Resmi Osmani: HALILI DHE TANUSHA
- 3 hours ago
- 17 min read

Rapsodi
Dhe pranvera erdhi.Lisat, ahat dhe blijtë u veshën me rroben e gjelbër. Bora shkriu dhe ujrat morën rrugën e detit. Livadhet u stolisën me lule. Në kurorat e drurëve këndonin bilbilat. Ishte mesditë.Halili,që mezi e kishte pritur këtë ditë, kaluar mbi gjokun, u ngjit në kreshtën e bjeshkës, fill i vetëm. I bënin shoqëri mendimet e tij.Koha rridhte pa pra. E djeshmja ishte e shkuara, e sotmja e tanishmja, e nesërmja e ardhmja. E shkuara e mbushur me kujtime, e tashmja për të marrë vendime, e nesërmja, në kërkim të dashurisë. Frynte fllad dhe dielli ndrinte,por pak nxehte, qielli pa re i lbyri sytë me kaltërsinë e kthiellët.Te lisi i madh, ku mrizonin delet dhe rridhte burimi,brisk I ftohtë dhe i pastër si loti, i zbriti kalit. I dha të pinte ujë, piu dhe vetë dhe u flladit. I hodhi sytë nga perëndimi. Atje ishte deti. Kotorret e reja dhe kullat e krajlit ku e çonte jetën Tanusha.
Ah Tanusha! E dashur, e bukur si zana, princeshë, bija e vetme e krajlit. Ofshama e zëshme, që i dol inga shpirti, si një thirrje dëshpërimi, jehoi në bjeshkë, bjeshka ja ktheu luginës dhe gjithë hapsirës.Tanushaaaaa! Mbase e dëgjonte edhe Tanusha, atje në sarajet e Kotorrit. Tanusha, emri i saj vetë bukuria,i mbushte zemrën e përvëluar, vegimi i saj s’u ndahej syve dhe mendimeve në gjithë ditët e lume. Që nga njohja e tyre kishin kaluar dy mot-mot e dy pranvera. Vegimi i asaj dite nuk i hiqej sysh sa të ishte gjall. Atbotë, krahina dhe Krajlia, ishin në besë e në paqe. Halili me një tubë djelmoshash trima e gazmorë nga Klladusha, ranë në Kotorre në ditë pazari. Tollovi e madhe. Shitësit vikasnin për të lëvduar mallin e tyre. Gjindja sillej lart e posht dhe ndalej tezgave. Ashtu bëri edhe Halili. Rryma njerëzore e vuri përpara derisa u ndal përball një argjëndari, me tezgën mbushur me stoli gjithëfar llojesh, ari dhe sermi: unaza me gur jeshil e të kuq si gjaku, byzylyk, vathë, varëse me perla, në to të ngallmuar diamante dhe gurë të çmuar. Rezet e diellit i bënin rrëzëllitëse aq sa të lbyrnin sytë. Para tezgës qëndronte një vashë, por Halili i shihte vetëm shpinën dhe kryet lidhur me një rubë mëndafshi stolisur me ar. Vajza si ta ndjente shikimin, ktheu kryet prapa. Halili u shtang.S’u besoj syve: ç’ishte ajo që iu shfaq, vashë apo zanë mali? Të tillë bukuri ai askund s’kish hasur dhe as besonte të haste në faqe të dheut: shtati i saj si shtat’ i çetinës në bjeshkë. Ajo ia nguli vështrimin. Fytyra e saj kuq si molla në degë. Sytë si kokrra e qershisë spërkatur me dritë; qerpikët si krahu i dallëndyshes; mbi ta hije u bënte fiskaja e vetullave. Vasha i buzëqeshi, buzëqeshja e saj si drita e diellit, dhëmbët e bardhë si gurzit e lumit kur i ndrit dielli pas shiut. Ai u avit që t’i afrohej. Goja e vogël , buzët si lulja e kuqe në shpërthim. Flokët e gjata derdhur pas shpine, të zeza si penda e korbit, shtegu i ballit si shtegu i malit kur e ndrit hana. Ajo si e ndjerë në zor, e ngriti pak kryet, gusha e saj si gusha e pllumbit. Halili i tërhequr nga një ngasje e pavullnetshme, bëri një hap para,të ndodhej pranë saj, por roja i vashës e sprapsi. Sakaq vasha i tha ta linte djalin. Halili i mori dorën në të vetën. E ngrohtë e butë, ngrohtësia e saj i kaploi shtatin i bëri zemrën t’i dridhej si të donte të shpërthente gjoksin.
