Rigelca ( Albajrami) Gupe, (vajza çermenikase), organizatorja që vuri pasionin në shërbim të fjalës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 7
- 4 min read

"Kamza Lexon", Një qytet që ndërton indentitetin përmes librit.
Rigelca ( Albajrami) Gupe, (vajza çermenikase), organizatorja që vuri pasionin në shërbim të fjalës.
Nga Çaush Kullafi
05 Maj 2025
Në zemër të Kamzës, në sheshin “Nënë Tereza”, një emër që ngre peshë jo vetëm shqiptarët, por mbarë njerëzimin, u mbajt edicioni i katërt i Panairit të Librit “Kamza Lexon”. Dy ditë me radhë qyteti rrezatoi kulturë, emocion, e mbi të gjitha dashuri për librin. Ishte një atmosferë që e tejkaloi thjesht eventin letrar: një frymë që e bëri librin pjesë të jetës publike, të kujtesës kolektive dhe të krenarisë qytetare.

Kjo nismë nuk ishte e rastësishme. Katër vite më parë, në një kohë kur pakkush mund të besonte se Kamza do të bëhej epiqendër e leximit dhe e shkrimit, kryetari i Bashkisë, z. Rakip Suli, hodhi një ide që mori rrënjë e sot ka lulëzuar. Nga një ide modeste, në një event kulturor me peshë kombëtare.
Në këtë edicion morën pjesë 20 autorë që publikuan veprat e tyre, komunikuan me lexuesit dhe ndanë përvojat krijuese. Kamza përjetoi një metamorfozë: libri nuk ishte më një objekt i mbyllur në bibliotekë, por një bashkëbisedues publik, një dritare e hapur drejt mendimit, identitetit dhe humanizmit.
Por, çdo ngjarje ka prapaskenat e saj, dhe në këtë rast, një emër që nuk mund të lihet pa përmendur është Rigelca (Albajrami) Grupe, drejtoreshë e Pallatit të Kulturës “Artan Cuku”. Një vajzë nga Çermenika e Librazhdit, me një pasion të rrallë për kulturën. E pashë Rigelcën në çdo cep të sheshit: herë duke ndjekur detajet organizative, herë duke përshëndetur autorë, duke marrë mendime, duke dëgjuar me vëmendje çdo sugjerim. Kur ndonjëherë e pyesja: “Pse gjithë ky përkushtim?”, ajo buzëqeshte dhe më përgjigjej: “Pasioni, profesor. Dua që ju autorët të ndiheni mirë, të ndiheni të vlerësuar.” Dhe vërtet ashtu ndodhi.
Krahas saj ishte gjithmonë një tjetër bashkëpunëtore e palodhur, Gilma Bajrami, që me përkushtim e ndihmonte në çdo moment. Ishte një binom i suksesshëm, që e bëri organizimin e këtij panairi model për t’u ndjekur nga çdo bashki tjetër në vend.
E kujtoj mirë kohën kur në Kamëz as që flitej për librin. Flitej ndonjëherë për mungesa infrastrukture, për sfida ekonomike, por mungesa e kulturës është gjithmonë mungesa më e rrezikshme. Dhe kur sot sheh që në qendër të qytetit ngrihet një panair libri, ndjen se shoqëria po ecën drejt emancipimit të vërtetë.
Rigelca dhe bashkëpunëtorët e saj nuk u ndalën me organizimin e thjeshtë të një eventi. Ajo mbështeti krijimin e një grupi të shkrimtarëve të Kamzës, një grup që komunikon vazhdimisht, ndan ide, frymëzim dhe bashkëpunim. Bisedat në WhatsApp u bënë tribunë e mendimit krijues dhe urë bashkëpunimi ndërmjet autorëve.
Në përmbyllje të aktivitetit, u ndanë çmimet letrare nga një juri profesioniste si: Ermir Nika, Alda Bardhyli dhe Arta Marku. Çmime që nuk ishin thjesht trofe, por vlerësime të mirëfillta për përmbajtjen, stilin dhe ndikimin në lexues.
Fituesit e çmimeve letrare:
Çmimi PANTEON për karrierën, Fatos Kongoli
Çmimi LITTERA për prozën e gjatë, Ben Blushi, për romanin “Parajsa artificiale”
Çmimi KOLEKSION për prozën e shkurtër ,Diana Çuli, për vëllimin “I panjohuri”
Çmimi KACAMISRI për letërsinë për fëmijë, Xhevahir Spahiu, për librin “Një mijë dashuri”
Çmimi BABEL për përkthim, Zija Vukaj, për “Pinoku” të Carlo Collodit
Çmimi MEHR LICHT për librin studimor,Ardian Vehbiu, për “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”
Çmimi HORIZONT për shkrimtarin e ri, Hamdi Skeja
Çmimi “SHKRIMTARI NË KOMUNITET”, Çaush Kullafi, për “vlerat e krijuara në përshkrimin mjeshtëror të botëkuptimit njerëzor nëpërmjet artit të fjalës”
Ishte një moment i veçantë për mua. I ulur me bashkëshorten time Zylfijen, mësuesen e përkushtuar të shkollës “Vëllazërimi”, dhe me djalin tim Nadmirin, ndjeva një emocion të fortë kur dëgjova emrin tim. Dola në skenë për të marrë çmimin “Shkrimtari në Komunitet” dhe, përballë figurave të mëdha të letërsisë shqiptare, emocionet më pushtuan. Fjala më mbeti në fyt, por ndjenja e mirënjohjes ishte më e fortë se çdo fjalim.
Panairi u mbyll në tingujt e muzikës dhe në atmosferën e një qyteti që kishte fituar shumë më shumë se disa libra të shitur. Kishte fituar një lidhje të re me fjalën e shkruar. E siç tha Ben Blushi në fund:
“Ti Rakip, kur të vish pas 20 vitesh për të blerë ndonjë libër në panairin ‘Kamza Lexon’, do thuash: këtë panair e kam themeluar unë.”
Dhe Rigelca sërish nuk ndalej. Me buzëqeshjen e saj të sinqertë përshëndeste e falënderonte të gjithë, duke u kujdesur që çdo pjesëmarrës të largohej me respektin dhe kujtimin e një ngjarjeje të paharrueshme. Në sytë e saj lexohej edhe krenaria e heshtur që me këtë çmim ishte vlerësuar një bir i Çermenikës, një krahinë e bukur, e ndoshta ende pak e njohur për lexuesin e gjerë.
Ky panair më dha forcë. Më dha motivim për të vazhduar të shkruaj për komunitetin tim, për njerëzit e thjeshtë, për vlerat që shpesh nuk i shohim me sytë e zakonshëm. Kamza po bëhet një model. Një qytet ku fjala merr peshë. Dhe është detyra jonë që ta ruajmë këtë ritëm, ta zgjerojmë, ta thellojmë.
Le të jetë “Kamza Lexon” jo vetëm një panair libri, por një simbol i një qyteti që ka zgjedhur të jetojë përmes mendimit, përmes fjalës, përmes librit.
Comments