top of page

Rijad Berisha: POEZITË E NDJENJËS DHE KATRAHURAVE

  • Feb 12
  • 9 min read

Rijad BERISHA


(Recension mbi disa poezi të Begzad Baliut)

    Fjala poetike e poetit Begzad Baliu, është një metaforë e jetës së përditshme mbi dimensionalitetin e stilit krijues dhe kuptimit të tij në përgjithësi. Shpesh, hasim në një katrahurë ndjenjash mbi dyshimet, pakënaqësitë, karakterin social e atdhetar, që në mënyrë kronologjike paraqitet me figuracion dhe emocionalitet, kushtimisht në formë dekorative dhe legjitime.

    Të gjitha poezitë e këtij poeti e studiuesi, lexohen si manuale të interpretimit shpirtëror, që bartin emocion dhe kuptim, atë që Jevtushenko e pohon: “Vetëm atje ku ndjesia e dhimbjes për të tjerët fillon, atje fillon poeti”. Është një poet i atmosferës reale, që ndërthur kombinime dhe lojëra artistike mes kohës dhe sublimes.

    Kështu, në plotninë e kureshtjes dhe dashurisë, atdheun, nënën dhe fëmijët, i sheh si figura që e ndriçojnë jetën dhe se luajnë një rol shumë të rëndësishëm për të, ku shpesh, lutet për ta, që të kenë jetëgjatësi dhe harmoni. (Një formë e drejtpërdrejtë, për ta shprehur humanitetin për subjektin: atdheun dhe njerëzit brenda tij). Atë që e ndjen në Unë-in krijues, e përcjell vazhdimisht me një protestë shpirtërore të identitetit dhe ikjes drejt mërgimit. (Një gjendje e dhimbshme, por jo edhe e kënaqshme).


1. Shtegtimi i shijeve poetike


    Megjithatë, njohja me kategorinë poetike të poetit, shihet në shijen e formulimit. Në këtë varg poezish, gjejmë një ngjizje mes, kujtesës dhe përmallimit, harresës dhe rikujtimit. Këto poezi na takojnë me individualitet personal, që e nxisin vetë autorin të shkruajë, por edhe të ndjejë.

    Te lirika atdhetare e prek temën e braktisjes, ku shpesh, e ironizon fakti i fatit të atdheut. Si në rastin te poezia “Çamëria ime”. Aty e paraqet gjendjen në të cilën ndodhet Çamëria (siç e sugjeron vetë titulli: si diçka personale), në shoqërim të disa figurave historike, që e bëjnë të jetë e veçantë, si figura e Bajlozit të Zi, Gjergj Elez Alisë, etj. Të dy këto figura e ndërtojnë të keqen e të mirën: Bajlozi, si personazh i Rapsodive Kreshnike, që simbolizon arrogancën, shpirtin e keq (të keqen) dhe Gjergj Elez Alia, si personazh i Rapsodive të Kreshnikëve, por i kundërt me karakterin e Bajlozit, ku e ndërton trimërinë dhe përkushtimin e karakterit historik.

    E gjithë poezia trajtohet temë në vete me karakter identitar, drejt fundit ku autori i përkulet metaforikisht dhe thotë:

Çamëria ime qofsha vdekja

Çamëria ime ti je një pavdekësi!

    Një vdekje të cilën autori e ndjen dhe e vendos mbi personalen e vetes, si shpëtim, si formë gatishmërie, që përçon dashuri dhe vetëflijim.

    Tema të tjera si dashuria për nënën, lutja, mëshira, ose poezitë për personalitete të ndryshme, e nxisin autorin drejt shijeve dhe artikulimeve të veçanta poetike.

  Është një formë që e mban peng poetin: mënyra sesi e ndjen dhe si e formulon artin në përgjithësi.


2. Intensiteti i rrëmbimit


    Shpesh, dhe jo vetëm, autori e merr vargun si një dëshirë për pushtim ose largesë. Kjo nuk ndodh si arsye për të qenë i vëmendshëm apo për të qenë njeri me karakter rrëmbyes a braktisës, por vetëm për ta hequr mallin dhe dhimbjen për tema të rëndësishme, që krijojnë atmosferë kaotike dhe jo të kënaqshme. Kështu, takohemi me poezitë: “Dita kur e tradhtova Kosovën”, (poezi e kaosit emocional me një krahasim të ngjizur mes të shkuarës dhe të tashmes, që vije si reflektim intensitetesh të dukurive, të dhimbjes dhe mungesës). “Dita kur e pushtova Amerikën” (një frikë për ikje, por edhe një dëshirë mbresëlënëse ndaj pushtimit si shqiptar i mençur, i aftë e i bukur. Një formë braktisjeje, por me peshë. Një poezi e mundjes dhe përshtypjes. Rëndom, e luan rolin e protagonistit kryesor që bie në dashuri jashtë vendit).

