Rijad Berisha: TRILOGJIA E LIRISË DHE IDENTITETI PERSONAL
- 3 hours ago
- 9 min read

Aleksandër Genis në librin e tij ,,Kulla e Babilonit’’, ka pohuar se letërsia është ëndërr e arsyes. Rëndom, kështu ndodh arsyeja e Njomza Kelmendit, kur kontekstin historik të familjes, e ndërlidh me të rënët e luftës së fundit të Kosovës, gjegjësisht me xhaxhain e saj, Avdi KELMENDIN, i vrarë më 6 maj 1999 si ushtar i Brigadës 133 ,,Adrian Krasniqi’’.
Mënyra se si Njomza e ndërton këtë vepër me tregime dhe poezi autobiografike nisur nga pozicioni i një formeje adekuate, duke kaluar nga personalja deri te nocioni i përgjithshëm me përplot sharm dhe ide origjinale, quhet substancë e përjetimit dhe identitetit përgjithësues.
Brenga e lirisë, kodi narrativ dhe imagjinata ritmike, janë tri pjesë kyçe që e ndërtojnë trilogjinë në këtë vepër me një mori figurash dekorative, që nga personifikimi si figurë e narracionit, deri te metafora si shije poetike. Një kod që lidhet me dy sintagma; njëra nga realiteti dhe tjetra nga kreativiteti, që merr kuptimin e përjetimit në një orientim: (pra, drejt kërkesës për liri).
Brengën e lirisë, e paraqet mbi kohën e tashme, duke i rikujtuar ngjarjet e kohës së shkuar (ato të luftës) dhe vazhdimisht bën kërkesë për liri, me një tension të vazhdueshëm si revoltë a pakënaqësi, mbi të cilën, shqiptarët, sipas saj, nuk e respektojnë gjakun dhe lirinë.
Kodi narrativ, strukturën e përmban te realiteti dhe konteksti historiko-luftarak. Në mënyrë milimetrike e njeh mirë kodin e filozofisë së lehtë, dhe shpeshherë na njofton me mbyllje temash tragjike. Shpesh, krijon pjesë të dhimbshme, por me filozofi vetëm për ta kuptuar lexuesi qëllimin e saj, mes faktit dhe mesazhit edukativo-filozofik.
Imagjinata ritmike në vepër, përmbyllet me poezitë kushtuar xhaxhait. Kështu, në formë natyrale dhe jo të bezdisshme, të lë ëmbëlsi për vlerën e luftës, kontributin, mesazhin dhe amanetin e të parëve.
1. Letërsia e narracionit të tregimit: bioproza dhe pluridimensioni
Libri ndahet në dy pjesë kryesore; në tregime dhe poezi. Te tregimet, Njomza e personalizon bukur kontekstin historik të familjes së saj, drejt ngjarjeve reale të rrënjëve më të vjetra.
Personazhi autentik i krejt veprës është ai i xhaxhait të autores, Avdi KELMENDIT.
Që në hyrje krijohet një biografi personale e autores, ku përfshihen edhe personazhe të tjerë si nënat, fëmijët, baballarët etj. Këtë rast, Njomza paraqitet e kujdesshme, përveç tjerash, e përmend edhe bimën e fundit të xhaxhait të saj, Eduardën, si shenjë e gjakut të afërm.

Brenda veprës, ekziston në përmbajtje të tekstit, një letër ku Eduarda ndien përgjegjësi shpirtërore të shkruajë për babanë e saj, me titull Vajza e lirisë pa babanë. Këtu paraqitet mungesa e përqafimit, aroma e babait, kujtimet që mbetën peng, pa përkëdheljen e tij në moshën e saj të vegjëlisë…, deri te shkollimi. Aty ndodhet pjesa më emocionale, ku Eduarda e ndjen boshllëkun e mungesës së babait për ta marrë nga shkolla. Edhe pse ndien mungesë, ajo prapë pajtohet me fatin dhe se kthehet më e fortë, e me bindje: me moral të gjakut të pastër. Koha për të kalon, por dinjitetin e babait e ruan, përkundër fatit të tij që e përcolli në luftë për të sjellë liri. (Personazhe si Eduarda, përcjellin edhe mësime morale edhe për vajzat e fëmijët e tjerë, që u rritën pa njërin prind, ose pa asnjërin prej tyre).