- Më thuaj moj çikë, a je vajzë, e lindur prej robi, apo zanë mali që të ka dhënë zoti?
Ajo u step nga guximi i djalit, por ja si ja ktheu përgjigjen:
-Më quajnë Tanushë, çikë jam, e nana më ka lindur. Bijë e vetme e Krajle Rad kapidanit.
Atbotë Tanusha sytë s’po ja ndan djalit: Djalë më të hijshëm me sy s’kish parë. Trupi i tij si i bredhit t’breshtës[1],shpatullat si shkëmbi i malit të dy sytë si gurra drite, si sy zanash që të shitojnë me të parë.Dredhë mustaqet, të zeza si pënda e korbit, shpërvjelë vetullat si laku i kreshtës kur mbi të bie rrezja e diellit. Veshur e ngjeshur si zotni, mbi krye plisi i bardhë si bora e malit.
Edhe ajo deshi për ‘të të dinte:
-Po ti kush je e kah vjen o trim i ri? Se nga veshja e pamja s’më dukesh si djalë krajlie.
-Sokole Halili emrin ma thonë. Jam vllai i kreshnikut Gjeto Basho Muji të Jutbinës. Nga fis e farë e Rabanëve.[2]
- Qofsh shëndosh e tungatjeta o djal’i ri, po ç’farë të pruni n’viset tona?
-Shpresa se do të hasja një çikë të bukur si zana. E për nuse n’kullën time ta gëzoja, se ma do shpirti ,hem mosha m’ka ardhur për t’vënë kurorë.
Ajo heshti. Ishte një heshtje që fliste më shumë se fjalët, sytë thoshin atë që se fliste goja. Dhe me zë si murmurimë:
-Dhe beson se e gjete?
-Bash është ajo që ma bën këtë pyetje!
Tanusha e kapur në befasi heshti. Guximi i tij e stepi. As po as jo.Deshi ti kthente një fjalë fluturake: nëse e kishte përnjimënd apo bënte hajgare dhe kështu u thoshte gjithë vajzave që haste, por ishte nën sy e vesh të rojeve që i kish vënë tata. U kthye nga tezga dhe zgjodhi një unazë ari me gur të kuq si gjaku. E provoi, i vinte e madhe. E la.Të njëjtën bëri dhe Halili, e mori atë unazë dhe e vuri në gisht. Unaza i rrinte përbukuri. Pagoi dy dukat dhe e mori pa e hequr nga gishti. le të ishte ajo unazë peng dashurie. Tanusha e rrethuar nga rojet e saj, mori udhën për në saraje, por koka i mbeti e kthyer pas, pa ja ndarë sytë djalit.Për Halilin, ishte një premtim i heshtur si një besë e dhënë.
Halili pa që në treg reshperonin edhe çika të tjera, por askush nuk ia zuri synë. Ku ato e ku Tanusha!
Halili u kthye në Klladushë. Me trup ishte aty po me mëndje te Tanusha. Sa herë kujtohej për të në trup i shpifej një zjarrmi dhe këputje e ëmbël, ndjehej ndryshe. As në dhe as në qiell! U veçua nga shoqëria, iu pre oreksi, u arratis gjumi. Me pamjen e saj, vështrimin, buzëqeshjen, me të gdhihej e me të errej, asgjë tjetër si hynte në sy. E vuante shpirtërisht mungesën e saj.Thonë larg syve ,larg zemrës, me të nuk ndodhte kështu, larg syve pranë zemrës! Askujt nuk ja tha, askush nuk e diti.Të shtëpisë e vunë re përhumbjen dhe hutimin e tij, por nuk e pyetën se ç’ishte ajo lëngatë e heshtur. Ai pyeste veten: kjo dhëmbje dhe molisje ëmbëlcake, që e bënte zemrën të shpeshtonte rrahjet, trupin të mpihej dhe mëndjen të çartej, ishte dashuria? Dashuri me shikim të parë?
