top of page

Sabiha Kasimati: Shkencëtarja e parë e racës shqiptare, e bukur fizikisht dhe e bukur mendërisht


Viihelme Vrana Haxhiraj "Mjeshtër i Madh"

Sabiha Kasimati: Shkencëtarja e parë e racës shqiptare,

e bukur fizikisht dhe e bukur mendërisht

Ajo e donte atdheun, të cilit i kushtoi aftësitë e saj profesionale dhe intelektuale si studiuese, por fatkeqësisht bishat e Sigurimit të Shtetit i vodhën më parë jetën, pastaj veprën.

Sabiha Kasimati, shkencëtarja elitare, që vrau Enver Hoxha, i cili jo vetëm i vodhi jetën por edhe identitetin si shkencëtare.Ajo ishte një intelektuale perëndimore që ecte kundër rrymës.

Bukuroshja,“Sabiha Kasimati, sot mbushen 69 vjet nga vrasja tragjike e intelektuales perëndimore”- kështu do ta quante cilido që ka njohur studimin e saj, një dorëshkrim shkencor i një pune shumëvjeçare për jetën e nën’ujit ose mbi gjallesat e ujit që ia vodhën paturpësisht, dhe bashkë me të edhe identitetin.

Mirënjohje intelektuales që shkëlqeu në çdo etapë të edukimit të saj arsimor dhe shkencor, së cilës ia vodhën studimin në dorëshkrim gati për botim.

*vo:gezetaexpress-15 shtator-2015 :Ajo ishte beqare,39 vjeçe, kur një togë pushkatimi qëlloi mbi të pa pasur asnjë dënim me vdekje dhe asnjë vendim gjykate që e njihte fajtore. Plumbat nuk e kapën, por ushtarët e vranë pa mëshirë duke e goditur me kondakët e pushkëve, derisa dha shpirt.

Shkencëtarja Sabiha Kasimati që pamëshirshëm dhe paturpësisht i vodhën studimin…u mohua dhe u la në harresë.

*voTelegrafi, 28-2-2016, intervistë me Viktor Kasimati, nipi i Sabihasë:

*-Halla juaj është një prej 22 personave që u pushkatuan në mesnatën e 26 -2-1951-, pas“hedhjes së bombës” në ambasadën ruse në Tiranë. Si e mbani mend Sabihanë, pasi ju keni qenë 16 vjeç?

*ViktorKasimati: -Ishte një nga 22 personat që u pushkatuan për atë që njihet si bomba e Ambasadës sovjetike. Asnjë nuk kishte faj. Sabiha Kasimati ishte shkencëtare, kishte studiuar në Itali. Pasi mbrojti doktoraturën, miqtë e saj me të cilët kishte studiuar në Torino, i kishin ofruar një vend pune në Amerikë. Gjatë bisedave me babanë, i tregonte që e kishte refuzuar punën në Amerikë, se dëshironte të punonte në vendin e saj, në Shqipëri. Sa u kthye në atdhe, u emërua në Institutin e Shkencave, si institucioni më i lartë shkencor dhe i vetmi i kohës me drejtor Selaudin Toton. Aty punoi me emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si: Suad Asllani, profesorin polak Zuber, që jetonte dhe punonte në Shqipëri etj.

Në Shqipërinë e viteve 1945-46 u duk sikur punët shkonin mirë, por në fillim të viteve 1947-48, lufta e klasave ndaj fisnikërisë nisi të ashpërsohej, një qëndrim armiqësor, me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë dhe nuk pranoi kurrë as idetë komuniste. Gjendja politike në Shqipëri u rëndua shumë, pasi nisi të goditej, të dënohej e të vritej pa asnjë faj fisnikëria me elitën intelektuale, që ishin palca dhe truri i kombit, disa prej të cilëve ishin shokë të saj.

*Sabiha Kasimati-shkencëtarja e parë shqiptare:

-Oh, sa pak shqiptarë e njohin emrin e saj. Shumë-shumë mund të kujtojnë fundin e trishtë e tragjik të saj, por thuajse askush nuk e njeh atë si shkencëtare ose e thënë ashiqare, Sabiha Kasimati, gruaja e parë shkencëtare e racës shqiptare.

Historia e saj, e parë në aspekte apo këndvështrime të ndryshme, është interesante, ndaj vlen të quhet pa asnjë ngurim:“Sabiha Kasimati, një intelektuale perëndimore”, gjë e pazakontë për Shqipërinë e fillimshekullit të XX- të. Nëse historia s’do të shkruhej e lexohej nën ndikimin politik, Sabihaja nuk do të ishte e panjohur siç është deri tani.

Tradita shumëshekullore mesjetare, pushtimet e njëpasnjëshme, me gjithfarë kulturash, ndikuan te shoqëria shqiptare që ishte shumë e egër dhe e mbyllur ndaj grave. Diktatura komuniste ishte e kundërta e kulturës ilire, krahasuar me të, ku gruaja merrte pjesë në kuvende burrash. Ndaj roli i tyre aktiv në shoqëri ishte i papranueshëm. Sipas mendësive të imponuara, vajzat i martonin që në rini për të lindur dhe edukuar fëmijë, si dhe të mbanin shtëpinë.

