Është interesant fakti sesi një komb i krijon elitat jashtë tij. Në momente tranzicioni ky fenomen është edhe më i dukshëm. Kjo gjë ka ndodhur edhe me kombin shqiptar, të paktën dy shekujt e fundit. Dhe të njohësh e të takohesh me njerëz të cilët japin kontribute të çmuara në mjaft fusha, është fat dhe prestigj. Kështu ndodh kur takohesh dhe njeh njerëz që kanë studiuar dhe punuar jashtë kufijve të vendit, janë diplomuar e vlerësuar nga autoritete akademike, politike dhe kulturore.
Një nga këto personalitete është edhe sociologe Majlinda Mullaj, e diplomuar në Universitetin e Bergamos në fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe master ne fakultetin e Jurisprudences. Ajo sjell shembullin më të mirë të forcës tërheqëse drejt dijes dhe zhvillimit social. Se kur diskutohet për sociologji, tashmë fushë mjaft e rëndësishme në sferën globale, Majlinda sjell pikëpamje, ide dhe analiza mjaft të freskëta dhe bashkohore, të bazuara fort mbi teoritë klasike.
Libri i saj, botuar nga shtëpia botuese 2M, i prezantuar së fundmi edhe në panairin e librit Tiranë 2023, mban titullin: "Koha për kthim" dhe është një përmbledhje artikujsh socio-psikologjikë. Por më tepër se artikuj, aty janë idetë që formësojnë lojën psikologjiko-narrative të Majlindës dhe përhapjen e ideve të saj në formë aromash të këndshme të arsyes.
Majlinda është një njohëse e shkëlqyer e komunitetit shqiptar në Itali, dhe problematikave të krijuara nga tranzicioni i gjatë. Në mënyrë spektakolare bën krahasime midis botës italiane dhe asaj shqiptare dhe turbulencën e tranzicioni siciopolitik. Libri fillon me një studim të mirëfilltë mbi shoqëritë multietnike nga fondacioni ISMU në Itali, ku u doli në pah një fenomen mjaft delikat. Një pjesë e emigracionit shqiptar kishte filluar të ndryshonte skemën e modelit familjar. Emigrantët nuk u kthenin në Shqipëri, por emigronin në vende të tjera të zhvilluara europiane.
Probleme të modifikimeve familjare gjatë tranzicionit në Shqipëri, vihen re që nga studime të hershme. Sociologu dhe profesori akademik Dr. Zyhdi Dervishi e kishte prekur më herët këtë subjekt në librin e tij: "Gratë në sytë e ciklonit të sfidave dhe perspektiva. Trajtesë sociologjike e problematikës sociokulturore të grave shqiptare në fillim të viteve 90", ku nevoja për arsim shihej si rruga kryesore për shpëtimin nga kriza ekonomie edhe pse individëd janë të vetëdijshme se nuk do të punojnë në specialitetin që fitojnë përmes arsimit. Që këtu dallohet zanafilla e problematikave, në lidhjen mes arsimit dhe situatës ekonomike, që më pas transformohen në modifikime sociale.
Psikoanaliza e Majlindës e kapërcen lehtësisht këtë. Ajo futet në një skaner gjeopolitik dhe ekonomiko-social duke nxjerrë në pah probleme të nxehta të shoqërisë civile. Këto probleme dhe mënyra sesi trajtohen, nuk prekin një vend apo një lokalitet. Por duke qenë të pranishme edhe në një vend ku tranzicioni vijon të jetë dominues, këto probleme janë edhe më të ndjeshme. Ato janë të ndjeshme siç është e ndjeshme edhe Majlinda ndaj tyre. Procesi social është në një marrëdhënie ndjeshmërie të vijueshme, individ-shoqëri dhe e kundërta. Individi ndikon shoqërinë dhe shoqëria individin.
Në epokën e marketingut, lidhja e padukshme bëhet edhe më e fortë. Është dora e padukshme që Adam Smith dy shekuj më parë lidhi interesin vetjak tregtar të shkëmbimit me mirëbërësinë sociale. Por interesi tregtar i shkëmbimit në ekonomitë e lira bazuar mbi vullnetin e lirë, duhet të zhvillohet në një mjedis ku duhet të paktën të ruhen disa rregulla. Rregulla që zbatohen nga aktorët dinamikë të cilët ndihmojnë në krijimin e modeleve.
Por a ka rregulla, kur një shoqëri shfaq shenja apatike dhe nuk është në gjendje të riciklohet? Cili është modeli në këtë rast?
Për këtë, Majlinda jep një arsyetim. Më imtësisht, ajo jep një mjet. Shoqëria apatike nuk krijohet nga pa-arsyeja. Sipas Albert Camus, "protesta e arsyes" do të thotë të kundërshtosh padrejtësinë dhe absurden në mënyrë intelektuale dhe pa përdorur dhunë fizike. Ky koncept i "protestës së arsyes" është bërë shpesh një mjet i ndryshëm i rezistencës dhe aktivizmit të paqësor, duke e përdorur intelektin dhe argumentet për të sfiduar padrejtësitë dhe për të ndikuar në ndryshimet sociale. Në këtë mënyrë, ajo lidhet me lëvizjet qytetare dhe intelektuale që kanë synuar të sjellin ndryshime duke iu rezistuar dhunës dhe padrejtësive.
