Begzad Baliu: ROMANI I KUJTESËS SË PLAGOSUR
- 12 minutes ago
- 30 min read

ROMANI I KUJTESËS SË PLAGOSUR, I IDENTITETIT TË DYSHUAR DHE I LIRISË SË PAPËRFUNDUAR
I. Historia, kujtesa dhe formimi i identitetit
Romani Iliriana i shkrimtarit Reshat Sahitajt ndërtohet në ndërthurjen e romanit politik, romanit të kujtesës, prozës dëshmuese dhe romanit psikologjik. Këto përcaktime nuk duhen kuptuar si etiketime të jashtme zhanrore, por si forma plotësuese të organizimit të lëndës narrative. Demonstratat e vitit 1981, burgosjet politike në Jugosllavi, diferencimi ideopolitik, represioni policor, përkeqësimi i pozitës së shqiptarëve në fund të viteve tetëdhjetë, helmimet e nxënësve, pluralizmi politik, lufta, ndërhyrja ndërkombëtare dhe realiteti i pasluftës krijojnë boshtin historik të veprës. Megjithatë, historia nuk mbetet sfond i një biografie private, por ndërhyn drejtpërdrejt në jetën e protagonistit, duke vepruar mbi identitetin, trupin, marrëdhëniet dhe kujtesën e tij. Pikërisht në raportin ndërmjet historisë kolektive dhe biografisë individuale qëndron një nga nyjat themelore të romanit.
Agim Berisha jeton vazhdimisht ndërmjet dy versioneve të vetvetes: biografisë që ai njeh dhe përjeton si të tijën dhe biografisë që institucionet, grupet politike dhe opinioni ndërtojnë për të. Arrestimi e shndërron nga individ me një histori personale në objekt të interpretimit politik dhe, që nga ai çast, ai nuk është më vetëm ajo që beson se është, por edhe ajo që pushteti, të burgosurit, komuniteti dhe, më vonë, kujtesa publike thonë se është. Referenca ndaj Jean-Paul Sartre-it në prolog merr këtu funksionin e vet interpretues: ajo paralajmëron mospërputhjen ndërmjet qenies së përjetuar dhe identitetit të atribuuar. Për pushtetin Agimi është irredentist; për një pjesë të të burgosurve bëhet spiun; për familjen është biri i kthyer nga burgu; në jetën intime është dashnor, bashkëshort dhe baba. Në këtë kuptim, Iliriana mund të lexohet si roman i biografisë së kontestuar, ku liria fizike nuk përputhet domosdoshmërisht me lirinë e subjektit, sepse qelia mund të hapet, ndërsa identiteti i prodhuar brenda saj vazhdon ta ndjekë individin.

Kjo problematikë lidhet organikisht me mënyrën e pazakontë me të cilën Agimi hyn në histori. Ai nuk paraqitet si revolucionar i formuar, organizator politik apo militant i pajisur me një program ideologjik. Kontakti i tij vendimtar me ngjarjen historike nis nga një motiv privat: tërheqja ndaj vajzës së veshur kuq e zi. Kjo rastësi biografike me pasoja historike krijon paradoksin themelues të veprës. Për Agimin, figura femërore është fillimisht bukuri dhe dëshirë; për aparatin shtetëror, hyrja e tij në turmën demonstruese është akt politik; për biografinë e tij, ky çast bëhet kufiri ndërmjet jetës së mëparshme dhe asaj që do të vijë. Historia e përfshin në mekanizmin e saj përpara se ai ta kuptojë plotësisht atë dhe, pikërisht për këtë arsye, protagonisti largohet nga modeli monumental i heroit kombëtar.
Agimi është më bindës si personazh pikërisht sepse mbetet kontradiktor dhe i papërfunduar. Ai kërkon besnikëri absolute në dashuri, ndërsa vetë nuk sillet gjithmonë sipas të njëjtit kod; mund të jetë narcizist dhe egoist, por edhe i ndjeshëm dhe i aftë për përgjegjësi; frikësohet, tërhiqet dhe dyshon, por në rrethana të tjera dëshmon qëndrueshmëri. Ndërmjet Agimit të fillimit dhe atij të fundit nuk kemi vetëm kalim kronologjik, por një proces të gjatë riformimi të vetëdijes. Demonstrata, burgimi, etiketa e spiunit, dashuria, familja, dhuna dhe paslufta krijojnë shtresa të njëpasnjëshme të identitetit të tij. Ai bëhet i burgosur politik pa qenë militant i organizuar, i dyshuar për spiunazh pa spiunuar, viktimë që për një kohë nuk arrin ta artikulojë viktimizimin, bashkëshort, baba dhe dëshmitar. Fati i tij përftohet nga tensioni ndërmjet identitetit që përpiqet të ndërtojë dhe roleve që historia i imponon.
Në këtë perspektivë, demonstratat e vitit 1981 kryejnë një funksion të dyfishtë: janë ngjarje historike konkrete dhe njëkohësisht skena themeluese e biografisë së protagonistit. Perspektiva e kufizuar e Agimit krijon një shpërpjesëtim estetikisht produktiv ndërmjet perceptimit individual dhe domethënies historike të ngjarjes: Agimi sheh një vajzë; aparati shtetëror sheh një demonstrues. Ai ndjek një figurë femërore; pushteti regjistron një kundërshtar politik. Nga ky shpërpjesëtim lind ironia tragjike e romanit: një motiv privat prodhon pasoja publike, një zgjedhje e çastit shndërrohet në biografi, ndërsa një hyrje pothuajse rastësore në turmë prodhon burgim, etiketim dhe një kujtesë që do ta ndjekë për dekada. Kështu, Iliriana e ndërton kalimin nga rastësia biografike te domosdoshmëria e fatit historik, duke e paraqitur historinë jo vetëm si vepër të atyre që hyjnë në të me mision të vetëdijshëm, por edhe si forcë që kap individin dhe ia ndryshon përfundimisht jetën.
II. Burgu, dyshimi dhe prodhimi i identitetit

Në episodet e burgut, Iliriana arrin një nga përqendrimet e veta më të fuqishme psikologjike dhe sociopolitike. Burgu nuk paraqitet vetëm si hapësirë e privimit fizik të lirisë, por si mekanizëm që prodhon, imponon dhe deformon identitete. Hetuesia nuk kërkon thjesht të zbulojë çfarë ka bërë Agimi, por ta përfshijë atë në një skemë të parapërcaktuar: ai duhet të jetë pjesëtar i një celule ilegale, duhet të ketë bashkëpunëtorë dhe duhet të fshehë emra. Në këtë mënyrë, institucioni nuk kërkon domosdoshmërisht të vërtetën e individit, por ndërton një identitet politik sipas logjikës së vet represive.
Brenda komunitetit të të burgosurve zhvillohet një proces i kundërt në përmbajtje, por i ngjashëm në strukturë. Nëse pushteti dyshon se Agimi është militant që fsheh veprimtarinë e tij, disa të burgosur fillojnë ta shohin si bashkëpunëtor të administratës. Ai gjendet kështu ndërmjet dy sistemeve armiqësore të interpretimit: njëri e lexon si kundërshtar më të rrezikshëm sesa pranon vetë, tjetri si spiun më të fshehtë sesa duket. Në të dy rastet, mekanizmi themelor është dyshimi, ndërsa prova zëvendësohet nga interpretimi i shenjave, sjelljeve dhe rrethanave.
Kjo përbën një nga vëzhgimet më të rëndësishme sociopsikologjike të romanit. Represioni nuk vepron vetëm vertikalisht, nga institucioni mbi viktimën, por edhe horizontalisht, duke prodhuar mosbesim ndërmjet vetë të shtypurve. Mirësjellja e një gardiani mund të interpretohet si privilegj, mungesa e torturës në një çast të caktuar si provë bashkëpunimi, ndërsa një thirrje në zyrën e hetuesit si dëshmi e një lidhjeje të fshehtë me pushtetin. Në një regjim të tillë interpretimi, pafajësia bëhet pothuajse e pamundur për t’u dëshmuar, sepse çdo përpjekje për ta pohuar atë mund të lexohet si maskim më i sofistikuar i fajit.
