top of page

Fatmir Terziu: Dhjeta këtu bëhet një masë e fshehtë e kërkimit

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Mes metaforave, mendimi lëviz nga kriza drejt kureshtjes, duke kaluar nëpër nëntë stacione që, së bashku, formojnë të dhjetën, jo thjesht një numër, por një shenjë të arsyes që përshkon të tërën. Dhjeta këtu bëhet një masë e fshehtë e kërkimit, një hapësirë ku secili Haiku tërheq fillin e vet dhe, duke e lidhur me tjetrin, e shtyn mendimin përtej kuptimit të parë. Por kur të dhjetat tërheqin lidhjet mes tyre, diku, në një cep të padukshëm të kësaj strukture, ngrihet një nyje. Ajo nyje është pikërisht vendi ku metafora ndalon së qeni vetëm figurë dhe fillon të kërkojë shije, një prekje të jetës, një grimë shqise, një të vërtetë që nuk shpjegohet plotësisht, por provohet. Kështu, dhjetë Haikut nuk qëndrojnë më si dhjetë pamje të veçuara, por si një qark i arsyes që kalon përmes heshtjes, krizës dhe kureshtjes, derisa mbërrin te ajo nyje e vogël ku mendimi kërkon të mos jetë vetëm i saktë, por edhe i përjetueshëm. (F.T.)

 

1

KRIZA

 

Kockat rrënkojnë jashtë barkut të pangopur. . .

Gjunjët, bërrylat, bashkohen gjithashtu,

. . . Një turn i panjohur.

 

2

DHIMBJET

 

Përralla të reja prej luleve . . .

U treguan natën pa kopsht,

. . . U strukën shkurreve.

 

3

TAKIMET

 

Koha e papritur dhe sytë . . .

Buzëqeshje në formë gjysmëhëne,

. . . Pasqyrë e yjeve në dritë.

 

4

ZGJIMET

 

Para se të ndahet qielli në rrokje. . .

Sytë hapen për të pikturuar dritën,

. . . Sekreti në këngën e zogjve.

 

5

KOLORIT

 

Pas shirave të papritur . . .

Poza shiritash ylberi,

. . . Ngjyrat janë ngjizur.

 

6

QETËSI

 

Zhurmë e zbrazët përdridhet,

Degë të zhveshura lëkunden,

. . . Kurth i vjetër që ngrihet.

 

7

FLIRTIM

 

Koha shpërtheu si një gonxhe . . .

Vraponte nga një akrep tek tjetri,

. . . Ora kishte mbetur në bokse.


8

VIKTIMA

 

Derdhje nektari në kopshte . . .

Krimba naivë të shkulur nga toka,

. . . Lëndina të gjelbra mbi petale të kuqe.

 

9

STIGMA

 

Çdo gjë nuk është mrekulli pranvere . . .

Pemë të bekuara nga dhuratat e vemjeve,

. . . Fruta që zverdhen nëpër gjethe.

 

10

KURESHTJA

 

Të dashuruarit e dëlirë pyesin veten...

Si i përballojnë trupat të ftohtin?

... Pa e njohur kurrë prekjen.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page