top of page

Ruzhdi Gole: FRYMORË DHE THUMBA

  • 1 hour ago
  • 6 min read

FRYMORË DHE THUMBA

                            (tregim)

                                *

    Thumba bletësh, pendë kakarisjesh, gjethe duhani kërcyer përpjetë nga duhantorja, një verige rrushi që po numëronte kokrrat e saj, vërtiteshin në ajër, I afroheshin dhe preknin njeratjetrën dhe sa e preknin njera - tjetrën nxitonin të ndaheshin. Thumbat e bletëve sikur kishin frikë mos nguleshin tek gjethet e duhanit dhe nuk do kishin fat t'u nguleshin zogjve e njerëzve. Gjethet e duhanit duke u bërë vrimëza nga thumbat nuk do mundnin të thërrmoheshin siç duhet për të dredhur një ose dy cigare t'i pinte pijetorja. Pijetorja tymoste përhera shpejt në mëngjes, mesdita e zinte me dhimbje koke. Mbrëmja dhe mesnata dukej sikur i tërhiqnin zvarrë ngrehinën dhe pijetarët për t'i shkundur ato nga dehja. Pendët rrinin mënjanë të turpëruara ngaqë ato veç fëshfërinin dhe jo kakarisnin. Verig'ia e rrushit dukej më e ngadaltë por jo e ngathët. Kokrrat plot xixa të saj pikonin lëngun e tyre, lëshonin pertokë bërthackat, të cilat sëbashku dukeshin si saçme për pushkën e gjahut.

      ( Do shkojmë për gjah në Munellë ? - më pyeti Pand himarjoti. - Nesër, si thua, o Gole ?

Qesha dhe i shkela syrin. Pandit s'i zinin këmbët dhe.

Bëhej mbarë të nisej për tek pyjet në Bulshar përpjetë. Kur sa shihte  makinën e parë, ngado që t'i dilte, i ngrinte dorën shoferit e ia mbathte tëposhtë në qytet.

Do zbresin dhelprat tek ne - i thashë me të qeshur.)

   Gjahu përtërihej shpejt. Ndërkohë gjelbërimi ndihej i mërzitur dhe drithëronte. Llambat e rrugicave diku dukeshin si me sy të mbufatura ngaqë përreth tyre daravitej pluhuri, afshi i ngathët i një nxehtësie kapitëse.

Në tokë sapo kishin zbritur retë e pafundme, të cilat sapo ndërruan teshat e tyre të mugëta me nje bardhësi të paparë teshash po rrinin të çuditura tek stacioni i hekurudhës. 

Ku do shkojmë tani? - pyeti reja që erdhi nga currilat. - Atje unë nuk shkoj më.

Pse ?- pyeti simotra e saj, e cila para dy mëngjezeve jetonte po tek currilat, por  gjatë shëtitjes së saj u lodh kaq shumë sa në ecje e sipër djersiu, e zuri kolla, u pre në fytyrë dhe humbi toruan e u preh (gjoja u preh) gjumsh tek stacioni i plepave.

Atje nuk shkoj më - përsëri veten reja e Currilave. - vetëm baltë rrëshqet nga kodra, ferra, tela me gjemba. Të mbysin lehje qensh.

Më keq akoma tek plepat, më keq akoma - përsëriti reja e dytë si për të besuar veten e për t'u besuar nga të tjerat. - Atje ka shumë ngatërresa, sharje, të pështytura, grindje, bori të gënjeshtërta urgjence. Dhe më keq akoma, ka shumë lakuriqësi.

Verë tani, xhvishet bota - foli me të qeshur reja tjetër. Mos t'ia hamë hakun, ajo erdhi këtu më vonë se të tjerat, por fryhej më e bëshme. Flokët xhufkë majë kokës, buzët fryrë si asnjëherë në jetën e saj.

Atje, atje, - (e uli zërin reja e plepave)- ka shumë kurva, më falni, kurvërira.

Hiqmu sysh moj djallushke ! - i tha reja e currilave asaj të plepave. - Shiko minifundin tënd ti që t'u ka ngjit përpjetë e të duken brekët.

(Renë e Plepave, me pëlqimin tuaj, po e quaj re-xhufka.)

Nga ne erdhe ti, moj ? - e pyeti reja e currilave

Nga hoteli, nga diskoja, nga nevojtorja - i zbrazi fjalët e saj re - xhufka.

Qënka bërë copash - e qesëndisi lozonjarja e Currilave, e cila nuk pranoi ta quajmë me emër tjetër tashmë që jeton në tokë, veçse me emrin lozonjarja.

                                 **

     Në të vërtetë, retë në tokë gatuhen gjatëshkurt, shkurt e gjatë trazime e përzierje  avujsh, cërkash, cingërimash, pluhurash, xixash e hiresh, mikrobesh e qymyri nga toka për atje lart, për atje lart që herë e quajmë qiell, herë kozmos, herë Xhomolunga, herë Mon Blanc, herë Perëndi.

Verig'ia e rrushit gjer tani dëgjoi me vemendje retë, I përshëndeste ato me fëshfërimën e gjetheve si tundje e lehtë koke. Hardhia nuk i donte retë, përpiqej t'i largonte ato kur i afroheshin. Ndonjëherë i vinte keq për retë. Ato digjeshin nga të nxehtit e gushtit ose cingëronin në thep të dimrit të begatë. Ajo, pra, hardhia i mbështillte retë poshtë hijeshisë së saj për një farë moti. Edhe kur retë rrëmbeheshin e zbrisnin papushim poshtë hardhia bënte si bënte dhe i ngrohtë sadopak retë me frymën e gjelbër.

