top of page

Ramazan HUSHI: Llojet e puthjeve  



                                                                                                                                                                                   

Teksa po ndiqnin bashkë me shokun e tij të vjetër(ish) një ndeshje futbolli nga kampionati botëror, duke pirë nga një gotë birrë, shoqëruar me djathë,  me qofte e vezë të ziera, në bar-hotel Ballkan, prapa pallateve, në qendër të qytetit, befas të gjithë sa ishin në atë sallë u ngritën në këmbë gjithë potere  dhe shpërthyen në thirrje të forta:

-Gool! Goool! Gooool!

Ata përqafonin njëri-tjetrin, siç nuk ndodh kurrë në raste të tjera dhe ishte tamam çasti kur Luan Rreshka konstatoi që një mizë kishte ndaluar në pjatën e shokut, pikërisht mbi njërën qofte, e ai ngriti pirunin dhe goditi në drejtim të insektit të pistë e të pacipë. Por, ah, dora e tij padashur kish takuar gotën e birrës të shokut e ajo ra nga tavolina poshtë në dysheme, duke u bërë çikë-çikë. Dhe, në ato çaste, si nëpër tym, Luani ndieu që shoku i tij(ish) Vesel e mbërtheu për supesh me krahun e tij të hapur dhe e puthi fort në faqe disa herë, pllaq-plluq! Kuptohet, as ishte zemëruar e as ishte gëzuar për thyerjen e gotës. Por as keqardhje nuk ndiente për atë thyerje, të zakonshme këto nëpër lokalet ku përdoren pije alkolike. Qe skuqur si gjelkokosh në fytyrë e sytë i shndrisnin, duke marrë pjesë i gëzuar edhe ai në entuziazmin e tifozëve aty brenda në lokal. I gëzuar fort, ai po i thoshte i emocionuar shokut të tavolinës:

-Gol i bukur! Gol klasi, apo jo, Luan?! Bah, ç’gol!

Më mirë t’i kishte thënë “Thyerje e bukur kjo e gotës time!” Kurse Luani, nga ana e tij, çuditërisht nuk ishte përfshirë në atë ekstazë, sepse ishte tamam ai çast, kur kishte rrëzuar padashur poshtë në dysheme gotën gjysmë me birrë të shokut, por tjetri as që kishte reaguar fare për këtë. Madje zhurma e thyerjes së asaj gote birre nuk ishte dëgjuar fare në atë zallamahi të golit, kurse kamerieri erdhi e i solli një gotë tjetër plot dhe Veseli, sikur të mos kishte ndodhur gjë fare, e zgjati atë gotë për ta tokur me të shokut. Në ato çaste Luani seç tha diçka tjetër për tjetër, që s’kishte fare lidhje me golin, kapi pa dëshirë gotën e tij dhe e toku me të. Thyerja e gotës së birrës nuk di përse e kishte nervozuar aq shumë, sa nuk po tregonte asnjë emocion për golin, ndryshe nga gjithë të tjerët aty. Përkundrazi,  sytë e shokut qenë ngulur në ekranin e televizorit, kurse të Luanit ende shikonin me inat poshtë në dysheme, ku ciflat e shumta të gotës së qelqtë ishin shpërndarë trishtueshëm.

