Meri Lalaj
Rrallë, ndoshta aspak, kur hyjmë nëpër librari mund të shohim se po i bëhet reklamë një autori shqiptar apo librave të tij. Libraritë janë të përmbytura me libra të autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Deri diku është e kuptueshme uria që kemi pasur për të lexuar shkrimtarët e huaj të ndaluar për gjysmë shekulli në vendin tonë. Veçse tani, gjërat kanë ndryshuar sepse lundrojmë në një oqean librash të huaj. Po autorët shqiptarë ku janë? Librat e tyre ndonjëherë janë të strukur nëpër zgëqe si diçka e dorës së dytë. Për shkrimtarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut ka një lloj heshtjeje nuk përmenden, kështu lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë njihet fare pak ose aspak me librat e Mehmet Krajës, Luan Starovës apo Kim Mehmetit e të tjerë.
Kohët e fundit kam lexuar një autor kenian dhe një norvegjez, të cilët nuk më lanë fort mbresa. Këtë e them sepse më pas lexova romanin “Zërat e natës” të autorit dhe mikut tim, Grigor Banushi, ky roman është i shtati në radhë shkruar nga autori (i kam lexuar edhe romanet e tjerë). Në të gjithë këta libra, autori përshkruan me vërtetësi Shqipërinë e viteve të diktaturës dhe të viteve të mëpastajme.
Kam lexuar thuajse të gjithë librat e autorëve, të cilët kanë përshkruar jetën nëpër burgjet komuniste apo internimet kështu mund të përmend At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Maks Velon e shumë të tjerë, por habia ime është sepse Grigor Banushi nuk ka qenë as në burg, as në internim dhe përshkruan me hollësi ato vise. Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit.
Në qendër të romanit përshkruhet jeta e një familjes shqiptare: burri shqiptar dhe gruaja e huaj, (një nga ato 1200 fatzeza, të cilat për hir të dashurisë erdhën të jetonin në Shqipëri). Këtë temë autori e kap fort dhe e shtjellon më së miri duke përshkruar personazhet dhe vendet ku marrin shkas ngjarjet. Në mendje të mbetet Jana, mikja e ngushtë e autorit, (romani është mbështetur edhe mbi ngjarje dhe personazhe të vërtetë), së cilës i bien mbi kokë të gjitha fatkeqësitë e familjes, po ashtu po veçoj figurën e urryer të spiunit të Sigurimit Gaz Kërri e përshkruar në të gjithë ndohtësinë e saj. Aftësia zhbiruese e shkrimtarit në vërtetimet kriminalistike apo njohuritë teknologjike të kohës në të cilën po jetojmë janë për t’u admiruar. Romani është i ngjeshur me ngjarje rrëqethëse që mbajnë ngrehur kureshtjen e lexuesit. Romanin e përshkon që nga kryeja deri në fund një gjuhë e pasur, e rrjedhshme dhe e gjallë. Ky është një roman shkruar me shpirt për të mos harruar kurrë të kaluarën nën regjimin komunist. Për mendimin tim ky libër ia meriton të bëhet film. Shumë urime dhe suksese Grigor Banushi!
Comments