Ruzhdi Gole: SYRI I TRETË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 17
- 2 min read
Updated: May 22

SYRI I TRETË
(Cikël Poetik)
Gjelbërisht
Si shkohet gjer tek deti
duke ecur me pemët ?
Fari afër buzagaz
pak i vranët
çel vetëm.
Syri më i madh i zjarrtë i qytetit
kthjellët jeton, ndizet natën,
rrallë bën jetë qiriu
jo afër mes tonë
pak mardhët.
Asnjë pipëtimë s'ka rreth tij
asnjë valë, asnjë rreze
veç tela gardhe
së gjalli,
tek drita e tij s'shkoj dot
të paktën dallgët
t'i'a kaltërojnë
syrin
t'i'a shuajnë
etjen
pemët
gjelbërisht
t'i'a përqafojnë
butë - butë mallin...
Si arrihet tek deti, tek syri i dritës.?..
SYRI I TRETË
Udhëtimi është syri i tretë i njeriut
operetë gazmore në çdo përjetim,
një ndeshje futbolli
pa tribunë qëndrore
një lojë pingpongu me topin
top bore , një kalitje mali
me shpendin alpin.
Udhëtimi rrokullisja e vetes mbi bar
një grep peshkimi në vapë ngricë,
një grua të cilës i shkon
pas ngadalë
një përqafje mikpritëse
me drurët pa kollë
rreth qafës pa shall
me hap romantik,
syri i tretë i fundit përjetim
një kalitje mali përkrah
me shpendin alpin.
ÇAJ SHIU
Gjithçka përkujtohet lart në qiell
prej dyshimeve tona vonë
ngazëllehemi poshtë
poshtë jemi
tjetër Ere
koha jonë.
Fluturojmë këtë mesnatë të re maji
për të zbritur pa asnjë dyshim
nuk pendohemi pse qiellit
s'i lypëm një çaj
çaj shirash
përkujtim.
Ngazëllehemi jehona
dyshimeve tona.
NJITASH VESË
Tek ky bregdet shëtit vet Zoti
shtat mesatar, shëndet hollak
qysh se ka le bota gjer sotmi
askush s'e sheh,
e shohim cak.
.
Tek ky bregdet plot guralecë
këmbët e Zotit butë - butë
me heshtjen heshtur
pa të rreptë
Zoti ndjell veten të tjerët zbut.
Tek ky bregdet ndonjëherë lajthitur
njitash prej bote ngricë e vesë
Zoti jeton ... është i parritur
më pak i mplakur
se bota vet.
REGËTIMA
Më pak se gjysmë ore
për t'u ngjit në kodër
Era për një minutë
pishave ua kreh
flokët,
Pylli
sytë e tij
minutën tjetër
ua afron zogjve
të shohim më kthjellët.
Gjelbërimi ngjitet kodrës
plot regëtima
gjithë jetën.
MEKË TJETËR
Poetika përhera përmallet
të jetë për njeriun
Mekë e fjalëve...
ORBITË MUZIKE
Endja luan në organo
psalme të mbrëmjes
pëshpërimat e reja
të fatthënave.
Tek kulla prej orbite Anzhuji
me muzikantët më të rinj.
Kjo endje në organo
pëshpërit psalme,
mbrëmja falet...
VETJA
Ti ... shembëlltyra e një tjetri
sy i dikujt, timpan
i tjetër veshi.
Ti... vetëm ti...!!!
Në mos : rrezja s'ka krahë
të të ngjis epërmi
shembëlltyra
veç të zbret
tëposhtë...
Ti... vetëm ti...!!!!
Një cikël poetik për t’u përshendetur. Ruzhdi Gole është nder ata poetë të pazhurshëm, si murgjëtce dikurshëm ne manastirët e vetmuar, që i kushtohet fjalës poetike. Siç e thotë ai vetë poetikisht:
MEKË TJETËR
Poetika përhera përmallet
të jetë për njeriun
Mekë e fjalëve...
Urime te perzemerta poetit dhe revistes që e boton!