Etiketa “spiun” bëhet, për rrjedhojë, një nga motivet qendrore të veprës dhe një formë e qartë e dhunës simbolike. Në çastin kur grupi e pranon këtë emërtim, personi konkret fillon të zëvendësohet nga reputacioni i prodhuar për të. Agimi nuk gjykohet më sipas sjelljes së tij reale, por sipas identitetit që të tjerët ia kanë atribuuar. Edhe nëse akuza nuk mbështetet në fakte, pasojat e saj janë reale: përjashtimi, vetmia, humbja e besimit dhe pamundësia për t’u njohur nga komuniteti ashtu siç ai e njeh vetveten. Pikërisht këtu burgu fizik dyfishohet nga një burg simbolik: qelia ka mure të dukshme, ndërsa burgimi përmes reputacionit vazhdon edhe pasi dera e burgut hapet.
Tentativa për vetëvrasje e çon këtë proces në skajin e vet psikologjik. Ajo nuk është vetëm shenjë depresioni, por pika ku gjykimi i të tjerëve depërton aq thellë në vetëdijen e protagonistit, sa shndërrohet në vetëshkatërrim. Agimi arrin të mendojë se vetëm vdekja mund ta provojë pafajësinë e tij. Paradoksi është i skajshëm: për të dëshmuar se nuk është ai që të tjerët thonë se është, duhet të pushojë së ekzistuari. Në këtë mënyrë, dhuna institucionale dhe përjashtimi shoqëror bashkohen në psikikën e viktimës, ndërsa sistemi arrin ta zhvendosë represionin nga trupi te vetëdija.
Për këtë arsye, burgu në Iliriana funksionon si model i reduktuar i një shoqërie të sunduar nga dyshimi, etiketimi dhe prodhimi i autoritetit. Brenda tij shfaqen që herët mekanizma që romani do t’i rikthejë më vonë në periudhën e pasluftës: përjashtimi, prodhimi i armikut, hierarkia e ndërtuar mbi biografinë politike dhe përdorimi i reputacionit si kriter gjykimi. Në këtë kontekst duhet parë edhe figura e Albinit, i cili në burg gëzon kapital simbolik si i dënuar politik dhe kundërshtar i regjimit. Agimi e percepton fillimisht me respekt dhe një ndjenjë inferioriteti, ndërsa vetëm më vonë romani do të vërë në pikëpyetje barazimin ndërmjet vuajtjes politike dhe epërsisë morale.
Kështu, funksioni i burgut në roman mund të përmblidhet në tri nivele të ndërvarura: represioni fizik, prodhimi institucional i identitetit dhe përjashtimi simbolik nga komuniteti. Në këtë hapësirë formohet matrica psikologjike që do ta shoqërojë Agimin gjatë gjithë veprës. Ai del nga burgu fizikisht i lirë, por jo i çliruar nga dyshimi, reputacioni dhe nevoja për të dëshmuar se kush është. Pikërisht ky dallim ndërmjet daljes nga qelia dhe çlirimit të identitetit bëhet një nga boshtet më të qëndrueshme të Ilirianës dhe një nga lidhjet më të rëndësishme ndërmjet përvojës së burgut dhe problematikës së mëvonshme të “vetëokupimit”.
III. Leximi, dashuria dhe formimi i subjektit
Një nga tiparet më të qëndrueshme në ndërtimin e Agim Berishës është marrëdhënia e tij me librin. Leximi nuk shërben si element dekorativ i karakterizimit dhe as vetëm si shenjë e formimit universitar të protagonistit, por si një nga mënyrat themelore përmes të cilave ai përpiqet të kuptojë veten, njerëzit dhe realitetin historik. Në çaste të ndryshme të romanit, literatura bëhet një hapësirë e dytë ekzistence: Agimi largohet përkohësisht nga realiteti përmes saj, por njëkohësisht rikthehet tek ai me modele, analogji dhe pyetje të marra nga librat. Në këtë kuptim, ai nuk është thjesht një personazh që lexon, por një subjekt që e interpreton jetën përmes leximit.
Kjo marrëdhënie bëhet veçanërisht e dukshme në mënyrën se si ai ndërton përfytyrimin e dashurisë. Penelopa shndërrohet në masë të besnikërisë, Romeo dhe Xhulieta në model të dashurisë absolute, ndërsa personazhe të tjera letrare i shërbejnë si paradigma për krahasimin e jetës së vet sentimentale. Pikërisht këtu romani krijon edhe një ironi të dobishme në karakterizimin e protagonistit: Agimi kërkon te gruaja një besnikëri pothuajse mitike, ndërsa vetë, sidomos në rini, nuk sillet sipas të njëjtit kod moral. Literatura, pra, nuk e idealizon atë; përkundrazi, nxjerr në pah distancën ndërmjet idealeve që ai admiron dhe sjelljes që ushtron.
Pas burgut, funksioni i leximit bëhet edhe më i rëndësishëm. Kur marrëdhëniet shoqërore janë dëmtuar nga dyshimi, përjashtimi dhe izolimi, personazhet e librave fillojnë të zëvendësojnë pjesërisht njerëzit realë. Leximi i Donit të qetë merr rëndësi pikërisht sepse fati i Grigorit, frika e të tjerëve për ta strehuar dhe represioni që e rrethon i japin Agimit një model për të kuptuar vetminë e vet. Kështu krijohet një marrëdhënie e dyanshme ndërmjet jetës dhe letërsisë: përvoja ndihmon në leximin e librit, ndërsa libri kthehet në instrument për interpretimin e përvojës. Në burg, ky funksion thellohet edhe më shumë, sepse leximi bëhet një formë e autonomisë së vetëdijes përballë sistemit që kontrollon trupin, lëvizjen dhe komunikimin.
Pikërisht për këtë arsye konflikti me Albinin rreth librit ka rëndësi më të madhe sesa vetë episodi. Ai dramatizon dy mënyra të kundërta të të menduarit: njërën që e përcakton tekstin përmes etiketës ideologjike dhe tjetrën që kërkon ta ndajë aktin e leximit nga identifikimi automatik me doktrinën e autorit. Në logjikën e Agimit, të lexosh Marksin nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh komunist, sikurse leximi i një autori kombëtar nuk është vetvetiu provë patriotizmi. Kjo e bën protagonistin një lloj intelektuali të papërshtatshëm për mjediset që kërkojnë identitete të qarta dhe besnikëri të pakushtëzuara. Liria e leximit bëhet, në këtë mënyrë, një variant i lirisë së identitetit.
Nga leximi si mënyrë e formimit të subjektit kalohet natyrshëm te dashuria, sepse edhe ideali sentimental i Agimit është pjesërisht produkt i imagjinatës letrare. Zorica, Zana dhe Iliriana nuk janë vetëm tri gra të një biografie sentimentale; ato përfaqësojnë tri forma të ndryshme të marrëdhënies ndërmjet individit, kohës dhe historisë. Prandaj ato nuk duhet të renditen sipas një hierarkie emocionale, por të lexohen si pjesë të së njëjtës strukturë formuese të protagonistit. Përmes tyre, romani ndjek kalimin e Agimit nga dëshira dhe iluzioni, te familja dhe përgjegjësia, e më pas te kujtesa dhe njohja e dhimbshme e së kaluarës.
Zorica përfaqëson kapërcimin e përkohshëm të kufirit etnik. Takimi me të menjëherë pas burgut vendos përballë dy logjika të kundërta: burgu e ka reduktuar Agimin në identitet politik dhe kombëtar, ndërsa marrëdhënia intime krijon mundësinë që ai të shihet përkohësisht jashtë këtij klasifikimi. Zorica është serbe, Agimi shqiptar, por romani nuk e shndërron marrëdhënien e tyre në alegori të pajtimit kombëtar. Funksioni i saj është më i përmbajtur: të dëshmojë se përkatësia kolektive dhe përgjegjësia individuale nuk janë kategori të njëjta. Pikërisht këtu vendoset një nga parimet etike të veprës: konflikti historik nuk e përjashton mundësinë e marrëdhënies njerëzore përtej tij.
