top of page

Ramazan HUSHI: Tri skica

  • 1 day ago
  • 21 min read

 

1.   Sheshi  Omonia     

                                                   --------------------------------                                                                                        

Çdo ditë e njëjta gjë, i njëjti rit: zgjoheshim shumë herët me shokun tim, laheshim e visheshim si të kishim dëgjuar ndonjë sinjal alarmi, hanim diçka këmbësorçe dhe pastaj me vrap tek sheshi Omonia! Shtëpia e vjetër dhe e braktisur prej kohësh, ku ne flinim, nuk ishte larg nga sheshi, as dhjetë minuta. Por ne e bënim gati me vrap. Çështje konkurrence! Mblidheshin plot shqiptarë e fati për të gjetur punë nuk i buzëqeshte të gjithëve. Aty ndodhte si në lojërat e fatit, kujt t’i buzëqeshte fati, do të thërriste “bingo!” Sapo ndonjë qytetar grek ndalonte aty makinën për të kërkuar punëtorë, menjëherë i suleshin nga të gjitha anët shqiptarët e varfër dhe kush e kush t’i dilte përpara grekut, që t’ia mbushte syrin e mendjen se ishte më i zoti për atë punë që kërkonte. Shtyheshin hallexhinjtë me njëri-tjetrin, shaheshin me fjalë të ndyra, por jo rrallë ndodhte edhe të ziheshin me grushte, të xhelozuar e të zemëruar që dolën huq edhe këtë herë.

Po kjo punë përditë: vrap që pa gdhirë mirë tek sheshi Omonia! Aty mblidheshim grupe-grupe e flisnim me zë të lartë, i thërrisnim njëri-tjetrit me emër deri njëzet a tridhjetë metra larg, këqyrnim me zili afendikojt, zonjat e zonjushat e bukura e të mbajtura mirë, që na kalonin përpara gjithë naze. Të tjerë gjithashtu shikonin me nge reklamat e shumta me femra gjysmë të zhveshura ose të zhveshura krejt. Dhe vetiu më vinte ndërmend skica e Migjenit tonë “Mollë e ndalueme”, ku punëtori i papunë endet rrugëve, ndalet e sheh reklamat e kinemasë, artistët e veshur bukur, të gëzuar e të lumtur. E ditë pune asht! Kurse të rinjtë shqiptarë enden grupe-grupe të papunë rreth sheshit Omonia. Pjesë e këtyre grupeve isha edhe unë! Kudo dyqane luksoze, ndërtesa të bukura marramendëse, që nga ato të stileve më të vjetra, deri tek më modernet, gjithë xhama. Ishte viti 1992 dhe në Greqi kishte bollëk. Ndienim aromat ngacmuese të mishrave të pjekur e të kukurecit kudo nëpër lokale, këto përzier me tingujt e këngëve të bukura greke. Tepër grishëse. Kurse, që të hysh në ato lokale, duhen para e, që të kesh para nëpër xhepa, duhet të punosh. Por nuk ishte e  lehtë të gjeje punë! Sidomos aty në sheshin Omonia. Athina kishte hallet e veta, të fitonte sa më shumë dollarë dhe euro nga turistët që vijnë turma-turma e as që na e varte neve shqiptarëve.

Ja ku po vjen një qytetar grek, ndalon makinën e shpejt i sulen të gjithë të papunët, duke shtyrë njëri-tjetrin. Por ai zgjedh vetëm tre punëtorë, i fut në makinën e tij e largohet. Pas pak vjen edhe një tjetër, merr edhe ai dy punëtorë të tjerë e zhduket. Sheshi Omonia gjithnjë plot me shqiptarë të papunë! Ulur nëpër bordura ose në këmbë, duke tymosur duhan papushim, me sytë katër për gjahun e lakmuar, punën!

Kisha dy javë rresht që, bashkë me shokun tim, dilnim edhe ne në sheshin Omonia. Por punë nuk kishte për ne! Dy javë aty ngujuar e asnjë ditë pune nuk kapëm! Kishim dëgjuar shumë në Shqipëri për këtë sheshin e famshëm Omonia, për ëndrrën e shumë të rinjve shqiptarë për të gjetur punë atje. Ja ku isha, bash në kërthizë të këtij sheshi! Bashkë me shokun tim e me dhjetra të tjerë, të gjithë shqiptarë. Sheshi ishte mbushur me të folura shqip, me të shara shqip, të bërtitura shqip, bile edhe me zënnka me grushte shqip, sa që të dukej sikur ai shesh nuk ishte në Athinë, por mu në mes të Tiranës! Dy javë rresht që shkoja aty e kthehesha në shtëpi duarbosh! Ndihesha i dëshpëruar, sepse gjithnjë më dukej vetja si punëtori i papunë i Migjenit.