Pas disa sekondash thirrjet entuziaste u shushatën dhe shoku i tij Vesel(ish) iu sul pjatës së vet gjithë oreks. Inati me veten, Luanit iu shtua akoma më tepër, kur mendoi që as i kishte kërkuar të falur atij për atë incident. Pastaj, nuk dinte kujt t’i kërkonte falje, atij apo vetes.                                                                                                                                                                                     Ishin takuar e qenë ulur bashkë, pas shumë vitesh pa u parë; Veseli e kishte përqafuar dhe e kishte puthur në faqe me shumë mall, siç dinte të puthte ai, pllaq-plluq. Luani mbante mend që kështu puthte gjithmonë ai, kur takohej me shokët më të afërt dhe, për dreq, i dukej se në faqe mbetej përherë gjurma në formë gati vezake e pështymës së buzëve të tjetrit. Po të ishte femër, do t’i mbetej forma vezake e buzëkuqit. Të njëjtën puthje të shokut të tij të vjetër (ish), Luani kish provuar edhe para pak çastesh, sapo u bë goli!                                                                                                                                                                      (…Kur kishin mbaruar shkollën e mesme, pesë dekada më parë, në mbrëmjen e maturës, siç ishte zakoni atëhere, i kishin dhuruar nga një kartolinë njëri-tjetrit, ku me shkrim i premtonin, se do të mbeteshin shokë për gjithë jetën. Edhe puthjen e tij në faqe atë ditë Luani nuk mund ta harronte, sepse ishte e njëjtë me të tjerat në vazhdim. Dhe i dukej sikur nuk kishin kaluar pesë dekada, por sikur të ishte një kohë shumë më tepër e largët, kohë prehistorike.)

Gota e thyer, aty nëpër këmbë, po e bezdiste Luanin dhe deshi t’i bënte shenjë kamerierit të vinte e t’i mblidhte copërat e thyerjes. Pastaj iu kthye mendja. Punë e madhe! E ç’është, në fund të fundit, një gotë e thyer në një klub?! Prap ai mendoi me vete: po si dreqin nuk m’u dha t’i kërkoja të falur për pakujdesinë time? Në fakt të dy e kishin pësuar në atë rast: Luani me mizën, që kishte ndyrë pirunin e tij me atë mizë në pjatën matanë dhe shoku i tij Veseli (ish), të cilit i qe thyer gota gjysmë me birrë, si rrjedhojë e paturpësisë së mizës!

-Gol i bukur, apo jo?- tha prap shoku duke u mbllaçitur dhe tjetrit aty s’i mbetej gjë tjetër, veçse t’i përgjigjej në tym:” Ah, po…i bukur!...” Në fakt Luani as e kishte parë fare momentin e shënimit të atij goli, që, veç të tjerash, domethënë entuziazmit të sallës, kishte sjellë edhe thyerjen e gotës gjysmë me birrë të shokut(ish)!

Edhe në vitet e mëvonshme, kur dolën në jetë e u bënë familjarë, takoheshin herë pas here bashkë. pinin ndonjë kafe apo ndonjë gotë raki. Flisnin për hallet në familjet e tyre, për gratë e fëmijët e tyre, për punët e përditshme, për gjithçka. Sepse mbaheshin shokë prej shumë vitesh! Aq më tepër, sepse kishin bërë betimin qysh pesë dekada më parë! Por, kur takoheshin rrallë, atëherë Veseli menjëherë e përqafonte dhe nuk harronte ta puthte pllaq-plluq në faqe, me atë puthjen e tij që ia jargaviste ato dukshëm. Dreq, truajti Luani me vete! Kur ta  ketë shpikur njerëzimi këtë puthjen?! Por ka puthje e puthje! Të puthësh dorën e prindërve me mirënjohje e dashuri, të puthësh gruan në buzë e në çdo centimetër të trupit, të puthësh fëmijët e tu, të afërmit. Eh, këto quhen puthje të ngrohta a të nxehta. Ka edhe puthje tjetër lloj, puthje të ftohta, ose t’i quajmë të thata, si ato që janë bërë modë nëpër programet televizive a në takimet qeveritare, puçi-puçi, pa i takuar fare buzët në faqen e tjetrit. Apo si kjo puthja e fundit, që i kishte dhënë shoku i vjetër (ish) me rastin e shënimit të golit! Puthje koti! Ka madje edhe një lloj tjetër puthjesh, të cilat shoqërohen me jargavitje e pështymosje, që, aman o zot, shoqëruar me fjalë të ngrohta, por ku secili prej dy puthësve thotë me vete: “Hë, se do të më shohësh..Jo faqen, por prapanicën do më puthësh!..” Puthje me vlerën e një takimi, puthje me vlerën e një intrige a pabesie!

