Mentor Serjani: SERVET DAUTI – BILBILI QË I KËNDON FTERRËS

Fëmijëria në Fterrë dhe rrugëtimi jetësor
Servet Dauti është një nga bijtë e njohur të Fterrës, fshatit të bukur të Kurveleshit të Poshtëm, i cili ka lënë gjurmë në jetën kulturore dhe letrare të vendlindjes së tij përmes krijimtarisë poetike. I cilësuar nga lexuesit dhe njerëzit që e njohin si “Bilbili që i këndon Fterrës”, ai është një poet popullor që e ka kthyer mallin, kujtimet dhe dashurinë për vendlindjen në një pasuri të çmuar vargjesh.
Servet Dauti u lind më 1 janar 1941 në Fterrë, fshat me histori, tradita dhe kulturë të pasur, pjesë e krahinës historike të Kurveleshit të Poshtëm. Fëmijëria e tij, si ajo e shumë bashkëmoshatarëve të asaj kohe, nuk ishte e lehtë. Vitet e para të jetës i kaloi mes vështirësive, por edhe mes bukurive të natyrës, zakoneve, mikpritjes dhe marrëdhënieve njerëzore që karakterizonin jetën e fshatit.
Shkollimin fillor e nisi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet në shkolla të tjera të zonës. Për një periudhë ndoqi mësimet në Piqeras të Sarandës, ku qëndroi pranë hallës së tij, Ruhinas, në Sasaj. Këto përvoja të hershme, largimi nga fshati dhe njohja me mjedise të tjera, do të bëheshin pjesë e kujtesës së tij jetësore.
Pas përfundimit të studimeve ushtarake, Serveti u titullua oficer në specialitetin e ndërlidhjes. Në këtë detyrë shërbeu për më shumë se tridhjetë vjet, deri në daljen në pension. Profesioni ushtarak përbënte një pjesë të rëndësishme të jetës së tij, por krahas detyrës dhe përgjegjësive profesionale, ai ruajti gjithmonë një lidhje të veçantë me botën e poezisë, kujtesën e fëmijërisë dhe vendlindjen.
Megjithëse jeta dhe shërbimi e lidhën për shumë dekada me Tiranën, largësia nuk arriti ta zbehte dashurinë për Fterrën. Përkundrazi, duket se vitet e kaluara larg saj ia shtuan mallin dhe dëshirën për ta rikthyer në vargje gjithçka që kishte ruajtur në kujtesë.
Fterra, zemra e krijimtarisë së tij
Në krijimtarinë e Servet Dautit, vendlindja zë vendin qendror. Fterra është burimi i frymëzimit të tij, hapësira ku ndërthuren kujtimet e fëmijërisë, bukuritë e natyrës, njerëzit, traditat dhe historia e një komuniteti të tërë.
Ai u këndon burimeve, qafave, grykave, honeve, staneve dhe peizazheve të Fterrës, por mbi të gjitha u këndon njerëzve të saj.
Përmes këtyre krijimeve, autori nuk synon vetëm të shprehë ndjenjat e veta. Ai sjell para lexuesit mënyrën e jetesës, gjuhën, zakonet, mikpritjen dhe marrëdhëniet njerëzore të një kohe që, megjithëse ka kaluar, vazhdon të jetojë në kujtimet e brezave.
Në vargjet e Servetit shfaqen vende të njohura të Fterrës, si burimi i Hundës së Drerit, Ixori, Galishti dhe Kreta. Këto emërtime nuk janë thjesht pika gjeografike, por pjesë të një bote të gjallë shpirtërore.
Libri i tij “Fterrë, zemra ime” është shprehja më e drejtpërdrejtë e kësaj lidhjeje. Vetë titulli dëshmon se për autorin Fterra nuk është një temë mes shumë temave, por një ndjenjë që përshkon gjithë krijimtarinë e tij.
Një poet popullor me zërin e vet
Servet Dauti është poet popullor në kuptimin më të mirë të fjalës .Ai shkruan për gjëra që i ka jetuar, për vende që i njeh dhe për njerëz që i ka pasur pranë.
