Refleksion…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 9, 2021
- 1 min read

Dita që kalon, s’di sepse, Më ngjan me një dallëndyshe, Që rri varur rrezeve të diellit Dhe në ballkon, në një qoshe Seç ndërton, një fole ndryshe, Me bar dhe petale shumëngjyrëshe.
Unë jam dhëndër akoma Dhe ti akoma nuse. Ndonëse jashtë dritares Ngre vellon vetëm pluhuri, Po ajri s’vjen erë furtune, Erë puthjesh ndënëgushe.
Si duket, ne të dy jetojmë në një planet tjetër, Të largët. Nga ku bota ngjan vetëm një sqimatare E mangët. Ku të gjithë duan gjithçka dhe pastaj vënë re Se ajo s’është asgjë Për ata dhe për ne: Vetëm dy lopata dhe…
Po ne s’do të bëjmë si gjithë njerëzit e tjerë. Ndryshe kemi qenë, që kur kemi lerë. Ndaj këto vite do të mbesin përgjithmonë Vitet më të mira të jetës sonë.
Shtrëngomë fort, pra Dhe asnjë natë nuk do të jetë e pafund. Do të vijë agimi,… ja Dhe dritë e tij do të lindë më në fund.
Se idiotësi do të ishte Të qëndronim në errësirë Heshtur, Në delir të përqafuar, Si luftëtarë të një beteje, Që flamuj valëvitin nëpër duar.
Të fituar a të humbur Si të shpëtuarit e fundit gjallë, Të zbulojmë se kurrë nuk jemi mundur Cilindo të kishim përballë.
He pra, më thuaj: Kjo, a nuk tregon Se ky trishtim s’i ka prangosur kurrë Vitet më të mira të jetës sonë?
Comments