Të dy me shokun tim, Dinin, jemi tipa që nuk shtyhemi e të grindemi me të tjerët, kështu që mbeteshim gjithnjë të fundit e me gisht në gojë. Në kësi rastesh, më dukej vetja si një qen, por nga ata që mbeten pa ngrënë, sepse lukunia e qenve të tjerë të fuqishëm ta merr riskun nga goja! Mërziteshim, trishtoheshim dhe bluanim në heshtje hallin e punës, por edhe mallin për vendlindjen e për njerëzit tanë që kishim lënë atje. Në telefon u thonim që jemi mirë, se po punojmë nga pak e mos bëheshin merak për ne. Dokrra! Për dreq, po na mbaroheshim edhe lekët e me ato që na kishin mbetur, mund të shtynim, e shumta, edhe katër-pesë ditë. Unë mërzitesha më tepër se Dini e shfryja  herë pas here i pakënaqur.

-Po punojmë nga pak, ë? Si thua?- më thoshte me shaka Dini, por ajo ishte një shaka e hidhur e lakuriqtë e ai më vështronte me çiltërsi, për të më dhënë sadopak kurajë. Por në fakt  morali ynë kishte rënë shumë poshtë.

-Po, po. Dhe po fitojmë goxha dhrahmi! Nesër do të nisim ca në shtëpitë tona!- ia ktheja unë, akoma më hidhur, duke treguar gishtin e madh të dorës përpjetë.   

-Qytet i bukur Athina, s’ke ç’i thua, apo jo?- e vijonte ai pas pak sekondash ironinë.

-E ç’na duhet bukuria e Athinës!- i shfryja unë i mërzitur.- Ne duam punë. Nuk kemi ardhë këtu si turistë, për të shijuar bukuritë e këtij qyteti antik, por kemi ardhë për të fituar para, që t’ia dërgojmë familjes.

Qe muaji tetor e në Athinë bënte shumë vapë. Kudo të binin në sy turistë të moshave e të kombësive të ndryshme, të cilët lëviznin lirshëm e fotografonin pamje të veçanta të qytetit, sidomos nga objektet me vlera historike. Shikonim grupe të rinjsh të huaj, me çanta të mëdha në krahë e me harta nëpër duar, të cilët bridhnin nëpër gjithë Greqinë e flinin ku t’i zinte nata.

Ora kishte kapërcyer dhjetën e dielli i nxehtë të depërtonte deri në tru, kurse ne, gozhdë, po aty! Një pjesë e mirë e punëkërkuesve qenë larguar prej aty pa shpresa, për të ardhë prap ditën tjetër. Prisnim të na vinte dita tjetër! Ose të shkonim ne tek e nesërmja? Kishte akoma tek-tuk ndonjë si puna jonë, që shpresonte se mund të vinte dikush e të kërkonte krahë pune, por kjo ishte hallvë e ftohtë! Një fllad fare i lehtë nga jugu sillte ngrohtësinë magjike të Saharasë.

Dëgjova Dinin që foli:

-Unë po shkoj të rri pak më tutje, për shans, se ndoshta vjen e na kërkon dikush..

Ishte një shaka e hidhur e shokut tim, që nuk na e rregullonte humorin, por në fakt na e shtonte edhe më tepër trishtimin. Sepse morali ynë ato ditë po shkonte gjithnjë e më poshtë.

-Shko, shko,- vijova unë,  po me atë ton si ai,- se ndoshta takon ndonjë plakë e ka nevojë për ne...

Pas këtyre fjalëve, ai vërtet çapiti si nja dhjetë metra më tej, gjeti vend e u ul, mendueshëm, ashtu si unë. Mbeta vetëm. Kur je i papunë, lloj-lloj mendimesh të zymta të sorollaten nëpër kokë. Vetja të duket si njeri i kotë e pa vlerë, madje edhe pa peshë. Aty pranë, në anën tjetër të rrugës së gjërë, e cila vinte në formë harkore, ndodheshin disa kabina telefonike. Të gjitha qenë bërë të papërdorshme: thyer telefonat, sikur t’i kishin kafshuar me dhëmbë, këputur kabllot, vjedhur çelësat, urinuar e hedhur turli mbeturinash. Thuhej se të gjitha këto i kishin bërë shqiptarët. Mundet. Por, ama, po ju them që autobusat e linjës Tiranë-Athinë, që ndaleshin aty afër çdo mbasdite, nuk i grabisnin shqiptarët, por grekët! Banda të rinjsh sulmonin autobusët, sapo ndaleshin në stacion dhe rrëmbenin me dhunë bagazhe të udhëtarëve. Një gjë e tillë kishte ngjallur panik e pasiguri tek udhëtarët, aq sa autoritetet greke qenë të detyruar të caktonin patrulla policësh me motoçikleta, të cilët i shoqëronin këta autobusë deri në stacionin e mbërritjes dhe qëndronin aty, gjersa të gjithë udhëtarët të merrnin bagazhet e tyre e të largoheshin.