Shumë nuk vonoj dhe krajli i pabesë, e prishi paqen dhe e theu fjalën e dhënë. Jutbina dhe Krajlia u gjendën në luftë. Rruga për në kotorre u mbyll për Halilin dhe e ndau nga Tanusha. Ajo mbeti në ëndërrat e tij. Rruga u mbyll, po shpresa mbeti gjall, e pa fashitur.
*
Këto ishte duke sjellë ndërmend Halili, fillikat i vetëm, midis tokës e qiellit, atje majë kreshtës së bjeshkës. Kishte rënë në hall. Atë donin ta martonin. I thanë se i kishte ardhur mosha. Lokja ishte plakur. Motet e kishin rënduar. E kunata Ajkuna e vetme s’mund t’i bënte ballë punëve të kullës me tre kate, kujdesit për fëmijët, kuajt e shalës, shpendëve dhe gjësë së gjallë. Kish nisur të ankohej. I duhej shtëpisë një nuse e re që t’i bëhej krah, hem i kunati të rehatohej e kulla me vocrrakë të gëzohej.
Dhe ja si kish nisur e gjithë kjo: Ishte fund shkurti. Në një ditë të kthiellët por të acart’ e të akullt, kur dielli ndrinte por nuk nxehte, agot e Jutbinës hipur mbi gjokat dolën për të çetuar. Papritur qielli u nxi, reja zuri diellin , bora mbuloi vendin, era që përziente mjegulln dhe borën pengonte shikimin. Atëherë agot të mardhur e të ngrirë nga ftohma, msynë kullën e Gjeto Basho Mujit. Mir’ e bukur agot në kullë i pritën. Zjarri me dru të lista në vatër brambulliu, oda u ngroh dhe agove shpirti u erdhi në vend. Bucelat me raki dhe fuçitë me verë të vjetër, u ngrohën trupin agove dhe u zgjidhën gjuhën, e nisën të bëjnë hoka e të llafosin. Atbotë, njeri prej agove iu drejtua ago Gjeto Basho Mujit:
-Në votër tande Mujo kem qillue, mos na ki randë për një fjalë që dum me t’thanë. Pash njat zot Mujo q’tka dhanë, qysh Halilin se martove? Janë martuar krejt moshatarët e tij, djelm e çika zoti u ka falë, djelt e tyne t’tanë në lojë kanë dalë. Apo t’dhimbsen paret me i dhanë, apo t’ dhimbset dasma për me e ba?
-Zoti t’vraftë ago Basho Jona, asgja s’më dhimbet prej atyne që sapo fole. Veç ta dini: se kam lanë për pare pse nuk i pata,se kam lënë për mik e vashë pse nuk mund gjeta, veç Halili vetë nuk don me u martue.
Mandej Halilit i ka folur plaku Osman Aga:
-Pa na thuaj or trim , që edhe na t’a dimë, përse nuk don t’martohesh? Ditë e madhe nesër ka qëlluar, tridhjet agë kan për t’ u bashkuar dhe tridhjet vasha t’i kanë prurë. Atë ma t’mirën zgjidhe ti dhe ne të tridhjetë agot për hajr ta bajmë!
-U vraftë Zoti o agot e Jutbinës! E si mund të martohem, kur krejt gratë dhe çikat e Klladushës, Jutbinës, e Krahinës, bash si motra t’ lindura nga një nanë e babë po më duken? A keni dëgjuar midis tokës dhe qiellit, se u martua vllai me motrën e vet? Një be të madhe kam bamun në emër të zotit të madhënueshëm, qi ja martohem me gur e dhe, ja e kam marrë nuse Tanushën, çikën e krajlit. E un tanushën vet e kam parë, në Kotorre t’reja, kur kemi patur besë me krajli. Gjë më të mirë nuk sheh njeriu nën këtë diell! Fjalë e besë me të kam lidhun.