Përveç poezive kushtuar vendlindjes, në krijimtarinë e tij gjejnë vend këngët e dashurisë, kujtimet e vegjëlisë, lojërat e fëmijërisë, takimet me miqtë, traditat, mikpritja dhe humori popullor. Ai u kushton vargje edhe luftëtarëve, figurave të shquara dhe historisë së arsimit e të kulturës së zonës.
Në vargjet e tij ndihet ndikimi i traditës së pasur gojore të Labërisë, ku fjala e zgjedhur, ritmi, humori, lirizmi dhe shprehjet karakteristike të krahinës kanë një vend të rëndësishëm.
“Tartar Zeka i Fterrës” – një vlerësim domethënës
Një nga vlerësimet e hershme dhe më domethënëse për krijimtarinë e Servet Dautit është ai i Ideal Serjanit, i shprehur në shkrimin “Tartar Zeka i Fterrës”, botuar më 2001.
Duke folur për jetën dhe krijimtarinë e tij, Ideal Serjani vëren se dashuria për vendlindjen është derdhur natyrshëm në vargjet e Servetit. Sipas tij, kur lexon poezitë kushtuar Fterrës, të duket sikur shëtit së bashku me autorin nëpër burime, qafa, gryka, hone dhe stane, mes çobanëve, shokëve të fëmijërisë dhe kujtimeve të jetës së fshatit.
Ideal Serjani e krahason Servetin me rapsodin popullor Tartar Zeka të Kuçit, të njohur për vargjet e tij satirike dhe humoristike. Prej këtij krahasimi lind edhe emërtimi “Tartar Zeka i Fterrës”.
Në këtë shkrim, krijimtaria e tij vlerësohet si një lloj monografie poetike e Fterrës, e fterjotëve dhe e peizazhit lab. Vargjet e tij shihen si një pikturë e gjallë, ku fjalët marrin ngjyra dhe ku vendlindja shfaqet me bukuritë natyrore, tiparet njerëzore dhe historinë e saj.
Ky vlerësim ka rëndësi, sepse vjen nga një njohës i mjedisit dhe i traditave të Fterrës, i cili e sheh poezinë e Servetit jo vetëm si shprehje individuale, por edhe si pasuri që i shërben kujtesës kulturore të fshatit.
Libri “Fterrë, zemra ime” dhe vlerësimet letrare
Vëllimi poetik “Fterrë, zemra ime” përbën një etapë të rëndësishme në rrugëtimin krijues të Servet Dautit.
Në hyrjen e botimit të parë, shkrimtari Bardhyl Xhama e vlerëson këtë vëllim si përpjekjen e parë të autorit për të dalë para lexuesve me një libër të plotë.
Bardhyl Xhama thekson gjithashtu vendin që zënë në këtë përmbledhje poezitë për traditat, luftëtarët e krahinës, historinë e arsimit dhe të kulturës, mikpritjen dhe bujarinë e Fterrës, si dhe këngët e dashurisë.
Një meritë e veçantë e këtij botimi është ruajtja e stilit të autorit dhe e fjalëve e shprehjeve të përdorura në fshat. Redaktori shpjegon se është përpjekur të ruajë frymën e Fterrës, duke respektuar vargun, rimën dhe mënyrën e të shprehurit të autorit.
Kjo zgjedhje i jep librit një vlerë jo vetëm letrare, por edhe gjuhësore e etnografike.
Shkrimtari Vullnet Mato, nga ana e tij, e quan Servetin “Bilbili që i këndon Fterrës”. Në vlerësimin e tij, poezia e autorit dallohet për tingëllimin e ëmbël, përshkrimin e natyrës dhe peizazheve fterriote, si dhe për mënyrën se si ndjenjat e poetit përzihen me bukurinë e vendlindjes.
Mato vëren se krijimtaria e Servetit përfshin dashurinë, portretet e njerëzve të njohur, kujtimet e vegjëlisë dhe takimet me miqtë e shokët. Këto tema e bëjnë veprën e tij një pasqyrë të botës shpirtërore të autorit dhe të jetës së komunitetit ku ai u formua.
