top of page

Rrajca me ngjyra poetike...


Rrajca me ngjyra poetike në të gjithë kohërat….


Një libër nga ZABIT CUKU “ Për Rrajcën dhe historinë në Fushën e Domosdovës”.

Nga SPASSE THANASI

Libri “ NGA RRAJCA, ME RRAJCËN, PËR RRAJCËN” (2017), është një libër tingëllues nga thjeshtësia popullore me kroje dhe cezmat me ujë mali; me vendlindjen në rrugën e vogël nga Bregu i Malës dhe lagja e bukur e Gurit të Cukut; me lumin e Lingajcës me ujë të pashtershëm që buron nga maja e Skurës në Qafë Policë; me fushën e bukur të Domosdovës e të Rrajcës që rrezaton diell; me heroizma nga koha e Skëndërbeut; me ndjenja hyjnore nga “Orakulli i Urakës” në Qafë Thanë; me histori të vjetra nga Kostricani deri tek Merko Bozha etj…

Në të gjitha përshkrimet e librit , ndjehet se ZABIT CUKU është serioz me letrat duke sjell studime, dokumenta arkivore, takime e biseda gojore dhe tingëllon e bukur sentence prozaike me ngjyra të gjalla në të gjitha kohërat : “ Nga Rrajca, me Rrajcën, për Rrajcën”.



Thjeshtësia e pershkrimit historik….

Libri fillon me krijimin historik të fshatit Rrajcë, që sipas dokumentave të hershme ka qënë përbërë nga disa fshatra si Kostricani, Damjani, Kovaniku, Shënkolli, Kokli e Firi i Gjinit…Keto vendbanime të vogla krijuan dhe fiset e para të Rrajcës si fisi BOGDANI, RiRA, MALA, LACKA, HOXHA, BALLSHKASHI, TARUSHI, CUKU, COKA, HALLIDRI,ALLA etj..

Të shkruash për vendlindjen, është pasioni më i bukur dhe krenaria më e madhe. Zabit Cuku, i dashuruar me qiellin me yje të ndritur të fshatit të tij të lindjes, Rrajcën, sjell zërin e bashkëfshatarëve të tij kudo ku janë dhe i kushton një përmendore të hijshme njerëzore jetës tradicionale të Rrajcës, duke nxjerrë në dritë thesaret e udhëve të historisë…

Harmonia e shpirtit me natyrën…

Shkrimtarët, poetët dhe artistët janë fllade që freskojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut.Trualli, historia, natyra dhe shoqeria sociale, janë gurë e pashtershme frymëzimi në rrokjen e reales të paperseritshme, të madhështisë dhe sublimes, të fisnikërisë së ndjenjës njerëzore.

Natyra e Rrajcës me përrenjtë e shumtë, me liqenet malorë në shpatet e Shebenikut, me lumen e Lingajcës mes per mes Rrajcës, me toponimet e shumta gjeografike të vendeve, rrugëve e katundeve, me gojëdhënat e legjendat që nga periudha e lashtësisë etj, është një mozaik ngjyrash në udhët e historisë,sic e cilëson ZABIT CUKU në libër “ një thellësi shpirti në qiellin me yje të ndritur, me ujë mali si kristali…”


Dasma rrajcare me vallen e pafund…

Kapur dorë për dore hedhin valle Rrajca, Uraka, Kotodeshi, Katjeli e Përrenjasi…Të gjithë kërcejnë vallen e Rrajcës, e cila është më e njohura e më e kërcyera në Shqipëri e jashtë saj kudo ku ka shqiptarë.

Vallja dyshe e “thikave” është varianti më tipik i gëzimit tradficional të Zonës së Rrajcës në ditën e dasmave, që oshëtijnë plot tinguj maleve të Qafë Thanës ku buron uji kristal i jetës…

Valltari në shkëmbinj

Në djep vallen përkund

Dhe shqiponja me flamur

Thotë kjo valle nuk ka fund…


Sot e dymijë vjet më parë

Na thërrasin ne rrajcarë

Kështu më thotë ime gjyshe

Dhe ia niste valles dyshe !...

Në të gjithë emocionin e melodive RRAJCA shkëlqen si burimi ujëftohtë i Valthit në Shebenik. Valltarët dhe këngëtarët mbeten nëpër vite një simbol i stolisë së veshjes dhe pasurisë së shpirtit.

