top of page

Resmi Osmani: Fjalë lamtumire për Prof.dr. Andrea Shundin




Fjalë lamtumire për Prof.dr. Andrea Shundin


Prtof.dr. Resmi Osmani


      Më 30 prill në Amerikë, Washington Dc. Në moshën nëntëdhjetë vjeçare u nda nga jeta Prof.dr. Andrea Shundi. Personalitet i shquar i shkencës bujqësore shqiptare. Lajmin tronditës e dha familja në fb. Lajm i hidhur,për gjithë ne të njohurit, shokët, miqtë dhe bashkpuntorët e tij të shumtë në trojet ku jetojnë shqiptarët.

Kam qënë i nderuar të gëzoja miqësinë e tij, që zinte fill në kohë të hershme, por që u bë më e afërt pas viteve dymijë. Edhe pse i emigruar në Amerikë, këmbenim mesazhe. I fundit ka qënë ai për urimet e vitit të ri 2024.

        Unë:I dashur Andrea, gëzuar e përshumëvjet Vitin e Ri 2024. Urimet e mia më të mira për ju dhe Familjen.Shëndet, jetë të gjatë, mirësi dhe krijimtari të begatë. Miqësisht Resmiu.Tiranë më 31.12.2023.

     Andrea: Resmi i dashur. Falënderime nga zemra, duke u bashkuar për çka më uron, që të takojnë edhe ty. Në fund të marsit do të vij në Tiranë dhe uroj të takohemi si përherë. Me mall, Andrea.31.12.2023.

       Edhe pse i emigruar në Amerikë, ai kthehej në Tiranë çdo pranverë, tok me dallëndyshet, në shtëpinë errugës Myslim Shyri, që e kishte ruajtur. Mes shumë angazhimeve që i mbushnin kohën, ai gjente kohë edhe për mua dhe më telefononte për të më thënë që kishte ardhur dhe mund të takoheshim. Për mua ishte një rast i shumëpritur për tu shmallur biseduar dhe shkëmbyer mendime. I saktë në orën që kishim lënë , ai shfaqej në këmbësoren e rrugës Myslym Shyri, nën hijen e rrapeve, shtatlartë,sportiv i hijshëm, i qeshur. Përqafoheshim dhe pastaj uleshim ne një nga lokalet e shumtë të asaj rruge. Shkëmbenim librat e fundit dhe biseda rridhte e shtruar,me zërin e qetë  e të rrjedhshëm, e këndshme, elokuente, me mendimin e tij të mënçur për projektet dhe planet krijuese, për udhëtimet, takimet e shumta me shokë e kolegë. Për mbresat e udhëtimeve te Arbëreshët e Italisë, Arvanitët e Greqisë, për vreshtarinë dhe verëtarinë e Rahovecit të Kosovës, në Tuz të Malit të Zi, për kantinat, vreshtat dhe verëtarinë shqiptare, vendet që ai kishte shkelur,brenda dhe jashtw vendit, ku ashtu si bleta punëtore mblidhte nektarin e traditës vreshtare nga thesari i praktikës dhe përvojës në gjithë trojet ku jetojnë shqiptarët, për ti përfshirë në librat e tij enciklopedikë. Nga prof. Andrea kisha gjithmonë çfarë të mësoja. Ndaheshim me premtimin për tu ritakuar.Me gjithë afrinë në moshë, e konsideroja si një nga mësuesit e mi.

    E prita edhe këtë fundmarsi, por s’qe e thënë. Ishte nisur për tjetër rrugë, atë të amshimit. Na iku Andrea, por si Andrea s’ka të tjerë!

   Për të njohurit, dhe ata që dëshirojnë të dinë më shumë për këtë personalitet dhe veprimtar të shquar të shkencës bujqësore shqiptare dhe jetës e veprimtarisë akademike, po bëj një parashtresë të shkurtër të jetës dhe veprës së Tij.

        



Prof.Andrea Shundi u lind në Tiranë më 15 nëntor 1934. Pas përfundimit të gjimnazit në qytetin e lindjes, kreu studimet për agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor që sapo ishte hapur ato vite.U diplomua agronom në vitin 1956. Ishte brezi i dytë i të diplomuarve të atij instituti. U emërua kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnje, në vitet 1956-1960. Në vitet 1960-1962, kryeagronom në kooperativën bujqësore të Krutjes dhe më pas, për dy vjet përgjegjës i seksionit të bujqësisë në Lushnje. Në vitet 1964-1975 drejtor i prodhimit bujqësor dhe kërkimit shkencor në Ministrinë e Bujqësisë,1975-1976 përgjegjës i seksionit të bujqësisë Kukës, 1976-1980, drejtor I drejtorisë së farërave,Tiranë; 1980-1992 profesor dhe dekan i fakultetit të agronomisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës; 1994-1998,sekretar shkencor i seksionit të shkencave natyrore dhe teknike të Akademisë së Shkencave dhe kryeredaktor i revistës”AJNTS” në anglisht. Më 1998 emigroi në Amerikë deri sa u nda nga jeta.