Më kishte pushtuar trishtimi i thellë e ndodhesha në gjendje përgjumjeje, as i gjallë, as i vdekur. Një plak i zgjuar në qytetin tonë dikur pati thënë që fukarallëku mund të shfaqet tek njeriu në tri forma: duke folur me vete, duke ecur poshtë e përpjetë kot ose duke fjetur gjumë edhe në mes të ditës. Mua si duket më kishte zënë me këtë formën e tretë! Punë nuk po gjenim dot. Paratë po na mbaroheshin. Me kursime të mëdha mund ta shtynim deri në fund të javës. Tri ditë më parë kishim takuar rastësisht një bashkëqytetarin tonë, i cili kishte emigruar në Greqi dy vjet më parë. Kishte marrë atje edhe gruan me gjithë fëmijë, kishte gjetur punë të mirë, shtëpi dhe ishte sistemuar për bukuri. Ai na ftoi në shtëpinë e tij, por nuk pranuam. Atëhere ai na futi në një lokal e na qerasi. U tregua i gatshëm të na ndihmonte edhe me para. Jo, kundërshtova unë, faleminderit prej teje, por kemi një herë...Por ai, kur u ndamë, ia kishte futur me zor në xhep, pa rënë në sy, shokut tim një kartëmonedhë dhe ne e falenderuam me gjithë zemër atë njeri të mirë.

Makinat shkojnë e vijnë papushim, si milingonat. Athina është qytet i madh, gati me një milion banorë. Do të gjendej edhe për ne dikush të na merrte në punë! Duke menduar në këtë mënyrë, më bëhej sikur nga çasti në çast do të ndalej një veturë e bukur, do të hapej dera e saj e dikush nga brenda do na e bënte me dorë t’i afroheshim. Pastaj ai do na merrte në makinën e tij e do na çonte tek vendi i punës: ja ku e keni punën! Do të bëni llaç e do të ndihmoni ustallarët! Ose: detyra juaj është kujdeseni për stallën e derrave e të kuajve! Ose: ja, do të punoni këtë tokën këtu, pastaj atë parcelën tjetër, pastaj tjetrën..O burra, jepini, të fitoni shumë dhrahmi!

Poshtë sheshit Omonia ndodhet metroja e madhe. Që aty damarët e saj zgjateshin nëpër gjithë qytetin e jashtë tij, në zonat përreth. Mbase edhe ne do të gjenim punë një ditë diku jashtë Athinës, ëndërroja me sy të mjegulluar, dhe do na bjerë rasti të udhëtojmë në këtë metro! Do punojmë e do lodhemi gjithë ditën e ditës, sa të na bjerë bretku dhe në mbrëmje do të kthehemi të shpëlodhim kockat në strehën tonë. Vërtet e vogël, e vjetër dhe e ftohtë, por kishte plot shqiptarë të tjerë që flinin në kasolle plastmasi ose nëpër lulishte! Ditën e parë që kishim ardhë në Athinë, me trenin që vinte në mesnatë nga Selaniku, kisha parë me sytë e mi, rrëzë kodrave në hyrje të kryeqytetit, dhjetra çadra të sajuara me plastmas apo me kartona. Aty jetonin emigrantë shqiptarë! Kurse foleza jonë ndodhej në katin e parë të një ndërtese të vjetër trekatëshe. Ishte krejt e pabanueshme, e braktisur. Vetëm në katin e nëndheshëm morëm vesh që ndodhej një shtëpi publike e vogël, nga ato të rëndomtat. Para dite aty ishte shkretë, kurse pasditeve vinin e futeshin fshehurazi meshkuj të ndryshëm, madje edhe nga ata me makina shumë të shtrenjta! Kurse në mbrëmje aty poshtë llamburisnin dritat shumëngjyrëshe dhe kishte plot vizitorë...

Ndihesha rob i trishtimit. Përpëlitesha e përpëlitesha, të dilja nga ajo vorbull marramendëse, bëja përpjekje të mendoja ndonjë gjë të bukur, por punë që s’bëhej! Ishte njëlloj si të shihje një copëz qiell të kaltër, që del për pak çaste në një mot të zymtë e që po në çast e mbulojnë retë e errta e të trishtuara. Si u katandisëm kështu? Përse të na ndodhte pikërisht neve shqiptarëve ky kalvar i rëndë? Si u bëmë  fundi i botës në mes të Evropës?! Duke sjellë nëpër kokë arsyetime të ndryshme, po gjykoja që ky ishte një fatalitet. Kështu janë të destinuar të gjithë kombet e vogla, më thoshte një ditë një miku im. Por, ja, Zvicra, Luksenburgu, Monako, Malta... Ka plot kombe të tjerë të vegjël nëpër botë që jetojnë shumë mirë. Si u katandisëm në këtë gjendje? Këto pyetje më godisnin si çekan në kokë e në zemër, në gjithë qenien. Në diskutimet me shqiptarë të tjerë aty në Omonia përmendeshin shpesh emra politikanësh e ata shaheshin mes tyre sipas bindjeve politike që kishte secili. Jo, thoja me vete, ky emigracion nuk është pasojë vetëm e këtyre dekadave të fundit. Shqiptarët gjithmonë e kanë përjetuar emigracionin, edhe në kohën e Skënderbeut, edhe në kohën e romakëve, edhe më herët. Edhe në kohën e diktaturës komuniste shqiptarët kanë emigruar, por ky emigrim ka qenë me mendje, me imagjinatë. E përsëri arrija tek filli i mendimeve, që emigracioni i shqiptarëve është një fatalitet, por një fatalitet joabsolut. Ashtu siç është fatalitet që popujt e vendeve më pak të zhvilluara emigrojnë në vendet më të zhvilluara. Edhe italianët e grekët kanë emigruar dikur e vijojnë të emigrojnë në vendet e Amerikës, në Australi e gjetkë. Përse nuk na rastisi fati të jetonim edhe ne shqiptarët, përshembull, në Amerikë, në Gjermani apo në Angli?

