Bujar Qesja: Një foto një shishe verë dhe tre emra që nuk i merr koha
- 3 hours ago
- 4 min read

...Fotografia është e heshtur, por flet. Vera është pirë prej kohësh, por dehja e kujtimeve vazhdon. Rinia ka ikur, por drita e saj nuk është shuar. Sepse disa njerëz, nuk i bashkon vetëm koha. I bashkon shpirti...
Nga BUJAR QESJA
Ka fotografi, që mbeten thjeshtë letër e zverdhur. Ka të tjera, që sa herë i sheh, të hapin një derë të vjetër të kujtesës, nga ato dyer që kërcasin lehtë dhe nxjerrin aromën e viteve të humbura. Kjo foto e vitit 1973, është një e tillë. Copëz kohe e ngrirë në bardh e zi, por që brenda saj, ka aq shumë ngjyra sa zor se i mbart një ylber.
53 vite më parë…Një gjysmë shekulli e ca më shumë. Një jetë e tërë. Ishim studentë të rinj të gazetarisë, në muajin e punës fizike, atë rit i kohës që arsimi i lartë e quante edukim me jetën dhe punën. Në të vërtetë, për ne ishte edhe një universitet tjetër: universiteti i miqësisë, i shakasë, i lodhjes së ëmbël, i ëndrrave që nuk njihnin kufi.

Në atë foto jemi tre. Unë, Zamira Koleci dhe Luan Rama. Tre fytyra të reja. Tre rrugë, që ende nuk dinin, se ku do t’i çonte jeta. Tre zemra që rrihnin me ritmin e rinisë.
Dhe ja ku jam, me një shishe vere në dorë. Në pushimin e punës, si për të sfiduar lodhjen, si për të ngrohur shpirtin, si për t’i thënë jetës: “Ne dimë edhe të qeshim!” Ishte një gllënjkë vere, por në të vërtetë ishte një gllënjkë rinie.
Atëherë iu luta Zamirës:
-Më lër diçka të shkruar pas fotos, si kujtim.
Dhe Zamira, me atë spontanitetin e saj plot dritë, shkroi:
"O Bujar, gjithmonë duhet të pish! Është gjëja më e mirë në këtë botë, por jo gjithçka."
Sa e çuditshme është jeta!
Një fjali e shkruar me humor studentor, në çast pushimi, mbetet pas 53 vitesh si një filozofi e vogël njerëzore. Sepse aty brenda kishte gaz, ironi, dashuri shoqërore dhe një të vërtetë të thjeshtë: jeta duhet shijuar, por ajo është shumë më tepër se një gotë verë.
Sot, kur e lexoj atë shënim, më duket sikur dëgjoj zërin e Zamirës të vijë nga larg, nga ato vite kur flokët i kishim të zinj dhe shpresat pa thinja.
Koha…Ah, koha! Ecën pa zhurmë, por merr me vete gjithçka. Merr rrugë, njerëz, stinë, qytete, madje edhe zërat. Dhe megjithatë, nuk arrin të marrë kujtimet. Kujtimet mbeten si gozhdë të ngulura në shpirt.

Vani…Kështu i thërrisnim me përkëdheli Luan Ramës. Sa vite kanë kaluar pa u takuar! Jeta na shpërndau, si gjethe në erë. Secili ndoqi udhën e vet, me mundimet, fitoret, zhgënjimet dhe fitoret personale. Por ja ku ndodh mrekullia. Një fotografi i mbledh sërish njerëzit.
Luan Rama, ai djaloshi i heshtur i asaj fotografie, do të bëhej më vonë emër i njohur i kulturës shqiptare. Kineast, studiues arti, publiëist, shkrimtar, diplomat. Njeri që do të ecte në korridoret e UNESCO-s, në sallat e Parisit, në tribunat e Frankofonisë, duke mbajtur me vete Shqipërinë, si një copë zemre. Do të shkruante libra, do të përkthente kultura, do të ndërtonte ura mes popujve. Dhe megjithatë, për mua, mbetet edhe ai djaloshi i vitit 1973, ulur pranë nesh, në një pushim pune, me fytyrën e qetë të një njeriu, që nuk e dinte ende se do të jetonte mes artit dhe diplomacisë.
Edhe Zamira ndoqi rrugën e saj të bukur. Një zë radiofonik, që shumë shqiptarë e kanë dëgjuar, pa e ditur ndoshta se sa shpirt kishte pas atij mikrofoni. Radio Tirana, Top Channel, kronika politike, ngjarje kombëtare. Zëri i saj, u bë pjesë e memories mediatike shqiptare. Mbeti gazetare e vërtetë, me krenari profesionale dhe me atë finesën, që nuk blihet në asnjë universitet.
Edhe unë mbeta peng i gazetarisë, ndonëse politika e kohës nuk më la të jem gazetar funksionar. Jeta më çoi në drejtime të tjera, sindikata, art, sport, teatër, stadiume, pallate kulture. Por gazetaria, nuk më iku kurrë nga gjaku. Mbeti brenda meje, si një ethe e përhershme. Ndonëse në pension, vazhdoj të jetoj me publiçistikën, nga e cila nuk do të heq dorë sa të kem frymë.

Sa herë e shoh këtë fotografi, më duket sikur shoh tri Shqipëri të vogla brenda saj: Shqipërinë e ëndrrës, Shqipërinë e mundimit, Shqipërinë e kujtesës.
Në atë kohë nuk kishim luks. Nuk kishim telefona. Nuk kishim makina. Nuk kishim botën në dorë. Por kishim njëri tjetrin. Dhe kjo vlente më shumë se gjithçka. Kishim biseda të gjata. Kishim humor. Kishim besim. Kishim miqësi që nuk maten me vite, por me ndjenja.
Kur shoh edhe fotot tona të kohës moderne, vetëm bustet tona të thinjura, kuptoj sa e pabesë dhe sa e bukur është jeta. Trupi ndryshon, fytyra rrudhet, flokët zbardhen, por diku në thellësi, mbetet po ai studenti i vitit 1973, që pi verë në pushimin e punës dhe qesh me shokët.
Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe e kujtesës. Ajo nuk lejon të plakemi plotësisht. Me Zamirën na lidh sot Voskopoja. Një muaj pushime. Ajri i freskët. Mbrëmjet e qeta. Bisedat për kohën që iku. Për njerëzit që mungojnë. Për shokët që janë larg. Për jetën që vrapoi më shpejt se ne.

Nganjëherë mendoj, sa pak gjëra duhen për të mbetur i lumtur në kujtesë! Një fotografi. Një shishe verë. Një fjali e shkruar pas saj. Tre të rinj, të lidhur me miqësi të pa zbehur.
Dhe ja, pas 53 vitesh, ato vazhdojnë të jetojnë.
Fotografia është e heshtur, por flet. Vera është pirë prej kohësh, por dehja e kujtimeve vazhdon. Rinia ka ikur, por drita e saj nuk është shuar. Sepse disa njerëz, nuk i bashkon vetëm koha. I bashkon shpirti.
Dhe shpirti, nuk plaket kurrë.








Comments