     Siç shihet, gjysmën e jetës aktive, prof.Shundi e kishte të ndërlidhur me veprimtarinë në institucione shkencore dhe pjesën tjetër me detyra administrative dhe drejtuese. Kësaj periudhe i takojnë studimet kryesisht për bimët foragjere, bashkrendimit të kulturave bujqësore, bashkëshoqërimit të kulturave bujqësore, koefiçentit të përdorimit të tokës bujqësore dhe sistemimit,bimët foragjere të klimës së ftohtë , etj.Në gjithë këto studime, jepen zgjidhje shkencore dhe tekniko-praktike të zbatueshme për sigurimin e bazës ushqimore , konvejerin e gjelbër të ushqimit të blegtorisë në kushtet e bujqësisë shqiptare, të atyre viteve, që kanë vlerë edhe sot.

    Pas viteve 2000, prof Andrea iu përkushtua veprave madhore. Librave: “Bujqësia dhe veprimi agronomik në trojet shqiptare”2001, “Historia e bujqësisë dhe agroindustrisë shqiptare” 2003;”Jetë agronomike”2004 ku paraqitet historia e bujqësisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Në vitet 2001-2010, ju përkushtua një pasioni të hershëm: studimeve dhe hulumtimeve për vreshtarinë dhe verëtarinë në trojet ku jetojnë shqiptarët. Fryt i kësaj pune janë gjashtë vepra madhore që i japin atij vendin e një figure qëndrore në fushën e vreshtarisë dhe verëtarisë.

  Veprimtarisë së Prof.Shundit i takojnë organizimi dhe drejtimi i konferencave shkencore, ndër to duhen përmendur ”Konferenca kombëtare e shkencave bujqësore” së toku me Prof.Mentor Përmetin,”Bujqësia në zhvillimet e reja ekonomike”1991. Organizator i njëmbëdhjetë konferencave shkencore për vitikulturën dhe verëtarinë në Shqipëri dhe Kosovë(Rahovec ) dhe më 2022 simpoziumin ”Dhjetë verërat lokale të shqipërisë dhe kosovës”

      Prof, Shundi ka qënë pjestar i delegacioneve dhe përfaqësues i Shqipërisë në kongrese dhe konferenca ndërkombëtare, me një shtrirje të gjerë gjeografike ku ka referuar dhe paraqitur arritjet shkencore të bujqësisë së vendit tonë. Në pesë konferenca të FAO(1983-1987), dhe nga viti 1992-199 në konferenca shkencore në Itali,Sllovaki, Francë, Zelandën e Re,Greqi,SHBA, Australi, Portugali etj.

Ka mbajtur ligjërata në universitetet e Viterbos dhe Potencës në Itali dhe Selanikut në Greqi. Është kumtues në 34 kuvende shkencore nga të cilat 18 ndërkombëtare, pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare. Vlerësim i dijeve dhe erudicionit të tij, ishte antarësimi në bordet shkencore dhe botuese të universiteteve dhe institutive kërkimore shkencore dhe antarësia në bordin e “Komitetit të shkencës dhe teknikës” 1990-1992.

       Prof Shundi, gjithë pervojën,arritjet shkencore, studimet dhe hulumtimet i ka publikuar dhe botuar në 45 libra dhe tekste, që po t’i përmendja këtu do të bëhesh një listë e gjatë, me vëllim mbi 10 mijë faqe, 27 artikuj shkencorë,128 artikuj teknikë. Opusi I veprave të tij përbën një bibliotekë të plotë. Ajo që bie në sy kur lexohen librat e tij është kujdesi për gjuhën, pastërtinë e fjalëve, termave dhe fjalëformimi nga trupi i shqipes. Janë me dhjetra e qindra fjalë burimore që i japin kuptim dhe bukuri leksikore librave të tij, një puritanizëm dhe pastërti gjuhësore për tu patur si shembull nga gjithë shkruesit. Ai na ka lënë pas një vepër nga e cila mund të mësohet dhe që për vlerat e saj do t’i qëndrojë gjatë kohës

    Prof. Andrea do t’i  mungojë familjes dhe gjithë neve që e kemi njohur dhe bashkpunuar, por Ai me veprën dhe jetën e tij, do të mbetet një nga emrat më të nderuar të agronomisë shqiptare dhe shëmbull për të rinjtë që do ti përkushtohen prodhimit dhe shkencës bujqësore.

     Tiranë, më 3.5.2024

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page