Brenda librit nuk mungojnë as objektet që i paraqet si forma shtesë për ta kombinuar mirë frikën, torturat, vrasjet (deri te djegia e objekteve), që shton dramaticitet në tekst. Vazhdimisht, teksti pasohet edhe me karahsime figuracionale letrare nga emrat e objekteve jofrymorë: ndërtuar qëllimisht, nisur nga njerëzit që marrin frymë (sa janë të gjallë), e që mbaron me vrasjen e tyre (ku shndërrohen në qenie jofrymore), por që lënë argumente dhe histori. Krejt kjo vjen si arsye e krahasimit mes ekzistencës njerëzore që i ndërtojnë gjërat jofrymore, dhe në fund, ata vetë qenësohen si të tillë.
Elemente të tilla të figurave letrare me motive të tragjizmit, daramaticitetit dhe përjetimit personal, që harmonizohen me nuanca të ritmit dhe emocionalitetit, e bëjnë Njomzën që të hyjë në letërsinë e bioprozës.
Pluridimensioni brenda librit vjen si punkt i harmonisë së ndjenjës e karaktereve të shumta të kryepersonazhit, imagjinatës, dhe emocionit moral e shpirtëror të vetë autores. Pra, personazhet realiste, komplekse, dhe me tipare të veçanta, i harmonizojnë fuqitë e reales, historikes, dhe së tashmes.
2. Imazhet figurative dhe përjetimi
Temat që i përjetëson brenda tekstit, janë forma të veçanta, që marrin kuptim dhe formë përgjegjësie për atë që e ndjen dhe e portretizon me larushi tematike dhe figuracionale. Jo vetëm mënyra e temave që autorja i përzgjedh, por edhe mesazhi që e ato e bartin me imazhe interesante dhe kuptimore, vijnë si arsye e logjikës së shëndoshë - dalë nga pozita e Unë-it personal.
Një fokus i veçantë, që pothuajse largohet nga diskursi rënditës ose semantik, shkon drejt artit, drejt piedestalit të së madhërishmes, duke i distiluar frymëzimet me karakter të rëndë emocional, drejt subjektit të muzës së artit. Ndodh që brenda teksteve, kuptimeve, mesazheve, të shpërthejë natyra e përjetimit aritistik, që e zhvesh dhimbjen në porosi dhe temën e bën që të përjetësohet me tension imagjinar e real. Kështu ndodh te Njomza: në fillim të librit, siç u tha më parë, krijohet portreti i familjes së saj; dy letra për Avdi Kelmendin, dhe trajtesa të tjera të temave, lidhur me gjyshin, familjen, UÇK-në, NATO-n etj.
Me finesë kreativiteti, rafinon mendimin artistik, dhe kalon nga koneksti real – në imagjinatë.
Shumë tema të këtij lloji letrar të njohura si (alkimi e zhanreve), shndërrohen në forma metaforike. Tema si: Fishekët e Xhaxhait, Në zemrën e gdhendur, Sizifi i engjëllit, trajtohen si pjesë të kuptimeve antologjike.
Te tema e parë Fishkët e Xhaxhait, qëllimisht vihet në spikamë, jo vetëm qëndrimi patriotik i Avdiut, por edhe mjetet me të cilat atij ia japin epitetin e luftëtarit të shenjtë: armët, fishekët, dhe pa dyshim, (artileria e qëndresës, që paraqitet e pakontestueshme kundrejt shtypjeve barbare).
Titulli figuracional Në zemrën e gdhendur, është një metaforë që tregon ndjesi dhe përjetim: zemra, pasqyron dashuri mungese, botë intime të brendësisë së njeriut (të xhaxhait), ku gdhendja i mveshet cilësisë së zemrës së autores.
Edhe si kuptim tjetër, emri i kryepersonazhit edhe pse paraqitet në uniformën e luftës, personaliteti e veprimtaria e tij, portretohet në fiksion dhe përjetësi qëndrese, jo harrese, siç thotë vetë autorja:
Ai, nuk kishte emër të gdhendur në uniformë, por e kishte atdheun të gdhendur në kraharor.
Këtu, fjalia pasohet edhe me metaforën tjetër të radhës, ku atdheu i gdhendet luftëtarit në kraharor: (kjo nënkupton marrjen e plagëve, dhe shenjën e të qenurit luftëtar i devotshëm dhe trim).
