top of page

Robert Martiko: BURGU MUZEOR I MENDIMIT SHQIPTAR

  • 13 minutes ago
  • 4 min read

Sot, më 4 qershor, edhe Gjon Buzuku me "Mesharin" e tij duket se ndan të njëjtin fat me pothuajse të gjithë të mëdhenjtë shqiptarë.


BURGU MUZEOR I MENDIMIT SHQIPTAR


Një nga tragjeditë më të mëdha të kulturës shqiptare është se figurat e saj më të rëndësishme nuk jetojnë më si pyetje, por si monumente. Ne i kemi vendosur në piedestal, i kemi rrethuar me ceremoni, akademi, përvjetorë dhe fjalime, por njëkohësisht i kemi mbyllur në një burg muzeor nga i cili ata nuk mund të flasin më.

Kështu po ndodh me Gjon Buzukun. Kështu ka ndodhur me Skënderbeun. Kështu ka ndodhur me Nënë Terezën. Kështu ka ndodhur me shumë figura të tjera të historisë shqiptare.

Ne dimë pothuajse gjithçka për datat, burimet, dokumentet, ndikimet, udhëtimet, alfabetet, dorëshkrimet dhe kronologjitë e tyre. Por dimë shumë më pak për pyetjen thelbësore: çfarë vizioni të njeriut përfaqësonin?

Kjo nuk është kryesorja?

Pikërisht këtu fillon dallimi ndërmjet kulturës së informacionit sipërfaqësor e mekanik dhe kulturës së kuptimit. E para numëron faktet; e dyta pyet përse ato kanë rëndësi. E para grumbullon të dhëna; e dyta kërkon të vërtetën që fshihet pas tyre.

Kur Perëndimi lexon Platonin, nuk e lexon për të mësuar se kur lindi. Kur lexon Danten, nuk e lexon për të mësuar se sa faqe ka “Komedia Hyjnore”. Kur lexon Shekspirin, nuk e lexon për të numëruar personazhet e dramave. Kur lexon Luterin, Paskalin, Kierkegaardin apo Dostojevskin, pyetja nuk është çfarë shkruan, por çfarë zbulojnë ata për Njeriun.

Sepse, siç shkruante George Steiner, kriza e kulturës fillon kur humbasim aftësinë për t'u bërë pyetje veprave të mëdha. Atëherë ato mbeten objekte studimi, por pushojnë së qeni forca që transformojnë vetëdijen. Kjo nuk është kryesorja në një botë inteligjente me konceptet më elementare të dijeve thelbësore?

Edhe Buzuku ka pësuar dhe po pëson edhe sot të njëjtin fat. Për më shumë se një shekull është folur për alfabetin e tij, për burimet e tij, për shtypshkronjën e tij dhe për historinë e “Mesharit”. Por shumë më rrallë është pyetur: çfarë lloj njeriu donte të formonte ai? Çfarë bote kuptimore kërkonte të sillte në gjuhën shqipe? Çfarë ideje kishte për shpirtin, për të vërtetën, për lirinë, për mëkatin dhe për shpëtimin?

Këto janë pyetjet që krijuan qytetërimin evropian. Katedralet, universitetet, shkenca, arti dhe institucionet nuk ranë nga qielli. Ato lindën nga një traditë e gjatë mendimi që guxoi të pyesë për njeriun, të vërtetën dhe fatin e tij. Nga një qiell i zbrazët mendor nuk bie asgjë. Kur mungojnë pyetjet e mëdha, nuk lindin as idetë e mëdha; kur mungojnë idetë e mëdha, nuk ndërtohen as qytetërime të mëdha.

Megjithatë, madhështia e Evropës nuk lindi nga universitetet, nga teknologjia apo nga pasuria e saj. Ajo lindi nga aftësia për ta vënë njeriun përballë pyetjeve që nuk kanë përgjigje të lehta. Nga Sokrati te Shën Augustini, nga Dante te Kierkegaardi, nga Pascali te Heideggeri, mendimi perëndimor nuk ndërtoi thjesht sisteme dijesh; ai ndërtoi një traditë të tërë vetëpyetjeje.