Në fund

Atë që e personalizon, Begzad Baliu, vie si urdhër shpirtëror, logjik e moral, që sjell disa sintagma që lidhen vazhdimisht me njëra-tjetrën. Semantika e tekstit poetik në tërësi, kushtëzohet me dendurinë e figurave letrare poetike (metafora e krahasime), pa i lënë anash edhe figurat historike. Përmes poezive, shpesh, dhe jo vetëm, ka dëshirë të rikthehet në gjenezë: (një poet me karakter të gjakut dhe rrënjëve).

    Në tërësi, si ndërtim dhe si pjekuri poetike, poeti e ka personifikuar poezinë si në tematikë reale ashtu edhe në ndjesi përjetimi e zhvillimi ndjesor. Kështu, fjala poetike e poetit, e di mirë kohën dhe vendin, ku në mënyrë milimetrike, e sheh nga larg atmosferën dhe e shndërron në poezi.

Përgëzime!


ÇAMËRIA IME

(Fragmente...)

I.

Ti vjen nga fundi i detit si vjen historia

Përmbytjet e epokave nuk më frikësojnë

Nuk je Bajlozi i Zi

Nuk jam Gjergj Elez Alia

Çamëria ime

Një natë e gjatë po gdhin

Ëndrra ëndrrën zë

Dimri – dimrin - ngrin.

II.

Në këtë botë të ashpër

Të gjithë lindin e zgjohen

Mëngjeseve me shpresë

Netëve me trishtim

Jam Kosovë e fitoreve

Në fund të shekullit që shkoi

Je Çamëria e përlindur e shekullit XXI.

III.

Je ara më e plleshme në fshatin me furtunë

Ke gjetur lavërtarin më të mirë

Që di të hedhë farën në brazë

Çamëria ime

Jam kostari që pret furtunat mbi lumin Bunë

Çamëria ime

Jam lavërtari që përulet mbi brazdën e plleshme për çdo kokërr grurë.

Do rritësh ti djem të ashpër

Si fishkëllima e kosës mbi barin zhur

Do rritësh ti vajza të ndrojtura

Si ndruhesha unë kur përulesha mbi gjunjët e tu.

IV.

Çamëria ime

Bota thotë je grua e dhunuar

Unë di një fëmijë që luan në prag të detit në qetësi

Ti vjen si valë e harlisur dhe trazon rërën e kështjellës së tij

Unë shoh fytyrën time në guacën që hapet para këmbëve të tij.

Ti je syri që nuk u hap nga vajzat e rëna nga Guri i Filatit

Për Enin e Filatit me sytë e zi

Ti je gjiri i nënës që nuk u shter

Për gojën e vajzës së sapolindur në agimin e vitit 1945.

V.

Çamëri!

Ti vjen nga valë e detit trishtim

Sa shpejt - sa ngadalë... mallëngjim!

Ti vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Ti vjen dhe trupin tim pushton!

Ti vjen si valë me drithërimë

Ti del nga thellësia e detit

Psherëtin!

Refren:

Kur vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Pse vjen dhe trupin tim pushton!

Çamëria ime të dua

Bota më thotë ti do një fatkeqësi

Çamëria ime qofsha vdekja

Çamëria ime ti je një pavdekësi!

(Durrës, 25-27 janar 2013)

DITA KUR E TRADHTOVA KOSOVËN

Kush ikte nga Kosova është tradhtar!

Kështu klithej dikur në rininë tim

Iknin në këmbë, autobusë, me trena

Iknin në Askund në mendjen time

Sot ika unë nga Kosova për pak ditë

Dhe shpirti më dhemb si në rini

Ndonëse nuk ika me kalë si Moisi Golemi

Ika drejt qiellit si shpirti i tij

(Prishtinë-Frankfurt-Uashington, DC, 20-21 tetor 2015)

ARBËRESHËT

Asgjë nuk morën asgjë

i dogji stralli aziatik

Shtëpitë, malet, ikonat dhe varret

me mbishkrime të nxira

Asgjë nuk morën asgjë

Vetëm një toponim

Moreja, eh Moreja

një këngë dhe një kujtim.

