
RROBA PER...ANDEJ tregim nga Faruk Myrtaj
-prindërve të mi-
Ai, plaku, ende flè. Pas pak do të zgjohet. E zë gjumi herë pas here, në të gjitha orët e ditës, por s’ka orar të saktë zgjimi. Plaka duhet ta ndjejë me tahmi se kur do të ndodh kjo. Ajo e di se bën mirë të jetë sa më afër shtratit të tij. Në minutë, thotë ajo. Asnjë kuptim s’kanë minutat në fund të një jete të gjatë, por ajo ndjehet alarmante t’i gjendet pranë në çastet e shpërgjumjes. Për moshat larg ditës së lindjes, kush e di sa afër ditës tjetër, të Ikjes, merr kuptim tjetër çasti i daljes prej gjumit. Ja, thonë me njeri tjetrin, u përmendëm edhe një herë, arritëm t’i hapim sytë edhe një herë, qenkemi edhè... Për ta bërë shpejt e shpejt esëll plakun e saj, për t’ja larguar dyshimin e të mos qenit, për të bërë dallimin e marrjes një sy gjumë nga ai gjumi i gjatë që avash-avash pranohet të thirret edhe vdekje, ajo është deri në fund e bindur se njeriut të saj duhet t’i gjendet aty, tek koka, në këto zgjime të shterjes, për t’i provuar se jeta, ca e ngadalshme, megjithatë vazhdon.
Nuk duhet lënë pa njeri njeriu, gjersa është gjallë.
Prej kudo ku gjendet, ajo përgjon zgjimin e plakut të saj, njëlloj siç bënte me fëmijët kur i kishte të vegjël dhe me temperaturë. Gjithnjë duke u marrë me diçka tjetër. I mbante veshët andej, nga krevati ku prehej trupi i dërmuar i njeriut me të cilin ishte plakur bashkarisht. Brenda shtëpisë, dhe në oborrr për të nderur rrobat, s’e kishte vështirë të ndjente deri edhe frymëmarrjen e tij, por duke ujitur ato të shkreta domate në bahçen e vogël, në anën tjetër të oborrit, prej atje duheshin dyzetë palë veshë. S’ishte kollaj, por punët duheshin bërë, veshët lipsej të mbaheshin ngrehur. Pa pushim. I ngjante se herë herë i bënin hile. ‘U shurdhofshi, dè!’, i mallkonte, nxitonte, linte kovën e ujit, shplante duart tek muslluku në oborr, ecte majagishtash, përshkonte koridorin, hynte në dhomë, i afrohej krevatit të tij, ia dëgjonte frymën, bindej që e gjente, që ishte në gjumë, që ishte gjallë, pra dhe kthehej përsëri në bahçe. Nuk bëhej pishman për lodhjen dhe le t’i bënin lodra veshët! Ashtu si erë, kthehej përsëri tek perimet, tu shërbente edhe atyre, se gjë e gjallë ishin edhe ato! “Më shumë kemi rrojtur se do rrojmë, më shumë jemi munduar se do mundohemi!”, thoshte me veten. Duke qeshur e namatisur me vehten. Sikur e dëgjonte edhe ai. Në mos qè zgjuar, do të ishte duke dalë prej gjumit. Drejtohej me furtunë tek rrethakja e zjarrit në oborr, vinte xhezvenë në hirin e ngrohtë, afronte dy filxhanët, një lugë të vogël kafeje, tavllat, kupën e pluhurit të zi e të sheqerit të bardhë. Të gjitha të ishin gati.
