Ruzhdi Gole: ETHE, REGËTIMA
- 2 hours ago
- 3 min read

Ruzhdi Gole: ETHE, REGËTIMA
(poe-prozë.)
--1-
Shpëtoje tjetrin por mos humb veten.
Koha e njeriut ecën përpara, vrapon
rrëmujshëm. Pendohet, ecën
më ngadalë, qetohet puhizë,
njeriu i njeh më mirë kryet e veta
këtu atje bashkë të shpërndara
u flet syve veshëve buzëve
më i kthjellët nër të gjallë
jeton pa gjysm' shtizë.
Vrapimi njeriut ia çon më përpara
përhera kokën se këmbët,
aty ku ai mbërrin
ndin së pari
rrahjet e shpejta të tëmthit bregdetar
ethet e velierës të sfinksit
shputa plasaritur
gisht them'ër.
O Jetë, shpëtoje njeriun !
Ai jeton afër trazirave
pisk edhe me plis,
O njeri,
kalofsh burrnisht mes grave,
mes grave turpërohu burrnisht!
Urtë dhe qetë.
U mërzite prej tyre?
Kridhe kokën
në miell
ose
në det!
Det s'ka askund.?
Një valë ere
të fëshfërin
në trup.
Qetohu prej saj!
Shpëtoje njeriun
nga njeriu i reve
Zemërimi s'ka skaj!
Ti, o zë,
zë që vjen nga honi : kë thërret?
Të rrëzuan ata që s'të deshën
u rrëzove vet?
Si mund të jetë honi?
Mund të zbres njeriu aty,
mund të zhytet ?
Honi është i gurtë por edhe ujor,
honi mund të jetë i cekët
dy gisht, qahet e lutet
honi edhe thellomë.
Dy gisht hon Fjala pranë Fjalës,
midis peshkut dhe halës,
midis perit e gjilpërës,
gjethes dhe degës,
brumit e ëndrrës...
Thellomë honi, aq thellomë,
pëllëmba shuplakë kris
mbi çdo të pafajshëm
nga heshtja jonë.
-2-
Koha e njeriut ecën,
vrapon edhe pas...
në zgjim ëndërr,
hovje e plasë.
Prindërit tanë
në sjellje e në bindje
shumë kohëra morën peng,
brezi i tim biri do ta shpëtojë atdheun
Shpëtoje natyrën nga njeriu, o bletë!
Ta shpëtojmë një pemë
gjersa të zgjohet,
mos ta çukisin sqepat e laraskave roje.
Dallga, kur afrohet tek brigjet
ta shpëtojmë nga tymrat,
plehrat dhe shpifjet.
Koka e njeriut sheh edhe tëposhtë,
thonjtë i ka në sy dhe në gjoks.
Ta shpëtojmë njeriun
me gurin var në qafë,
laku u tij prej qivuri
na ndjek pas.
Mund të na rrëmbejë dufi i tij.
Ta shpëtojmë njeriun
nga hija përbri.
Hija e tij jeton gjatë, më gjatë,
frymori ikën, hija.
kthehet prapë.
Guri i qafës që bie në humnerë
s'vret një njeri...vret peisazhet
ujëvarat lëndinat motra
me vëllanë diell.
Murrana e njeriut
murrëton prej uje, urdhëri.
Kë do vrasin me plumb , me teh?
Ne jemi këtu, atje - këtu
afër plagosemi
edhe ne.
Përlotja fëmijë lind. Vdes prind.
Shpëtoje njeriun nga murrana e njeriut,
mos humb pamjet nga zbrite dhe do
ngjitesh ti përsëri vet i dytë,
Tinëzia të rri afër
në krahë,
në grykë.
Shpëtoje njeriun, jo hajdutin njeri !
Ah, shpëtoje edhe atë vetëm
një çast nga grabitja e tij.
Përpara se ai të rrëmbej të tjerët...
atë e rrëmbejnë lojërat e Fatit,
atë e rrëmben terri
këmbëbjerrës
në sy të ditës
prapthi.
Përpjetë koha e çdo njeriu
sheh atë që ia hovi vrullin,
sheh atë që e përpiu?!
Shpëtoje fëmijën gjer në sakrificë !
Për hir të tij mund të luash
me zjarrin
ndoshta ti do luash
edhe me të këqinjtë.
Shpëtoji gjithë xixat e mëngjesit
gjithandejmi mbaji ndezur !
Njeri - tjetrin shpëtojmë
edhe kur tretemi
pa u tretur.
O njeri, shpëtoje
nga tep'rimet dhe tepricat
frymorin plot rreze plot ngrica.
Aty unë gëzohem,
aty, më gëzon
edhe trembja !
Njeri,
shpëtoje
njeriun tënd vetes brenda!
Gjithkund
veten mos e humb:!!!








Comments