Të gjitha këto pyetje të brendshme ma shtonin trishtimin e ma rëndonin qëndrimin në atë vend. Më dukej vetja, ulur aty në bordurë, si një mjeran i braktisur nga të gjithë. Rri, rri sa të duash ulur aty, vdis po deshe, as që na bëhet vonë! Kështu më dukej sikur pëshpëriste ndër veshë e gjithë Athina e bukur. Por më keq akoma bëhesha kur më dukej vetja si ato femrat e gjora që dalin nëpër semafore e shesin trupin e tyre për të jetuar. Edhe ne trupin shesim, gjykoja me dhimbje, madje e shesim mjaft lirë, duke punuar shumë e duke u shpërblyer pak! A nuk është edhe ky një lloj prostituimi modern?

Trullosur në këto mendime të zymta, si nëpër mjegull, më tërhoqi vëmendjen një grua plakë, e cila kishte ndaluar para meje, as dy çapa larg. Qe veshur hijshëm, ndonse mund të ishte mbi shtatëdhjetë vjeç. Po më shikonte me keqardhje dhe pashë që sytë i kishte të përlotur e diçka mërmëriste nëpër dhëmbë. Vura re gjithashtu që ajo plakë zemërmirë futi dorën e saj të fishkur në një çantë të bukur, nxorri diçka prej aty e ma lëshoi me kujdes mes këmbëve! Ishin pesëqind dhrahmi! Si duket më mori për ulok. Ajo më buzëqeshi me dhembshuri  e u largua. Për një çast bota m’u rrotullua përpara syve, diçka sikur m’u këput përbrenda vetes e të gjithë objektet përreth sikur ngrinë, morën trajtë të gurtë! Boboo, ku u katandisëm! U bëmë lypësa! Dhe i vetmi mendim që ma shpoi trurin si turriellë ishte: “Duhet të iki prej këtu! Të iki sa më parë! Sa më parë!”. U ngrita i tronditur e iu afrova shokut tim, Dinit. Ai më hetoi në fytyrë, në sy e më pyeti:

-Ç’ke kështu? Më duket se të ofendoi ajo plaka?

Fjalët e tij m’u dukën më të hidhura se pelini e më të rënda se pesha e trupit. Ato ma shtuan edhe më tepër dhimbjen e trishtimin.

-Jo, më keq akoma, më pandehu lypës,- iu përgjigja.- Më dha lëmoshë pesëqind dhrahmi!

-Plakë matufe!- tha duke qeshur shoku.- Të paktën të të jepte nja pesëqind dhrahmi, do t’ia bënim hallall!

Por shakatë e tij nuk mund të më qetësonin dot në ato çaste. Isha i mbushur i gjithi me vrer. Të më vrisje, një pikë gjak nuk do më dilte! Atëhere  thashë diçka që e çuditi atë:

-Unë do të kthehem në Shqipëri!

Shoku im m’i nguli sytë gjatë, pastaj nguli këmbë të rrinim e të prisnim edhe ca ditë, por unë e kisha të domosdoshme të ikja një orë e më parë nga ai vend. Fakti i të qenit lypës më tmerronte, më çmendte.

Po atë mbasdite u interesova, bleva një biletë e në orën dhjetë të darkës ia hypa autobusit të linjës Athinë-Tiranë. Kur po udhëtonim nëpër rrethinat e kryeqytetit grek, ku rruga vinte pak në ngjitje, m’u shfaqën dritat e shumta si yjet në qiell vere, bregu i detit si një hark i zjarrtë, ku Athina e Pireu ishin bashkuar e bërë një. Mora frymë me gjithë mushkëritë e, duke  i kthyer kurrizin Athinës, pyeta veten ashtu kot, si budalla:

-Bota ecën përpara. Po ne?

 