Që nga fundi i botës do ta dëgjonte, gërvërimën e krevatit të plakut që dilte nga mjegulla e gjumit. E bënte për shpirtin e saj këtë kujdesje, por edhe pse e dinte se atij i mbetej hatri po të mos shihte atë kur hapte kapakët e syve. Nuk i mbetej qejfi, edhe kur ai lëshonte ndonjë fjalë tepër. “E çfarë pastaj?! E kemi duruar njëri tjetrin një jetë të tërë, si ta prishim për ca pak kohë që na ka mbetur?!” Kur shkonte ndërmend fundin, pra jetën deri në vdekje, mendonte dhe fliste në shumës. Sikur do të vdiste në një orë, një çast me të. Ai e thoshte shpesh. “Mos o zot, mos gabo dhe më le të rroj pas kësaj, mortjes!” “Mortje” i thoshte asaj, plakës së tij. Nuk i tingëllonte keq që e thërriste me të njëtin emër me vdekjen. Ajo qeshte. E besonte plakun. As edhe një ditë të vetme nuk bënte dot pa të. Por edhe vetë, sado grua, në gjendje për t’i shërbyer vetes, ç’i duhej jetë më tepër, po të mos kishte atë, plakun e saj? Afronte edhe pak xhezvenë tek kongjijtë, hidhte dy lugë kafè, një lugë sheqer, pas pak e shtynte xhezvenë edhe më pranë zjarrit dhe vraponte për tek dritarja. Asnjë zhurmë prej andej brenda.
“S’po zgjuhet, mos u zgjoftë!” thoshte sa për vete. Duke qeshur. “A u gdhive, aga?!” e pyeste pas pak. Me zë kësaj here. “U gdhiva, si të mos...Apo doje të mos bëhesha gjallë më?!”
Ajo e ndihte të ngrihej, të vishej, ia shkonte krahun nën sqetull dhe e nxirrte te shkallët. Ështe ditë me diell dhe s’ka merak mos ftohej. Shiltenë me lesh ia ka shtruar më parë.
“Hajde, ulu edhe ti, moj e uruar. Të shëron ky diell! Hajde e rri me mua, se më parë mbaron jeta se punët.” “Erdha, erdha! Do marrë xhezvenë dhe erdha!” “Hajde moj, hajde, se afrohet dita kur do fshihemi! Do humbasim çoku, e s’do na gjej dot njeri...”
Plaka derdh lëngun e zi në dy filxhanë të bardhë dhe i ulet pranë. Gjerbin nga pak lëng, duke menduar tërë ato që u kanë ndodhur, gëzuar e vuajtur bashkë. Mbase hallet kishin qenë më shumë, por kujtojnë mbrëmjet kur uleshin bashkë me fëmijët dhe këndonin.
“O ç’u takuam në një rrugë të ngushtë...!”, këngëzonte ai vargjet e një kënge dikur, tashmë pleqërisht. “O ne më mirë të mos ishim parë...!” shoqëronte ajo, një akord më ulët. “Se të vuanim kaq… të dy...!” e mbajnë me një zë.
Ajo ngrihet, për pak, për t’u kthyer. Diçka ka harruar, nuk e pret dot fundin e kafesë. “Po rri këtu, rri, moj se do ikim, një herë e mirë...Hajde, se ky diell të zgjat jetën…” “Uh, më marrsh të keqen! Dashke të na zgjatësh jetët ti!” “Pse të mos rrojmë edhe ca?! Ku ka si ne...Ti ke hallin tënd, se po mundohesh, pa për mua, mirë është...”
Plaka e merr përqafe, ia afron filxhanin edhe më, në një stol me fund të lartë, që ai të mos përkulet shumë, të mos e mundoj dorën e ligur. Filxhanin e vetë, plaka e mban në dorë. Plaku e sheh ashtu, si shërbëtore, tek gjunjtë e tij, i dridhen buzët nga dhimbshuria për të, për plakën e tij, njeriun e tij…, por të tjera thotë: “Po mirë të bëhet! Për hyzmeqare të kam! Për vuajtje lindur, gjersa u martove me mua!” Këto që po i thotë, s’janë ndonjë gjë e re. Ajo i ka dëgjuar edhe herë të tjera. “Edhe bukën në këmbë e ha, ujin si kuajt e pi, më këmbë, filxhanin e kafesë në dorë e mban, sikur ta pi bota, jo sikur e pi vetë! Po ulu, moj qyqe, ulu!”