Parathënia dhe redaktimi i botimit nga shkrimtarë që e njohin vlerën e kësaj krijimtarie e kanë ndihmuar librin të paraqitet para lexuesve si një dëshmi e dashurisë së autorit për vendlindjen.
Botimet dhe veprimtaria letrare
Gjatë viteve, Servet Dauti ka botuar poezi dhe krijime të tjera në disa organe të shtypit dhe platforma kulturore e letrare. Ndër to përmenden gazetat “Labëria”, “Fterra Jonë”, “Gazeta 55” dhe “Destinacioni”, si edhe platforma e revista kulturore-letrare “Fjala e Lirë”,”Antologjia Poetët e Jugut”etj.
Në gazetën “Fterra Jonë” është botuar, ndër të tjera, krijimi “Kur dëgjon këngët e tua”, në numrin 15, gusht 1999, në faqen 7. Poezitë e tij janë botuar edhe në organe të tjera që u kushtojnë vëmendje kulturës, historisë dhe krijimtarisë shqiptare.
Në platformën dhe revistën kulturore-letrare “Fjala e Lirë”, Servet Dauti ka publikuar krijime kushtuar historisë, figurave dhe trashëgimisë së Labërisë. Kjo veprimtari dëshmon se interesimi i tij nuk kufizohet vetëm te kujtimet personale, por shtrihet edhe te ruajtja dhe përcjellja e vlerave historike e kulturore të krahinës.
Përmes botimeve të tij, Serveti ka krijuar një urë lidhëse mes përvojës së brezit të vet dhe brezave të rinj, të cilët mund të njohin përmes poezisë një pjesë të jetës, të traditave dhe të botës shpirtërore të Fterrës.
Vlerësimet dhe nderimet
Për veprimtarinë e tij dhe lidhjen me komunitetin, Servet Dauti është nderuar me titullin “Nder i Shoqatës Fterra”.
Në vitin 2025, shoqata letrare-artistike “Princ Muzaka” i ka akorduar vlerësimin “Pena e Artë 2025”, për botimet artistike në shtyp.
Këto vlerësime përbëjnë një shprehje të respektit për rrugëtimin e tij krijues dhe për kontributin në pasqyrimin e jetës, traditave dhe kujtesës së vendlindjes.
Një mik që e kishte derën dhe zemrën hapurPërtej poezisë dhe botimeve, Servet Dauti kujtohet nga miqtë e bashkëfshatarët si një njeri mikpritës, i dashur dhe i gatshëm për të ndihmuar. Një dëshmi të veçantë për këtë anë të karakterit të tij e sjell unë,që kam ndarë disa kujtime nga takimet me Servetin në Tiranë.
“Kur shkonim në Tiranë, do të paraqiteshim te Serveti. Këtu ishte ‘teqeja’ jonë”, pra dua ti shpreh në këto radhë mirënjohjen time të thellë për mikpritjen dhe bujarinë e tij.
Një nga kujtimet lidhet me një vizitë në Tiranë. Pas kafesë së zakonshme, Serveti më propozon të shkojmë në stadium, sepse luante Partizani.Unë habitem, pasi nuk kisha biletë, por Serveti më qetëson: biletën e kishte siguruar dhe vendet i kishim në tribunë.
Për mua, ajo ishte hera e parë që ndiqja një ndeshje në stadium dhe, aq më tepër, nga tribuna. Një përvojë që e përjetova me emocion dhe kënaqësi të veçantë.
Një tjetër episod dëshmon spontanitetin dhe dëshirën e Servetit për t’i përfshirë miqtë,shokët ,të afërmit në jetën e tij. Kur unë(Mentori )shkova në shtëpinë e tij, Serveti po vishte këpucët për të shkuar në Vorë, ku ishte i ftuar. Në vend që të nisej vetëm, më fton edhe mua të shkojë me të. Kështu, të dy udhëtojmë drejt Vorës dhe kalojmë një mbrëmje mes mikpritjes e gostisë tradicionale.
