BUJAR QESJA: Libri ”100 vjet Besa”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 10 min read

Fatmir Efica : Libri ”100 vjet Besa” – Kurani i futbollit kavajas
-“Besa”, Kavaja dhe Fatmir Efica trioja e pandashme
BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Qyteti që jeton për futbollin
Kavaja, qyteti i vogël me shpirt të madh, ka histori që nuk mund të shkruhet thjesht. Është histori e sportit, pasionit, krenarisë qytetare dhe mbi të gjitha, futbollit. Në zemrën e saj rreh 100-vjetori i “Besës”, shoqërisë sportive që ka bashkuar breza e breza kavajasish, duke nxjerrë kampionë dhe lënë gjurmë në çdo skenë të futbollit shqiptar. Por kjo histori nuk do të ishte e plotë, nuk do të kishte volum, thellësi dhe shpirt, pa veprën kolosale të Fatmir Eficës “Besa 100 vite”.
Në brigjet e “Adriatikut”, ku era e kripur përzihet me zhurmën e dallgëve, lindi qyteti që e do futbollin si asnjë tjetër. Është Kavaja. Qytet ku çdo lagje ka histori të sportive, ku çdo pallat dhe çdo rrugicë ka parë topa që fluturojnë, duar që duartrokasin dhe zemra, që rrahin për klubin e qytetit. Kavaja nuk është thjesht qytet i vogël buzë detit. Është qytet me shpirt të madh, qytet me histori të pasur dhe traditë që rrjedh në gjak.
Qyteti i Kavajës ka prodhuar tifozë të flaktë, sportdashës që nuk njohin lodhje dhe nuk dorëzohen, që ruajnë traditë të pasur sportive. Për ta, futbolli nuk është thjesht lojë, është trashëgimi, identitet, histori dhe krenari qytetare. Në çdo takim, në çdo bisedë ndjehet prania e pasionit që e lidh qytetin me klubin “Besa”, simbol i Kavajës sportive.
Kavaja e ngjyrave verdhezi, ka identitet të fortë, ku futbolli nuk është vetëm lojë, por mënyrë jetese. Për banorët e saj, çdo ndeshje është ngjarje e shenjtë, çdo gol një festë, çdo humbje një dhimbje e ndarë me gjithë komunitetin. Qyteti ka lindur me dashurinë për sportin që nuk ka rënë, as edhe gjatë viteve më të vështira.
Shoqëria Kulturore Artistike Sportive “Adriatiku”, e krijuar më 25 tetor 1925 dhe e kthyer në “Sportklub Besa” në 1930, është themeli i kësaj tradite. Emra si Irfan Berati, Fehmi Kazazi, Dervish Cara, Sulejman Karkini, Reshat Asllani dhe Dhori Fora, janë pionierët që hodhën themelet e një historie që sot duket e paprekshme. Përmes këtyre emrave, Kavaja tregoi se qyteti i vogël, mund të prodhojë histori të madhe futbolli. Ky është qyteti ku futbolli nuk është luks, por nevojë shpirtërore.
Fillimet e futbollit kavajas dhe topi i parë i këmbës
Historia e futbollit në Kavajë, është më e hershme se krijimi i klubit “Besa”. Që në vitin 1913, gjatë minikampionatit të Fierit, lojtarët kavajas morën pjesë, duke vendosur themelet e traditës, që do të zgjasë më shumë se një shekull. Topi i parë i këmbës kavajase nuk ishte thjesht mjet loje, por simboli i qytetit që po mësonte të bashkohej përmes sportit.
Në ato vite, futbolli ishte i lidhur ngushtë me fiset kavajase, ku çdo familje kishte përfaqësues në fushë dhe çdo përpjekje sportive ishte pjesë e betejës më të madhe, për krenarinë e qytetit dhe pasionin e tij të pakufi.