Titulli tjetër, Sizifi i engjullit, sinjifikon me thukët, personalitetin e Avdiut. Sizifi përfaqëson vuajten, mundin, sakrificën e vetëflijimin (por, është edhe një aluzion mitologjik që nga kohërat e lashta, që dënohet të shtyjë një gur në majë të malit). Engjulli, paraqet bukurinë dhe pastërtinë e përgjegjësisë morale e etike, kundrejt absurditetit të sizifit. Engjulli na vjen si figurë qiellore që lidhet me përjetësinë e xhaxhait, ku autorja e përmend në këndejjetë, siç e citon që ai nuk harrohet dhe se kujtimi për të do të jetojë gjatë ndër breza.
Ekziston në brendësi, ndër të tjera, edhe një tregim me titull Feniksi në altarin e vendvdekjes, që ndërlidhet edhe me një aluzion tjetër mitologjik. Feniksi, që nga kohërat e lashta, është një shpend që pas njëqind vitesh, digjet dhe ringjallet prapë nga hiri i vet. Me rolin e feniksit, Njomza dëshiron të përçojë pavdekësinë dhe përjetësinë e vetë xhaxhait. Dhe jo vetëm feniksi si figurë e lashtë, por edhe rrethanori i vendit, paraqitet në trajtë të padefinueshme, që tregon se gjaku i secilit dëshmor gjakohet gjithandej - (shtrihet kudo). Brenda kuptimit, përmban në theks: flijimin, lirinë, mbrojtjen, dhe kujtesën fatlume.
Në nivelin e përjetimit semantik, Kelmendi, shpesh, dhe jo vetëm, përçon një veçori të një moshatareje që e di se çka është lufta dhe çfarë roli përfaqëson ajo në përgjithësi. Është një dihamë e re, që vie si konstrukt i moshës dhe kategorisë së pasqyrimit personal.
Një shkëndijë e lehtë, që mburret me lavdinë dhe lirinë e ardhjes mes botës njerëzore, por edhe me kontributin e familjarëve që e sollën atë.
ARTIKULIM FRYMËZIMESH E PËRJETIMESH
(Poezia e përkushtimit)
Jo rastësisht, Georges Breague-i, e përqendron vëmendjen te realiteti dhe vetvetja. Kështu ndodh edhe me fjalën poetike tashmë të poetes Kelmendi. Realitetin e konsideron si një fije të tejdukshme kundrejt vetes dhe personave të tjerë në përditshmëri. Më shumë fokusohet te vetja, ku përmes reales dhe qenësisë, ndërlidhet me përshpirtjen e poezisë – (atë të Unë-it personal). Në përmbyllje, vepra pasohet me një tufë poezish, ku jo vetëm nga portreti i narracionit, por edhe nga estetika e brendshme e poezisë, e paraqet Avdi Kelmendin (xhaxhain). Kjo dukuri tregon prirje si në prozë, ashtu edhe në poezi.
Te cikli i parë Të mbaj në portretim me zgjim, e paraqet trimërinë, sakrificën, dhe krenarinë. Ashtu ndodhet në një kaos të dilemës së lirisë. (Vihet re se edhe në fillim të librit, paraqitet biografia hyrëse, ashtu edhe në fund me poezi, pasohet biografia me përmbyllje, duke dëshmuar tonalitet të emocionit dhe logjikës së mirëformuar si strukturë). Edhe në poezi, njëjtë si në prozë, e mban si vlerë në kutinë e zemrës së saj emrin e xhaxhait:
Sa emër të shkurtër ke,
si fati i ushtarit para armës.
Poezia: AQ NDJESI DHE TRIMËRI
Këtë rast, emri vendoset në krahasim me ushtarin dhe armën: dy aspekte personalizimi, që nuk mund të mbijetojnë në luftë pa njëra-tjetrën. Emri vihet në paralele mes personalitetit dhe moralitetit të luftës së një ushtari, që tregon trimëri dhe besnikëri. (Këtë rast, përmendja e emrit të shkurtër, nuk tregon vetëm numra shkronjash të pakta, por tregon edhe jetëvogëlsinë e shkurtër të xhaxhait, ndaj edhe e përmend vazhdimisht si theksim emocional. Ndodh që brenda vargëzimit, poezitë të kenë edhe rimë, shkallëzim, enumeracion, si arsye e ngjeshjes së formulimit poetik dhe mesazhformues, kundrejt përjetimit. Me një rend të strukturës së organizimit, tregon edhe ndalesë te poezia e njëjtë:
Mesazh i pakthyer,
pritje pa shpresë që zgjat,
orë që nuk ec.