2.   Tri minuta i kamur    

                                                   --------------------------------                                                                                        

I mërzitur në kulm nga vapa, por edhe nga një dhimbje e ngeshme koke, që nuk po më ndahej prej dy ditësh, po prisja autobusin urban aty pranë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, e cila të çon për në Kombinat. Njerëzit e shumtë që prisnin aty bashkë me mua, boritë e çmendura të makinave varg njëra pas tjetrës, kalimtarët që shkonin e vinin papushim, shitësi i bananeve, fare pranë meje, të gjitha këto i kisha jashtë vëmendjes sime në ato çaste. Sytë e mi rastësisht qenë përqendruar vetëm tek një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i parruar prej disa ditësh, sykuq si pijanec i thekur, veshur me rroba pune, diçka si xhinse dukeshin, por zhuli i kishte mbuluar kudo. Por vura re që edhe për atë njeri çdo objekt rretheqark sikur nuk kishte vlerë, madje edhe unë vetë isha jashtë orbitës së syve të tij. Ai i qe afruar gati ngjitur një nuseje të veshur shik, e cila mbante nën sqetull pa kujdes çantën e saj, që zinxhirin çuditërisht e kishte harruar të hapur! Buzëkuqe, veshur me gjëra të shtrenjta, ajo të jepte përshtypjen e një gruaje mendjelehtë, por të kamur. Ai burri i parruar prej ditësh, nga që njerëzit aty u shumuan, me shumë kujdes iu ngjit asaj nga prapa, si për të thënë që ka raste kur pasuria e varfëria nganjëherë mund të rrinë edhe pranë e ta pranojnë njëra-tjetrën. Duke parë këtë miniskenë, mendova: kur një i varfër i ngjitet nga pas një zonje, çfarë mund të ndodhë? Në fillim pandeha se ai i qe qepur asaj si mashkull e të dy, pa rënë në sy, po shkonin të takoheshin diku. Por jo, se ai nuk dukej nga ata tipa. Atëhere sytë e mi rrëshqitën tek duart e burrit të parruar. Ato duar ose do t’i zgjateshin nuses së bukur për lëmoshë, ose..ose..Por hamendjet e mija nuk zgjatën shumë. Vura re që dora e tij e djathtë u fut tinëzisht e me shumë shkathtësi në çantën e bukuroshes dhe aty peshkoi një kartmonedhë! Më pas ai po tinëzisht u tërhoq pak më prapa dhe e këqyri me vëmendje kartëmonedhën e grabitur: ishte një dyqindlekëshe. Të them të drejtën, nuk më bëri shumë përshtypje ajo skenë, nuk u revoltova, as nuk reagova fare. Për shumë arsye, por kryesorja ishte kjo: si mund ta quaja vjedhje e të dënoja një njeri që të merr apo të rrëmben diçka, quajeni si të doni, sa për të mbushur barkun e vet apo të  kalamajve të tij? Sepse ai i kishte mundësitë të vidhte edhe më tepër në atë çantë, gati të hapur krejt, mund t’i rrëmbente të gjitha paratë që mund të gjendeshin aty, pa kuptuar gjë fare ajo bukuroshe mendjelehtë. Kurse ai, rrëmbyesi i kartëmonedhës, nuk veproi ashtu, por u mjaftua vetëm me atë dyqindlekëshe! Me pak fjalë, mund të quhej në një farë mënyre, një vjedhës xhentil, zemërmirë. Vjedhës i vërtetë është ai që vjedh sa i zënë duart e në këtë mënyrë dëshiron që të pasurohet sa më shumë! Pastaj i thashë vetes: po sikur vetë ajo grua t’i ketë lënë çantën hapur atij tjetrit prapa, në mënyrë që ai të marrë ndonjë lek, sa për të mbushur barkun?

Nuk reagova fare dhe po e këqyrja fshehurazi vjedhësin e mirë, duke ndier keqardhje për të, kur ia mbërriti autobusi i linjës. Njerëzit, si gjithnjë, u sulën në rrëmujë, kush e kush të hypte më parë, siç e kumi zakon ne shqiptarët, dhe unë i harrova për ca çaste dy personazhet e mi. Por ja që e shoh prap të parruarin, vjedhësin, vjedhësin me zemër të mirë, i cili nuk ia kishte vjedhur të gjitha paratë gruas së bukur në çantë, por i kishte marrë fshehtas vetëm një dyqindlekëshe! Tek dritarja, në fund të autobuzit, ai po mbllaçiste një hamburger. Në njërën dorë mbante hamburgerin, kurse me tjetrën shkëpuste prej tij kafshata të vogla, si të ishte fëmijë, dhe ato në çast zhdukeshin në gojën e tij si shpellë. Pastaj shtonte diçka pas kafshatës, një të prerë patateje apo domateje dhe nofullat i rrotulloheshin aq dukshëm, sikur kishte futur në gojë të gjithë paninen. Oh, përtypej  shpejt, dukej tmerrësisht i uritur. Uria i lexohej në çdo centimetër të fytyrës, në gjithë qenien e tij. I uritur në të ngrënë, i uritur në veshje, i uritur për gëzime në jetë. Isha në një pozicion që ai nuk më vinte re, kështu që po e këqyrja me vëmendje ritin e tij: fut një kafshatë të vockël nga paninja, e shoqëronte atë me një të prerë patate ose domate dhe kështu një herë, dy, tri..Pas këtyre, zinte e lëpinte gishtat. Këtë punë e bënte me shumë nge. Dikur vura re që në mes të panines kishte edhe një rrotëz të hollë sallami, por atë ai nuk po e prekte fare. Me siguri, thashë me vete, atë rrotëz sallami ai nuk do ta hajë, por do ta mbledhë në një copë letër e do ta çojë në shtëpi. E vështronte shpesh atë risk sallami, me sy nepsqarë, por kurrësesi nuk e prekte me duar.

Autobusi ndaloi, por unë nuk zbrita aty ku e kisha shtëpinë. Jo se nuk desha, jo se e bëra enkas, për të ndjekur atë lypës enigmatik, por, i dhënë pas gjesteve të tij, harrova të zbrisja. Sepse me sy e me mendje tashmë isha tek i urituri, tek paninja e tij, që po zvogëlohej pak nga pak, tek feta e sallamit të paprekur fare, tek gishtat e tij të palarë, të cilëve herë pas here ua lëpinte vajin, tek nofullat e tij që uleshin e ngriheshin, tamam si forxhet e kovaxhëve.