Luani ishte i inatosur gjithashtu, që shoku i tij Vesel(ish) nuk po i thoshte asgjë për thyerjen e gotës së tij të birrës. Kurse tjetri përballë do jepte gjithçka, nëse dikush do ta mësonte ta ngjiste atë gotë të mallkuar e ta bënte siç kishte qenë më parë!

...Edhe në fillim të viteve ’90, kur tek ne frynë erëra të lehta demokracie, Luani vijoi ta quante shok Veselin. Kurse ky, çuditërisht, u tjetërsua: nga që i dhanë një punë me përgjegjësi, ai u bë i rëndë me ish-shokët e tij, kurse disa prej tyre i harroi krejt. Një ditë e shoqja i tha që duhej ta  ndihmonte më shumë Luanin, me mundësitë që kishte, kurse ai me të qeshur ia preu asaj si me shaka: “Ky ka qenë komunist..” Asnjëherë nuk e pyeti se çfarë nevoje kishte, kurse atë shprehjen “ky ka qenë komunist!” ia përmendi disa herë. Rastisi që në një rast tjetër Luani i shkoi në zyrë e i kërkoi një mbështetje të vogël, por Veseli i tha se nuk kishte gjë në dorë për atë punë, në një kohë kur tjetri e dinte shumë mirë që i kishte ndihmuar ca tipa për atë problem. Kurse një herë tjetër ky Veseli ia ndaloi makinën tek rruga e vet Luanit, e ftoi të hipte dhe gjatë rrugës i tha me ton zyrtar: “Ja, edhe rrugën tuaj më në fund po e shtrojmë..” Dhe pas këtyre fjalëve lëshoi tullë këto të tjerat, që nuk mund t’i quheshin fjalë: “Apo nuk ke besim tek demokracia?” Luanit iu duk sikur shoku(ish)nxorri helm nga goja. I kërceu fort damari i ballit e në çast ia ktheu përgjigjen me ironi: “Unë kam besim tek demokracia edhe më shumë se ti, por nuk kam besim tek…” dhe ai shqiptoi në formë të rimuar emrin e një zyrtari të bashkisë, të cilit i kishte dalë era e keqe me kohë për korrupsion me shtrimin e rrugëve në qytet.  Kur zbriti nga makina, nuk e përshëndeti fare nga inati shokun(ish) dhe për herë të parë i shkoi në mendje: mos ai njeri po e provokonte? Përse po sillej me të ashtu? Apo ruante prej vitesh ndonjë mllef të vjetër? Ky mendim ndjellakeq erdhi e iu përforcua edhe më tepër, kur një natë me gjumë të shqetësuar nga sjelljet e çuditshme të shokut(ish) iu kujtua si nëpër tym një episod që e tronditi. Atëherë, para viteve ’90, kur ishte Luani në një punë zyrtare dhe Veseli, mësues në fshat,  i vinte shumë shpesh në zyrë. Madje Luani i kishte ofruar edhe ndihmën e tij për ta sjellë me punë nga fshati në qytet. Në një prej atyre ditëve, Veseli kishte ardhë tek ai i shqetësuar dhe e kishte ftuar për një shëtitje të shkurtër. Me ca fjalë të ngatërruara, ai i tha se aksh person, i njohur atëhere në qytet si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, i kishte bërë një ofertë jo të zakonshme..(“...E dimë që ti je njeriu ynë...je i shtresës...partia ka besim tek ti...më kupton, besoj.. Babai yt..” etj, etj) Atëherë Luani i kishte peshuar mirë me kandar farmacie ato fjalë,  e kish këqyrë thellë në sy shokun(ish) e dyshues i kishte thënë : “Po mirë, ti çfarë kërkon nga unë në këtë rast?”- “Jo, po ti si thua...çfarë mendimi ke… nuk di si...” Pastaj, i tronditur Luani i kishte thënë që për atë çështje tepër delikate ai duhej të vendoste vetë. Kaq kishte qenë biseda. Dhe nuk u përmend më kurrë ajo bisedë. Edhe Luani e kishte harruar. Por ja që djalli ia solli në kujtesë përsëri dhe mirë bëri që ia solli! Mos vallë edhe atëherë shoku i tij Vesel (ish) vërtet  e kishte provokuar?...

