Ruzhdi Gole: FAJI NË KËLLËF
- 2 hours ago
- 6 min read

(tregim)
*
Unë jam... jam ai që jam, me dy p.p. të vogla. Ha, ha, ha, ç'ju gajasa. Unë jam njolla. Njolla në të gjitha bllamat e të vetmit penel zhgarravitës, të pashoqë. Kjo është p. ime e parë.
Gjithashtu unë shtrembëroj duke zbukuruar dhe nxirë qymyrtë gjithçka që shoh e ndigjoj. Ua përcjell juve nëpër vargje. Kjo është p. ime e dytë.
*
Ç'm'u kujtua mua tani Andrea ? Njohja jonë. Po ua them edhe te tjerëve, me lejen tënde në xhep.
Njeriun me emrin Andrea, për herë të parë, e pashë ulur tek një nga stolat e shëtitores "Taulantia" mbrëmjen e gushtit të kaluar. U afrova, e përshëndeta dhe për mirësjellje i mora leje të ulesha.
-Uluni, uluni...
U ula. Pas pak, njeriu me fytyrë të re, më pa mua i habitur e me hutim.
-Zotni, kush ju tha të uleni pranë meje? Nuk ju njoh.
-Ju mora leje, zotnia juaj. Prisni ndonjë? Më falni, po çohem.
A,a,a, po, po më morët leje. Rrini, rrini. Ju jeni polic? Polic, gjykatës, prokuror? Ju jeni polici i prangave të mia atë ditë. Po më përpara ishit prokuror. Pastaj u bëtë gjykatësi im.
U mpiva i gjithi kokekëmbë. Unë polic, prokuror, gjykatës ? I saponjohuri s'më la t'i përgjigjesha. -
Jo, jo, më falni, zotni, fola turbullt, përçart. Një vit kam që kam lindur. Dola i pafajshëm.
Ju keni rilindur - i thashë.- Tani, dimë si jetuam, dimë si jetojmë.
Faji në këllëf, faji në këllëf - përsëdyta unë në heshtje një nga vargjet e mia.
Atë mbrëmje u ndamë vonë për t'u takuar sërish e sërish...
**
(-Andrea, edhe sot ti do rrish me gratë? Me një filxhan kafeje duke pirë njera pas tjetrës veç dy cigare? Po unë ç'të bëj? Të eci këmbëzbath' e gishtalagur andej këndej në buzëdet? Të shoh gjinj e shalë, ndonjë bel belaje të re? Të gjitha këto ma mpakin sadopak rrudhjen dhe hutimin.)
I afroj e i largoj 2 p.p. nga njera-tjetra. Ato aty duhen, aty shamatohen.
Moj, ti bishthollë, me atë mustak as dy
gisht, u bëre të më njollosësh mua?- i tha pena penelit.
Peneli u habit nga fjalët e penës, e pa nj'iherë ngadalë nj'iheri nxitimthi, fërkoj e shkundi mustakun dhe nga qelqi ujor ku hyri të shplahej iu gjegj:
-Ua, ua, u bërë ti të hidhesh përpjetë, u bërë ti të ankohesh për mua?
(Ndonjëherë, nga valët e tua, o det, tingëllon zëri i Moikomit. Sa shpejt i mbylli sytë Moikomi. Mua më bëhet se tani kur ai s'është më trup por frymë e librave të tij, pra tani, janë Librat që shfletohen vet faqe pas faqeje, i afrohen shtëpisë së tij të fundme pa re e plot qirinj dhe shohin e lexojnë çka shkruar ai deri tani mbi pllakën e mermertë. Mos u çudisni po t'ju them se janë po Librat e tij që vënë veshët e tyre mbi mermer dhe dëgjojnë fjalët e reja ligjëruese të tij. Herë-herë tek pllaka e mermertë shfaqjen 2 P.p. Tek kryet P. e madhe. Përtëritja. Tek këmbët p. e vogël.... plogështia. Shpesh ato grinden midis tyre. Po asnjëherë nuk u grindën midis tyre pena dhe peneli moikomian.
Paska pak faj Moikomi që iu bind shpejt vdekjes ? Jooooo!...)
Tek eci tani humba-humba në buzëdet unë mburrem në vetminë time se zëri im prej vargu e ngjyrash jeton në guackë. Në të vërtetë, zëri im në guackë fishket, mos u çuditni pra, se edhe zëri vyshket. Zëri im ç'tingull ka, sytë e mi çfarë shohin? Në mos, nuk ndijnë e nuk ndigjojnë as veten e tyre? Zhgënjimi plasarit, ciflos. Ndonjëherë rrënon keqas. Gropos.
O, ooo ... Nga mbiu, para syve të mi, këtu në bregdet, lypësi i lagjes sime.? Jeta e tij ... protezë,
lutje, leshurinë pisllëqesh, lak i spërdhredhur e i padukshëm litari. Mëshira kafshon, përtyp e ha krodhen e tij. Vera e tij rrokulliset qindarkë.
A e shohin të tjerët, rreth e rrotull, në këtë mesditë zjarrmie? I afrohet ndokush, i ikin tej hapash të gjithë?