Këto tha Halili dhe vrik dol inga oda.
*
Bora qafat e malit i kish zënë, asnjë shteg për të kaluar nuk kish lënë. Atbotë Halili i dëshpëruar u ankua : ” Në qafë më paçi mori bjeshkët e nalta, në qafë më paç edhe ti det, që kurkund një shteg nuk ma latë, për me dalun deri n’atë krajli, sall të dal sa me qit kunorë!
Deti dhe bjeshkët ankesën e kanë dëgjuar. Deti lëshoj frymën e ngrohtë, ka lëshuar qielli renë e zezë dhe shiu nuk rreshti dit e net. Ranë ortekët me rrropamë nëpër pllaja, veç tre dit e nuk ka zgjatur, u shkri bora e ra në lumë, për tri javë e më s’ka zgjatur, ksula e borës në bjeshkë ka shkrirë. Pranvera erdhi, bari gjelbëroi e lulet çelën fushave, çpo këndojnë bilbilat n’mal, blegërijnë qingjat staneve, po lodrojnë fëmija shesheve, gjethin e veshi lisi blini e ahu.
Lum për ty o i lumi zot!Ç’ka po ban Halili sot?
Në oborr të kullës, të dy vëllëzërit kanë dalë.Me ta u bashkua edhe Nanlokja. Pas një heshtjeje ,si zakon s’e kishin, Halili po i thotë Mujos: “ Dëgjo ç’ka du me t’thanë, vlla: edhe po ta di se më ka mbrrit ora e dekës, nuk zbrapsem. Për krajli do nisem ,Tanushën për t’a marrë. Qetash muj gjogun ti ke me ma dhanë?” Muji sa fort po mahitet mustaku n’buzë po i dridhet. “T’ vraft Zoti, Halil, ç’ka po thue! Ti kryet në krajli don me e lanë, që fill i vetëm po e msyn. Vlla mblidh mënt e kresë. Jo. Gjokun nuk jam tue ta dhanë”. Halili nuk e përsëdyti kërkesën, por edhe fjalë nuk bëri me të vllanë.Ishte e kotë. Ja njihte huqet dhe ja dinte mendjen . Nga hauri nxorri gjokun e vet, të gatitur e shaluar , i lehtë si pupël mbi të ka ra dhe asht nisun Tanushën për me marrun. Kur nga porta hala s’kish dalun, ja çka i thotë Nanlokja e motnueme Mujit: “Po ti çfar bane mor bir, gjokun djalit që s’ja dhe? Po sikur në krajli, larg kjoft, djalin e keqja me e gjet, sa të jetë jeta peng në zemër do ta kesh. Dhe Muji nga fjalët e nanës ndrroi mëndje. ”Ndal Halil, - t’vëllait i ka thënë dhe gjokun e vet ja ka dhënë. E bashkë me të edhe një porosi:
- Udha e mbarë të kjoftë tash more vlla.Kur të arrish në kufi të krajlisë, kryet gjokut mos ja ndal. Ai rrugën vet e din dhe te çon te Vuk Harambashi. Probatin Vukun e kam pasë. Fal me shndet, thuaji, Muji t’ka çue, për një punë ti vllath me më ndihmue. Me më ndihmue me pare dhe me shpatë, me m’ndihmue Tanushën e krajlit për nuse me e marrë.