Zana, përkundrazi, përfaqëson përpjekjen për ta rindërtuar jetën mbi qëndrueshmërinë: martesën, familjen, fëmijët dhe përditshmërinë. Me të, Agimi kërkon të rikthehet në një normalitet që burgimi e kishte ndërprerë. Mirëpo romani tregon se normaliteti i jashtëm nuk nënkupton shërim të brendshëm. Agimi mund të krijojë familje, por trauma vazhdon të jetojë brenda saj; mund të jetë bashkëshort dhe baba, por jo çdo pjesë e biografisë së tij bëhet e komunikueshme. Shtatzënia e Zanës merr kështu funksion të rëndësishëm strukturor: vjen pikërisht në çastin kur ai mendon për vetëvrasjen dhe e zhvendos orientimin e ekzistencës së tij nga vetëshkatërrimi te përgjegjësia për një jetë tjetër.
Kjo vijë vazhdon përmes Agronit dhe fëmijëve të tjerë. Helmimet, pasiguria politike dhe trauma psikologjike e fëmijës tregojnë se historia nuk mbetet jashtë shtëpisë, por transmetohet ndërbrezërisht përmes frikës, sjelljeve dhe pasojave psikologjike. Agimi, i cili dikur kishte frikë kryesisht për veten, tani e përjeton pasigurinë përmes fëmijëve. Në këtë mënyrë, atësia e zhvendos subjektin nga vetëmbijetesa drejt përgjegjësisë, ndërsa familja bëhet vendi ku historia e madhe shndërrohet në përvojë intime.
Iliriana ka funksion krejt tjetër. Për pjesën më të madhe të romanit ajo ekziston si mungesë dhe, fillimisht, as nuk ka emër: është “vajza kuq e zi”, një figurë e parë në demonstratë dhe e ngrirë për dekada në kujtesën e protagonistit. Pikërisht anonimiteti i saj e bën të mundur idealizimin. Për sa kohë Agimi nuk e njeh, ajo nuk plaket, nuk ndryshon dhe nuk fiton biografi të pavarur nga kujtesa e tij. Kur në fund merr emrin e vet, merr njëkohësisht edhe historinë e vet. Ky është çasti kur imazhi përplaset me jetën reale dhe kur Iliriana pushon së qeni “dashuria ideale” për t’u shndërruar në figurë të çidealizimit: Agimi e kërkon si kujtim të rinisë dhe e gjen si njeri të dëmtuar nga historia.
Tri figurat femërore mund të lexohen, për rrjedhojë, edhe si tri forma të kohës në jetën e protagonistit: Zorica i përket çastit, Zana kohëzgjatjes, Iliriana kujtesës. Zorica hap mundësinë e kapërcimit të kufirit; Zana ndërton jetën e përditshme dhe përgjegjësinë; Iliriana dëshmon se kujtesa mund ta ruajë një imazh, por nuk mund ta mbrojë njeriun real nga historia. Përmes leximit dhe këtyre tri marrëdhënieve, Iliriana ndërton formimin e subjektit jo si zhvillim linear, por si proces të ndërlikuar ku ideali, përvoja, trauma dhe kujtesa e korrigjojnë vazhdimisht njëra-tjetrën.
IV. Trupi, trauma dhe politika e turpit
Një nga shtresat më të rëndësishme psikologjike të Ilirianës është trajtimi i dhunës seksuale ndaj burrit si formë e represionit politik. Ky motiv e zhvendos analizën nga identiteti politik i imponuar te cenimi i vetë trupit dhe i integritetit personal. Dhunimi i Agimit nuk paraqitet vetëm si akt brutaliteti fizik, por si përpjekje për ta thyer subjektin në pikën më intime të vetëperceptimit. Trupi bëhet vendi ku pushteti demonstron epërsinë e vet dhe ku dhuna vazhdon të veprojë edhe pasi torturuesit janë larguar. Në këtë mënyrë, represioni nuk përfundon me aktin e dhunës, por vazhdon në vetëdijen e viktimës.
Kategoria qendrore e këtij episodi nuk është vetëm dhimbja, por turpi. Agimi nuk e përjeton veten thjesht si njeri mbi të cilin është kryer një krim; ai fillon ta ndiejë sikur vetë krimi ta kishte cenuar moralisht. Pikërisht kjo zhvendosje e turpit nga autori i dhunës te viktima përbën mekanizmin më shkatërrues psikologjik të episodit. Pastrimi obsesiv i trupit e materializon këtë gjendje: Agimi përpiqet të largojë një “papastërti” që nuk është fizike dhe që, për këtë arsye, nuk mund të hiqet me larje. Trupi bëhet kështu bartës i një traume që nuk është e dukshme, por që përjetohet si cenim i vazhdueshëm i vetvetes.
Forca e skenës rritet nga kundërvënia ndërmjet plagës së dukshme dhe asaj të padukshme. Kur Zana e përqafon me kujdes, duke menduar se policia e ka rrahur dhe se trupi i tij duhet të jetë i mavijosur, lexuesi e di se dëmtimi vendimtar nuk mund të shihet. Krijohet kështu një tension i fortë ndërmjet dijes së personazhit dhe dijes së lexuesit: Zana sheh një trup pa plagë të dukshme, ndërsa Agimi jeton me një plagë që ende nuk është në gjendje ta emërtojë. Pikërisht kjo pamundësi e artikulimit e shndërron traumën në përvojë të izoluar, të mbyllur brenda vetëdijes së tij.
Trauma prodhon, për rrjedhojë, heshtjen. Agimi mund t’i tregojë Zanës se është arrestuar dhe torturuar, por jo se është dhunuar seksualisht. Kjo heshtje nuk buron vetëm nga frika për ta rikujtuar dhunën, por edhe nga një kod kulturor i burrërisë, brenda të cilit viktimizimi seksual i mashkullit mund të përjetohet si cenim i identitetit të tij shoqëror. Për këtë arsye, krimi ka dy pasoja të ndërthurura: dhunën e përjetuar dhe frikën nga mënyra se si ajo dhunë mund të interpretohej po të bëhej e njohur. Dhunuesi e kryen krimin një herë fizikisht, por kodi shoqëror i turpit mund ta përsërisë atë psikologjikisht për vite.
Izolimi që pason e çon Agimin drejt vetëshkatërrimit dhe krijon një vijë të qartë psikologjike: dhunë – turp – heshtje – vetëizolim. Mendimi i vetëvrasjes këtu ka funksion tjetër nga ai që kishte në burg. Atje lidhej kryesisht me etiketën e spiunit dhe me përjashtimin nga komuniteti; pas dhunimit lidhet me humbjen e integritetit trupor dhe me pamundësinë për ta përfshirë traumën në një rrëfim të pranueshëm për vetveten. Shtatzënia e Zanës ndërhyn pikërisht në këtë pikë dhe e zhvendos Agimin nga vetëshkatërrimi drejt përgjegjësisë për një jetë tjetër. Trauma nuk zhduket, por ndryshon drejtimi i ekzistencës së tij.
Rrëfimi i vonshëm publik i dhunimit përbën një pikë vendimtare në zhvillimin e protagonistit. Deri atëherë Agimi kishte qenë vazhdimisht objekt i emërtimeve të të tjerëve: irredentist, armik, spiun. Tani ai merr të drejtën të emërtojë vetë atë që i është bërë. Ky është ndryshimi thelbësor: nga objekt i rrëfimit të pushtetit bëhet subjekt i dëshmisë së vet. Të flasë për dhunimin do të thotë të refuzojë që turpi t’i mbetet viktimës dhe, njëkohësisht, të rikthejë kontrollin moral mbi një përvojë që për vite kishte qëndruar jashtë gjuhës.