Njerëzit në shoqëri mund të jenë të apatikë nëse janë të ngarkuar me stres, mungesë kohe, apo sfida personale që i pengojnë ata të angazhohen në çështje më të gjëra shoqërore. Për të adresuar apatinë në shoqëri, është e rëndësishme të kuptojmë shkaqet e mundshme dhe të promovojmë një kulturë të pjesëmarrjes, informimit dhe angazhimit. Nxitja e dialogut, edukimi, dhe përfshirja e njerëzve në proceset vendimmarrëse janë disa nga mënyrat për të luftuar apatinë dhe për të krijuar një shoqëri më aktive dhe të përfshirë.
Sociologu indian-amerikan Arjun Appadurai ka propozuar idenë e "prodhimit të lokaliteve" për të përshkruar mënyrën se si ndryshimet globale ndikojnë në sferat lokale dhe të krijojnë lidhje të reja midis këtyre sferave. Ai thekson se lokalitetet nuk janë të izoluara, por janë pjesë e një rrjeti të gjerë global.
Majlinda na sqaron se një faktor i rëndësishëm në rritjen e njeriut dhe në formimin e tij si person është kujdesi kulturor, social, e seksual, në të gjitha fazat e jetës së tij. Një sjellje është korrekte, politike dhe qytetare kur është në gjendje të respektojë të veçantën sikur të përgjithshmen, femëroren sikur mashkulloren. Ky nuk është vetën nocion i sjelljes korrekte në shoqëri por edhe drejtimi i duhur sesi duhet të shihet.
Sjellja sociale gjithashtu reflekton strukturat dhe normat shoqërore. Njerëzit janë të prirur të përshtaten në grupet sociale dhe të ndjehen pjesë e tyre. Këto grupime shoqërore formojnë mënyrën se si ne komunikojmë, si krijojmë lidhje, dhe si ndajmë vlera. Për shembull, një grup mund të ketë vlera dhe tradita të veçanta që formojnë sjelljen sociale të pjesëtarëve të tij.
Majlinda kritikon konformizmin e individit për të përshtatur sjelljen e tij me atë të turmës, sidomos në rastet kur mendimet e tyre personale mund të jenë të ndryshme. Tendenca pasive e të menduarit kritik shuhet nga efekti i rrjedhës, i cili përhapet me shpejtësi. Sidomos në rastet e sjelljeve të pashpjegueshme dhe të rrezikshme përfshirë dhunën dhe sfidat morale. Kjo shkon përtej analizës së vetëdijes kolektive të Frojdit, mbi shkaqet dhe mënyrën sesi funksionon qenia njerëzore në një organizëm shoqëror. Veprimi i pavetëdijshëm i turmave në vend të angazhimit të vetëdijshëm të individit, ka qenë objekt studimi që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë. Sipas psikologut Gystav Le Bon, shpirti i një shoqërie është tërësia e cilësive të përbashkëta që imponohen nga trashëgimia. Po kur një numër i caktuar individësh gjendet i bashkuar në turmë, shfaqen disa karakteristika psikologjike të reja të modifikuara.
Në këtë analizë, Majlinda sjell një tezë të re sfiduese. Modifikimin e sjelljes sipas një modeli metaforik zombian. Zombiet në histori lindën ndryshe, ndërsa këta të sotmit hynë në linjë aq lezetshëm sa asnjë diskutim analistësh e njerëz të instruktuar brenda dhe jashtë vendit, nuk arriti ti kapë apo dhe ti sjellë në një diskutim të parë. Ca kujtime nuk harrohen, ato vetëruhen në memorien individuale dhe shoqërore. Sëmundja e bullizmit vë në dukje gjëndien pulsionale të individit ose të një segmenti të caktuar të shoqërisë.
Sjellja, mendimi dhe gjykimi bëjnë që shoqëria të targoj për një sens të përbashkët për sa i takon reagimit ndaj ndryshimit dhe riorganizimi të jetës kulturore. Është koha për kthim nuk është vetëm mesazhi për kthim prapa apo për kthim drejt vlerave të vërteta sociale. Ajo është vetëm një kuptim. Rikthim i vëmendjes te kombi është kambanë aktuale e nevojshme. Ajo nuk është as ideologji dhe as një tezë nacionaliste, por një proces fizik. Është koha për kthim do të thotë koha për rikthim fizikisht, në atdhe, të elitave, të trurit, të kapacitetit zhvillues dhe kontribues në ekonomi, në vendimmarrje, me qëllim që të përmbushet riciklimi social dhe të arrihet iluminizmi kantian në drejtim të përmirësimit të jetës dhe bashkësisë ku jetohet.
Comments