Ndërsa tek ne, figura e madhe përfundon e reduktuar në simbol kombëtar. Ajo nderohet, por nuk dëgjohet. Studiohet, por nuk kuptohet. Përmendet, por nuk sfidon askënd.

Dhe pikërisht këtu fillon tragjedia. Jo vetëm tragjedia e mendimit, por edhe ajo e vetë njeriut dhe e shoqërisë. Sepse kur figurat e mëdha pushojnë së qeni burime pyetjesh dhe shndërrohen vetëm në objekte adhurimi kulturor, ndërpritet ai proces i brendshëm përmes të cilit një shoqëri rinovon vazhdimisht kuptimin e vetes.

Atëherë gjithçka mbetet pezull në një udhëkryq historik. Faktet shtohen, studimet shumohen, përvjetorët si gjithnjë përsëriten, por kuptimi nuk përparon. Dhe më e dhimbshmja është se kjo gjendje fillon të merret si normale.

Kështu vijon të riprodhohet për figurat e mëdha shqiptare ai që mund të quhet "burgu muzeor": një hapësirë e qetë, e respektueshme dhe plot nderime, ku Buzuku, Skënderbeu, Nënë Tereza dhe shumë të tjerë ruhen me kujdes, por nuk lejohen më të flasin. Janë të pranishëm si monumente, por mungojnë si forca të gjalla dinamike mendimi.

Dhe një kulturë që i mbyll figurat e saj më të mëdha në muzeun e adhurimit, rrezikon të humbasë pikërisht atë që ato kishin më të çmuar për t'i dhënë: aftësinë për të ndryshuar njeriun..

Kjo është arsyeja pse shpesh përfundojmë duke debatuar pafund mbi dokumente, ndërsa harrojmë pyetjet që i bënë të mundura vetë dokumentet. Dhe kur mungojnë pyetjet e mëdha, vendin e tyre e zënë dogma, folklori intelektual, krenaria boshe ose fantazia e fantaksur personale e secilit.

Një kulturë fillon të piqet jo kur grumbullon më shumë informacion, por kur mëson të dallojë ndryshimin ndërmjet faktit dhe kuptimit.

Prandaj pyetja më e rëndësishme për Buzukun nuk është se ku u shtyp “Meshari”. As se cilat qenë burimet e tij. As se në cilin qytet jetoi.

Pyetja është nëse jemi ende të aftë të dëgjojmë pyetjet që e shtynë atë ta shkruante.

Sepse në momentin kur figurat e mëdha pushojnë së qeni pyetje dhe kthehen vetëm në monumente, fillon jo vetëm vdekja e tyre, por edhe varfërimi i vetë kulturës që pretendon t'i nderojë.

1 Comment


Fatmir Terziu
7 minutes ago

Po, në thelb argumenti i shkrimtarit Robert Martiko qëndron si kritikë kulturore, por jo si fakt absolut. Autori ngre një problem real, në kulturën shqiptare figurat historike shpesh trajtohen më shumë si simbole identitare sesa si burime reflektimi intelektual. Ka të vërtetë në vëzhgimin se për Gjon Buzuku flitet shpesh për datat, alfabetin, historinë e dorëshkrimit dhe më pak për botëkuptimin që përfaqësonte. E njëjta gjë ndodh shpesh edhe me Gjergj Kastrioti Skënderbeu ose Nënë Tereza. Debati fokusohet te miti, identiteti kombëtar apo faktet biografike, jo gjithmonë te idetë e tyre. Megjithatë, teksti ka edhe një dozë idealizimi dhe përgjithësimi.

Së pari, nuk është krejt e saktë të thuhet se në Perëndim figurat e mëdha lexohen kryesisht për pyetjet filozofike…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page