Në të mira, plaku nuk zë në gojë fjalë të keqe. I njomen sytë, kur ajo e merr për qafe. “Afrohu edhe pak, afrohu!” i thoshte asaj. Ajo i afrohej, si fëmijë e tij që i bindej një fëmije, siç në të vërtet ishte bërë ai, “afrohu, dè, se nuk të ha!” e ngrinte zërin plaku, dhe mbështeste buzët në faqen e saj të rreshkur. Gjerbnin kafè në heshtje, një copë here të mirë, aty tek shkallët, pastaj plaka bënte të ikte. Tërë ato punë. Ai i kapte dorën, e vështronte në sy, me sy që endè shkëlqenin, i lutej.
“Rrimë dhe pak...”. Ajo dinte ç’I kërkonte plaku. “Rrijmë e kujtojmë ç’ka ndodhur...” “Mirë dè, mirë, por të çoj filxhanët, njëherë.” Ikte. Plaku dëgjonte çurgën e ujit që derdhej. Ajo lante filxhanët. Fët-e-fët. S’e linte enën e palarë të thahej. Por do kthehej, shpejt. “Kështu ke qenë gjithnjë, flatunë...” i thoshte ai. “Edhe kështu, e mezi ia kam dalë me ty!” “Po edhe unë kështu kam qenë, apo jo?!” thoshte ai, kur ajo i ulet në krahë. “Mos pastë punë njeriu me ty!” Ajo i bën paçet me të qeshur. “Ndize një cigar me mua, t’u bëftë helm!” sikur jep lejen ai. “S’pi duhan gruaja!” ia pret ajo. Si për t’i kujtuar fjalët që ai përdorte dikur. “Merre dreq merre...S’na bënë dot dëm një cigar në këtë moshë që jemi!”
Paketa aty ishte, por ai nuk shkon ndërmend t’ja ofroj vetë cigarin. Ajo, po të doj, le ta merrte vetë, dè... “Zgjate një herë dorën, t’u thaftë, ma jep një cigar me dorën tënde! Tërë jetën kështu. Kërcenin shoqet e mia në vatrën e kulturës, unë s’kërceja. Ç’të bëja, nuk di të kërcej, u thosha...Se, ku të shkoja të futesha nga ty pastaj?!nKurrë nuk kërceva, si shoqet...Ah, edhe unë, kot llafosem, po shtyjmë kohën, thuaj...”
Plaku afroi kokën tek faqja e saj e rrudhosur. E puth ngadalë. “E di, si s’e di. Gjithnjë, për të mirën time ma ke prishur qejfin…” thotë ajo. “Edhe ti, për të mirën tënde s’ma ke prishur kurrë qejfin!” shton ai. “Si kukull më ke pasur! Rrobat si prej kukulle m’i ke bërë! Po edhe unë, si kukull të kam qëndruar, si kukull të kam mbajtur! Mos bëfsh rehat andej, po s’ma dite...!”
“Eh, për Rrobat për Andej, the ti?” “Thashë për rrobat në të ritë tanë, ç’ke me Rrobat për Andej ti?! Jemi shyqyr Zotit, ti zë në gojë Rrobat për Andej…”
Ai tund kokën. I jep të drejtë, teksa ajo ia rrëmben vështrimin fshehurazi. Që ai të mos dalë atje ku shtyri fjalën, nxiton t’i përmend ndonjë paudhësi të hershme, që s’ka guxuar t’ja zërë në gojë dikur. “Asnjëherë s’më ke lënë t’i zgjidhja rrobat e mia siç kam dashur...” “Edhe ti, kurrë s’i ke veshur rrobat kur s’më kanë pëlqyer mua! Nuk na i nxjerrë t’i shikojmë njëherë?!” “Çfarë the?!” “...për Andej, thashë. I shikojmë njëherë bashkë se...ku i dihet!”
Sikur të mos ishte ditë me diell të bukur si ky, do t’i bindej lehtë. Një shkak më shumë për të mos thënë jo. Prej kur i kishte sajuar palosur, hekurosur e mbyllur në të njëjtën bohçe, rrobat e tij dhe të sajat, bashkë, s'dinte ç’bëhej me to. Në vend të mirë i kishte, pa lagështirë, me ajër e dritë, por prej kohe, s’i kishte parë.