Më vonë Luani mori vesh që ai, tashmë pushtetar me rëndësi, i kishte kërkuar ryshfet një njeriut të tij të afërt për t’i kryer një punë e, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ia përmendi prap një herë tjetër, në grup me shokë, që dikur ky paskesh qenë komunist! Dhe Luani i bëri ca pyetje me vete: si ishte e mundur që ai njeri e kishte mbajtur brenda vetes për shumë vite gjithë atë vrer për të, për shokun e tij më të afërt? Nga dreqin i buronte ai mllef? Çfarë njeriu paska qenë ky shoku im(ish) Vesel, gjykonte me vete i zhgënjyer. Mos vallë  brenda tij kishin mbirë prej shumë vitesh komplekse inferioriteti a xhelozie? Të dy, shokë të ngushtë në gjimnaz, kishin shkuar në universitet në degë të ndryshme, por ai qe rrëzuar në provime dhe e kishte lënë përgjysmë shkollën e lartë, kurse Luani e kishte përfunduar me sukses. Nuk dinte vërtet si t’i sistemonte mendimet e gjykimet për të. Me imagjinatën e vet, ai krijonte një peshore, si ato që simbolizojnë drejtësinë në botë, dhe në njërën anë vendoste vlerat e këtij njeriu, kurse në anën tjetër vendoste ato prapësi  e copëra balte që ai kishte hedhur mbi të. Sidoqë i mblidhte çika-çika të mirat që mund të kishte ai tip, nuk arrinte dot  ta bënte peshoren të anonte nga ajo anë. Kërkonte kot të krijonte në këtë mënyrë ish-shokun e tij, Veselin, ashtu siç kishte qenë para pesë dekadash, por ishte punë që s’bëhej!

…Veseli deshi të porosiste prap, këtë radhë nga një shishe birrë, por Luani nuk pranoi. I tha shkurt   e thatë se ndihej i mërzitur e se dëshironte të ngriheshin e të iknin në shtëpi. Veseli u duk i çuditur pak. Paguajtën të dy bashkë e, kur u ngritën nga karriget, Luani shikoi për herë të fundit poshtë në dysheme copërat  e xhamta të gotës së thyer, shpërndarë gjithandej. Sa do të donte që si me magji t’i mblidhte ato, t’i ringjiste përsëri e ta bënte kështu gotën e tij siç kishte qenë. Mirëpo a ngjitet më një gotë e thyer? Kjo nuk mund të ndodhte më kurrë.                                                                                                                                                                                       Nata ishte pus, e zezë. Me një këmishë me mëngë të shkurtra, Luani ndieu ftohtë në krahë. Shumë dyqane të mbyllur e pak lëvizje nëpër rrugë. Bënë disa çapa në heshtje, pastaj Veseli(ish) foli i pari:

-Po ti pse je kaq i mërzitur sonte? Mos ke ndonjë hall familjar? Më trego, se mbase të ndihmoj.

Tjetri iu përgjigj i zymtë që, lavdi zotit, nuk kishte ndonjë hall familjar.

-Po ti diçka e ke, sepse gjithë kohën në klub nuk fole fare, as ndeshjen nuk e ndoqe, veç shikoje poshtë në dysheme, tek ciflat e gotës së thyer të birrës, sikur u bë kiameti! Një gotë qe, aq, dreqi!