Atëherë Halili gjokut t’Mujit i ka kërcyer në shpinë ” T’mir u pafshim- Mujit i ka thënë, bekimin e nanës e ka marrë dhe udhën për në Krajli ka zënë.Tym e flak gjogun e ka bam. Kaloi male e kaloj lugje, kaloj pyje dhe korije, plot dy dit dielli ka lindur e perënduar, plot dy net hëna ka dalë.E kanë parë zanat dhe kanë thënë: “Keni parë e s’keni parë, shkon Halili përmbi kalë, shkon Tanushën për me marrë! Sa të ket dritë e ka n’besë dielli, n’të errtën natë e ka në besë hëna,armët e brezit ja ruan Zana.” Ka thënë Halili: “Syri im n’dore të diellit,kamba ime n’dorje të hanës, nderi i armve n’dorje t’Zanës.”
Kur doli në bjkeshkën më të naltë, ka parë një lumë të gjerë e të gjatë det me det. Atëhere zbriti nga rrëpira në breg të lumit.Rruga e gjatë i kish lodhur dhe ujë deshi gjokut me i dhanë dhe vetë me u flladit. Por gjoku turfulloi dhe tre pash u zmbraps, se një njeri mbështetur në shkëmb iu shfaq. Atbot njeriu po e pyet: “Kah je nis djalo me shkue?” I çuditur Halili iu përgjegj: ”Për krajli njëherë jam drejtue për tek Vuk Harambashi, nji punë me krye” Atbot njeriu fort ka qesh. “ Pa ndigjo o djal i ri, aty Vukën ti s’e gjen, aj kah mot ka dyndë krajlie. Por avitu nj’her pranë meje. Ndale synin n’at breg lumit, merr teposht deri t’u hijet! Apo i sheh do çadra t’bardha e midis tyne një shatorr t’kuq? Frenin gjokut mos m’ia ndal, fill t’ka çue te e bija e krajlit. Tha këto dhe Njeriu i shkambit u bë flur si të mos kishte qënë.
*
Halili ia liroi frerin gjokut dhe me trok të lehtë zbriti në fushë pranë bregut të lumit atje ku lumi shtrohej në fushë.Në të dy brigjet, pas lëndinave fillonte korija e pyllit me ahe e lisa. Pranë pyllit, jo larg lumit, zbardhnin çadrat. Midis tyre, pak mënjanë kuqëlonte shatorrja e kuqe. Dita po ja linte vendin natës dhe ngadal ra muzgu. Halili, e mori gjogun për freri dhe hyri në korijen e ahishtes dhe e lidhi për trungu. I rrahu lehtë vithet, e përgëzoi nga jelet e kryet dhe i tha: “Urt gjog, as fryma mos të ndihet! Kurkush i gjallë mos ta dijë që je n’kët ahishte” Mandej Halili tinëzisht, pa e vënë re rojet, u afrua dhe u mbështet në trungun e një lisi. Zemra i rrihte fort. Ende ishte heret. Zjarret e rojeve flakëronin. Po pse vonon kaq shumë moj mesnatë? Edhe sa duhet të pres e të duroj? Kur në drujt e pyllit zogjtë e natës nisën këngën, dhe terri mbuloj vendin, Halili këmba doras rrëshqiti pa u ndjerë dhe u afrua te shatorra. Rojet kishin rënë në gjumë te bregu i lumit. Nxori thikën nga milli dhe preu litarin që e lidhte shatorrin me kunjin. E ngriti dhe futi njerën dorë, e pastaj të fuste kokën e të hynte brënda. Po gabimisht dora hasi në ballin e vajzës. Vajza lëshoi një piskamë të frikshme, dhe u ngrit ndenjur përmbi shtresa. Britma zgjoi tridhjet vajzat e tjera. Ato brofën nga shtresat dhe u dyndën te shatorri i Tanushës.
- Ç’qe kjo britmë?,-Tanushës po i thonë- të tillë britmë ti kurrë s’ke lëshuar.
Qetësisht Tanusha iu përgjigj çikave:
-Shkoni e flini mori shoqe! N’gjumë nji si lugat mu shti dhe nga frika gjumi m’duel-tha dhe apet u shtri në shtresa.