I begatë dimri? Po, po, o Pand himarjoti, dimri përhera jeton i begatë. A nuk janë erërat, ngricat, tufanet, borërat gëzimi më i madh i tij? Pa to dimri nuk do dukej gjëkund, nuk do ta mbanin këmbët as me bastun, as në karrocë e biçikletë. Nuk do të ngjitej as në anije, nuk do fluturonte as me helikopter.

     

( Na kërcisnin dhëmbët nga cikmat edhe brenda kapanoneve të gjumit. Koçoja, seç i krisi, nga mesdita, shkoj në qamet në Kullaxhi të tërhiqte rrogat e mësuesve të tri shkollave. Djersa jonë, mundimi ynë lypte pagën e vet. Nuk e lypte. E dëshironte. E dëshironte sepse e meritonte.            

Dal mes cikmave për ta gjetur dikund Koçon. Hyj në klub. Ai çakërqejf. Sa më pa mua e ngriti zërin. Zëri i tij m'u duk sikur hapi krahët të më përqafonte. Në gaz e marraz Koçoja e vërviti përpjetë çantën e lëkurtë. Kartmonedhat fluturuan, krahëlehta e të plogëta ranë në çimenton e lyrosur të klubit. Pandi nisi t'i mblidhte. Ashtu, marraz e çakërqejf, tështi këtu e kollitu hapin tjetër arritëm tek kapanoni ynë, i cili u mbush plot frymorë. Secili gjente emrin mbiemrin e tij tek një fletë e zhubrosur, shihte pagën e vet, përkrah vinte firmën. Ato firma asokohe ishin shumë të pastra e të vërteta ashtu si edhe gishtat e secilit prej nesh kur merrnim vet të hollat tona aq sa na takonin nga çanta e lëkurtë. A të kujtohet, o Pand? Ti, fatmirësisht ishe esëll. Po edhe sikur të gjithë, të gjithë të ishim të dehur atë muzg të holla do të mbeteshin aty. Jo për në pijetore, por si tingëllima të argjenda shpirti.)

                           ***

       Hardhi, moj, gëzoju gjelbërimit tënd edhe dimrit ! Njeri, gëzoju hardhive të tua plot harlisje e hare aq ëngjëllore burrë-grua, mëmë- fëmijë, gjyshe-gjysh, vajza-motra, vajza-nuse, djem-vëllezër, djem -dhëndurë.

I harrova thumbat... Thumbat e bletëve u ulën ngadalë e u ngulën pingul mbi hundët dhe veshët, mbi buzët dhe mjekrat e disa frymorëve, që po brohorisnin në pikun e qetësisë publike. Thumbat iu afruan edhe reve, i pickuan edhe ato. Retë po pikonin lotë.

     Nuk mund të ikja pa u thumbuar. Hoqa këmishën dhe e fluturova në ajër. Të tria retë menjëherë ia afruan njeratjetrës, u shkrinë në një turbullirë paksa bardh'zi. Pëshpërisnin zëulët. Hynë në mëngët e këmishës e tek xhepi puplor i saj.

Gjethja e duhanit, që desh e harrova, o u bë thërrime-thërrime o u ndez nga një xixëllonjë.

Prisja të pickohesha. Nuk e di pse kërkoja me sy veç thumbat, thumbat, thumbat. Por, ah...ç'm'u kujtua...

( Makina auto-burg, me helmetë e bajonetë e me rrjetën e çelniktë kë po çonte atë mesnate thatanike janari në spital : të burgosuriit e pafajshëm thyer gjymtyrët në galerinë e shembur a vdekjen e tyre? Duhet të mjekohej, të pudrosej e të parfumosej sa më shpejt kjo gjëmë, e cila qelbej e ulurinte nga nëntoka edhe kur e varrosnin....U shëmb një ditë edhe ngrehina- skeletike e shkollës sonë. Nuk u shëmb. Ajo u shqye çati e tjegulla, trungje të kalbur rakitikë, kompesato të zbardhëlyera. U ndërtua shkolla e re në maje të kodrës. Kulmi i saj tashmë ngrihej më lart se kulla e Nush bajraktarit. Veçse të ngrehina- e re mungonte ngrohja. Ne i mblidhnim nxënësit grup e ata fërkonin herë duart, herë shpatullat e holla kockore të njeri-tjetrit. A të kujtohet kjo, o Pandi, o himarioti im?)

      Sa më pickoi bleta mua m'u morën mendttë, menjëherë m'u perzihrn rropullitë, më zunë të vjellat. Goja m'u bë helm nga gjethja e duhanit, të cilën e kisha përtypur i pandërgjegjshëm. Retë i pashë që dolën nga mëngët dhe xhepi i këmishës sime puplore. Për të mos i harruar asnjëherë po ua përmend  emrat atyre : re-xhufka, re-lozonjarja, re-plepi, re-currilja dhe...dhe...re-njeriu.

Rashë përtokë nga pickimet. Të isha unë bleta, që pasi i volën mjaltin ia helmuan buzët, që pasi ia grabitën kosheren ia shkelën përkëmbësh pitet?

Bletërritësi ku është, ku është maska e tij, ku është tymuesja ? 

Ka kohë që bletët nuk pickojnë, ka kohë që retë nuk na shohin zymtë.

Ç'ka ngjarë që ne e shohim vranët njeri - tjetrin.? Nuk paska mes nesh, mes gjinisë sonë një bletërritës për frymën njerëzore, për mjaltin hyjnor ???

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page