Valltarja e parë e Rrajcës ka qënë Hamide Halili, që ka kërcyer me Xhelo Cuku. Më vonë u përfshinë në grupin e valleve ( viti 1950 ) Syme Halili, Nasibe Karaj, Demkë Cuku, Elmije Lacka, Shaje Alla, Zilie Collaku etj. Festivali i parë ku ka marrë pjesë grupi i valleve të Rrajcës ka qënë viti 1953 në Pogradec.

Rrajca ka folklore të pasur ku disa këngë spikatin për vargjet plot tingëllim si “ Mer anën e lumit”; “C’i vinë rrotull atij livadhi”; “ Kjo nuse që na erdhi sonte”; “Trëndafili i bardhë”; “Celi lulja në kuti”; “Penxheretë me xhama”; “Tingëllon zile e Cobanit” e deri “Mu në mes të ballit një nishan i zi” etj, etj.

Për një periudhë 50 vjecare SADI HALILI nxorri në dritë gjallërinë kulturore të Rrajcës. Ai u bë ikonë i valles e këngës rrajcare. Një këngëtar i Vlorës i këndon “Artistit të Merituar” :

Sadi Halili i menduar

Lodhur nga vallet e rënda

Gati duke fluturuar

C’fluturim që marka kënga ?...


Sadi i Rrajcës se madhe

Skenat e botës trondite

Dhe vetes emër i vure

Në kala të Argjirosë

Akoma ndihet gjëmimi !...

Të njohur janë valltari SKENDER KARAJ, këngëtari MYSLIM BOGDANI, muzikanti DESTAN MYFTARI që së bashku me SKIFTER ETEMI nga Struga e Maqedonisë mundësoi lidhjet kulturore të Zonës së Rrajcës me Strugën liqenore me kolazhin e vecantë : “DASMA RRAJCARE”.

“Rrajcë e bekuar, o lule – mjalti për Skëndërbeun…”

Rrajcën e bekoi SKËNDERBEU nën “Harkun e Triumfit” të Rrajcës. Pak shtete kanë “Hark Triumfi”. Shkoni vizitoni muzeun natyror të saj atje lart në fshatin Skënderbe, kaloni mes dy pllakave të lëmuara me ngjyra mistike, të lëmuar nga Skëndërbeu ku ai kaloi, bëri betejën e madhe të betejave. Do dëgjoni si dikur trokun e kuajve dhe himnin “ O Rrajcë e bekuar !...”

Më pas Rrajcën e bekoi edhe NËNA TEREZA, shenjtorja e shekullit të 20-të me urimin e truallit për ujin e kristaltë të Tunelit të Qafë Thanës…

Truall i bekuar në shekuj !.

Kështu shkruan Ahmet Collaku për “Shkallën e Skëndërbeut” në Rrajcë dhe jeton plot mall për vendlindjen. Nga larg kujton se vallja e Rrajcës ka kapërcyer kufijtë edhe kur kishte “tela me gjemba” dhe thërret magjishëm prej shpirtit :”Sa gjëra të bukura ka bërë Perëndia në Rrajcë!”…

Këto rrëfime të librit janë të mrekullueshme. Mund të rreshtoj episode të tjera nga leximi i librit “RRAJCA NËPËR UDHËT E HISTORISË”, por zgjatja do të ishte e mundimshme brenda një shkrimi, prandaj them me krenari miku se ZABIT CUKU me këtë libër është me komunikimin e vjetër rrajcar dhe drejtimin e lëvizjes së ndjenjave të tij njerëzore e con në të ardhmen e brezave dhe trashëgiminë e vyer kulturore që pasuron shpirtin e njeriut. Ai apelon për autorët e botimeve për RRAJCËN, mbështet traditën e gazetës “DOMOSDOVA”, ngazëllehet me festimet popullore të traditës së Rrajcës, jeton me krenari për origjinën nga Rrajca dhe me shkrimet e historisë.

Zabiti jep shembullin e një rrajcari të fisëm duke shkruar pafund për RRAJCËN, që të mos harrohet vendlindja. Me të njejtën gjuhë flet së largu edhe me vajzën e tij në Amerikë,Danjelen, duke u krenuar me rrajcarët kudo nëpër botë.

Nuk ka shembull më të vyer të një patrioti të tillë plot dashuri në zemër, plot mirësi në shpirtë, plot vitalitet në fjalën e shkruar për vendlindjen. Sic e thotë edhe ZENUN FERO në parathënien e tij me pasqyrim të admirueshëm : “ Libri është kulturë dhe punë e thellë,një kulturë që merr për RRAJCËN”

68 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page