Halili dol inga errësira ku ishte fshehur. Në shatorre kishte dritë. U afrua duke u hequr rrëshqanth. Nxori unazën me gur të kuq dhe e hodhi brenda shatorres. Tanusha dëgjoi tingëllimin e arit dhe u habit kur pa unazën. Fill prej toke e ka çuar dhe pyeti veten me zë: “Këtë unazë ku e kam parë? Po më ngjet si e Halilit!” Halili që e dëgjoi, hapi fletën e shatorrit dhe hyri brenda. Zot tha vasha: “Po kët fytyrë ku e kam pa? Sall po m’ngjet si e Halilit.” Edhe pse drita ishte e zbehtë, bukuria e Tanushës e magjepsi djalin dhe ai memzi i tha:
-Zoti t’falt qi t’ka dhanëTanushë, po a je njeri qi ke besë?
-Zoti t’falt Halil, besë kam dhe e besës jam, tash dy vjet harruar s’të kam! N’zemër e mendje të kam mbajt. Sa fort thell paske hi me m’gjet- dhe e ka rrok n’gryk e lot gëzimi i rrshqitën faqeve.
-Ja vdesim të dy për një herë, ja kemi për të shpëtuar të dy për një herë.
-Eja, ikim në Klladushë, gjogun e kam fshehur në imshtë.[3]
-Jo, drita asht t’u zbardh dhe rojet tash jan çue dhe na s’mundemi mu largue. E mori Halilin për dore dhe e futi te kthina ku ishte e stivuar paja e saj me lloj e lloj veshjesh në ar qëndisur.Tanusha zgjodhi më t’mirat e petkave dhe ja vuri përpara Halilit. Vishu Halil, se po të zuri drita siç je, t’dyve krajli kryet na e pret!
Halili, pa kundërshtim u vesh dhe krejt si çikë ai po ngjan.N’gryk e rroku Tanushën, i puthi buzë, sy , faqe e gushë. E shtrëngoi në parzëm, u ulën mbi shtresa, dhe u çmallën e bënë dashuri si t’i kishte ardhur fundi botës.
Dita që po zbardhte i gjeti n’krah të njeri-tjetrit. U zbardh terri , syri i diellit ndriçoj qiellin. Çikat heret u zgjuan dhe në breg të lumit leshin për ta larë e shkarkuan. Lesh po lajn e po këndojnë.Lesh po lajn e po lodrojn. Ato panë Tanushën sall t’ zënë gisht për gisht me nji çikë. Dul n’ breg t’lumit dhe zuri vend përmbi do gurë . Atëherë çikat po e pyesin:
- A s’na thua moj e bukura e dheut, kjo vash n’dor qysh t’ ka ra? Përveç teje, ajo asht m’ e bukura mjedis nesh: syni i saj si syni i zanës, ball’ i saj si balli hanës, shtati i saj si hala n’bjeshkë. Kurrkund nën kët qiell shoqen se paska!
- Zoti u vraft mori tridhjet çika, gja e pashoqe s’ashtë n’ kët jetë! Fukara ka qëlluar e ngrata, e ka fejuar pasha i Dumlikës, por kjo asht e papajë, sepse babaa i vdekur e nandhe , nana ka marr rrugt e botës. Ia ka msy kullën tatës krajl buljar, që ndonjë send apo pare me ia falë. Po ju lum Tanusha lani lesh e mos u tallni.
Halili I zënë dorë për dore me Tanushën, nuk po mendonte veç se si ta rrëmbente vajzën e të turrej për në Klladushë.Këtë ia tha edhe Tanushës. Rruga ishte vërtet e gjatë, por gjogu i Mujit fugonte si të kishte flatra. Pas krahëve të tyre ishin rojet, armatosur me mëzdrak, topuz e shpata. Syrit të tyre asgjë s’i shpëtonte.