Tifozët zemra e futbollit të “Besës”
Nuk mund të flitet për “Besën” pa përmendur tifozët. Kavajasit nuk luajnë vetëm futboll, ata e jetojnë atë. Në çdo ndeshje, stadiumet mbushen me kënaqësi, me zhurmën e valëve njerëzore që përplasen mbi tribunat. Qyteti që di të luftojë për çdo gjë, lufton edhe për “Besën” e tij, shpesh duke lënë mënjanë çdo hall tjetër, për një ditë të vetme që zgjat 90 minuta, një orë e gjysmë ku emocioni, besimi dhe krenaria përputhen në unitet të jashtëzakonshëm.
Stadiumi i ri i planifikuar për 18 muaj, do të jetë jo vetëm hapësirë sportive, por edhe simbol i trashëgimisë së qytetit. Do të marrë frymë së bashku me tifozët, duke i dhënë formë të re traditës, që ka mbijetuar më shumë se një shekull. Stadiumi i parë, u përurua më 26 prill 1975 me ndeshjen Besa–Flamurtari, tashmë ka dalë jashtë funksionit, por kujtimet jetojnë në çdo qytetar që ka kaluar aty.
Tifozët e “Besës” japin shpirtin. Nuk janë thjesht spektatorë, por pjesë e çdo fitoreje dhe çdo humbjeje, duke jetuar emocionet e fushës si njësi e përbashkët. Çdo ndeshje e “Besës” nuk ka qenë vetëm sfidë sportive, por ngjarje që bashkon qytetin. Tifozët kavajas nuk janë thjesht spektatorë, por pjesë e historisë. Në fushën e gjelbër, japin shpirtin, duartrokitje, thirrje, këngë që mbushin stadiumin me emocion dhe kënaqësi.
Gjatë 100 viteve, ka pasur ndeshje që janë bërë legjendë. Dy ndeshjet për t’u kujtuar janë ato ku “Besa” është nën kampione e Shqipërisë në 1958 dhe 2010, si dhe shpallja nënkampione e Ballkanit në vitin 1971. Çdo fitore dhe çdo humbje kanë formuar karakterin e qytetit, duke treguar se Kavaja nuk dorëzohet asnjëherë.
“Besa” 100 vite histori futbolli

Ky libër, me 800 faqe të mbushura me statistika, është testament i punës së palodhur të Eficës. Në të dokumentohen pjesëmarrjet e “Besës” në 63 kampionate të Superligës, 533 fitore, 439 barazime dhe 581 humbje, 1754 gola të shënuar, 1879 të pësuar dhe 1670 pikë të grumbulluara. Të dhënat përfshijnë gjithashtu 1127 futbollistë nga Kavaja, 435 nga qytete të tjera dhe 97 me kombësi të huaj, duke krijuar panoramë të plotë të futbollit në këtë qytet gjatë 100 viteve.
Libri gjithashtu dokumenton 26 “Mjeshtra Sporti”, 11 Mjeshtra të Merituar Sporti”, 10 “Qytetarë Nderi”, 3 “Nderi i Qytetit” dhe shumë çmime të tjera të veçanta. Për çdo kampion, për çdo figurë, për çdo ngjarje, Fatmir Efica ka dhënë detajet e plota, duke krijuar minierë të paçmuar për historinë sportive.
“Besa” nuk është thjesht një klub. Është traditë, është krenari, është pasion. Libri i Eficës ndan historinë e saj në tre breza futbollistësh: 1925–1958, 1959–1991 dhe 1992–2025, duke dhënë pasqyrë të plotë të zhvillimeve, ngjarjeve dhe figurave kyçe.
Gjatë 100 viteve, futbolli kavajas ka pasur emra që janë bërë legjendë. Qamil Teliti, i njohur si “Tarzani”, golashënuesi që i dha kombëtares së Shqipërisë titullin kampion në vitin 1946, Altin Rraklli, futbollisti i parë kavajas që luajti në Bundesligën gjermane pas viteve 90-të, Andi Lila, Sokol Çikalleshi dhe shumë të tjerë.