Më në fund konstatova që panines i erdhi fundi. Nga vështrimi i syve të tij të trishtuar unë e kuptoja dëshirën e atij njeriu, që ajo panine të mos mbaronte, që ajo të zgjaste e të zgjaste me orë të tëra. Kurse në fakt kishte zgjatur gati dhjetë minuta. Medet, kishte mbetur vetëm kafshata e fundit. Ia nguli një herë sytë asaj gjithë pangopësi, pastaj e kollufiti edhe atë, pasi e fshiu mirë e mirë nëpër gishtat e yndyrosur. Tashmë atij i kishte mbetur në dorë vetëm rrotëza e vogël e sallamit, gjithnjë e paprekur fare. Epo, tashti, thashë me vete, tashti do ta fshehë me marifet, që të mos bjerë në sy të njerëzve, atë risk të hollë sallami, për t’ua çuar fëmijëve a gruas në shtëpi. Vura re prap që ai bëri  një pushim të shkurtër dhe e mbajti sallamin përpara syve. O zot, si po e vështronte! Sytë i shndrisnin, u përcuall dukshëm dhe e preku fetën e sallamit me gishtat e dorës tjetër, ashtu siç bëjnë vajzat e vogla, kur kanë një kukull të bukur në duar. Pastaj fytyra e tij u err shpejt e ai  hodhi një vështrim të egër nga njerëzit në autobus. Sa të hapësh e të mbyllësh sytë, rrotëza e sallamit përfundoi në gojën e tij shpellë! M’u duk veprim i çuditshëm ky, kurse fytyra e tij, për herë të parë përgjatë gjithë atyre minutave, u çel, u çlirua nga tendosja e gjatë, si dhe nga ndrojtja për praninë e gjithë atyre njerëzve aty. Të ishte në ndonjë qoshe i vetëm, me siguri do ta shijonte më mirë, në një kohë më të gjatë, atë ngrënie. Po përtypej ngadalë, fare ngadalë, sikur të dëshironte që koha e përtypjes së asaj kafshate mos i mbarohej kurrë. Akoma duke u përtypur, ai u kthye i gjithi me trup nga brenda dhe e gjithë qenia e tij në ato çaste rrezatonte qetësi, lumturi. Dukej njeriu më i lumtur në botë. Si i përtypi edhe çikëzat e fundit të sallamit, me krenari e dinjitet, fshiu buzët me letrën e hollë që kishte mbajtur paninen, pastaj e flaku atë poshtë me gjest të kamuri. Eh, në ato tri-katër minuta, ai njeri ndihej vërtet i lumtur, i kamur, fodull!

A thua, kështu i bën të gjithë njerëzit kamja?! Po skamja, çfarë të bën? Kjo jetë është si rebus!

 

3.   Pantonimë

                                                   --------------------------------                                                                                        

Ai është instaluar me trup e me sy përpara televizorit, i zhytur rehat-rehat në kolltukun e kadifejtë me këmbë fare të shkurtra. Po ndjek pa vëmendje sekuencat në ekran. Lajme nga vendi e nga bota, emision i përditshëm, apo i triherëditshëm. Ose dhe katër e pesë herë. Suksese në ekonomi, në ruajtje rendi, në pjellje fëmijësh, në prodhime bostani, kungujsh e trangujsh, turizëm, aq shumë, sa po e arrijmë dhe po ia kalojmë botës... Bukuri. Vrasje me pagesë, pa pagesë, aksidente, shpërthime tritoli me dhe pa qëllim të keq, vjedhje, ikje e keqbërësve në drejtim të paditur.. Pastaj janë lajmet e jashtme. Ne e duam Evropën, por Evropa nuk na do ne! Plot samite paqeje, marrëveshje për krizat, fatkeqësi natyrore, ndotje mjedisi, sfilata mode në Paris, Milano, Londër, Njujork, Tiranë...

Esat F. sapo është kthyer nga puna, i lodhur e i sfilitur. Edhe i uritur. Ai po shikon sekuencat në ekran duke  mbllaçitur një krendviç të gjatë. Ashtu, thatë, se buka i është mbaruar. Frigoriferi është pothuaj bosh. E gjithë qenia e tij duket sikur ndodhet aty krejt rastësisht e nuk po i bën përshtypje asgjë.Vetëm sytë, ata marrin pjesë në ekran. Shqisat e tjera e sidomos mendja, nuk dihet se ku janë shpërndarë. Veshët seç dëgjojnë ca zhurma kakofonike, acaruese, që vijnë nga jashtë. Hunda diçka i nuhat nga ana e majtë, ku ndodhet aneksi i gatimit e një tenxhere e vogël, mbushur me groshë, po zien, me atë zburmën monotone dhe aromën e saj karakteristike. Goja, oh, goja është e zënë edhe ajo me punët e veta. Duart, eh, duart janë shërbëtore të gojës. Ato kanë për detyrë t’ ia sjellin krendviçin, sapo ajo hapet pangopësisht.