*
N’at koh kur Halili këto ishte duke menduar, në breg lumi u duk një re pluhuri dhe u shfaq para saj një trumbë kalorësish me bajrak e armë ngjeshur. I printe vetë krajl Rade kapidani.Burrë azgan, që në mejdan çdo kreshniku i bënte ballë. Po ç’ne ky turravrap, me çetën e trimave, pa pandehur për te çikat në breg lumi? Krajlica një andërr t’ zezë kish parë: Një ujk i zi prej Jutbine ish turrur mbi tridhet çikat e i kish përnda. Rendi te Krajli dhe fill ja kallzoi. Me ta dëgjuar, Krajle Radi, ngjeshi armët dhe mir po kalëron dorin e mejdanit e fill n’breg t’lumit për te çikat paska mbrri. Të tridhet çikat ai po i njeh, veç nji tepër po i del, ajo më e bukura që ish ndër shoqe.
Oj Tanushë , lum baba- i tha- po kjo çikë n’dorë kah t’ka ra? Që n’ dynja shoqen s’e paska !?
Fukara e mjera e pafat ka qëllue. Tata dekë e nana mbet rrugash. E ka xanë pasha i Dumlikës, por pa pajë qyqja ka ndodhur. Fill ka ardhur dhe ty t’ka msy, qi ndoj send a pare me ja falë.
Krajli të bijën e besoj dhe dha urdhërin:
-Tash po nisna për Kotorre t’reja. Ti me vedi çikën ke me e marrë. Ka dhënë urdhër Krajli. Ushtoi briri dhe borija. Gjithçka shpejt u gatit. Në qerre vashat kan zan vend dhe për Kotorre u nis karvani . Në rend të fundit Tanusha dhe Halili zënë gisht për gisht, njeri n’gjog, vasha n’dori.Shihen në sy me trishtim dhe me shikim pyesin njeri-tjetrin si t’ia bëjnë. Tanusha ngre supet dhe e mjera nuk di ç’të thotë e ç’far të bëjë. Krah e pas tyre ushtria që po i ruan pa shqitur sytë. Kurkund s’ka gjasë për t’u larguar.
Kur kanë mbrritur n’Kotorre t’reja,çikat kanë shkuar në shtëpit e veta. Tanusha ka zgjedhur m’a t’mirën e kullave. At t’vetmuarën, mbi shkamb n’ breg t’detit. Muret krejt mermerit t’latuar, aty gurrat me flladitë, aty kopshti me u mahit, aty varkat me vela në shpinë të detit për të vozit. Ish kjo kullë një mrekulli dhe brenda jan ndry tanusha e Halili. Tre dit e tre net , në krah të-njeri tjetrit me dashuri të përqafuar. Ani pse në kullë, gjithçka ishte lermë o zot të rroj, as kanë ngrënë as kanë pirë, veç kanë menduar sesi do të kthehen në Jutbinë.
Atbotë Tanusha Halilit i ka thanë: ”Sapo t’bjer muzgu e të dalë hana, Jepi gjogut bregun e detit. Të dy le të hipim në një barkë me rrema, bark me rrema e me vela, t’i vozit dhe unë drejtoj velat. Do zoti na çon një fllad të lehtë, na i shtyn varkën për krahinë. Aty gjogu në breg na pret.
Nuk ka vonuar e shumë nuk ka zgjatur, kur qielli ka gjëmuar e bubullirë,në themele kulla është trandur, rrufetë flakë e zjarr qiellin kanë ndezur.Era vërshëllen nëpër mazgalla e rrebeshi i shiut përmbyt gjithçka si në ditë të gazepit. Sall në atë kohë, Krajlica që një ëndërr të keqe ka parë , te e bija në kullë ka mbrritur e në derë ka trokitur:
- Tanushë, bijë, lum nana, çilma derën ta shoh synin, se malli për ty m’ ka pikur!
Tanusha e befasuar dhe e frikur pyet Halilin: “Si më thua Halil t’ia bajmë?”- ”Çilja derën, në dorë të Zotit, nana nanë, ty të don dhe kët dashuri mbase e bekon”
Nana ps dere ngulmon:
-Hajt pra çilma derën, mos më ler me prit, se jam lagur e po mërdhi.
