
(Shoqata “Korabi” në Bolonja feston ditën e Pavarësisë me përurimin e një rruge)
Imprenditorët shqiptarë të shoqatës shqiptaro-arbëreshe “Korabi” në qytetin e Bolonjës kanë gjetur një mënyrë të veçantë e origjinale për të festuar Ditën e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Jo festa me këngë e me valle, jo koncert me këngëtarë “Vipa” e me tallava, por me një gjest të bukur mirënjohjeje, me konstruksionin e rrugës “Villa Pallavicini” në zonën e Borgo Panigales. Po përse përurimi i rikonstruksionit të kësaj rruge përbën një gjest të veçantë e simbolik mirënjohjeje? Duhet të kthehemi nja 30 vjet prapa, në fillimin e viteve ‘90, në kohën e eksodit të madh të shqiptarëve drejt Italisë. Një grup të rinjsh e të rejash nga ata emigrantë përfunduan pikërisht në këtë rrugë, që lidh aksin e gjatë e të mirënjohur (Via Emilia), e cila fillon nga Cattolica poshtë Riminit e përshkon gjithë Emilia Romagnan deri në Piacenza, me atë të quhej “Villaggio dei ragazzi” (Qyteza e të rinjve”, vepër mirëbërësie e priftit të mirënjohur Padre Marella. Në këtë qytezë në periferi të Bolonjës prifti Giuseppe Olinto Marella, ish shok klase me Papa Giovanni XIII, që njihej edhe si Papa i mirë, ndihmonte njerëzit në nevojë, sidomos të rinj e të reja. Në vitet ‘90 ai nuk jetonte më, por veprën e tij e çonte përpara Padre Giulio. Pikërisht këtu, u strehuan ata të rinj. Më kujtohet që aty nga mesi i viteve ‘90, pas emigrimit në Itali, na ftuan për një vizitë në shtëpinë e tyre, miqtë tanë, me të cilët kishim njohje të hershme që në Shkodër, arkitekti Artan Shkreli dhe bashkëshortja e tij, Ledi Shkreli (Shamku). Ata ishin një familje e re, kishin një vajzë të vogël, të bukur e shumë të gjallë me emrin Ana. Banonin në njërën nga ai grup shtëpish në formë vilash të rreshtuara dhe na pat bërë përshtypje sa mirë ishin sistemuar. Fatin e tyre e kishin patur edhe të rinj të tjerë shqiptarë që banonin në Villaggio dei ragazzi. Për të arritur aty ne duhej të përshkonim pikërisht rrugën Villa Pallavicini, një rrugë e drejtë dhe e gjatë më shumë se një kilometër, me plepa të gjatë e të drejtë që na shoqëronin në gjithë gjatësinë e saj. Kanë kaluar 30 vjet që atëherë. Ne na mbeten kujtimet e bukura nga mikpritja e familjes Shkreli, por ata që u rritën në këtë rrugë, që u bënë prindër e ndokush edhe gjysh, ruajnë shumë më tepër. Në këtë rrugë të gjatë e të drejtë janë gjurmët e rritjes së tyre e të fëmijëve të tyre, gjurmët e dëshmisë të asaj mikpritjeje e ndihme që iu dha Italia emigrantëve shqiptarë në një rast nevoje të madhe. Prej këtu ata niseshin për në punë e çonin fëmijët në shkollë, nëpër këtë rrugë ktheheshin mbrëmjeve në shtëpi me frutet e djersës së tyre në ndërmarrjet e Bolonjës dhe fëmijët me frutet e dijes në shkollat italiane. Po ku janë ata sot? Natyrisht, ata të viteve ‘90 nuk janë më këtu. Pasi u rritën si njerëz e profesionalisht, shumë prej tyre ndërtuan aktivitetet e tyre, fëmijët mbaruan universitete. Ata u integruan në jetën ekonomike e shoqërore italiane, madje u bënë edhe shtetas italianë, duke ruajtur gjithnjë identitetin e tyre shqiptar. Le të marrim çiftin me të cilin e nisëm shkrimin, familjen Shkreli. Pas disa vitesh në Villaggio dei ragazi, ata u kthyen në Shqipëri, në Tiranë, ku investuan për të ndërtuar jetën e tyre. Arkitekti Artan Shkreli ngriti studion e tij arkitekturore me emër dhe ka në curriculumin e vet një sërë veprash të rëndësishme në kryeqytet e në qytete të tjera. Ledi, me pasionin e saj të përhershëm për gjuhën shqipe, u bë një pedagoge e studiuese e njohur, një aktiviste edhe në politikë. Patën edhe dy fëmijë të tjerë. Ajo Ana e vogël është bërë një intelektuale e mrekullueshme nën shembullin e prindërve, madje ka edhe një shtëpi të sajën botuese, ku ka botuar kohët e fundit një libër të profesoreshës së njohur italiane Lucia Nadin, që ka shkruar shumë libra për Shqipërinë e shqiptarët. Ata nuk i kanë humbur lidhjet me Bolonjën. Ajo Ledi e thjeshtë, që e përshkonte këtë rrugë për të shkuar në punë apo