Kjo pjesë antologjike, veçohet në aspektin e semantikës së thelluar, duke i dhënë ngapak rrugë kuptimi apo fije të rralluara sinjaleve të ngjarjes. Në vargun e parë, i drejtohet vetë xhaxhait, si kumt i keq që e sjell mbylljen e çdohershme të syve të tij, pra: (vdekjen). Mesazhi që Kelmendi merr si arsye mungese dhe dukurie, e bën që të vuajë në heshtje, por jo në imagjinatë. Lajmi që njeriu i zemrës ndërron jetë, nuk është aq i dëshiruar, por që do të thotë se vdekja i takon secilit.
Pritja dhe shpresa, vijnë si ligjërime te brendshme të dhembjes së shpirtit, që krijon vazhdimisht tension dhe pikëllim të zgjatur; (siç e sugjerojnë vargjet).
Këtu paraqitet edhe koha, gjegjësisht ora e ndalur. Ora, vie si objekt që nuk lëviz, rri ndalur, dhe akrepat e saj më nuk ecin. Kjo tregon se xhaxhai i saj tashmë ka ndërruar jetë, nuk ec, nuk lëshon zë, kështu duke mbetur enigmë në përmallimin e Njomzës dhe në kujtesën e historisë së lavdishme. (Është një përpjekje e saj për ta larguar mallin nga mundësia për të qenë xhaxhai afër).
2. Plaga e luftës dhe dilema e historisë
Plaga që i lë në katrahurë fjalët poetike ngjasojnë shpesh me një baladë të zemrës, që është në dilemë: (të shkruajë apo jo). Vetë konteksti i luftës që sjell çlirim, krijon një tension përmbi familjarët, të njohurit e dëshmorëve, dhe të atyre që e përjetuan luftën. Edhe pse autorja nuk e ka përjetuar luftën, ajo di ta vendosë veten në pozitën e dhimbjes së tjetrit. (Kjo është një dukuri e poetëve: ta vendosin veten në pozitën e tjetrit).
Te cikli i dytë dhe i fundit, Në plagën e artë, trajtohet një temë e rëndë, që e përmbyll amanetin e të parëve dhe biografinë e rrënjëve të saj. Edhe pse nuk e do pritjen, pa dëshirën e saj, i paraqiten largësitë dhe e njoftojnë me ikjen dhe tjetërsimin e historisë dhe identitetit kolektiv në tërësi.
Te poezia Moliset pritja nga ikja, poetja sikur pajtohet me fatin e vendit, dhe detyrimisht e mbyll librin pa dëshirë. Jo pse nuk ka çfarë të thotë, por se e ndjen shpirtërisht se duhet forcuar liria dhe njerëzit brenda saj. Njëlloj te vargjet e fundit, shprehet me qëndrimin e forcës dhe bujarisë, siç e kanë shqiptarët zakon:
Pritje, pra
deri herën tjetër,
pa shpresë,
por e dëshiruar.
Edhe brenda poezive fjala ,,pritje’’, përsëritet thuaja vazhdimisht, si arsye e rrethanave kohore dhe lirisë së vonuar, që pasohet me ndalesë. Pritjen për një herë tjetër e sheh si mundësi të re të hapjes së rrugëve dhe përndritjes së atdheut dhe fatit të njerëzve brenda tij.
Edhe pse ishte një liri e fituar me mund, poetja e supozon edhe një mundësi si ëndërr që tregon se shpresat nuk mund të vdesin dot. Edhe pse pa ëndrra të reja dhe pa rezultate, ajo pajtohet me lirinë dhe ekzistencën njerëzore. Gjithçka mbaron me rikujtesë dhe njohje identiteti për moshën që e përfaqëson Njomza, dhe jo vetëm.
Në fund
Përjetimi në prozë dhe poezi, e bëjnë Njomza Kelmendin të krijojë një univers të alkimisë së zhanreve letrare, ku të gjitha i shndërrron në lojë dhe fat të gjithkombshëm. Kështu, me një elegancë mendjehollësie e ka krijuar një tonalitet të përjetimit, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, që përfaqëson një prurje të re brenda ideologjisë së kontekstit real dhe historiko-imagjinar në përgjithësi.
Me këtë vepër, ka dëshmuar një forcë intelektuale me motive të harmonisë historike e letrare, me një zë rinor, por që kërkon vëmendje.








Comments