top of page

Ruzhdi Gole: JO VETËM PËR ARONIN

1 hour ago
3 min read

              (cikël poetik)

 

*

Mos ma përmend shpesh emrin -

më thotë Aroni...

vlonjat dhe hebre njitash,

ditët që ne përcollëm

na afrohen

sepse

i deshëm, na donin

kujtesa e tyre s'është emër

por gdhendje

në gjak.

 

Si thua Aron, hebreu im vlonjat?!

 

*

Beersheva 

afër shkretëtire

pa shkreti njerëzore përkrah.

 

I iki shkretëtirës

jetoj mes gdhendjeve, mes korrjeve

rrallë në Beersheva, shpesh, kalli Vlore.

 

*

Me krahë fluture

ky qytet i të bukurave

ky qytet më shpesh i të mirëve

ky qytet i ngjarjeve, plot melodive.

 

Fluturat rrallë kujtohen

për mua ... aq rrallë

sa kur kujtohem

për t'i takuar

s'janë më flutura

por mirësisht fjalë.

 

*

Të eci përpara

s'më le gjithçka mbrapa

krahët e drurëve, syri në gjah

rrugët e urta, shkreptimat e vagullta.

 

Pas po kthehem,

përpara më ecin këmbët

më çojnë vrulltie tutje, më tutje,

 

Etja

mes shkretëtire thahet

ujërat rrëmbehen

burojnë

nga buzët

prej gruaje...

 

Sa dal nga bota prej rëre

mbrapa lë gjithçka

s'e lë mbrapa,

I gëzohem

qytetit endje

 

Syrit në gjah

gruas plot flatra.

 

*

Dita digjet në diell pa flakëza e tym

era fryn në të gjitha shtigjet

asgjë nuk rrëmben

tek ty në gjurmë.

 

Shigjeta të padukshme lëndojnë erën,

Dita të përqafon pa tym, veç flakëz,

në Vlorë dallgës i gëzohem

i bie në gjunj' herët

 

në Beersheva i lutem natës.

 

*

Unë, në mëngjes, jetoj me një hebre,

dhe në mesditë me një palestinez,

 

në mbrëmje përhera jemi tre ...

 

N'atdheun tonë

Jeruzalem...

 

Në Vlorën time dhe tënden Aron...

 

*

Premtimi i ri buit thellë njeriut

gjithandej përhapet

paskëtaj,

jemi afër dhe larg

si jugu me veriun

në ndërgjegjet tona

në të gjitha ngjarjet

fitimtarë dhe humbës

herë shumë, herë cak.

 

Caku ecën në rrëpirat e thekëta

me një rropatje të madhe

ndonjëherë qëlluar

me plumb,

Bota e madhe

është e vogël

për hekurat

Njeriu përtërihet

besimeve të vërteta

pa asnjë teh, asnjë gungë.

 

*

Negev.... shkretëtirë,

fytyrë e zymtë

Negev,

erërat

rreth e rrotull

duna rëre të lëpijnë

ndonjëherë

edhe në qiell.

 

Asnjë shkreti

sot s'ka qielli

mbi shkretëtirë,

Negev

të prekim, na prek

dot s'na mbërrin.

 

*

Beersheva - Rripi i Gazës

60 km. larg, sa afër.

 

Atje

asokohe

vrapim atleti

me hovje n'ajër

shpejt mund të shkohej,

 

tani këtu

gjer në fund të botës

helmeta helme mbi troje.

 

Gjithandej, gjithkah

nga toka më shpejt

mbërrihet tek qielli

 

se nga Rripi i Gazës në Beersheva.

 

*

U çarmatos dimri, thurrimat iu shkrin -

Atleti vrapon, ndër gishta

një degëz ulliri

paqe e lidhur

paqe e bimë.

 

O atlet i gjithkohshëm

plot xixa bujarie

ti mvenjtesh e rrëzohesh

nga pengesa e pabesë,

 

U çarmatos dimri

plagë kujtese

troje

 

Në qytetin

plot  hoje ...

Jeruzalem.

 

*

Ajri plot qëndisma ndër gishta -

Ndonjëherë këtu pa pandehur

njerëzit edhe frikën

e ndalin

të bëj pak kozmetikë

t'i mbledh gërshetë flokët

të verë vath dhe karfica.

 

Ku humbi frika, përsëgjalli?

Këtu edhe frikën

e qendiska 

Ajri...

 

*

Sot iki diku

q'andej askurrë

ikur

të kthjellohem

më tepër,

 

vetëm e le hijen

megjithatë

edhe hijen e le

me laps e me letër.

 

Tek të verbërit jetoj

me tjetër sy drite,

rrëpirat para meje

nuk kanë roja zgërbonje

po thepisje e gjemba

me vdekjen

pas shpine.

 

*

Ky muze i ka themelet në det

çatinë rrezëllitëse

gjer në kodër,

faqe dorëshkrimesh

për fatin e rëndë

të njerëzve

mijëra vjet

Muze me makina qepëse

paja nusesh argjend

kostume dhëndurësh

bosht i madh, i vogëlth.

 

Unë, nga Sheshi i Kateqit

këtu hyja dhe dilja shpesh

fëmijë edhe prindërisht,

tek rrugica e çifutëve

rrobaqepës

më pak të vetes

më shumë të tjetrit

 

rrugica muze

sot ndoshta dhe kishë...

 

*

Ujërat e Nahalit luhaten nga këmbët

drithërojnë paksa

nga vetullat,

nga buzët,

me sy të kulluar të shohin

s'të shohin shtrembër

edhe në s'je

i këtushëm.

 

Nuk ka asnjë ngastër hijesh

asnjë thirrmë e përmbytje

ndër të gjallë

jo të unshëm,

përrua

a ëndërr lumi

pëshpërimë

a përshpirtje

rrjedh tek mua

rruga ujore Nahal -Durrës.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page