Në historinë e Besës, familjet e qytetit kanë luajtur rol të pazëvendësueshëm. Këstu fiset Merhori, Cara, Karriqi, Arkaxhiu, Xhihani, Hushi, Kashami, Shtini, Bajaziti, Qerrolli, Daja, Kapidani, Alushi, Sedja, Duka, Berati, Teliti, Gjinali, Kazazi dhe Maliqati, janë 20 –të nga 158 familjet përfaqësuese të futbollit të “Besës”.
Epoka e artë dhe figurat verdhezi
Historia e Besës është e ndarë në tre breza, sipas klasifikimeve të Fatmir Eficës: 1925–1958, 1959–1991 dhe 1992–2025. Secili brez ka ndihmuar në formimin e identitetit të klubit, duke sjellë heronj që kanë shkëlqyer në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare.
Brezit i parë me në krye Telitin e madh, krijoi themeli e traditës. Brezit i dytë i përket lojtarëve që hodhën bazat e futbollit modern dhe pjesëmarrës të Superligës së viteve 1970–1990. Brezii i tretë, 1992–2025, i takojnë lojtarët si Altin Rraklli, Andi Lila dhe Sokol Çikalleshi, që përfaqësuan jo vetëm Kavajën, por edhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Kavaja qyteti i floririt sportiv

Kavaja nuk është thjesht qytet bregdetar; është djepi i sportdashësve të flaktë, të cilët pa bukë mund të rrinë, por pa futboll jo. Fusha, stadiumet, kafenetë dhe sheshet e qytetit janë hapësira ku jeton historia e Besës, ku çdo tifoz e di që pasioni dhe tradita janë më të forta se çdo kohë e vështirë.
Familjet kavajase, lojtarët dhe trajnerët, kanë bërë që emri i “Besës” të jetë sinonim i identitetit sportiv. Fatmir Efica është ai, që e ka bërë këtë monument të gjallë dhe të prekshëm. Ka kthyer numrat dhe statistikat në histori dhe historinë në krenari që frymon, jeton me qytetin dhe njerëzit e tij.
Fatmir Efica kujdestari i kujtesës së gjallë të historisë
Në këtë qytet që jeton për futbollin, Fatmir Efica është figura që nuk mund të lihet pa përmendur. I lindur më 13 dhjetor 1961, është komentator, gazetar sportiv, staticien dhe radiokronist. Por mbi të gjitha, është pasionant i rrallë që ka shërbyer mbi katër dekada për çdo ndeshje futbolli në Shqipëri, nga të rinjtë deri në Superligë. Është arkitekti i thesarit të statistikave që lidhen me çdo futbollist, çdo ekip, çdo qytet, çdo ndeshje. Trup i vogël, por me shpirt gjigand, që ka bërë të mundur që historia e futbollit kavajas të mos humbasë.
Libri i tij më i fundit, “100 Vjet Besa” i botuar nga Botimet Jozef që drejtohet nga inelektuali i njohur Aurel Kaçulini, është kulmi i këtij përkushtimi. Me 800 faqe, voluminoz dhe i rëndë në peshë, libri është monumenti i gjallë i futbollit kavajas. Nuk është vetëm dokument historik, por arkivë që përmban statistika të detajuara për të gjitha ndeshjet e “Besës”, për futbollistët e huaj dhe vendas, për çdo gol, fitore dhe humbje, për çdo pjesëmarrje në kampionate të ndryshme që nga viti1925. Kjo nuk është thjesht histori, por shpirt dhe gjak i Kavajës, i futur në letër nga një mjeshtër i statistikës dhe gazetarisë sportive.
Në qytetin i cili jeton për futbollin, Fatmir Efica është figura kryesore, madje heroi i saj. Me punën e tij të përkushtuar, ka krijuar manual të paçmuar historik për futbollin kavajas dhe shqiptar. Libri “100 Vjet Besa” nuk është thjesht dokument, por testament i pasionit, përkushtimit dhe dijes së njeriut që jeton me futbollin si askush tjetër.