Këto kujtime të thjeshta, por domethënëse, zbulojnë një njeri që nuk e ndante miqësinë nga jeta e përditshme. Ai dinte të krijonte atmosferë, të afronte njerëzit dhe t’i bënte të ndiheshin si në shtëpinë e tyre.
Prandaj, kur unë e quaj shtëpinë e Servetit “teqeja” jonë në Tiranë, kjo shprehje nuk është thjesht një krahasim i këndshëm. Ajo është dëshmi e vendit që kishte fituar Serveti në zemrat e njerzve dhe miqve të tij.
Takimi i brezave dhe rikthimi përmes vargut
Lidhja e Servet Dautit me Fterrën nuk është ndërprerë as nga vitet e gjata të jetës në Tiranë, as nga kalimi i kohës. Ai ka mbetur i pranishëm në jetën shpirtërore të komunitetit dhe në veprimtaritë që bashkojnë fterjotët.
Një dëshmi e kësaj lidhjeje është poezia “Ne fterjotët dimë të festojmë”, e përgatitur për 25-vjetorin e Takimit të Brezave të Fterrës, në gusht të vitit 2024.
Për arsye shëndetësore, autori nuk mundi të merrte pjesë vetë në atë veprimtari. Poezia e tij u recitua nga zonja Pranvera Brinja, duke përcjellë përshëndetjen dhe urimin e poetit për vazhdimësinë e kësaj feste të rëndësishme të bashkimit të brezave.
Ky episod tregon se, edhe kur prania fizike nuk është e mundur, fjala poetike mund ta mbajë njeriun pranë vendlindjes dhe njerëzve të tij.
Në mars të vitit 2026, gazeta “Destinacioni” botoi shkrimin e Çano Norës me titullin “Në Fterrë, vendlindjen e tij, poeti Servet Dauti, përmes vargut rikthehet sërish”.
Shkrimi e trajton librin “Fterrë, zemra ime” si një dëshmi të lidhjes së pashkëputur të poetit me vendlindjen. Autori i shkrimit vë në dukje se Fterra, në krijimtarinë e Servetit, nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një burim frymëzimi, kujtese dhe dashurie.
Në moshën 85-vjeçare dhe përballë vështirësive shëndetësore që i kanë kufizuar edhe dritën e syve, Serveti vazhdon të mbajë gjallë dritën e shpirtit krijues. Kjo është një nga dëshmitë më prekëse të qëndrueshmërisë së tij njerëzore dhe të përkushtimit ndaj poezisë.
Një testament poetik për vendlindjen
Duke vlerësuar krijimtarinë e Servet Dautit, unë Mentor Serjani e kam cilësuar poezinë e tij si një testament poetik të ngrohtë, që përcjell përulësi, dashuri për vendlindjen dhe një marrëdhënie të sinqertë me artin e me lexuesin.
Në këtë vlerësim përmblidhet thelbi i krijimtarisë së Servetit.
Përmes vargjeve të thjeshta, por të mbushura me ndjenjë, poeti sjell përpara lexuesit historinë shpirtërore të një vendi të vogël, por me vlera të mëdha. Çdo poezi bëhet një gur i vendosur në kujtesën e Fterrës, ndërsa të gjitha së bashku formojnë një këngë të gjatë dashurie për vendlindjen.
Serveti është një njeri që e ka jetuar jetën me ndjenjë, e ka shkruar me dashuri dhe e ka mbajtur vendlindjen në zemër.
Servet Dauti është “Bilbili që i këndon Fterrës”, sepse nuk ka reshtur së kënduari për të. Në çdo varg të tij jeton një copëz e vendlindjes, një kujtim, një njeri, një burim, një rrugë apo një ndjenjë që koha nuk mund ta fshijë.
Dhe, në fund të fundit, kjo është trashëgimia më e bukur që mund të lërë një poet popullor.
Fterra mbetet zemra e tij poetike, ndërsa poezia është mënyra me të cilën ai vazhdon të jetë pranë saj.








Comments