top of page

Fatmir Terziu shkruan: për intelektualin Fatos Bajraktari

Updated: Mar 14


Ritmet e djeshme, ritmet e sotme

-pas një takimi në shenjë respekti për intelektualin Fatos Bajraktari-


Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Duuuum, duuuum, duuuum... Kumbim i shurdhër goditjesh. Përplasja e një muri të zemëruar me trupin e një fëmije që dridhej. Nga afër një grisje e rëndë e heshtur mbi një palë këpucë të shkëputura nga pesha e trupit dhe si shtysë për të rikuptuar forcën tërheqëse të rrëndesës. Dhe fryn si një stuhi mbi një grumbull shkundjesh dhe enësh të thyera ... afër kazanëve të plehrave, që të ndajnë nga rruga e makinave dhe kafeneve të shumta, bulevardit që të shpie tek Stadiumi i Elbasanit. Hap gazin dhe parakaloj shoferin e indinjuar të Beemwe-s përpara meje, pikërisht në kohën e duhur për shfaqjen e tij pompoze mes makinave që presin mjeshtërisht në arenën rrethore të shatërvanit të minisheshit të qytetit. Ku je, çfarë je dhe sa vlen qenia jote matet me shkëlqimin e llamarinës që ke paguar për të hipur. Zotëria i rafinuar pas timonit të snobizmit të tij gërmon në pedalet e gazit dhe tund me gishtin e mesit të pafuqishëm në drejtim të përshpejtimit spontan. Ai ka xhama të zinj. Ndërsa unë largoj syzet dhe vështroj përtej hapësirës, ku ende ndjej trokitje të thella të gurëve të bilardos… Është e njëta gjë, i njëjti vend. I njëjti vend pas shumë vitesh… E aty i thërras memorjes…

Jo pak herë, në atë vend, pikërisht aty, më thërriste shkrimtari Bahri Myftari që të më tregonte ndonjë tregim të ri të shkruar prej tij, ndërsa mblidheshim pasditeve të bënim ndonjë lojë bilardo. Dhe ndërsa mbante stekën në dorë e matej të gjuante me çokun e bardhë gurin e radhës në lojë e sipër, fillonte e këndonte me një zë të butë këngën “Gloria” të Umberto Tozzit. E unë e shpotisja. Ai ma kthente me një ton ndryshe. Këtë këngë e kam kënduar bashkë me Fatos Bajraktarin kur ngjiteshim malit për në Qarret. E këndonim këngën “Gloria” të Umberto Tozzit me sa fuqi kishim e nuk na bënte tërt syri.

Për pak shkëputem nga memorja. Një treshe më kalon afër. Të tre miq të njohur. E mes të treve, syri shkëput mikun tim të hershëm, Fatos Bajraktarin… Me të tre shtrëngoj duart. Dhe natyrisht një formatim bisede, aty në kalim e sipër. Vitet shkërmoqen në pak sekonda përmallim. Në brendësi më flet vetvetja. Vetvetja si një aktore e sprovuar në një film të djeshëm, me një ritëm të arsyeshëm, e me një ritëm të sotëm me një film të lodhshëm.

Na vjen keq. Çfarë duhet të bëj nëse nuk mund të futem në matricën e një memorjeje që zbret vetëm këtu! Filmat po luhen vazhdimisht në kokën time dhe një lidhje e padukshme me jetën në një dimension tjetër, të kaluar, më ngre vazhdimisht mbi realitetin. Mbi pretendimin për të pranuar të tashmen. Një vitalitet i botës tjetër që më mban gjallë. Një tautologji e vazhdimësisë stërgjyshore në të cilën fakti dhe fantazia e egër më bëjnë të kërcej mbi gomat e individëve të suksesshëm. Askush nuk dyshon në filmat e mi. As kolegët e mi të sjellshëm e të parashikueshëm me dhimbje. As muret e institucionit ku prej vitesh godas kokën time artistike, të paepur, të menduarit. Shtatëmbëdhjetë hapa nga parkingu te tavolina ime. Skena e dështuar e ndëshkimit të një shërbëtoreje, për rastësi gjenetike stërgjyshja ime, e cila ia prishi shërbimet e shtrenjta zonjës pa pyetur, më mbush me një ngurrim të heshtur për të filluar ditën. Ku rreshtat nga Big Brother-i në ekranin e ngushtë gërvishin qetësinë, më mbushin me ankth televiziv. Si dukem? A kam bërë mjaftueshëm pastrim mjekrre për t'u fiksuar pozitivisht nga kamerat në bebëzat e dhjetëra syve kritikë që shkëlqejnë në serinë e radhës të një sezoni tjetër zyre? Kjo është vetvetja, ajo që të shkul nga një gjeografi në një tjetër, nga një kohë në një tjetër. E vetvetja luan, luan si një kamerë e lëvizshme… Në këtë ecje, në këtë pikë takon dhe flet me atë që shtrëngoi duart pak më parë. Është pra, Fatos Bajraktari… e ai tashmë në një kohë të largët më flet, duke miratuar tërë udhën e jetës së tij...