Trupi i imët i tij, nuk reflekton fuqinë e shpirtit që ka mbajtur mbi supe 100 vite futbolli. Ka qenë prezent në çdo ndeshje, duke regjistruar çdo gol, çdo fitore, çdo humbje dhe çdo episod që mund të ndikojë në historinë e klubit. Falë tij, çdo tifoz mund të kujtojë çdo moment, dhe çdo historian mund të ketë burim të besueshëm dhe të hollësishëm.
Libri i fundit “ Besa 100 vite”, është memoria e gjallë e Kavajës sportive, vepër që ka shpirt, gjak dhe kujtesë. Monumentet e gurit mund të qëndrojnë shekuj, por monumenti i Eficës është i gjallë sa herë që hapet një faqe, çdo statistike dhe çdo histori i futbollit kavajas.
Fatmir Efica nuk ndalet me statistikat. Është i pranishëm fizikisht në çdo ndeshje, duke bërë kronikën në vend, duke dhënë komentimin e detajuar dhe duke krijuar kujtesën e gjallë të çdo episodi. Kur e viziton shtëpinë e tij, ku materialet mbushin çdo hapësirë të mundshme, ku çdo letër, foto dhe fletë e veçantë ka histori, kupton se libri nuk është vetëm botim, por jetë e dedikuar. Është i vetmi që mund të japë çdo statistikë për çdo futbollist shqiptar apo ekip, në mënyrë të detajuar dhe të besueshme. Libri është rezultat i një pune, që mund të quhet monumentale. Në këtë sens, Efica është floriri që shkëlqen i Kavajës sportive.
Shtëpia e tij, e vogël dhe e ngushtë, është e mbushur me fletore, libra, tabela dhe dokumente që mbajnë trashëgiminë e 100 viteve të Besës dhe futbollit shqiptar. Aty çdo centimetër tregon për pasionin e një njeriu që jeton me statistikat, që fle mbi historinë dhe që nuk ndahet nga shifrat.

Duke vizituar shtëpinë e tij, e pamë që një pjesë e materialeve të pasura ishin çuar tek kolegët për t’u kataloguar, pasi hapësira ishte e zënë plot. Por kjo nuk e pengon aspak Eficën. Për të, çdo top, çdo gol, çdo ndeshje është pjesë e një rrëfimi që duhet regjistruar dhe ruajtur.
Efica nuk njeh ndalim. Jeta e tij është statistika dhe historia është shpirti. Nuk i sheh fletoret vetëm si dokumente. Për të, ato janë libra jete, ku çdo shifër tregon për pasion, sakrificë dhe dinjitet sportiv. Nga herët në mëngjes deri vonë në darkë, punon, dokumenton dhe analizojnë ndeshjet, duke krijuar arkivin më të pasur të futbollit kavajas që ekziston ndonjëherë.
Kur pyetet për jetën e tij, Efica thotë me modestinë karakteristike: “Unë fle mbi historinë, mbi statistikat. Për mua, çdo gol i harruar është histori e humbur. Nuk dua që asgjë të shkojë pa u regjistruar.”
Në realitet puna e tij, është më e madhe se çdo institucion. Është i vetmi që di çdo detaj për Besën, çdo futbollist, çdo ndeshje dhe çdo episod që lidhet me klubin. Nëse dikush kërkon të dijë se sa ndeshje ka zhvilluar “Besa”, sa gola ka shënuar, kush ka luajtur në çdo sezon, Efica është burimi i pakundërshtueshëm i informacionit.
Rëndësia e librit dhe ndikimi në 100-vjetorin e “Besës”
Pa botimin e këtij libri, 100-vjetori i “Besës” nuk do të kishte marrë hovin që mori. Efica ka dhënë ndihmesë të pakrahasueshëm, në provokimin e organizimeve të dasmës kavajase të 100 vjetorit të “Besës”, dokumentimin e historisë dhe evidentimin e figurave kryesore të klubit. Pa punën e tij, shumë emra dhe ngjarje do të ishin harruar ose të vështira për t’u gjetur. Bëri kështu të mundur, që një qytet i vogël, por me shpirt të madh, t’i tregojë gjithë botës historinë e vet.