Tanusha u bind dhe e çeli derën. Nana hyri Brenda dhe në qaf e rroku t’bijën, po kur pa Halilin u zbraps dhe rreptë iu turr:
-Zoti t’vraftë moj bijë si të paska vra! Po qysh mori bij me cuba Jutbine kullën e paske mbushë!? Si mua si babës, derën me ferrë ja ke mbyllur e fytyrën na e ke vruguar.- dhe Halilit:-Cub Jutbine, erzin na e more dhe çikën e çnjerëzove. Nji tash ora e vdekjes të paska ardhë! -Dhe vrik për te Krajli bëri të dalë.
Halili i vuri shpatullat derës.”Askund s’ke për të shkuar- Fort për duarsh krajlicën e ka mbërthyer dhe me rubën e kokës duart ja ka lidhur e me shami gojën ja ka shtuposur dhe thell ne një kthinë e ka mbyllur.
Të zënë përdore nisën të zbresin shkallët në gjysmë errësirë. Aty rojen e parë kanë hasur. Halili rreptë e ka sulmuar,mund t’a vriste por nuk deshi , dashuria e tij nuk duhet tw lagej me gjak e të merrte jetë. I tha të hapte rrugën, por ai vringëlliu shpatën. I dha goditje të forta, e çarmatosi dhe të alivanosur në vend e ka plandosur. Roja tjetër e xhveshi shpatën. Shpatat janë përplasur, shkëndija e zjarr kanë qitur, shpata e rojes u thye dhe Halili e rroku për beli dhe e përplasi, por tjetri prapë u çua dhe rreptë njeri-tjetrin po e sulmojnë.Aq sa duan me dhambë njeni -tjetrin me e ngranë. Mandej, me grushta e shkelma të fortë, nga shkallët pa ndjenja e rrokullisi. Në vënd shakull e ka lanë.
Tanusha e frikur për jetën e të dashurit, vrik me ‘të, të dy buzë detit kanë zbritur , me kujdes që të mos i diktojnë dhe në varkën me vela kanë hypur.Litarin e kanë zgjidhur. Era fryn për kah jugu, shiu kithët rigon, nata nxin, qielli bubullin dhezjarret e vetëtimave ndriçojnë retë. Halili me vrull vozit, Tanusha drejton velat, varka rrëshqet, por vala e ngre dhe e ul si lëvozhgë dhe dallga me ujë po i rreh.Tanusha lut det e qiell : Lum ti zot që na ke dhanë, udhën e detit na e bëj të lehtë, bashkë me Halilin të dalim në breg! Era dhe deti i kanë dëgjuar dhe varka larg në breg i ka dërguar.
Atje në breg, në ranishten e sheshtë, gjogu i Mujit i ka pritur.Kur i ka parë fort ka hingëllirë, truallin me këmbë e ka çukërritur. Në gjunjë është ulur dhe vrik në të djali dhe çika kanë hypur. Flak nga patkojt, tym nga goja dy herë në vend gjogu s’është parë , rrugën për në Jutbinë ka marrë.
*
Lum e lum o I madhi Zot! Për ditën e lume që na fale sot.
Një javë dasëm po na ban ago gjeto Basho Muji. Lum asht derdh vera dhe rakia, kan gjimuar tupanat, curlat, lahuta e çiftelia.Kanga e vallja der n’kup të qiellit. Gjithë agot në dasmë i ka ftuar, se po marton Halilin me Tanushën, që për bukuri se ka shoqen, i thot hanës dil të dal, e gjith luleve të fushës kur vjen pranvera. Lum për Loken dhe Ajkunën, e për mbarë Jutbinën për kët nuse, Tanushën q’erdhi për të ndritur kullën e ago Gjeto basho Mujit dhe Sokole Halilit.
U Martuan e u trashëguan.
Atje un nuk kam qënë, po kështu ma kanë thënë.
Kush e lexoftë, zemra ju gëzogtë!
11 maj i motit 2026
[1] Korije, pyll.
[2] Raban, kështu thoshin shqiptarëve sllavët në mesjetë.
[3] Imshtë , pyll me dru ahu.








Comments