Asgjë nuk morën, asgjë, të gjitha i lanë

Zonjën Nënë, Atin dhe vëllanë

Pesëqind vjet priti Doruntina Konstatinin

dhe s’u panë

Asgjë nuk morën asgjë

Thonë se morën një kambanë,

po pse nuk bie kambana

Ta zgjoj nga varri vëllanë.

Thonë, asgjë nuk morën, asgjë

Po vallet si i ruajtën, po fjalët ku i mbajtën

Besa - fjala e dhënë që nuk tretet

Mes malesh majëlarta e dete hipur mbi valë

(Prishtinë, prill 2025)

ASGJËJA JONË

Asgjë e re në Kosovë

Asgjë

Parti sizifësh

Deputetë të lidhur këmbëduarsh

Asgjë e re në Kosovë

Asgjë

Intelektualë arrivistë, që nxjerrin kokën te bira e minit

Gazetarë dhe shushunja internetesh

Analistë që pikturojnë Kosovën me copa muti

Asgjë e re në Kosovë

Asgjë

Populli që ka humbur zërin

Që pi makiato dhe freskohet me bozë

Asgjë e re në Kosovë

Asgjë e re!

Asgjëja jonë!

(Prishtinë, më 25 maj 2025)

ERDHA TË FLAS ME JU

(Vizitë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në fshatin Marec)

Erdha të flas me Ju

Vëllezër, fqinj, bashkëfshatarë.

Jam po ai nipi i dikurshëm

Që vija me opinga të grisura

Dhe strajcën e mbushur me libra

Te shkolla “Liria” në Fllataci

Te Daja Xhemajl.

Erdha të flas me Ju

Për Kalanë e Artanës, Çukën e Vitisë, Lumin Gjarpëror

Më paska marrë malli për Ju

Dhe legjendën e Shyt Marecit

Për Kronin e Gurit

Dhe bukën me djathë të Nanës Hyrë.

Erdha të flas me Ju

Për betejat tuaja

Për rënien e Shaipit, Rrahimit, Milazimit, Zahirit

Për plagët tuaja dhe dhimbjet tona

Për rëniet tuaja të djeshme

Dhe krenarinë tonë të sotme!

Erdha të flas me Ju

Për ëndrrat djaloshare dhe lirinë

Dhe më thoni

Ju lirinë e kishit ëndërr

Ne vdekjen e kishim në gjak.

(Prishtinë, më 10 nëntor 2024)

BESIMTARË

Nënë!

Nëna ime

Vetëm ti ke besuar nën këtë qiell

Ditën e nisje me urimin për Zotin që më fali mua!

Dhe thoshe se jam me fat

Pasi linda Natën e madhe të Krishtlindjeve!

Dhe e luste zotin të vdiste në Ramazan, natën e Sh’ngjergjit!

PËR GRATË E NJË KONFERENCE SHKENCORE

Ajo rri me duar në gji

Ne gjoks ka vënë kartelën

“NN, prof. asc. ,,Universiteti i Arizonës”

E në qëndrimin e saj shoh Gjylen e Alisë,

Tek përkundte djepin ne fund të dhomës

Ajo rri kujtueshëm në fund të radhës

Në gjoks mban shënimin e varur

“AA – prof. dr. - në ‘Universitetin e Oxsfordit”

E në kujtesën e saj shoh gruan e Artanit të vrarë

Në fund të luftës së Kosovës

Ajo flet ne foltore radhë e pa radhë

Dhe fjalët i ngre në shprehje krenarie

Në gjoks ka vënë tiketën “AB-prof. nga ‘Munihu”

E në pamjen e saj shoh nusen e Ademit

Tek ekzaltohej para grave në dasmën e fshatit

Ato rrinë ulur. Flasin, meditojnë

Andej e këndej salle

Unë i shoh me botën e fëmijërisë dhe tretem larg ndër malle

Dhe shoh se si në sytë e mi shfaqen gratë e fshatit

Gratë e fëmijërisë sime që këtu më ngjajnë në shkencëtare.

*

Tek rrudhin gojën e mbyllin sytë përgjumur

Tek flasin me drojë

E gishtat trokasin me kujdes

Më zgjojnë kujtimet e fëmijërisë

Kujtimet për gratë e fshatit tek thonë:

,,Marrja e zotit çka thamë, këtu qenka një djalë!’’

