top of page

Sa të ndjeshme mbeten rrënjët në Diplomaci

  • 6 hours ago
  • 2 min read

Sa të ndjeshme mbeten rrënjët në Diplomaci

 

Ajo që e bën figurën e tij të veçantë është rrënja. Një rrënjë e thellë, e ngulitur në historinë dhe ndërgjegjen kombëtare. Rrënjë që nuk shërben thjesht si kujtesë, por si orientim dhe përgjegjësi. Uran Ferizi, Ambasadori aktual i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës, vjen nga një trung familjar ku atdhedashuria dhe përkushtimi ndaj dijes nuk janë zgjedhje rastësore, por vijimësi e natyrshme. Familja Ferizi, e shpërngulur nga Gjakova në Krumë të Hasit në fillim të shekullit XX, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në çështjen kombëtare. Figura si Niman Ferizi, deputet, drejtues i arsimit në Prefekturën e Kosovës dhe intelektual i njohur, apo historiani Sami Ferizi, që i dha një kontribut të vyer arsimit dhe historisë së Hasit, Kukësit dhe më gjerë, janë dëshmi e një tradite që nuk është shuar, por është përcjellë me përkushtim nga një brez te tjetri.

Në këtë vazhdimësi, Uran Ferizi nuk është thjesht një përfaqësues i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, por një bartës i denjë i kësaj trashëgimie. Formimi i tij akademik në matematikë në Universitetin e Oksfordit dhe doktoratura në Shkencat Kompjuterike/Neuroshkencë në University College London dëshmojnë për një profil të rrallë, ku mendimi shkencor dhe qasja diplomatike ndërthuren natyrshëm. Megjithatë, ajo që mbetet më e fortë se çdo titull apo arritje është lidhja shpirtërore me vendlindjen e të parëve. Takimi i parë me të nuk kishte asnjë ndjesi distance, përkundrazi, ishte si një rikthim në një bisedë të nisur prej kohësh, një vijim i fjalëve të gjyshërve dhe prindërve, një urë që lidh kohët dhe njerëzit pa ndërprerje.

Ndjenja që mbizotëroi ishte një krenari e thellë për dashurinë, respektin dhe mirënjohjen që ai mban për Krumën, Hasin dhe hasjanët. “E kam amanet,” një shprehje e thjeshtë, por e mbushur me kuptim, që përmbledh thelbin e një identiteti të trashëguar dhe të jetuar me dinjitet. Në një botë ku rrënjët shpesh zbehen përballë ritmit të kohës, figura e Uran Ferizit qëndron si dëshmi se ato mund të mbeten të gjalla, të forta dhe udhërrëfyese. Mirënjohje për të dhe suksese në misionin e tij fisnik, një mision që nuk përfaqëson vetëm një shtet, por një histori, një kulturë dhe një fije të artë që nuk këputet ndër breza.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page