Ruki Kondaj: “Çamëria” në Kanada
- Apr 19
- 1 min read

“Çamëria” në Kanada
Nga Ruki Kondaj
Kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja në përvjetorin e parë të krijimit të Shoqatës “Çamëria” në Kanada, një ngjarje që mbarti në vetvete jo vetëm gëzim dhe krenari, por edhe një ndjenjë të thellë përkatësie kombëtare. Ky aktivitet i organizuar me përkushtim dhe dashuri u shndërrua në një festë të vërtetë shqiptarie, ku ngjyrat e traditës, tingujt e muzikës dhe ritmet e valleve u ndërthurën në mënyrë harmonike.
Atmosfera ishte e mbushur me entuziazëm dhe emocione të sinqerta. Të pranishmit, të ardhur nga treva dhe breza të ndryshëm, u bashkuan si një trup i vetëm për të festuar jo vetëm një përvjetor, por edhe vetë identitetin tonë. Ishte një “bashkim i vogël kombëtar”, që dëshmoi se, pavarësisht largësisë gjeografike, zemrat shqiptare rrahin njësoj, të lidhura fort pas rrënjëve dhe historisë.
Ambienti i përzgjedhur me aq kujdes nga organizatorët i dha kësaj mbrëmjeje një hijeshi të veçantë, duke e bërë gjithçka edhe më të ngrohtë e mikpritëse. Për këtë përkushtim dhe për organizimin dinjitoz, ata meritojnë përgëzimet më të sinqerta.
Falënderim i veçantë për ftesën dhe për mundësinë që të jem pjesë e kësaj nate të paharrueshme. Momente të tilla mbeten gjatë në kujtesë dhe shërbejnë si ura që na lidhin më fort me njëri-tjetrin dhe me atdheun.
Rroftë Çamëria!














A doni më për Belulin?