top of page

RRETH VËLLIMIT POETIK “LUNDRIMET” TË AGIM MATOS


ALUSH AVDULI

MENDIME PA STREHË


Poezia kujtohet për ardhmërinë. Tanimë është nisur dhe ka mbërritur dje si vdekje në pavdeksi. Poezi– pulbardha flatruese në eter si drita që nuk njohin shuarjen. Ndjeshmëri e brishtë kaotike e çliruar nga shpirti si papeshë përjetësie. E trishtë. Në rënien e tiranisë kërkon plagët e saj. Përrethësia e poetizuar në çdo metër katrore dhe më tepër, gjerësi e pamatë hapsirore, tingëlluese, vegimtare në universializmin e lirisë. Fundo në misterin e vetvetes. Në nivele të epërme absolute e copëzuar, errësirë e zhvirgjëruar nga vezullimi i ndezur, pllenuese e vijimeve... Anije e dehur lundruese në pabregzim. Furi e një ligjërimi, në zhbërje dalldi e ritëm. Risike deri në vdekjen e së shkuarës. Fjalët gjallërojnë, lëvizin, përthyhen, provokojnë, manifestojnë, në ngritje vibruese , nga dëshira për të përfshirë gjithçka. Cilësia kundër sasisë. Përbri poezisë së vërtetë pandashmëri dinjitoze e kursyer nga superlativat në hakërrim. Poezia dhe poeti të tretur në njëjtësi... Të gjitha këto edhe më shumë të vegullojnë në mëndje gjatë leximit të vëllimit poetik “Lundrimet’’ të krijuesit, mjeshtrit të madh të fjalës, Agim Mato. Janë të rrallë poetët që arritën të çlirojnë natyrshëm një energji shpirtërore tejet drithëruese, si kjo e Matos. Po ç’është kjo egzistencë poetike përherë në befasime spirale?!.. Përgjigja në përsosje del nga vargjet :

“ Kam përshtypjen se u mblodhën aromat e tokës,

gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit,

meditimet e ullinjëve

dhe më krijuan mua.

Kam përshtypjen se jam çdo gjë

mbi këtë dhe që rrahin valët’’.

Origjina ka braktisur mjerimin e saj për të na mësuar ndryshe...Ndjesia jashtë zhurmës së mendimeve, ftilluese në qetësinë e vrenjtësirës e pacënuar nga synimi. Të zotroja një mundësi të artë do ta lija mëndjen time të parëndësishme tejet të lirë për të vlerësuar poezinë me fjalët që mungojnë. Por dyert e hapura mbyllin dëshirën. Etimologjitë dhe tabutë afrohen me pako për të korrnizuar frymarrjen. Vlerësimet sipas motit. “ Syri i kohës në ballin e Qikllopit’’... Marrëdhëniet janë të diela tek pasqyrat. Këtë e ndjenë më shumë në poetikën e Matos. Poezi e pabarabartë me vështrimet, përparimi i dritës në rrugën e mugëtirës. E lexueshme me jermin e vëmëndjes, magjepse kur pohon:

“Tani ushtrohem të prek errësirën

Si i verbëri që kërkon të prek rrezikun

Ky rrezik është emocioni që prodhon

Gjëndjen e misterit që duam

Hovin për të panjohurën që na pret.’’

Pa dyshim poezia e titullur “Pjalmi i yjeve’’ nga e cila shkëputëm vargjet e mësipërme, është një dialogim i pashëmbullt me të dashurën për dashurinë. E pakraha-sueshme nuk sponson “lirizëm’’ në masakër trëndafilash. Meteorike zvogëlon bëmat e realitetit. Si e vetme shton kapërcimet... Kumtare e hyjnores me gjuhën e lartësuar. Qielli dhe deti mundësi të barabarta për njëri tjetrin. Kështu edhe “Lundrimet që nisin nga shpirti’’ nuk njohin largësitë që vëren syri si shërbëtor i vështrimeve. Është fuqia e së dukshmes deri tek padukshmëria që mrekullon universin poetik të Agim Matos. Kalendarët janë shpikje. Realitetet që i marrim për kohën tonë janë mungesë. Kështu shkrehen britmat në qetësi. Poezia është “vetmi kozmike apo fundi i saj?!’’.. Përgjigja rri pezull mbi humnerë si e zeza e korbit shuar në agullime. Ëndërroj Poetin (Agimin) në një kënd pa emër të planetit që shkruan një poezi që nuk flet për asgjë. Mbase kështu poezia e tij si gjëndje e paqetë shpirtrore ka për të shpëtuar nga robëria që ofrojnë përcaktimet dhe kufizimet steriotipe të kritikëve dhe analistëve të vetshpallur si gojë publike në llomotitje të njëtrajtëshme. Si servile njëherësh ato projektojnë edhe shkatrrimin e saj (poezisë). Vetëm në mendime pa strehë poezia ndjehet e vlerësuar dhe... Ç’largësi e mrekullueshme përfundimi!...

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page