Libri “Besa 100 vite” është vepër kolosale, ku çdo detaj ka rëndësi. Nga portieri i parë i huaj, Milani Milanezi, deri tek legjendat moderne si Altin Rraklli. Çdo figurë ka vendin e vet. Kjo vepër dokumenton gjithashtu shpërblimet dhe nderimet e “Besës.
Kavaja dhe trashëgimia që ruhet
Sot “Besa” është në Kategorinë e Parë dhe për fat të keq nuk është në gjendje të mirë sportive, por tradita nuk shuhet. Kavajasit vazhdojnë të jetojnë për futbollin. Çdo familje ka ndonjë histori, çdo rrugë ka kujtime, çdo tifoz ka emocionet e veta. Me librin e Eficës, të gjitha këto histori janë ruajtur, të gjitha statistikat janë dokumentuar dhe çdo futbollist ka vend në kujtesën e qytetit. Ky libër nuk është vetëm statistikë, por testament shpirtëror i Kavajës dhe dritë e madhe që ndriçon rrugën e ardhshme të futbollit.
Monumentet prej guri dhe mermeri nuk mund të lëvizin, por monumenti i Eficës lëviz çdo herë që dikush hap faqet e librit, që ndiqet një statistikë apo që kupton historinë e futbollit në Kavajë. Është krenaria e qytetit, trashëgimia e sportdashësve dhe dëshmia se një trup i vogël mund të ketë një shpirt të madh, aq sa të mbajë mbi supe një histori 100-vjeçare futbolli.
Ky libër nuk është vetëm testament i Besës, por edhe i qytetit të Kavajës. Tregon se tradita nuk humbet, por përtërihet, se pasioni i vërtetë është i pavdekshëm dhe se çdo brezi i ri mund të mësojë nga të kaluarit.
Bekimi i futbollit kavajas
Fatmir Efica është shembulli i rrallë i pasionit të pandërprerë dhe përkushtimit profesional. Ka shkrirë jetën e vet në një libër të jashtëzakonshëm, që përmban shpirtin, gjakun dhe historinë e futbollit kavajas. Libri “100 Vjet Besa” është “Kurani i futbollit kavajas” për të gjithë brezat
Familjet kavajase dhe tifozët e Besës e dinë: pa Eficën, shumë histori do të humbisnin, shumë statistika do të mbeteshin të panjohura. Ndërtimi i stadiumit të ri dhe pasardhësit, e kanë udhëhequr rrugën nga libri dhe statistikat e Eficës. Çdo futbollist dhe tifoz i ri, do të mësojë se pasioni, puna dhe përkushtimi janë më të fuqishme se çdo pengesë.
Besa, Kavaja dhe Fatmir Efica janë trio e pandashme. Libri “100 Vjet Besa” është arkivi, testi dhe monumenti i gjallë i qytetit. Në çdo faqe gjendet dashuria për qytetin dhe për sportin, puna e palodhur dhe pasioni që e bën çdo futbollist dhe tifoz të ndihet pjesë e monumentit.
Historia që frymëzon
Historia e Besës, e Kavajës dhe e Fatmir Eficës nuk është thjesht kronikë sportive. Është histori qytetarie dhe identiteti. Është kujtesa e gjallë që tregon se tradita dhe puna e palodhur nuk harrohen.
Kavaja sportive, Kavaja e futbollit, Kavaja e historisë dhe traditës, ka gjetur në Fatmir Eficën gardianin e saj më besnik dhe përmes këtij libri, brezat e ardhshëm do të mësojnë, do të frymëzohen dhe do të kuptojnë, se futbolli nuk është vetëm lojë. Është shpirt, është identitet, është krenari.









Comments