Luani deshi ta niste përgjigjen me fjalët “Po, tek ciflat e gotës së thyer të birrës, që nuk mund të ngjiten më kurrë, aty e kisha mendjen..” Por s’di përse u frenua, nuk i tha ashtu. I tha që vërtet ishte  i mërzitur për… dhe shpejt shpërtheu e nisi t’ia numëronte të gjitha ato që treguam  më lart, për sjelljen krejt të papranueshme ndaj tij, qysh kur u bë person me pozitë zyrtare. Tjetri tentoi ta ndërpriste disa herë, por Luani nuk e ndaloi furinë e fjalëve të veta. I tha se karrigia nuk është e përjetshme për njeriun, vetëm bythën ka të vetën, se një ditë bëhemi të zakonshëm si gjithë të tjerët. I kujtoi edhe atë fabulën me lepurin budalla, i cili, një herë e një kohë, kish hipur në fik me ndihmën e shkallëve e pastaj i flaku shkallët, duke menduar me mendjelehtësi se nuk kishte më nevojë për to, por, kur gjarpëri e kërcënoi e ai deshi të zbriste, por tashmë nuk kishte më shkallë dhe kështu ra kokëposhtë e u gjakos keq. Edhe Veseli nuk e kishte gëzuar gjatë karrigen e zyrtarit të lartë, kishte rënë nga fiku. Në fund Luani i kërkoi falje që ia tha gjërat ashtu të gjitha me një frymë, të pasistemuara mirë, me ton nervoz, por nuk mund t’i mbante më brenda vetes, sepse kjo nuk do të kishte kuptim. E keqja nuk mbahet dot gjatë brenda vetes, se ta shëmton jetën. Ishte inatosur këtë radhë më tepër me të edhe për faktin që, pas akuzave që po i bënte, ai nuk mundi t’i paraqiste asnjë argument kundërshtues. Sinqerisht, do ta dëshironte diçka të tillë. Më pas ecën në heshtje, sikur të ishin dy njerëz, të cilët qenë takuar fare rastësisht diku dhe, kur po ndaheshin, Veseli(ish) i zgjati dorën, duke thënë me ton të pasigurtë, fytyrëzbehtë:

-Domethënë i paske ruajtur kaq kohë të gjitha këto për të m’i thënë sonte?

Luani ngriti supet dhe e pa drejt në bebe të syve, si për t’i thënë: “E vërtetë, por e hidhur!”. Por nuk arriti dot t’i deshifronte ata sy. Më pas ia zgjati dorën pa dëshirë, sepse, ashtu e zgjatur e duke u lëkundur nga pasiguria, iu duk sikur ajo dorë e tij po i kërkonte mëshirë.

-Do të takohemi më bashkë?- dëgjoi Luani zërin e tij të mekur, që nuk e mori vesh, doli nga goja apo nga ajo dorë e zgjatur dëshpërimisht. Sikur nuk ishte zëri i tij.

Nuk dinte si t’i përgjigjej. Ngriti për të dytën herë supet, si për t’i thënë: “Ç’të të them? Kjo varet nga ti...” Dhe i kthyen shpinën njëri-tjetrit, duke ikur në drejtime të ndryshme.

Atë natë Luani pa në ëndërr një gotë të thyer birre. Më pas ajo gotë mori formën e një globi të vogël prej qelqi, brenda të cilit kishte një lëng në ngjyrë të kaltër; befas ajo ra përtokë e u kthye në qindra shkëndija; pastaj, si me magji,  globi u shndërrua në një  zemër të qelqtë, e cila edhe ajo u thye e prej saj doli një lëng në ngjyrën e gjakut. Ishte gota e ish-shokut të tij, Veselit. Bënte e bënte përpjekje të mundimshme t’i mblidhte e t’i ringjiste ato cifla, por gota e thyer nuk ngjitej më. Kurse (ish)shoku i tij, jo vetëm nuk e vriste mendjen për këtë punë, por edhe qeshte me cinizëm nga përpjekjet e tij të dëshpëruara. Hahahaha!O-hahaha! Atëherë Luani iu hakërrye nëpër gjumë me inat: “Qesh ti, qesh, por, ta dish, që këto vrragat nëpër faqe më kanë mbetur prej shumë vitesh nga ato puthjet e tua me pështymë e nuk më zhduken!”

 

64 views1 comment

1 коментар


Гість
24 черв.

Me pelqen letersia jote Ramazan, si letersi e etikes dhe moralit, si force e vlerave ku ne kohen qe po jetojme ku shoqeria orjentohet ne modele dreqnish. Ne kete kohe krize te shkruash per vlerat eshte te orjentosh njerzit ne norma morali. Shkrim i shkruar bukur dhe lexohet kendshem.

Вподобати

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page