Varfëria lahet mirë e mirë vetëm njëherë. Kur s'ka më këmbë për të ecur, zvarritur, rrëshqitur, kur i krisin e i shkërmoqen këllqet e Fatit. Varfëria vdes. Atëhere lahet njëherë e mirë kufoma, pudroset e parfumoset. Mortja vetëm shplahet. Nxiton tek fatkeqët e tjerë për të gatuar brumin e saj të përditshëm për të nxjerr bukën skrop të gojës. Edhe vdekja punon. Qan edhe ajo, kërcen hopa, harliset dashuri. Ne lindim pranë jetës së vdekjes. Herët, shumë herët, vonë, shumë vonë ajo na përqafon. Ne e përqafojmë. Njerëzit tanë ia paguante asaj taksën e përlotjes, të lutjeve e të përcjelljes.
Të gjithë në lypim. Shumë prej nesh lypin detin. Dikush lyp kurmin femëror, dikush një biletë për boksin, tjetri një karrocë invalidi. Lypim haptazi, me mëdyshje, fshehtas, guximshëm, rrebelshëm, me droje prej atyre që janë sipër nesh. Na lypin ata që janë poshtë nesh.
Paska faj njeriu që lyp, paska faj lypja që zgjat pëllëmbët ?
***
Rrofsh , o det ! Ti më merr në valëzimin tënd, tani duke ecur, në vall'zimin tënd merr mërzinë time t'pak
t'pakët, të tështiturat e mia, drithërimin ajror të zonjave.
Eci nga sfinksi tek kështjella. Sfinksi i qullur nga këmbët, kështjella nën rreze. Arrij shpejt tek "Aragosta", hopthi tek "Gardeni."
Kërkoj gruan. Gruan time e kam përhera përkrah. Kërkoj një grua tjetër me flatra e me pinë në duar. I shoh mirë e bukur gratë në buzëdet, ndjell veten sadopak. Në të vërtetë, secila vajzë e secila grua jeton me flatra e me pinë të padukshme. Ndonjëherë flatrat k'puten, pina kris e thërrmohet. Gjindja ushqehet shpesh me fjalë marrinash. Gjinitë ushqehen me seks.
Mos paskam pak faj edhe unë që kërkoj e kërkoj shpesh të kaluarën. ?
****
(Andrea, akoma me gratë ti? E shuajte cigaren e parë? Nikotinë ajri. Ç'të thonë e çfarë u thua grave? Edhe unë, mes pëshpërimave, i gjithi pëshpërimë, ngacmoj tjetrin nga larg. Nuk shoh veten që ende kërkoj një grua. Një grua me flatra dhe pinë deti. Një grua që hyn e del nga deti, e qullur dhe e paqullur, një grua që hipën dhe zbret nga gurët e sfinksit. Ajo, më rri përballë, më qesh e me përqesh, më kthen shpinën. E takoj dhe e humbas shpesh e shpejt këtë farfuritje femërore këtu ku po eci tani. Edhe kur shkoj në kryeqytet. Në Vermosh. Në aeroportin e Rinasit. Zbresim në vende të ndryshme e çuditërisht, në mbrëmje, takohemi tek shëtitorja e Trandafilave në Paris, në një kafene në Nuremberg, në të njëjtin teatër londinez. Ndonjëherë, shpesh edhe unë e kam veshur lëkurën dinake të njeriut, kam ecur zbathur me njerën këmbë lyer me miell e tjetrën fashuar nga ndonjë gërvishje, gjoja, e thellë. Mbrëmjet kudo janë mikpritëse. Qielli nuk është plot tespije yjesh, por ngahera e ngahera kopsht yjesh. Nata po ashtu. Ajo shkruan me shkumës të bardhë mbi sheshe e trotuare, stola parqesh, muzeume, hotele e rajone policie.
*****
I adhuroj gratë, të gjitha më duken njësoj, prandaj përhera e gjej gruan që humbas... Më duken njësoj veç sa për të gjetur njerën tek tjetra dhe të gjitha sëbashku tek një e vetme.
Eci duke mbajtur përdore hijen time. Ajri, i gjithi mbushur me aroma e frymëra. Këtu, mpleksen plot gjuhë. Peneli i qiellit të kësaj mesdite gushtovjeshte shkund akoma plot rreze e xixa. Drita, asnjëherë, nuk e ke vetëm dritën. Asnjëherë nuk e braktis. Pena, po aq qiellore, shkruan me valë. Tani ato rrijnë e rrojnë afër. Nuk i dihet : a do të takohen në vjeshtë?
Pendohem zë ngjyrash e fjalësh jashtë guacke. Paskam ethe nga të nxehtit?
Gruaja më afrohet, më puth buzët. Ngado shkova u ktheva tek gruaja ime. Gjindja ushqehet me paqe e potere, me opera dhe krisje, me gola dhe shakara. Gjinitë ushqehen me vajzërinë e tyre, me mëmësinë e tyre.
Andrea, me sa shoh qënka kredhur në det. Ia paska kaluar paqtë me gratë, me të njohurat e veta, me mikeshat e veta, me gjakun e fisit e të krushqisë së vet.
Endërrt vrapoj pas një gruaje, grua e të gjitha stinëve, me miklime e fllade dashurorë, me rrëmbime e rrëshqitje të durueshme e të falura.
Paskam ftohtë në gjithë këtë zagushi ? Po Peneli e Poezia si ndjehen? Kanë ndërruar sy e duar, veshje e frymë?
Tek Moikomi ato janë ende të dyja...
Paska ardh'ik vjeshta dhe unë s'e paskam ditur?
Unë, vetëm unë, paskam ndërruar stinë lëkure ...








Comments