..Luftë në filan vend, aq të vrarë e kaq të plagosur. Shitje e blerje armësh nga të gjitha anët! Aksident ajror mbi oqean. Puthje presidentësh, tufane të frikshëm, me lloj lloj emrash, nudo artistesh...Vidhet një dyqan argjendarie në kryeqytet..Përmbytet nga shirat veriu i vendit..Diku ka shpërthyer një vullkan e llava e tij ka sjellë shumë të vdekur...Zjarre masive nëpër gjithë botë. Ikje masive e të rijve në Angli, në Gjermani...Një burrë i moshuar kapet nga policia, sepse përdhunonte një vajzë minorene...

Kurse shqisat e tjera kanë interesat e tyre. Vetëm sytë janë ngulur aty në ekran si gozhdë dhe po kqyrin si dy fëmijë binjakë, të cilët shtrihen krejt në tapetin mbi dysheme, për të parë e riparë edhe ata përrallëzën e tyre të preferuar në televizor. Njëra këmbë e tij rri përgjumshëm, kurse binjakja e saj, tip krejt tjetër, tundet ritmikisht me alegri, por me shumë kujdes, që mos të mërzisë simotrat e saj. Kurse mendja, si mendja! Ajo si duket e ka braktisur krejt folenë e saj, kokën, dhe ka fluturuar diku si një flutur mendjelehtë.

Reklama: ushqimet që duhen përdorur për stinën, ilaçe për t’u dobësuar, tipa makinash luksoze, më tej oferta të çmendura për internetin e për celularët.Aktorë të Hollivudit, të cilët divorcohen e prap ririmartohen. Banorë të vendeve të Afrikës që vdesin nga uria. Evropianët blejnë ushqime të zgjedhura për qentë...

...Qytetari Esat F.  mbllaçitet e sikur është ngrirë, me bythën si të ngjitur me mastiç aty në kolltuk. Me sytë në ekran. Sekuencat aty ndrrojnë ngjyrë e formë çdo çast. Ndryshojnë ton. Ca lëmshe fjalësh të shpërndara me shpejtësi, si në një kasetë që i është prishur shiriti. Më e ndjeshmja, por dhe më nazikja nga të gjitha, hunda, ka  marrë drejtqëndrim, si e tromaksur, aq sa, kur lëviz pak ajo, sikur lëviz e gjithë kafka e kokës. Dhe nga ky tërmet i vockël në kokë, ai gabimisht fut gishtin në gojë, në vend të krendviçit! E kafshon atë fort, siç bën çdo njeri me një mall që nuk e ka të vetin! Befas ndien dhimbje të fortë dhe lëshon një rënkim të shurdhët:

-Uffff!- dhe diç shan nëpër dhëmbë.

Shqisat e tjera as që deshën t’ia dinë për gishtin. O Mete, për vete! Secila prej tyre ka hallet e veta. Është koha e ekonomisë së tregut! Indiferentizëm kombëtar, madje botëror!

Partitë politike në vend po grinden si në teatër. Emigrantë shqiptarë që janë kthyer kokulur përfundimisht nga Greqia, Italia apo Dubai për shkak të krizës. Po i kthejnë edhe nga Anglia e Gjermania ata që kërkojnë atje strehim politik! Festivali i këngës magjike, më luksoz se ai i San Remos...Sot Shqipëria renditet në vendin e 63-të të FIFA-s në futboll, kurse në korrupsion është ndër vendet e para në botë.. Presidenti amerikan ka ftuar për takim  udhëheqësin e Koresë komuniste Kim Jong!...

Llapat e veshëve tunden vetiu. Tashti, në pozicion për të parë nga ekrani, edhe hunda është futur mes dy syve. Siç futet një i tretë mes dy fëmijëve në një kolltuk dyvendësh. Por bezdia sikur u përcuall në gjithë trupin e njeriut përpara ekranit e ky lëvizi pak i nervozuar. Ashtu, tutkun,vetëm me sy e me hundë nga sekuencat në ekran. Mirëpo, duke mbllaçitur, befas pati përshtypjen që sytë i dogjën pak, kurse hunda iu rrudh. Madje iu duk sikur në ato çaste vetmie dëgjoi rrahjet e zemrës së vet! Ato qenë të shpeshta, qenë si bubullima brenda krahërorit. Goja sikur qe mërzitur nga mbllaçitjet e shpeshta dhe dora priste me sekonda të tëra e paduruar duke mbajtur krendviçin. Por mendja kishte fluturuar mendjelehtësisht e kështu goja mund të bënte çfarë t’i donte qejfi! Ashtu si shqisat e tjera, ajo e la krendviçin të priste dhe lakmoi thoin e gishtit të vogël. E brente atë çika-çika e as që i bëhej vonë ç’donin shqisat e tjera motra e vëllezër. Vetëm zemra e sëkëlldisur s’di përse iu gërmush këmbës, që mos të tundej më ashtu, se e shqetësonte.