Fakti se dy autorët e dhunës u përkasin përkatësive të ndryshme etnike – njëri serb dhe tjetri shqiptar – e zhvendos problemin nga etnia te mekanizmi i pushtetit. Kjo zgjedhje nuk e relativizon sistemin represiv dhe as raportin historik të pabarabartë; përkundrazi, e bën më të saktë dallimin ndërmjet strukturës së represionit dhe identitetit etnik të individit që e zbaton atë. I njëjti parim shtrihet edhe në episodet e luftës dhe të pasluftës: romani nuk e mohon dallimin historik ndërmjet pushtuesit dhe të pushtuarit, por refuzon ta shndërrojë atë në një ontologji morale të individëve. Më saktë, këtu kemi një universalizim të përgjegjësisë individuale brenda një raporti historik asimetrik.
Në këtë mënyrë, episodi i dhunimit lidhet organikisht me boshtin qendror të Ilirianës. Në burg pushteti përpiqet t’i prodhojë Agimit identitetin politik; përmes etiketës komuniteti ia deformon identitetin moral; përmes dhunimit aparati represiv cenon integritetin e tij trupor. Në të gjitha rastet, beteja zhvillohet rreth së drejtës së subjektit për të mos u përcaktuar nga ajo që të tjerët kanë bërë ose kanë thënë për të. Harku psikologjik i protagonistit mund të përmblidhet, prandaj, si kalim nga identiteti i imponuar te dëshmia e vetëartikuluar, nga turpi i heshtur te marrja e fjalës dhe nga trupi i përdorur si objekt i pushtetit te rikthimi i pronësisë morale mbi përvojën e vet. Pikërisht këtu Iliriana e tejkalon dimensionin dokumentar të represionit politik dhe hyn në territorin e traumës, dëshmisë dhe rimarrjes së subjektivitetit.
V. Kujtesa familjare, dokumenti dhe libri brenda librit
Një nga shtresat që e zgjeron Ilirianën përtej kronikës politike të fund shekullit XX është linja e Adamat Kelmendit dhe e Tempullit të kalorësve shqiptarë. Përmes saj, romani hap një horizont më të gjerë kohor, duke kaluar nga demonstratat, burgjet, represioni dhe lufta drejt kujtesës familjare, prejardhjes dhe një të kaluare që kërkon të rikthehet përmes rrëfimit dhe gjurmës së shkruar. Në sistemin represiv, identiteti i Agimit prodhohet kryesisht nga jashtë: ai reduktohet në dosje, aktakuzë, të burgosur, të dyshuar dhe “spiun”. Përballë këtij identiteti administrativ, historia e Adamatit krijon një vijë tjetër vetëkuptimi. Protagonisti zbulon se biografia e tij nuk fillon me arrestimin dhe as nuk përfundon me atë që shteti ka shkruar për të. Në këtë kuptim, Adamati funksionon si figurë e kundërkujtesës genealogjike, ndërsa Kabashi, rrënojat, shpella dhe gjurmët e së kaluarës krijojnë një topografi të kujtesës, ku hapësira shndërrohet nga vend i veprimit në depo të historisë.
Brenda së njëjtës logjikë vendoset Tempulli i kalorësve shqiptarë. Libri i kërkuar, i fshehur, i humbur dhe i rikthyer krijon një strukturë të qartë të librit brenda librit dhe i jep veprës një dimension metanarrativ. Funksioni i tij nuk është vetëm të shtojë elementin e misterit, por të pasqyrojë vetë projektin e Ilirianës: libri i brendshëm kërkon të ruajë kujtesën e një kohe të largët, ndërsa romani që e përmban përpiqet të ruajë kujtesën e një brezi që ka përjetuar burgun, represionin, luftën dhe pasluftën. Në këtë kuptim, teknika e mise en abyme bëhet veçanërisht funksionale: kërkimi i Tempullit të kalorësve shqiptarë është kërkim i një historie që rrezikon të humbasë, sikurse vetë Iliriana është përpjekje për ta shpëtuar nga harresa një përvojë historike të afërt. Në të dyja rastet, shkrimi paraqitet si mënyrë e ruajtjes së kujtesës përballë harresës dhe përvetësimit të saj.
Kjo poetikë e gjurmës lidhet organikisht me praninë e dokumentit në roman. Letra, komunikata, datat, institucionet evropiane, personalitetet publike dhe ngjarjet e identifikueshme historikisht e vendosin veprën në një territor të ndërmjetëm ndërmjet fiksionit dhe kronikës dokumentare. Shembulli më domethënës është letra e Parlamentit Evropian që Agimi e gjen të zhubrosur në shportën e mbeturinave. Vetë mënyra e gjetjes e tejkalon përmbajtjen informative të dokumentit: një gjurmë me rëndësi politike, e destinuar të humbasë, shpëtohet nga një njeri që nuk është pjesë e elitës vendimmarrëse, por dëshmitar periferik i historisë. Dokumenti merr kështu funksion narrativ sepse ndryshon mënyrën se si Agimi e percepton raportin ndërmjet Kosovës dhe Evropës. Një funksion të ngjashëm kryejnë edhe komunikatat për helmimet e nxënësve, ku përvoja private e frikës së prindit lidhet me ndërkombëtarizimin e një krize kolektive.
Pikërisht këtu del në pah edhe kufiri estetik i dokumentarizmit të romanit. Dokumenti nuk shndërrohet automatikisht në letërsi vetëm duke u përfshirë në tekst. Vlera e tij artistike varet nga funksioni që kryen në strukturën narrative. Kur një letër, komunikatë apo fakt historik ndryshon vetëdijen e personazhit, prodhon konflikt, frikë, shpresë ose vendim, ai bëhet pjesë organike e romanit; kur riprodhohet kryesisht për të dëshmuar një fakt, teksti afrohet me kronikën dhe publicistikën. Prandaj parimi më i saktë kritik është se vlera artistike e dokumentit matet me shkallën e transformimit të tij narrativ, jo me rëndësinë e tij arkivore. Me të njëjtin kriter duhet vlerësuar edhe Tempulli i kalorësve shqiptarë: simbolikisht ai është një nga motivet më të pasura të veprës, por dramatikisht nuk lidhet gjithmonë me të njëjtën forcë me boshtin kryesor të fatit të Agimit.
Në tërësi, linja e Adamatit, libri brenda librit dhe dokumentet historike mund të lexohen si pjesë të së njëjtës poetikë të ruajtjes së gjurmës. Përballë dosjes policore që i imponon Agimit një identitet, qëndron kujtesa familjare; përballë historisë zyrtare, libri i fshehtë; përballë harresës, dokumenti; ndërsa përballë rishkrimit të së kaluarës qëndron vetë romani. Në këtë mënyrë, Iliriana nuk është vetëm vepër që kujton, por edhe vepër që problematizon mënyrën se si kujtesa ruhet, humbet, seleksionohet dhe përvetësohet. Pikërisht kjo marrëdhënie ndërmjet gjurmës familjare, dokumentit politik dhe shkrimit letrar e zgjeron romanin nga historia personale e Agimit drejt një reflektimi më të gjerë mbi luftën për të drejtën e kujtesës.
VI. Okupimi, revoltimi dhe vetëokupimi: nga historia politike te kritika etike
Makrostruktura e Ilirianës, e organizuar në tri pjesët “Okupimi”, “Revoltimi” dhe “Vetëokupimi”, përbën një nga zgjidhjet më të qarta konceptuale të veprës. Këta tituj nuk shënojnë vetëm tri etapa kronologjike të historisë së Kosovës, por tri forma të ndryshme të marrëdhënies ndërmjet individit, shoqërisë dhe pushtetit. Në këtë ndarje, historia politike shndërrohet gradualisht në problem etik: nga pushteti i jashtëm dhe institucional, te kundërshtimi i tij dhe, më pas, te rreziku i riprodhimit të mekanizmave të sundimit brenda vetë shoqërisë së çliruar.