...Linda një vit pasi babai kishte dalë nga burgu i parë për dy vjet në Gjirokastër, i akuzuar si një pjesëtar në një grup armiqësor kundër pushtetit popullor, pra në janar 1950-të. Fëmijëria deri në adoleshencë më kaloi me baba gjallë, dhe pa baba në fakt në sytë e mi. Akoma pa filluar klasën e parë, babanë e arrestojnë për herë të dytë…, por kjoështë një histori e gjatë. Ishim katër fëmijë….dhe nëna shkonte punëtore në fermë. Një rini e druajtur me frikën se mos themi ndonjë fjalë pa dashje. Pantallonat, a diçka tjetër me arna, por të pastra. Kisha kuptuar në gjimnaz se cili isha dhe strukesha në lëvozhgën time. Në vitin e tretë të gjimnazit shkoja te  reparti 313 me çertifikatë për të takuar babën në burg, kur data 2 e çdo muaji nuk ishte e dielë, se nënës nuk i jepnin leje...

E ndërsa rendis këtë pjesë të bisedës, sytë udhëtojnë bashkë me mendjen diku tjetër. Dhimbja pikëtakohet. Në rrethin dramatik të karrigeve të mbushura me prani kafegjerbësish, si një shelg që qan mbi një shatërvan me lot artificial, ngrihet figura e kuruar e një statuje, që i flet një kohe tjetër. Laptopi i munguar ka hapur një plagë të thellë në instinktet e aktivizuara. Ne të gjithë shkërrmoqin faturën e kohërave duke u futur në xhepat tanë sepse vetë kjo shkopsitje në gjerbje e sipër të lëngut „express“ ka nevojë për dashurinë tonë. Me dhembshuri të dukshme, vitet tanë të dënuar zhyten në fondin për reklamën e re. Big Brother duhet të jetë i kënaqur. Seriali i sotëm përfundon me një fund të lumtur.

Është përsëri vetvetja, jam përsëri unë, i përmbledhur në shtatëmbëdhjetë momentet deri në shkëputjen e vetmisë së (pa)dëshiruar të emigrimit. Aty, para derës së së një kafenesë ka dhe lyps... Rrugës për në shtëpi më zënë beemvetë me shkëlqim. Një rrogoz i vjetër prej gome buzëqesh rreckosur në pragun e shtëpisë sime. Përkulem dhe me butësi pastroj pak puhur, jo nga kujtesa... Kujtesa më pikëtakon me sfondin tjetër të udhë së mikut tim, Fatos Bajraktari. Dhe ai më flet…, më rrëfen…

Falenderoj profesorët Hajri Nuhu e Agron Frashëri. Një herë në vitet e gjimnazit nëna më thërriste në shtëpi, unë e dëgjoja dhe nuk i ktheja përgjigje. Isha mbuluar me batanije e dëgjoja „Zërin e Amerikës“. Kur më pa tha: Mos se do na marrësh më qafë. Pra, baba më la në kopësht e më gjeti në vitin e tretë të gjimnazit. Pas mbarimit të gjimnazit të gjithë ikën në aksionin e rrugës së Malësisë së Madhe, unë jo…. Pastaj dikush ndërhyri e shkoj mësues në Kajan të Dumresë për katër vjet, kur isha vetëm 17 vjeç e shokët e mij ishin në shkollë të lartë, universitete e institute.

Katër vjet çdo gusht shkoja te xhamlliku i Shtëpisë së Kulturës ku dilnin degët dhe të shihja se kush kishte fituar të drejtën e vazhdimit të shkollave të larta. Pas 4 vjetësh vjen rasti, më godet fati me shkopine Zotit dhe një njeri i mirë, Kanan Ymeti nga Skrapari më ndihmon së bashku me drejtorin Vasil Kamami….. e filloj dhe e mbaroj ILP Elbasan për matematikë dhe Fizikë. Emërohem mësues në Qarret të Shmilit. Aty nuk e di, vështirësitë xeroheshin në krahasim me lirinë. E kam pëlqyer këngën italiane…ku nuk kam hy, ku nuk kam qenë për të dëgjuar San Remon, canzionisimo, un disco per le state…etj.

