kadife që përthajnë zagushinë.
Heshtja bojatiset me larushi cicërimash
në trotuarin ku blen kokoshka
me aromën e plastikës së nxehtë
gjyshja e cila mban përdore me forcë
në dorën e saj pa patericë
një tortë.
Mbërriti sirena e pasthirmës
si një lajm i stisur
turma si një re tymi,
shpërndan sytë tek copat e kartonit
që shtrojnë para bustit me ngut
tubat e frymëmarrjes me frymë
një “Gëzuar …” që shkronjëzuar derdhet
mbi një simbol … zemre
mbi një Abetare
prej letre.
Kaq dhe Ajo bekohet nga Kristoforidhi
aty ku takimi i parë i saj, ishte i fundit kësaj here.
Elbasan, gusht 2019
Tek “Pusi që lahet vetë”
Nga Fatmir Terziu
Mos më thuaj se je një pikë
cili nuk e ka shuar etjen në imagjinatën tënde
e shkuara kërkon: shkruaj
… shkruaj për mua.
Dora është bërë një
me gurin tënd të latuar,
ndërsa lexoj atë që kam shkruar.
Mos imito përtharjen e buzës
lutjen plot finesë nga lotët e perëndive.
Kjo pikë është më e bekuara nga trupi yt,
mbaje në lotin e largët
e ndërsa ende për Ty kam mall
më mba afër edhe kur jam larg ndonjëherë,
edhe bulëzat kanë dhimbjet e tyre
ato burojnë prej syve bëhen perlë.
Mos më thuaj se nuk je më një pikë
e tharë përtej syve…
na dogji malli të dyve.
Elbasan gusht 2019
Një kohë e mirë për çajin jeshil
Nga Fatmir Terziu
Nuk ndodh të të kem thirrur kam kohë
Nuk ndodh. Të jemi bashkë të zgjuar në një kohë
unë vij bashkë me pikat e shiut
tretem në të njëjtën botë
kur je zgjuar
kur në ëndrrën time je duke kërkuar
një rrugë
me të cilën të dy bashkojmë Kurorën e qytetit
përtej një tufe zogjsh që fluturojnë
memorjeve.
E unë shëtis bashkë me këtë tufë
fustanin tënd
ku zgjimi është një kopësht
pastaj gris rrjetën e mendimit
zbres poshtë
një kohë e mirë për çajin jeshil
ne pastaj i bëjmë bashkë
detyrat tona në shtëpi.
2019-2020
Edhe sikur poeti mos ta vinte emrin, poezia terziuane dallohet menjëherë nga stilistika e veçant dhe figuracioni aq i freskët e origjinal. Hijeshinë poetike ia shton edhe artikulimi me natyrshmëri e emocion nga autori i vendeve e fjalëve të spikatura nga të qytetit e trevës së vendlindjes së tij, dhe mbi të gjitha shpirti kombëtar e universal që e përshkon.
Me shumë respekt! Kozma Gjergji.