“Okupimi” paraqet formën e dukshme dhe institucionale të sundimit: policinë, hetuesit, burgjet, dosjet dhe dhunën e drejtpërdrejtë. Megjithatë, kuptimi i tij në roman është më i gjerë se kontrolli territorial. Pushteti depërton në universitet, në marrëdhëniet ndërmjet miqve, në familje dhe në vetë mënyrën se si individi e percepton vetveten. Agimi nuk është vetëm i burgosur, por objekt i një aparati që kërkon t’i përcaktojë identitetin. Okupimi arrin formën e vet më të thellë kur logjika e tij përvetësohet edhe nga të shtypurit: dyshimi ndërmjet të burgosurve, etiketimi dhe përjashtimi tregojnë se pushteti mund të riprodhohet edhe horizontalisht, brenda vetë komunitetit të viktimave.
“Revoltimi” shënon kalimin nga nënshtrimi te kundërshtimi. Demonstratat, helmimet, organizimi politik, veprimtaria diplomatike dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës krijojnë një atmosferë ku shpresa dhe frika bashkëjetojnë. Agimi megjithatë mbetet më shumë dëshmitar sesa udhëheqës i kësaj lëvizjeje, çka i lejon romanit t’i shohë ngjarjet e mëdha nga perspektiva e individit që njëkohësisht duhet të sigurojë jetesën, të mbrojë familjen dhe të përballojë pasojat psikologjike të së kaluarës. Revoltimi nuk paraqitet vetëm si ngritje heroike, por edhe si periudhë pritjesh, entuziazmi dhe besimesh që koha do t’i vërë në provë.
“Vetëokupimi” është nocioni më provokues i makrostrukturës. Ai shënon paradoksin e një shoqërie që është çliruar nga pushteti i jashtëm, por që nuk është domosdoshmërisht çliruar nga format e sundimit. Mund të mungojnë policët dhe tanket e dikurshme, ndërsa të vazhdojnë etiketimi, përjashtimi, përvetësimi i meritave, deformimi i kujtesës dhe shndërrimi i kapitalit patriotik në privilegj. Këtu romani kryen zhvendosjen e tij më të rëndësishme: nga kritika politike te kritika etike. Pyetja nuk është më vetëm se si çlirohet vendi nga represioni, por çfarë bën shoqëria me lirinë pasi e fiton. “Vetëokupimi”, pra, nuk reduktohet në korrupsion politik ose ekonomik, por emërton riprodhimin e logjikës së pushtetit nga ata që dikur kanë qenë objekt i tij.
Në këtë perspektivë, tri pjesët mund të lexohen edhe si tri forma të pushtimit të subjektit: në “Okupimi” pushtohen trupi dhe liria fizike; në “Revoltimi” jeta private pushtohet gjithnjë e më shumë nga Historia; ndërsa në “Vetëokupimi” beteja zhvendoset te kujtesa, merita dhe e drejta për interpretim. Kështu, Iliriana e tejkalon modelin linear të romanit të çlirimit kombëtar: lufta dhe çlirimi nuk shërbejnë si fund ku të gjitha konfliktet zgjidhen, por hapin një fazë tjetër të provës shoqërore. Makrostruktura e veprës mund të përmblidhet në lëvizjen dhunë – rezistencë – vetëgjykim, dhe pikërisht kjo e bën “Vetëokupimin” një kategori interpretative qendrore. Në këtë dritë, Albini, beteja për kujtesën e vitit 1981 dhe fati i Ilirianës shfaqen si prova konkrete të të njëjtit problem: përvetësimi i meritës, privatizimi i historisë dhe heshtja e viktimës.
VII. Albini, miti i meritës dhe beteja për kujtesën
Në arkitekturën morale të Ilirianës, Albini është një nga personazhet më të rëndësishme, sepse përmes tij romani vë në provë barazimin e zakonshëm ndërmjet sakrificës politike dhe epërsisë morale. Në fillim ai paraqitet me kapitalin simbolik të të burgosurit politik, të njeriut që ka vuajtur për një kauzë dhe që, pikërisht për këtë arsye, gëzon autoritet ndër të tjerët. Agimi e percepton fillimisht përmes kësaj aureole. Mirëpo romani e çmonton gradualisht këtë lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet vuajtjes dhe virtytit. Konflikti rreth librit e paralajmëron këtë proces: Albini, megjithëse viktimë e dogmatizmit shtetëror, është i aftë të prodhojë vetë një gjykim dogmatik dhe ta vendosë Agimin nën dyshim vetëm mbi bazën e leximit të tij. Kështu, viktima e një mekanizmi klasifikues fillon ta riprodhojë të njëjtën logjikë ndaj tjetrit.
Zbulimi i historisë së Albinit në pjesën përfundimtare e çon këtë problem në kufirin e tij moral. Dëshmia e Kastriotit tregon se njeriu që ka fituar respekt shoqëror për shkak të burgimit dhe veprimtarisë politike ka qenë njëkohësisht i aftë të shkelë besimin e bashkëveprimtarit dhe të ushtrojë dhunë ndaj Ilirianës. Kjo nuk e anulon faktin se Albini ka qenë i persekutuar politikisht; ajo rrëzon vetëm pretendimin se persekutimi e bën automatikisht njeriun moralisht të paprekshëm. Pikërisht këtu romani ndan qartë tri kategori që diskursi publik priret t’i bashkojë: sakrificën politike, meritën historike dhe virtytin moral. E para mund të jetë fakt, e dyta mund të njihet shoqërisht, ndërsa e treta duhet të provohet vazhdimisht përmes veprimit.
Kjo problematikë lidhet drejtpërdrejt me betejën për kujtesën e vitit 1981. Në pjesën e pasluftës, ngjarja nuk ekziston më vetëm si përvojë historike, por si objekt interpretimi. Personazhe të ndryshme i japin kuptime të ndryshme: për njërin demonstratat janë fillimi i procesit të çlirimit, për tjetrin bartin gjurmë të ideologjisë së kohës, për një tjetër janë revoltë autentike e një populli të shtypur. Romani kalon kështu nga paraqitja e historisë në paraqitjen e historiografisë së brendshme të shoqërisë. Pyetja nuk është më vetëm çfarë ndodhi më 1981, por kush fiton të drejtën ta përcaktojë kuptimin e saj, kush shpallet organizator, kush sakrifikues, kush tradhtar dhe kush “spiun”. Kujtesa shndërrohet kështu në fushë të konkurrencës politike dhe morale.
Agimi është veçanërisht i përshtatshëm për ta vëzhguar këtë proces, sepse ai nuk mund ta ndërtojë për veten mitin e heroit të vetëdijshëm të vitit 1981. Ai e di se në demonstratë hyri i tërhequr nga vajza kuq e zi. Pikërisht mungesa e pretendimit për meritë e vendos jashtë konkurrencës për pronësinë e heroizmit dhe e bën më të ndjeshëm ndaj mënyrës se si biografitë rishkruhen pasi rezultati historik tashmë dihet. Këtu romani prek një problem të rëndësishëm të kujtesës politike: prirjen për t’ia atribuar së kaluarës një vetëdije që individët e kanë fituar vetëm më vonë. Për këtë arsye, analiza duhet të ruajë dallimin ndërmjet zërit të personazhit, zërit të narratorit dhe orientimit që ndërtohet nga struktura e tërë veprës, pa i marrë automatikisht gjykimet e personazheve si teza përfundimtare të autorit.
Në këtë kuadër, nocioni i “vetëokupimit” fiton kuptimin e vet më të plotë. Ai nuk është vetëm kritikë ndaj pushtetit të pasluftës, por ndaj një mekanizmi më të thellë: privatizimit të kujtesës, shndërrimit të sakrificës në pronë, përdorimit të biografisë si burim privilegji dhe heshtjes së viktimës përballë autoritetit të atij që ka fituar kapital politik. Albini mishëron pikërisht këtë kontradiktë: historia e tij publike si i burgosur politik rrezikon të mbulojë historinë private të Ilirianës si viktimë. Kështu, romani formulon një parim themelor të kujtesës demokratike: asnjë meritë historike nuk duhet ta bëjë të padëgjueshme dëshminë e viktimës. Në të kundërtën, shoqëria e lirë rrezikon vetëm të zëvendësojë një hierarki të vjetër me një hierarki të re.