Përballë kësaj shoqërie të mbyllur, të përndjekur, të shpërfillur e të mohuar nga shteti, shoqëria dhe familja, qëndronte figura e Sabiha Kasimatit, si grua e arsimuar, intelektuale e mirfilltë me një këndvështrim tjetër për botën. Më pas si shkencëtare, ajo sfidoi shoqërinë shqiptare me paragjykimet që mbartëte nga mentaliteti shekullor, ajo e ngriti veten në piedestalin e kombit. Porse të tilla elita, aq më tepër femra të civilizuara, ishin të paragjykuara nga politikat e kohës së mbrapshtë. Sidomos në diktaturën e proletariatit, duhej të zbatoje vijën e masave dhe asnjëherë nuk duhej të vije në jetë dijet shkencore, inteligjencën, vullnetin, pa të dhënë lejë diktatori dhe PKSh-ja.

*Le të njohim shkencëtaren Sabiha Kasimati:

Sabiha Kasimati

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, nga Libohova e Gjirokastrës, që ushtronte profesionin e mjekut në Turqi. Familja Kasimati i rriti fëmijët me ndjenjën e atdhetarizmit me dashurinë për kulturën shqiptare, si dhe atë evropiane, edhe pse larg atdheut. Kasimatët u kthyen në Shqipëri, u vendosën tek i vëllai në Korçë, qytet i njohur për ndikimin e kulturës franceze. Njëra nga dy motrat, Sabihaja ishte vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korçës, që më pas shërbeu si shembull për shumë vajza të tjera. Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe. Qysh në moshë të re, fati i saj bëri që të dallohej dhe të ishte e vetmja femër që po arsimohej në një klasë me djemë.

Ishte shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, njohje më pas i kushtoi shumë shtrenjtë! Ajo ra në sy për inteligjencë dhe zell të madh në studime. Qysh në lice ajo zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja, madje tërhoqi vëmendjen e profesorëve francez të liceut për theksin perfekt në frëngjisht. Si mbaroi liceun, punoi pak kohë si mësuese në lëndët edukatë morale dhe frëngjisht në Institutin femëror të Korçës. Më pas dha biologji në shkollën “Harry Fultz”në Kavajë.

Në vitin 1936 realizoi ëndrrën e saj më të madhe, nisi studimet universitare, në Fakultetin e Shkencave Biologjike -Torino, me një bursë studimi nga shteti. Universiteti, ishte një privilegj i pak fatlumëve, kurse për një femër ishte rast i rrallë. U diplomua me maksimumin e pikëve, duke fituar 30 pikë nga 30 të mundshmet. Madje më 1941 mbrojti edhe doktoraturën.

Në Itali, fal inteligjencës së saj dhe rezultateve në shkencë, i ofruan të punojë si asistente në Katedrën e Ihtiologjisë në Universitetin e Torinos. Dëshira për t’u kthyer në atdhe dhe për t’i shërbyer vendit të saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Në Tiranë punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, me drejtor Prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur. Këtu realizoi një kërkim shkencor me rëndësi në fushën e ihtiologjisë (disiplina që merret me studimin e peshqve). Kjo fushë kishte më tepër rëndësi, pasi Sabiha ishte dhe ihtiologja e parë shqiptare, në një kohë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë. Ishte e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të çmuar për vendin tonë që ka ujëra mjaft të pasura. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje e nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit e cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të madhe e të stërlodhshme në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetëra ekspedita. Eksploroi nga liqeni i Butrintit deri në liqenet e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon e Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike e fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ishte i njëjtë me atë të shkencëtares Rosalind Franklin, e para shkencëtare femër që zbuloi ADN-ën te qeniet e gjalla. Si ajo dhe vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy sudiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë. Vizitohej shpesh nga miqtë e mikeshat e saj intelektuale, ku diskutonte dhe ballafaqohej me elitarë. Me një personalitet dhe individualitet të tillë përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazheve apo intelektualëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur si shoqëria jonë. Përsëri ajo sfidoi kohën, zakonet dhe traditat e shoqërisë se atëhershme.

E njohur për karakterin e drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duke iu drejtuar:“Ti po vret të gjithë intelektualët! Në ç’mënyrë e me cilët intelektualë e specialistë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Sabiha u trondit nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Për eliminimin e tyre pësoi një zhgënjim të madh dhe mbajti qëndrim antikomunist. Në bisedat me të vëllanë, shprehej se të gjitha këto që bënte PKSh-ja ishin të padrejta. Thoshte se shteti demokratik nuk mund të ndërtohet mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste dhe Enverit, pasi kam qenë në një klasë me të në Liceun e Korçës. E njihja mirë kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme.”-Një arsye më shumë ishte njohja e Enverit nga Sabihaja, si dhe qëndrimi i saj, që e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend. Kjo i krijoi diktatorit Hoxha mundësinë që të gjente shkak për eliminimin e saj.

Kur mësuam se Sabihanë e kishin arrestuar, besuam se ishte gabim. Atëherë e ëma vendosi të shkonte dhe të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht. Po përgjigja e tij e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin!”- ia zbehu shpresat nënës dhe mendimin e familjes se arrestimi i saj ka qenë një gabim. Dhe ky vendim i dëshpërueshëm, disa muaj më vonë u pasua nga fjala e Enver Hoxhës: “Reaksioni i brendshëm që është strukur si miu dhe po lëviz, e piu e zeza”…

Veçse një gjë është e vërtetë se ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste”.

Mendimet e saj tregojnë se Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por e goditën pamëshirë me kondakët e pushkëve dhe e mbytën me duar në fyt, deri sa dha frymën e fundit.

Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme

Ky ishte fundi i trishtë, tragjik i një gruaje që ia kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë e braktisurd he e lënë në harresë…

209 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page