(Budapest, 10.3.2011, në Konferencën e CEU për Gruan)

LUTJE

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë

brenda një shtëpie që e shtynte vala e Cunamit

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Sot kam parë në gazetën ditore një fëmijë

të shtrirë për bukën e gojës mes refugjatëve të Afrikës

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV një fëmijë në Indi

​​me duar të shtrira drejt Nënës Tereze

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në ëndërr Enin

që përpiqej të më thoshte një fjalë

Është Eni

Lutu për të!

Shën Mëri

Mbrëmë kam parë në TV babanë e një fëmije tek lutej në Portën e Parajsës

Është babai i Enit

Lutu për të!

(Budapest, më 12-13. 3. 2011)

NË FRYMËN E FUNDIT

Ndeze dritën

Ndeze dritën

Ndeze dritën

Tha tri herë nëna dhe mbajti frymën

Dymbëdhjetë herë ra kambana e Katedrales “Nëna Tereze”

Përcjell nga zëri melankolik i Mulla Idrizit

Në Minaren e Xhamisë së ,,Namasxhasë’’

Është dritë, mesditë e së dielës, shtova unë

Vetëm kapakët e syve tu kanë rënë

Pastaj ndeza një qiri

Le ta përcjellë udhëtimin e përjetshëm të saj

Në udhëtimin qiellor

(Prishtinë, janar 2025)

3

DITA KUR E PUSHTOVA AMERIKËN

I.

Do ta pushtoj Amerikën një ditë

Kolombo i dytë do të më thonë

S’ka rëndësi me anije apo aeroplanë (nga deti apo nga ajri)

Pushtuesit të njëjtë janë gjithmonë

II.

Me shihnin amerikanët tek zbrisja nga qielli

Ç’do ky Bajloz (Don Kishot) ky qerrata

Do t’na shtyjë në luftë prapë me Serbinë

Apo do një nuse për sevda

III.

Pushtova Amerikën me një gllënjkë

Të kafesë së mëngjesit në Nju Jork

Statuja e Lirisë më shihte me zili - (çudi)

“Si ma mori zemren ky shqiptar!?”

IV.

E fala Amerikën ju s’e dini!

Për një vrapuese indiane në garë

Do bëhet xheloze veç gruaja ime

Më mundi në Olimpiadë - ajo!

(Bloomungton (SHBA), më 22. 10, 2015)

UKRAINË!

(Në ditën e pavarësisë së Ukrainës)

Fushë e Kosovës e mbjell me grurë

Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit

T’i mbledhë lulëkuqet që kanë nxjerrë kokë si flamuj

Para se t’i korrin tanket ruse

Malet e Kosovës me maja si thika të futura në re

Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit

Të ngre Flamurin e Fitores së UÇK-së në majën më të lartë të saj

Për ty, Ukrainë!

Krojet e Kosovës, mbushur me kufoma fëmijësh nga ushtarët serbë

Qenka zgjuar Eni t’i ujisë trëndafilat e mëngjesit me ujin dhe gjakun e tyre

Dhe t’i lutet Dom Gjergjit për fëmijët ukrainas të zhdukur nga ushtria ruse!

Ukrainë,

Ja, edhe një luftëtar i dritës

Eni mbushi 17-të vjet!

(Prishtinë, 12 qershor 2023)

ARBOR VITAE

(Feng Shui)

Për një pikë ujë

Po shuhet deveja e Alkimistit në shkretëtirë

për një pikë ujë

Dhe fundoset Anija e Santiagos në askund të Liqenit

Për një pikë ujë

Po thahen lotët e Diana Vorpsit

Për një pikë uji të Gjorgut në Kullën e Ngujimit

Dhe shterojnë buzët e Ana Kareninës

Në sytë e Vronskit

Për një pikë ujë

Po thahet loti në syrin e Nënës Terezë në altar

Dhe qumështi i gjirit të Rozafës në Kështjellën e Shkodrës

Për një pikë uji

Po thahet goja gjigante

E Vrimës së Zezë

Para se Rruga e Qumështit të përpijë Galaktikën tonë

Për një pikë ujë

Po shuhet deveja e ,,Pelegrinit të Vonuar’’

në shkretëtirë

Për një pikë ujë

Një pikë uji

qoftë edhe vetëm një pikë loti

Për oqeanin që po shteron

Amen!

(Kosovë, Prishtinë, janar 2025)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page