VIII. Iliriana, përmbysja e simbolit dhe poetika e rrëfimit të kufizuar
Në strukturën kuptimore të romanit, Iliriana përbën pikën ku bashkohen disa prej linjave kryesore të veprës: dashuria, kujtesa, trauma, identiteti dhe raporti ndërmjet individit e historisë. Nëse Albini çmonton mitin e meritës politike, Iliriana çmonton idealizimin e gruas si figurë njëkohësisht erotike dhe kombëtare. Në fillim ajo nuk është ende personazh në kuptimin e plotë: Agimi nuk di pothuajse asgjë për të, por sheh trupin, bukurinë, lëvizjen dhe veshjen kuq e zi. Ajo hyn në roman përmes shikimit të protagonistit dhe, pikërisht për këtë arsye, shndërrohet fillimisht në imazh. Mbivendosja e erotikes me kombëtaren është vendimtare, sepse Agimi hyn në demonstratë duke ndjekur figurën femërore, jo si rezultat i një vendimi politik të artikuluar. Kështu, dëshira private bëhet porta e hyrjes në ngjarjen kolektive, ndërsa një tërheqje e çastit fiton pasoja që do të përcaktojnë gjithë biografinë e tij.
Anonimiteti i vajzës kuq e zi për pjesën më të madhe të romanit nuk shërben vetëm për të krijuar pritje narrative; ai është kushti themelor i idealizimit. Për sa kohë Agimi nuk ia njeh emrin, familjen dhe historinë, ajo mund të mbetet e paprekur në kujtesën e tij: gjithmonë e re, e bukur dhe e lidhur me çastin themelues të demonstratës. Prandaj kërkimi i saj është njëkohësisht kërkim i një gruaje dhe përpjekje për të rikthyer një version të humbur të vetvetes. Agimi kërkon edhe djaloshin që ishte para burgut, traumës, familjes, luftës dhe zhgënjimeve të pasluftës. Në këtë kuptim, Iliriana është figurë e rinisë së parekuperueshme, ndërsa kujtesa e saj dëshmon prirjen e individit për ta ngrirë të kaluarën në një imazh që koha reale nuk mund ta ruajë.
Zbulimi përfundimtar e përmbys këtë konstruksion. Kur Agimi mëson se gruaja e traumatizuar në institucionin psikiatrik është pikërisht vajza kuq e zi, përplasen jo vetëm kujtesa dhe realiteti, por dy mënyra të perceptimit të së njëjtës qenie: simboli dhe subjekti. Gruaja që kishte ekzistuar për dekada si bukuri, dëshirë dhe flamur fiton tani biografinë e vet: martesën, familjen, dhunën, humbjen dhe traumën. Kjo përbën një nga kthesat më të rëndësishme etike të romanit, sepse lëvizja zhvillohet nga gruaja e shikuar te gruaja e dëgjuar, nga ikona te biografia. Nuk kemi thjesht shkatërrimin e një ideali, por korrigjimin e idealizimit përmes njohjes së tjetrit si subjekt. Pikërisht në këtë çast edhe titulli Iliriana fiton kuptimin e tij të plotë: emri që lexuesi e njeh që nga kopertina, por që mungon gjatë në fabul, riorganizon retrospektivisht kuptimin e gjithë rrëfimit.
Fati i Ilirianës krijon njëkohësisht një simetri të thellë me traumën e Agimit. Të dy janë viktima të dhunës seksuale, por pasojat dhe mundësitë e artikulimit të traumës ndryshojnë: Agimi hesht për vite, por arrin më në fund ta verbalizojë përvojën, ndërsa Iliriana shfaqet e dëmtuar psikikisht dhe historia e saj arrin te protagonisti përmes dëshmisë së Kastriotit. Kjo paralele nuk i barazon fatet e tyre; ajo tregon se dhuna mund të mbetet për dekada e padukshme dhe se trauma vazhdon të veprojë shumë kohë pasi akti fizik ka përfunduar. Nëpërmjet tyre romani ndërthur dy forma të dhunës: dhunën institucionale, që aparati represiv ushtron mbi Agimin, dhe dhunën e ushtruar nën mbulesën e autoritetit moral e politik, që shkatërron Ilirianën. Në këtë mënyrë, nocioni i “vetëokupimit” zbret nga niveli i institucioneve dhe i kujtesës politike në hapësirën më intime të jetës njerëzore.
Forca e kësaj përmbysjeje lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjen e rrëfimit në vetën e parë. Agimi është një narrator me dije të kufizuar: ai njeh vetëm atë që ka parë, dëgjuar, kujtuar ose mësuar më vonë dhe, për këtë arsye, lexuesi detyrohet të ndajë me të boshllëqet, keqkuptimet dhe zbulimet e vonuara. Kjo krijon atë që mund të quhet poetikë e dijes së kufizuar: e vërteta nuk jepet e gatshme nga një narrator i gjithëdijshëm, por ndërtohet fragmentarisht përmes dokumenteve, kujtimeve, takimeve, dëshmive dhe rrëfimeve të të tjerëve. Zbulimi i Ilirianës është realizimi më i plotë i kësaj teknike, sepse identiteti dhe fati i saj mbeten të panjohur pikërisht për aq kohë sa janë të panjohur për protagonistin. E njëjta perspektivë funksionon edhe ndaj historisë politike: Agimi nuk pretendon ta zotërojë tërësinë e saj, por e përjeton nga pozita e individit që ndodhet kryesisht në periferi të qendrave të vendimmarrjes.
Në planin stilistik, kjo perspektivë mbështetet nga një gjuhë kryesisht e drejtpërdrejtë dhe nga një narracion që synon qartësinë më shumë sesa ornamentalizimin. Sahitaj është veçanërisht bindës kur ideja mishërohet në skenë: në burg, në përballjet intime, në episodet e dhunës, në krizat familjare dhe sidomos në takimin përfundimtar me Ilirianën. Kufiri kryesor shfaqet te mbishpjegimi. Narratori herë pas here e ndërton skenën, pastaj e interpreton dhe, në raste të caktuara, e rithekson kuptimin e saj. Duhet dalluar këtu përsëritja psikologjike, e cila mund të jetë funksionale kur shpreh karakterin obsesiv të traumës, nga përsëritja redaktoriale, që vetëm riformulon një kuptim tashmë të qartë. I njëjti problem shfaqet në disa dialogë që, në vend se të burojnë natyrshëm nga marrëdhënia ndërmjet personazheve, shërbejnë si mjete për transmetimin e informacionit historik. Prandaj çështja nuk qëndron te perspektiva narrative, e cila është funksionale, por te disiplina e materialit brenda saj.
Në këtë dritë, Iliriana shndërrohet nga objekt i dëshirës dhe i kujtesës në kriter moral të romanit. Pyetja përfundimtare nuk është më nëse Agimi do ta gjejë vajzën që ka kërkuar për dekada, por nëse ai – dhe, në një plan më të gjerë, shoqëria – është në gjendje ta shohë njeriun pas simbolit dhe viktimën pas mitit. Iliriana mbetet një grua konkrete me biografinë e saj, por emri i saj fiton njëkohësisht funksion metaforik: ajo përfaqëson atë pjesë të historisë që rrëfimet heroike rrezikojnë ta përjashtojnë, njeriun e dëmtuar pas monumentit, viktimën pas mitit dhe biografinë individuale pas historisë kolektive. Pikërisht këtu qëndron edhe mësimi kryesor estetik i fundit të veprës: skena e fuqishme nuk ka nevojë të shpjegohet deri në fund. Kur figura e ka prodhuar kuptimin, komenti mund të tërhiqet dhe t’ia lërë lexuesit aktin përfundimtar të interpretimit.