Në ekran, figura shumëformëshe, shumëngjyrëshe. Politikanë që kanë trashur qafat. Ata duken si karikatura. Sivjet ka ullinj me bollëk. Në Dubaj po ndërtohet një  pallat njëqindepesëdhjetëkatësh! Rikthehet çështja e gjyqit të Gërdecit, pas shumë vjetësh! Do të hapen edhe dosje të tjera...Nëpër furrat e bukës e në dyqanet ushimore shtohen e shtohen listat e personave që marrin veresije..Krijohet edhe një parti tjetër. Jo një, por dy ose tri...Shqipëria lulëzon buzë Adriatikut..Jepen shifra me miliona e thuhet se jemi vendi i parë në botë me numër më të madh turistësh! Në ekran duket një burrë rreth pesëdhjetë vjeç, me mjekërr të parruar prej shumë ditësh, në kokë ka një kasketë, së cilës nuk i kuptohet ngjyra, prej zhulit. Ka veshur një xhup të tipit rus apo kinez, nga ata që janë të mbuhur në anën e brendshme me fara pambuku e po dëgjon në një radiotransistor një këngë të Luçiano Pavarotit. Por nuk i pëlqen ajo këngë, i hapet goja për gjumë. Shpejt ndërron stacion dhe antenat e veshëve i kapin një këngë për udhëheqësin e vendit...Rrofsh e qofsh, or tungjatjeta..Pa vetëdije njëra këmbë, brenda këpucës së vjetër, që i është hapur goma e gjitha poshtë në taban, zë e tundet sipas ritmeve të këngës, kurse në sytë e tij çuditërisht rrjedhin lotët. Po e dëgjon në ekstazë atë këngë. Pastaj nga transistori dëgjohen tingujt e një kënge ruse për Stalinin..O udhëheqësi jonë..ti je brenda zemrave tona..Dhe dëgjuesi i radios përsëri nuk i mban dot lotët. Pas saj dëgjohet një këngë kineze që i kushtohet Mao Ce Dunit..Mao, Mao, të gjithë me ty..ti nuk ke vdekur..të gjithë të duam..Dhe lotët në sytë e dëgjuesit me xhup rrjedhin rrëke! Si duket ka dobësi për diktatorët!..

..Veshët kanë ulur kokat e duken si të fishkur, si të përgjumur. Mirëpo ja ku vjen çasti kur zhurmat e lajmeve e të reklamave dhe tonet e muzikës në televizor rriten, aq sa tërheqin vëmendjen e tyre. Shpejt ata marrin drejtqëndrim si antena satelitore e duket qartë që edhe ata janë bërë nervozë. Edhe goja tashmë është drejtuar nga ekrani, a thua do t’i vijë prej andej ndonjë gjë për të ngrënë. Edhe duart, edhe këmbët, me drejtim nga ekrani, ku figurat e zërat përzihen në një mënyrë të tmerrshme, trullosëse e sikur t’i gërryejnë zorrët e barkut! Të gjitha shqisat tashmë janë të pranishme e me vështrim nga ekrani. Siç ndodh me një grup fëmijësh që mblidhen kruspull në heshtje për të parë një film të frikshëm. Njeriu, zot i këtyre shqisave, e lë për një çast gojën të punojë për hesap të vet, por ashtu si gurët e mullirit, pa bluar gjë. As krendviç më, as gishta, as thonj. Oh, të gjitha shqisat janë bërë të ndjeshme me ekranin. Sidomos sytë. Ata sikur janë zvogëluar së tepërmi brenda zgavrave të tyre e po shkëndijojnë si dy thëngjij. Goja përtypet, por nuk ha krendviç, as gishta e as thonj. Esat F. duket se po ha veten. Një si shije pa shije sikur iu ngjit nëpër fyt e pastaj zbriti rrokapjekthi nëpërmjet ezofagut brenda në trup. Edhe shqisat e tjera befas sikur morën jetë, u organizuan dhe tashmë kanë një kah, ekranin. Edhe mendja sapo është kthyer nga fluturimi në folenë e saj. Ajo u shkund fort nga ato që pa e dëgjoi në ekran dhe e gjithë kafka e kokës u lëkund rëndë. Ishte si një tërmet në kokë! Të gjitha shqisat e tjera u tmerruan, u hallakatën e u përplasën me njëra-tjetrën. Lëkundja e alarmi rrëshqitën nëpër fyt e bënë të dridheshin të gjithë organet e brendshme: zemra rrahu me kolpa të forta, sytë shkrepëtinë si rrufe, dhëmbët u shtrënguan fort, deri në kërcëllitje, këmbët u tendosën në mënyrë inatçore për të ecur diku përpara, kurse duart e humbën një çast kontrollin. Mjaft më si shërbëtore të mendjes e të gojës! Befas ato, të rrebeluara, u drodhën si nga një rrymë e fortë korenti, pastaj u sulën e kapën aty pranë ç’gjetën, një tavëll duhani të qelqtë, dhe e flakën drejt ekranit, duke e thyer atë në dhjetra e qindra pjesë. Pas këtij shpërthimi, qetësi, si në një vdekje. Copërat e xhamta të ekranit qenë shpërndarë kudo nëpër dhomë e të ngjallnin trishtim. Esat F. i vinte të qante, duart akoma i dridheshin, sikur qenë të gatshme të thyenin e të thyenin diçka akoma. Por ai e ndiente që këto thyerje nuk po e qetësonin. Pastaj atë çuditërisht e pushtoi një ndjenjë keqardhjeje për ato copëra të thyera me forma nga më të çuditshmet. Por ai e dinte: kjo nuk ishte një keqardhje thjesht për ato copëra të thyera. Një thyerje tjetër kishte ndodhur brenda tij, diku në tru a në zemër.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page