Dhe unë këtu e ndjej bisedën e dikurshem me shkrimtarin Myftari. Gjithçka për mua, megjithatë, është e vërtetë ..., pasi Fatosi miraton.

Me mikun tim të ndjerin shkrimtarin Bahri Myftari kur ngjiteshim malit për në Qarret, këndonim këngën “Gloria” të Umberto Tozzit me sa fuqi kishim. Në vitin 1978 emërohem në Cërrik, pas nji operacioni që bëra. Edhe pse ishte nji qytet ku ndërthureshin shumë gjana, ku ishte nji pjesë e ajkës së mësuesisë elbasanase që kishin cene. Mua mqs punoja si mësues në shkollë të natës, krijova identitetin tim, për të cilin më respektonin.

Erdhi demokracia. Isha në radhët e para.Erdhi ajo që e pritja prej kohësh. Në Elbasan vij në vitin 1993, i fundit nga gjithë ajo plejadë mësuesish elbasanas që u kthyen në qytetin e tyre. Filloj drejtues Shkolle te “Qamil Guranjaku” për dy vjet, në 1995 kaloj në drejtor i personelit në DAR, deri në vitin 1997. Angazhimi dhe përkushtimi për demokracinë vazhdonte duke qenë edhe në strukturat e PD. Nuk rreshta edhe në vitin e vështirë të 1997 dhe isha në grupin e punës për riorganizimin e PD e më tej.

Nga 1997/2002, drejtor në shk. Xhaferr Kongoli, pastaj deri në 2003 në shkollën Qemal Haxhihasani. Me fitoren e Ardian Turkut si kryetar Bashkie, votohem dhe zgjidhem, sekretar i këshillit bashkiak deri në dhjetor 2005. Nga ky vit emërohem drejtor i Drejtorisë Arsimore të Elbasanit deri në 2008. Për punën time gjatë kësaj kohe flet respekti që gëzoj edhe sot e kësaj dite nga mësuesit.

Nga 2008/2010, emërohem drejtor te shkolla mesme e gjuhëve të huaja. Kurse nga 2010/14 emërohem drejtor në pedagogjike në Normalen e famshme me të cilën Elbasani asht krenu e krenohet. Ndjej keqardhje që vatër diturie dhe edukimi mbarë kombëtare u mbyll në 2013. Përçapjet dhe luftën time për vazhdimësinë e kësaj shkolle shkuan kot. Gati dy vitet e fundit në arsim më çojnë si n/drejtor në shk. Industriale Ali Myftiu, ku dal në pension pas më shumë se 45 vjet pune. Dy fëmijë aktualisht, vajza e nji djalë janë edhe qytetarë amerikanë. Ndjej nji kënaqsi kur shkoj në NYC. Kisha andërruar në vitet e rinisë, babai mbylli sytë me emrin e Amerikës, por që nuk e arriti.

Dhe ajo kohë në Elbasan është si një përqasje figurinash në një xham.  Në xhamat e ndukur të lokaleve në këtë udhë kah stadiumit të Elbasanit, ka pika dielli. Ne të gjithë largohemi mes të buzëqeshurës, si një lamtumirë të sjellshme. Përpara nesh, me pak fjalë, kryqëzime të ngjeshura, shpaloset rebusi i asfaltuar i jetës. Ai nuk ka nevojë të ecë në këmbë, sepse të shkosh nga aty në këndvështrimin e përgjumtë të syrit është vetëm pesë minuta me makinë. Pjesa tjetër është çështje pranimi. Derisa shpirti të mbushet plotësisht me paketimin e të vërtetave të dikurshme dhe të tashmes, të vërtetë deri në vdekje, tej modestisë dhe vetmisë. Dhe unë tashmë jam kthyer në Angli. Ekzistenca monotone e një ishulli të kthen në një Robinson, krejtësisht të papërgatitur për të takuar një intelektual të pakorruptuar, të shtyrë si një pikë dielli në xhamin e ngrirë të syve të tu. E pena e tij me zemër nga Atdheu më shkruan si një shenjë konkludimi…

I dashur Fatmir, mik i dashur e kam të vështirë të shkruaj për veten time. Gjatë gjithë jetës sidomos në socializëm kam përballuar me dinjitet vështirësitë e jetës me të përpjetat e tatpjetat e saj. Kam kultivuar tek vetja ime respektin dhe besimin ndaj vehtes, por edhe ndaj njerëzve pa dallime. Nuk e di Fati ….shikoje vetë sdi çtë them. Faleminderit!

219 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page