IX. Vlera letrare dhe kufijtë estetikë të romanit
Në vlerësimin përfundimtar të Ilirianës duhet shmangur barazimi ndërmjet rëndësisë së lëndës historike dhe vlerës estetike të veprës. Demonstratat e vitit 1981, represioni politik jugosllav, burgjet, helmimet e nxënësve, shpërbërja e Jugosllavisë, lufta e Kosovës, ndërhyrja ndërkombëtare dhe problematikat e pasluftës përbëjnë një materie me peshë të jashtëzakonshme, por prania e tyre në roman nuk prodhon vetvetiu vlerë letrare. Kjo vlerë lind aty ku fakti historik shndërrohet në përvojë njerëzore. Pikërisht këtu Iliriana arrin rezultatet e veta më të rëndësishme: burgu bëhet hapësirë e shkatërrimit të besimit, etiketa “spiun” formë e dhunës simbolike, dhunimi burim turpi dhe krize identitare, ndërsa çlirimi hap pyetjen nëse një shoqëri politikisht e lirë është njëkohësisht e aftë të ndërtojë drejtësi.
Qendra estetike e veprës duhet kërkuar pikërisht në këto nyja ku historia transformohet në dramë individuale. Agimi i izoluar në burg, që nuk arrin t’i bindë të tjerët për pafajësinë e vet; marrëdhënia me Zoricën, që përkohësisht e pezullon kufirin etnik; ankthi familjar për fëmijët; heshtja shumëvjeçare rreth dhunimit; kërkimi i vajzës kuq e zi; dëshmia e Kastriotit dhe takimi përfundimtar me Ilirianën janë çastet ku romani fiton dendësinë e vet më të madhe artistike. Një vlerë e veçantë është edhe ndërtimi i Agim Berishës si protagonist joheroik dhe kontradiktor. Ai nuk hyn në histori me vetëdije të formuar politike dhe nuk paraqitet si figurë e idealizuar, por si individ që gabon, dyshon, idealizon, frikësohet dhe vetëm gradualisht arrin ta kuptojë domethënien e përvojave të veta. Pikërisht papërsosmëria e tij e bën të aftë të bartë kompleksitetin moral dhe psikologjik të veprës.
Një tjetër arritje e rëndësishme qëndron në mënyrën si romani e trajton raportin ndërmjet përkatësisë kolektive dhe përgjegjësisë individuale. Konteksti historik i represionit ndaj shqiptarëve nuk relativizohet, por personazhet nuk reduktohen mekanikisht në identitetin e tyre etnik. Zorica dëshmon se marrëdhënia njerëzore mund të tejkalojë përkohësisht kufirin kolektiv; episodet e tjera tregojnë se serbë dhe shqiptarë mund të veprojnë moralisht në mënyra që nuk përputhen me stereotipin e grupit. Në të njëjtën linjë duhet lexuar Albini: Sahitaj problematizon idenë se biografia politike mund të funksionojë si garanci morale. Një njeri mund të jetë viktimë e shtetit dhe, në një marrëdhënie tjetër, autor dhune ndaj individit. Ky dallim ndërmjet meritës politike dhe përgjegjësisë personale është ndër arritjet më serioze etike të romanit.
Vlera e Ilirianës qëndron gjithashtu në ndërthurjen e intimes me politiken. Dashuria, familja, seksualiteti, miqësia dhe kujtesa nuk zhvillohen jashtë historisë, por vazhdimisht preken dhe deformohen prej saj. Historia hyn në martesë, në raportin ndërmjet prindit dhe fëmijës, në perceptimin e trupit dhe në frikën nga gjykimi i komunitetit. Megjithatë, pikërisht kjo pasuri e jashtëzakonshme e lëndës krijon edhe kufirin kryesor të veprës. Iliriana përpiqet të përfshijë njëkohësisht romanin politik, burgologjinë, historinë e dashurisë, kronikën familjare, dëshminë autobiografike, dokumentin historik, misterin e librit të humbur, genealogjinë, luftën, dramën e refugjatëve dhe kritikën e shoqërisë së pasluftës. Problemi, pra, nuk është mungesa e materialit, por hierarkizimi dhe ekonomia e tij.
Për këtë arsye, një redaktim i ardhshëm i romanit do të duhej të synonte jo zgjerimin, por përqendrimin dhe kondensimin. Dokumentet duhet të ruhen aty ku prodhojnë veprim ose ndryshojnë kuptimin e situatës; monologët të shkurtohen kur përsërisin ide tashmë të dramatizuara; informacioni historik të integrohet më fort në përvojën e personazhit; ndërsa linja e Tempullit të kalorësve shqiptarë të lidhet më drejtpërdrejt me boshtin e identitetit dhe kujtesës. Një disiplinim i tillë nuk do ta varfëronte veprën, por do ta bënte më të dukshme arritjen e saj themelore: dramën e individit të cilit historia vazhdimisht i ndërhyn në të drejtën për ta përcaktuar vetveten. Pikërisht në këtë tension ndërmjet dokumentit dhe përvojës, historisë dhe subjektit, qëndrojnë njëkohësisht forca dhe kufijtë estetikë të Ilirianës.
X. Ndërmjet romanit politik, dëshmisë dhe romanit të kujtesës
Nga pikëpamja tipologjike, Iliriana nuk mund të vendoset pa rezerva brenda një kategorie të vetme. Përmasa politike është e fuqishme, por vepra nuk është vetëm roman politik; mbështetja në ngjarje, dokumente dhe personalitete reale e afron me prozën dokumentare, por nuk e redukton në kronikë; përvoja e jetuar e afron me dëshminë, ndërsa ndërtimi i personazheve dhe organizimi i fabulës e mbajnë brenda fiksionit. Megjithatë, përcaktimi më produktiv është ai i romanit të kujtesës së traumatizuar. Agimi nuk rrëfen thjesht atë që ka ndodhur, por përpiqet t’i japë kuptim së kaluarës nga një distancë kohore, duke e rishikuar, plotësuar dhe korrigjuar atë vazhdimisht. Për këtë arsye, e kaluara në roman nuk është realitet i mbyllur, por hapësirë e kthimeve, zbulimeve dhe rivlerësimeve.
Kjo shpjegon rëndësinë e strukturës retrospektive. E vërteta për personazhet nuk jepet menjëherë: Albini i fillimit nuk është Albini që zbulohet në fund; vajza kuq e zi nuk është ende Iliriana; Agimi që e mendon veten vetëm si viktimë duhet të përballet edhe me dobësitë dhe kundërthëniet e veta; ndërsa Kosova e ëndërruar si hapësirë e lirisë nuk përputhet plotësisht me realitetin e pasluftës. Kuptimi ndërtohet, pra, përmes korrigjimit të kujtesës. Në këtë aspekt, procedura narrative pasqyron edhe mënyrën se si shoqëritë e dala nga trauma kolektive e rindërtojnë të kaluarën: dëshmitë dalin më vonë, heshtjet thyhen, figurat publike rivlerësohen, dokumentet marrin kuptime të reja dhe mitet politike vendosen nën shqyrtim. Iliriana e dramatizon këtë proces në shkallën e një biografie individuale.
Brenda kësaj strukture, dokumenti ka funksion të dyfishtë: është gjurmë e kohës dhe njëkohësisht mjet për verifikimin e kujtesës. Agimi jeton në një botë ku një fjalë, një etiketë ose një dosje kanë pasur fuqi ta përcaktojnë jetën e tij; dokumenti premton një formë më të qëndrueshme të së vërtetës, por romani tregon se as ai nuk është i mjaftueshëm. Dosja mund të fabrikohet, versioni zyrtar mund të jetë i paplotë dhe dëshmia mund të vijë me vonesë. Këtu Iliriana prek një nga çështjet themelore të letërsisë së kujtesës: dallimin ndërmjet faktit, dëshmisë dhe së vërtetës së përjetuar. Fakti regjistron arrestimin; dëshmia tregon çfarë ka ndodhur gjatë tij; romani depërton te pasojat që ajo përvojë lë në identitetin, trupin dhe kujtesën e njeriut shumë vite më vonë.