për të çuar vajzën në shkollë, sot është edhe pedagoge në Universitetin e Bolonjës. E pikërisht në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës asaj i jepet titulli “Ambasadore nderi” për rajonin e Emilia Romagnas. A nuk është ky një shembull i qartë e i bukur rritjeje? Pak a shumë ecuri të ngjashme kanë bërë edhe ish banorët e tjerë të viteve ‘90, që tani janë shpërndarë gjithandej. E vendin e tyre e kanë zënë të rinj të tjerë që ndjejnë dorën e ngrohtësisë, të ndihmës e të bamirësisë së kishës katolike italiane. Tani Qyteza e të rinjve është rritur e ka banorë të rinj. Është pronë e Fondacionit “Gesu Divino Operaio”, që drejtohet nga Don Massimo Vacchetti dhe nga shqiptari i palodhur Armando Stafa. Ka qenë pikërisht idea e këtij fondacioni për të bërë rikonstruksionin e kësaj rruge, në shenjë mirënjohjeje për atë që kanë bërë shteti italian, komuna e Bolonës dhe kisha në ndihmë të shqiptarëve në këto tri dekada. Këtë ide e përqafuan përnjëherësh imprenditorët e bashkuar në shoqatën shqiptaro-arbëreshe “Korabi”, e cila drejtohet nga sipërmarrësi i suksesshëm Astrit Poti. Ata mblodhën fondet, një shumë jo e vogël, dhe bënë këtë investim të bukur, të rëndësishëm e simbolik, që mbetet shprehje e lidhjes midis dy vendeve e dy popujve tanë. Astriti me vëllanë e tij, Osmanin, kanë një zingjir ndërmarrjesh në aktivitetin e tyre jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj. Me ta u bashkuan tre djemtë e 051, që është një zingjir prej 13 restorantesh në pronësi të tyre, Ergisi, Bledari e Albi. Gjitashtu u bashkuan arbëreshi Luigji Lafusa me një koleg tjetër arbëresh, dy vëllezërit shkodranë aq simpatikë e të sjellshëm Ervin e Genc Podgorica, që kanë firma transporti dhe metalmekanike, kushërinjtë Lavdi e Julian Seferi që kanë gjithashtu aktivitetet e tyre e të tjerë.

U punua me intensitet, për t’ia arritur objektivit që vepra të inaugurohej në 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për Ledi Shkrelin, që ishte e pranishme në këtë festë, kjo datë përkon edhe me 30-vjetorin e martesës së saj me Artanin. E ky përurim është gati edhe si një dhuratë simbolike në këtë përvjetor. Idetë dhe projektet e shoqatës “Korabi” nuk mbarojnë këtu. Ata kanë investuar për ribotimin e librit të Profesoreshës Lucia Nadin “Statutet e Shkodrës” dhe kanë në projekt një investim të rëndësishëm në Shqipëri. Gjatë rikonstruksionit të rrugës mbase u zhdukën ato gjurmët e fëmijëve e të rinjve të viteve ‘90 që e përshkonin atë çdo ditë. Por është menduar me delikatesë që gjurmët e shqiptarisë të mbeten gjithësesi të pashlyeshme në këtë rrugë. Përveç djersës e ivestimit të sipërmarrësve shqiptarë, aty janë pikturuar figurat e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të shenjtes shqiptare dhe të të gjithë globit, Nënë Tereza. Gjithashtu janë stamposur përgjithmonë edhe shqiponja dykrenare e flamurit tonë, figura e kardinalit shqiptar Ernest Troshani, fjala “arbëresh”, e të tjera. Kështu gjurmët shqiptare të rritjes dhe të mirënjohjes mbeten të pashlyeshme. Në festën e bukur të organizuar me këtë rast kanë ardhur përfaqësues të shtetit italian e të Vatikanit, drejtues të rajonit të Emilia Ronagnas e të komunës së Bolonjës, si zëvendësministri italian i infrastrukturës Galeazzo Bignani, presidenti i Emilia Romagnas, Stefano Bonaccini, arqipeshkvi i Bolonjës dhe president i Konferencës ipeshkvore të Italisë, kardinali Zuppi e të tjerë. Kanë ardhur edhe plot qytetarë shqiptarë që banojnë e punojnë në Itali dhe qytetarë italianë. Sëbashku i gëzohen kësaj vepre që lidh më tej miqësinë e bashkëpunimin midis tyre. Tërheqin vëmendjen edhe fëmijët e vegjël të veshur me kostumet e bukura shqiptare. Madje dy vëllezërit shkodranë, Ervini e Genci, i mbajnë në krahë dy fëmijët e tyre të vegjël, Sidrin dhe Enean, që ngjajnë me dy kukulla të veshura me kostume kombëtare burrash shqiptarë. Ata janë pjesëmarrësit më të vegjël në moshë, por që do ta transmetojnë më gjatë dëshminë dhe bukurinë e kësaj feste të veçantë.
Ndue Lazri