Ai ia kishte shkuar edhe herë tjetër ndërmend, 'hidhu një sy, se mos na kalben së gjalli', ajo i kishte kujtuar 'gruaja që vështron fshehtaz rrobat e vdekjes së burrit, vdesë vetë, brenda dyzetë ditësh', ai kishte kukurisur së qeshuri, jo, jo, s’ke të drejtë të vdesësh përpara meje, leri rrobat atje ku janë, më mirë...
Ajo ngrihet më këmbë. Ai e ndjek me sy. Si ai fëmija që ndjek lëvizjet e nënës së vetë pa e ditur domethënien e lidhjes mes tyre. Tashmë janë të rrënuar, të drobitur, ‘vetëm pleqëri të mos kishte…’, thonë duke bërë muhabet me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, por njeri tjetrin nuk e vështrojnë si pleq.
Në sytë e saj, është ai i dikurshmi, i gjatë, i thatë, eshkë, i gjallë, dhe kur ishte ngeja ia kishte bërë qejfin. E çfarë se ndonjëherë merrte flakë e kthente çdo gjë përmbys?! Në ato çaste ajo bëhej pulë, e urtë, e bindur, duke pritur që dallga të qetohej nga brenda dhe pastaj ajo lëshonte varkën e saj ku gjithnjë kishte një vend edhe për njeriun e saj që e kishte bërë grua për jetë. Dhe ai s’kishte ndenjur dot pa ia thënë se shihte bukurimën e dikurshme, fytyrën si të bajames, flokët që i derdheshin gjer në bel, dhe që u gëzohej ende kohëve që me vlagën e tyre ua mbanin ngrohtë moshën…
“Do të rrish edhe pak këtu jashtë, apo...” “Apo të të çoj në krevat, këtë do të thuash?! Do më çosh njëherë e mirë atje, po duro edhe pak! Na i nxirr njëherë ato të flamosura rroba...” “Po deshe të shikosh vetëm rrobat e tua po, të miat kurrë...!” ia pret ajo. “Më merr të keqen mua ti! S’më nis dot përpara vetes!” “Aty e ke hallin, e di unë. Nuk vdes dot ti, pa m’i parë, pa m’i kontrolluar edhe rrobat për andej. Pasi të kesh nxjerrë edhe merakun e fundit, do t’ja mbështetësh shpatullat dheut!” “Të betohem, nuk të bëj fjalë për to. Por, e di unë, i ke zgjedhur të më pëlqejnë mua. Pastaj, rrobat për andej si rrobat e ushtarëve janë. Nuk ka për të zgjedhur ndër to...”
Ajo i afrohet, ia merr kokën e rrëgjuar, e mbështet në gjoksin e saj. T’i shohësh fytyrat, si të dy ëngjëjve, zbukuruar nga drita që buron së brendëshmi, të cilën ia kanë dhuruar njeri-tjetrit një jetë të tërë, mund të mos besosh se ishte mbështetur tek ajo si për t’i dorëzuar edhe frymën e fundit.
Është ditë me diell. Ata mbase janë vërtetë në fund të jetës së tyre, po kush e di sa u është shkruar të gëzojnë në faqe të dhèut. Janë të bindur, secili ka rrëskun e vetë në këtë botë, por askush nuk ua heq nga mendja se, për ata të dy, ditët e njerit janë mbledhur me të tjetrit dhe një ditë dikush do t’i pjestoj me dy.
“Kam frikë mos na bën gazin e botës, ditën e fundit, me ato rroba...” Ajo qesh me fjalët e tij. Si gjithnjë. “Si të kam mësuar unë ty, si djalë të vetëm! Por kaq ta bësh dhëmbin, s’kam për t’i treguar ato të shkreta!”, zë e namatis ajo me zë të ulët, duke përfytyruar veten në krahë të tij, të veshur të dy me Rrobat për Andej, që ajo i ka zgjedhur sipas shijes së tij të zgjedhur prej saj, që kishin pasur për fat këtu endè janë.
Commentaires