Pikërisht për këtë arsye, raporti i Ilirianës me historinë duhet vlerësuar sipas aftësisë për ta humanizuar kohën historike. Demonstrata bëhet letërsi kur ndryshon fatin e Agimit; burgu kur prodhon dyshim dhe përjashtim; represioni kur depërton në familje; lufta kur shkatërron marrëdhënie njerëzore; çlirimi kur vihet përballë pritjeve morale që e kishin paraprirë. Në këtë kuptim, vepra mund të lexohet edhe si roman i pasojës: ngjarjet përfundojnë historikisht, por vazhdojnë të jetojnë në trup, në kujtesë, në familje dhe në gjuhën me të cilën njerëzit emërtojnë njëri-tjetrin. Pikërisht këtë logjikë ndjek edhe sekuenca “Okupimi – Revoltimi – Vetëokupimi”, ku pushteti fillimisht shfaqet si institucion i jashtëm, më pas kundërshtohet dhe, në fund, rishfaqet në forma më të brendshme, shoqërore dhe morale.
Koncepti i “vetëokupimit” duhet kuptuar pikërisht brenda kësaj zhvendosjeje. Ai nuk e relativizon çlirimin nga pushteti serb dhe as nuk barazon okupimin me pasluftën; përkundrazi, e trajton çlirimin politik si kusht themelor, por jo si përmbushje automatike të lirisë morale. Institucionet mund të ndryshojnë më shpejt sesa modelet e sjelljes: mund të largohet pushteti i jashtëm dhe të mbijetojnë etiketimi, përjashtimi, përvetësimi i meritës dhe heshtja e viktimës. Në këtë mënyrë, fundi lidhet drejtpërdrejt me prologun: romani fillon me problemin e njeriut të cilit të tjerët i përcaktojnë identitetin dhe përfundon me pyetjen se kush ka të drejtë ta përcaktojë kuptimin e individit dhe të historisë. Përballë kësaj logjike, Agimi dhe Iliriana rikthejnë kërkesën themelore të veprës: njeriu nuk duhet të reduktohet në etiketë, simbol apo biografi të shkruar nga të tjerët. Prandaj Iliriana mund të lexohet si roman i një çlirimi të papërfunduar: pas çlirimit të territorit mbetet ende detyra më e vështirë, çlirimi i kujtesës, i së vërtetës dhe i ndërgjegjes.
PËRFUNDIM
Iliriana e Reshat Sahitajt është një roman i ndërtuar në kufirin ndërmjet historisë dhe kujtesës, dokumentit dhe fiksionit, politikës dhe intimitetit. Lënda e tij përfshin disa nga përvojat më të rënda të historisë së Kosovës në fundin e shekullit XX, por rëndësia e veprës nuk qëndron vetëm në regjistrimin e tyre. Ajo që i jep romanit individualitet është mënyra se si ngjarja historike vazhdon të jetojë brenda individit shumë kohë pasi ka përfunduar si fakt publik. Në qendër të kësaj strukture qëndron Agim Berisha, një protagonist që hyn rastësisht në histori dhe kalon pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur të kuptojë pasojat e atij çasti. Ai nuk është hero monumental, por subjekt kontradiktor dhe i cenueshëm, vazhdimisht i vendosur përballë hendekut ndërmjet asaj që mendon se është dhe asaj që pushteti, komuniteti dhe kujtesa publike thonë se është.
Pikërisht për këtë arsye, motivi i etiketimit dhe ai i traumës formojnë dy nga boshtet më koherente të romanit. Etiketa “spiun” e lidh burgun me pasluftën dhe dëshmon se pushteti nuk vepron vetëm përmes dhunës fizike, por edhe përmes emërtimit që e redukton individin në një identitet të prodhuar nga të tjerët. Dhuna, ndërkaq, nuk përfundon kur mbaron akti fizik: ajo vazhdon si turp, heshtje, frikë, mosbesim dhe deformim i marrëdhënieve njerëzore. Trajtimi i dhunës seksuale ndaj Agimit dhe historia tragjike e Ilirianës e vendosin trupin në qendër të kujtesës politike. Në këtë kuptim, historia nuk shkruhet vetëm në dokumente dhe arkiva, por edhe në psikikën dhe trupin e viktimës.
Brenda kësaj strukture fitojnë kuptim edhe personazhet femërore dhe kundërfigura e Albinit. Zorica përfaqëson mundësinë e intimitetit përtej kufirit etnik; Zana përpjekjen për normalitet familjar dhe përgjegjësi; Iliriana idealin që historia e shndërron në biografi të plagosur. Sidomos transformimi i saj nga vajza kuq e zi në gruan me emër, histori dhe traumë i jep titullit të romanit peshën e vet të plotë. Albini, përkundrazi, çmonton barazimin ndërmjet sakrificës politike dhe virtytit moral: një njeri mund të jetë viktimë e shtetit dhe njëkohësisht autor dhune ndaj një individi tjetër. Kështu, romani ndan qartë meritën historike nga përgjegjësia personale dhe paralajmëron kundër shndërrimit të kapitalit patriotik në imunitet moral.
Nga kjo perspektivë duhet lexuar edhe ndarja tripjesëshe “Okupimi – Revoltimi – Vetëokupimi”. Ajo nuk përshkruan vetëm tri faza historike, por tri forma të raportit me pushtetin: fillimisht pushteti është i jashtëm dhe represiv; më pas kundërshtohet; në fund problemi zhvendoset brenda shoqërisë së çliruar, ku mund të mbijetojnë përjashtimi, privilegji, manipulimi i kujtesës dhe përvetësimi i meritës. Kjo është një nga idetë më të rëndësishme të veprës, por edhe pika ku kërkohet kujdesi më i madh kritik: “vetëokupimi” nuk e relativizon çlirimin politik, por e vendos atë përballë një kriteri më të lartë, atij të drejtësisë morale. Nga pikëpamja estetike, romani ka edhe kufijtë e vet: material dokumentar të zgjeruar, monologë që herë pas here përsërisin ide tashmë të dramatizuara, dialogë me funksion tepër informues dhe një prirje të narratorit për ta shpjeguar edhe atë që skena e ka bërë të qartë. Pikërisht për këtë arsye, një redaktim i ardhshëm duhet të synojë kondensimin dhe hierarkizimin e materialit, jo zgjerimin e tij.
Megjithatë, këto kufij kompozicionalë nuk e errësojnë arritjen themelore të Ilirianës. Romani e merr historinë e mbushur me demonstrata, burgje, polici, dokumente, luftë dhe politikë dhe e rikthen vazhdimisht te njeriu. Agimi kërkon tri të vërteta që rezultojnë të pandashme: të vërtetën për vetveten, për vajzën kuq e zi dhe për vendin e vet; asnjërën nuk e gjen në formën që kishte imagjinuar. Vetvetja del më kontradiktore, Iliriana më tragjike dhe Kosova e lirë më e ndërlikuar sesa ideali i lirisë i ndërtuar gjatë okupimit. Prandaj titulli Iliriana tejkalon emrin e personazhit: në fillim ajo është ngjyrë, bukuri, dëshirë dhe flamur; në fund bëhet emër, biografi, plagë dhe kujtesë. Këtu mbyllet edhe harku i nisur në prolog me Sartrin: njeriu nuk është vetëm ajo që duket dhe as ajo që të tjerët thonë se është. Pikërisht këtu qëndron vlera kritike dhe letrare e romanit: ai nis me çështjen e çlirimit të një populli dhe përfundon me problemin shumë më të vështirë të çlirimit të njeriut nga pushtetet që vazhdojnë të jetojnë në kujtesë, në gjuhë dhe në ndërgjegje.
Prishtinë, gusht 2026








Comments