top of page

Ruzhdi Gole: GRAFI, ECEJAKE

2 hours ago
3 min read

 (poe-prozë)


Nata sonte është hamendja jonë. Me ecejake të pafundme. Pafundësisht retë me mbaresat e tyre herë të kthjellëta, herë mendjelehta na afrohen, na ikin tej. Dilo, i ngrysur, pranë meje.                             

-Mos u mërzit për pakogjë, o mik, mos u mërzit.          

-Si ? Nuk është pakogjë. Çdo ditë një i prapë qëllon njërin prej tyre. Më dhimbsen.

-Edhe mua më dhimbsen. Sidomos po të shoh ndonjërin të çaloj, të mos fluturoj më.

Diloja u skuq. Një rremb gjaku i rrihte në fytyrë. Fryma e njeriut jeton edhe në pemë - përsiata. Jeton në kraharor e ndër gishta. 

Përreth nuk tingëllon asgjë. Asgjëja mban krahëve një pelerinë të grisur resh, mbathur këpucë të shqepura e t'rrjepura hijesh, kollitet. Përtyp farëra yjesh. Në të vërtetë asgjëja qenka sonte rrëmujë e daullshme, pijetorja e peshkatarëve afër nesh me një dritë të zbehtë syri, ca guacka plot leshterikë, të cilat duke i lënë shëndetin valëve kërcejnë në breg.     

-Një i prapë qëllon gjithandej dhe askush nuk ia shkul veshin.              

A mund të jetojmë pa një të prapë ne? - e ngacmova Dilon.         

-Mbrëmë u ça diga e ujit. Ia mbathën njerëzit, qentë, macet.              

-Po shtëpitë s'ia mbathin dot. Ca shtëpi u mbytën gjer në kulm.

-Diga nuk çahet vet. E çajmë ne të prapët, o Luar.

Pa prit' e pa kujtu', kjo përmbytje marramendase, mua m'u duk se na e  grykosi keqas sonte hamendjen, praj, natën bardhoshe e të errët, të purpurt. E paskemi mbytur vetvetiu vet natën tonë duke heshtur!!!

Po a jeton njeriu pa natë natën?

-Ngadalë do t'i ndijmë rënkimet, ngadalë, Luar.            

-Ndonjëherë rrëmbyeshëm. 

-Shumë rrëmbyeshëm. Po atëhere do të jetë vonë.

Grafitë e reve i duhen tokës. Në tokë ato lexohen shpejt, ngathëti, pjesë - pjesë, të tëra.Toka u duhet këmbësorëve për t'u mbajtur kur ndonjë frymor hedh shputat mbi shpinë teksa nxiton, kërrus shpinën nga torbat e atyre reve që për veten e tyre s'i çajnë kryt se i rënden shpesh e shumë njeriut.  

-Pylli vdes pa frymë. Aty-aty si njeriu. A ke parë ti ndonjë njeri në gulçet e fundit, o Dilo ?

-E shoh përditë. Çehrja e tij aty mavijoset, aty sikur ngjallet. Si pëllumbat e mi.

Shihja mjegullt, kësaj ndajnate, vinçat tek zgjasnin herë pas here, qafat e tyre poshtë në hambarët e anijeve, me ngarkesa hijerënda, ndonjëherë të fshehta e të rrezikshme. Rreziku çakërqejf livadhis mbi kuvertë. Parafytyroj peshqit tek shkundin luspat e tyre, luhasin bishtin, thithin ajër, u ikin rrjetave të peshkimit. Më braktisi deti mua apo unë nuk kam lindur për dallgë? 

-Pra, si çehrja e njeriut pak a shumë është vet moti.    

-Në të vërtetë, si moti është njeriu. i kthjellët, i zymtë, qetë rrëmbyeshëm.  

-dhe i prapë...  I prapë jo i lig, o Dilo.        

-mbrapshtitë të qëllojnë, të lëndojnë,      

-të plagosin e shpesh edhe të vrasin.

Sa nisa të dalloj përreth, diku më qartë e diku zbehtë një sy të stërmadh, i cili po kërkonte jo njeriun e zakonshëm por atë të Nederlandit. Ku e kërkon ky sy njeriun? Në një vend të rraskapitur e megjithatë përhera paqedashës. Një krah fluturues kërkon gishtat këputur nga plumbi. Ç'plumb, o njeri? Këtu, në këtë vend, gjithçka është e urtë, e paqtë, pellgaçe m...

Diloja po ai...I mbrami. E lëshon shpejt veten. Preket lehtë. Nuk duron asnjë të bërtitur. Jeton me pëllumbin, me plot pëllumba. Sa i afrohet ndonjë njeri ai tërhiqet lehtas mënjanë pa i rënë në sy. Dyshon shpesh e shpejt tek tjetri. Fati i tij është pagesa e një vetmie, vetmia e një burri, e një ati. M'u bë se foli.

-Luar, kam frikë...

-Ç'thua, o Dilo?! 

-Më vjen keq për ...

-Për veten ? - ia ndërpreva fjalën unë.

-Paksa për veten, paksa...Më vjen keq për pëllumbat. S'kam me se t'i ushqej. Kujt t'ia lë nëse...

-Pakogjë, Dilo, pakogjë... Leri pëllumbat të fluturojnë, mos i mbaj më në kafaz. Le të ushqehen vet. Kudo do ta gjejmë pak ushqim.

-Oooo, ç'më the, o Luar, ç'më the...Më mbulon shpejt dheu po i lashë pëllumbat. Më bëhet sikur përlotet im bir.  Po unë me se do ta mbush shpirtin tim pastaj? Me glasat që ata do lënë pas ? Kafazet e braktisur kujt t'ia lë? Të paudhit, pijanikut Zylko t'i djeg e të ngroh shalët e palara?

-Më fal, Dilo, më fal...

Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë Dilon të fliste gjatë. Kaq gjatë e më gjatë se kaq shumë më tepër mund të fliste e fliste vetëm fluturimi. Fluturimi i gjithçkaje mbi tokë e nën tokë. Thuhet se edhe nën tokë fluturojnë ... Cilët fluturojnë ?

Gjithandejmi, çuditërisht, nisi të cicërojë gjithçka. Asnjë brohoritje, asnjë e bërtitur. Asgjë nuk ulërinte, nuk shqyhej. Hamendja mbante në gjirin e vet një bubullimë gjumashe, e cila e kishte braktisur herët qiellin. Moti i natës po përtërihej. Pemët të dashuruara.Njeriu i dhembshur i pëllumbave po ai ?... Tjetër?.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page