top of page

Ramazan HUSHI: Fotografia 

Updated: Jul 3

                                                                                                                                                

 

Akti i parë nis me makinën ku po udhëtonin dy persona: shoferi dhe një tjetër në krah të djathtë të tij. Ishte një autoveturë-taksi, gjë që e tregonte edhe ngjyra e verdhë në gjithë veshjen e jashtme, si dhe tabela e vogël në mbulesën e veturës, mbi kokën e shoferit, ku shkruhej dukshëm: Taxi. Kjo lloj ngjyre dhe tabela me fjalën Taxi janë shenja të gjitha taksive në botë, por dhjetra ndryshime të tjera i bëjnë këto makina të jenë nga më të larmishmet. Sot në të gjithë globin ka më shumë taksi sesa shoferë. Por nën atë heshtjen e tyre të mençur, enigmatike, ato fshehin brenda vetes shumë ngjarje, shumë histori.  

Pastaj vjen akti i dytë rutinë: pyetje-përgjigje me njëri-tjetrin, sidomos nga ana e taksistit. Sepse kudo taksistët janë si berberët: rrëmojnë me pyetje, që të marrin sa më shumë informacione nga klientët e tyre. Jo se i shërbejnë për ndonjë qëllim këto informacione, por thjeshtë për të kaluar kohën e për ta bërë udhëtimin sa më të shkurtër. Shumë njerëz, në fakt, janë munduar të shpjegojnë psenë e këtij huqi të tyre, por gjykimet  i kanë pasur të ndryshme. Edhe unë, ashtu si ju, nuk arrij ta shpjegoj dot, vërtet. I pari, si zakonisht, i nis pyetjet shoferi,(Nga të kemi, nga vjen, me çfarë pune merresh e plot të tjera si këto,) por në rrëfimin tim thyhet ky “rregull” dhe pyeti i pari klienti, sepse  i tërhoqi vëmendjen një fotografi, vendosur në xhamin e përparmë të makinës. Aty ishte një burrë, që mund t’i kishte kapërcyer dyzetë vjetët, trupgjatë e i mbushur, veshur me një kostum gri, si në blu të çelët, fytyrëqeshur deri në naivitet, që të krijonte përshtypjen e një njeriu babaxhan

 -Kush është ky në foto, që e mban gjithnjë përpara syve?

Taksisti buzëqeshi lehtë, pa i hequr sytë nga rruga përpara, siç bëjnë të gjithë shoferët, u gjallërua befas. Nuk ia dha përgjigjen të drejtpërdrejtë, por bëri një kundërpyetje:                                                                                                                                   -Si mendon ti, kush mund të jetë? Hë, e gjen dot?                                                                                                                    -Ku di unë?- ngriti supet klienti.- Mund të jetë yt atë para shumë vitesh, kur ka qenë i ri...ndoshta ka qenë vëllai yt,  ose...ndoshta baxhanaku, sepse baxhanakëve u puqet shumë ylli! (Këtu atij i erdhi të vinte buzët në gaz nga kjo hamendje disi e veçantë, sepse iu kujtua një barcaletë për dy baxhanakët,)                    

-Do të të tregoj pastaj një batutë humori për baxhanakët!-i tha me ton gazmor, pastaj:- Ose ky mund të jetë ndonjë mik i shtrenjtë, që ti e vlerëson shumë. S’di ç’të them tjetër.                                                                                                                                                                                                Taksisti, pas çdo hamendjeje të klientit, tundte kokën majtas-djathtas në mënyrë mohuese. Për një çast e shikoi në sy udhëtarin, sikur t’i thoshte: “A ke më? Jo?” Në fund ai nisi të flasë:                                                                                                                                                                                                  -Atëherë po ta tregoj unë, se kemi rrugë të gjatë deri në Tiranë! Por në fillim më rrëfe ti atë batutën me baxhanakët, që të qeshim pak, se e kemi të nevojshme!                                                                                                                 Dhe klienti, si u rehatua mirë në kolltukun e tij, tregoi se si shumë kohë më parë një bashkëqytetari i tij shkoi të blinte në tregun fshatar dy gjela deti, për vitin e ri. Ishte zakoni që plot qytetarë i blinin gjelat tri-katër javë përpara festës, sepse i nxirrnin ata në lagje, ku zhvilloheshin dyluftime të ashpra mes këtyre shpendëve. Më përpara gjelat i ushqenin mirë, i shëndoshnin e i bënin me gushë deri në tokë, pstaj i nxirrnin në rrugë për garën. Tek ne, por edhe tek ju, besoj, ky lloj sporti ka qenë shumë i vjetër dhe ndiqej nga shumë spektatorë: të rinj e të vjetër. Viheshin edhe baste. Kur po blinte dy gjelat, qytetari i tha fshatarit t’i zgjidhte dy të mirë, le të ishin të shtrenjtë. Bleu gjelat, i çoi në shtëpi e shpejt i zgjidhi, por vuri re që ata rrinin si pula, nuk ngrefoseshin fare. U zhgënjye blerësi dhe atypëraty i mori gjelat e ia çoi shitësit, që nxirrte çdo javë një tufë të madhe e njerëzit zgjidhnin kë të dëshironin. I tha fshatarit që gjelat që kishte marrë ishin si pula, nuk ishin fare për atë qëllim që ai i kishte blerë, dmth për të luftuar me gjela të tjerë në lagje. “Ah, pse nuk më the që i do për atë punë?!”- i tha fshatari dhe shpejt i zgjodhi dy gjela të tjerë e ia dha në duar, të lidhur. Sapo i zgjidhi në shtëpi blerësi, ata iu sulën njëri tjetrit-tjetrit si të droguar, u zunë keqas, çukisnin me skepa shoshoqin, deri sa u lodhën e u gjakosën krejt. Me këta gjela ai konkuroi ato ditë në garat e lagjes dhe doli fitimtar në shumë ndeshje. Në fundjavën që erdhi, tifozi i gjelave shkoi ta falenderonte shitësin: “- Ah, këta të dytët që bleva tek ti javën e kaluar ishin vërtet gjela të fortë!- i tha- Kurse ata dy të parët rrinin të urtë, si pula!” Atëherë shitësi i tha me të qeshur:”- Epo, pse nuk ma the qysh në fillim përse i doje? Këta të dytët, me siguri, do kenë qenë vëllezër, kurse ata dy të parët do kenë qenë baxhanakë...” 

                                                                                                                                          …Kishin kaluar plazhin e Golemit e po i afroheshin Shkëmbit të Kavajës. Trafik tepër i rënduar!                                                                                        

-Që thua ti, or mik, - e mori fjalën taksisti, akoma fytyrëqeshur nga rrëfimi me gjelat e detit,- para njëzet e pesë vjetësh shkova në Itali për të punuar, sepse këtu jetonim keq: gruan e kam në kemp, ajo është me probleme zemre.  Vajzën e kisha në gjimnaz, kurse djalin në klasë të shtatë. Këtu pata punuar për pak kohë në një firmë private me zetor, por u rrëzova në një hendek e mbeta edhe unë invalid, dola në kemp! Burrë e grua në kemp! Dhe, dihet, kempi, or mik, nuk të bën as zotëri, as pasanik! Lekët që merr aty janë sa për të mos vdekur urie. Dy fëmijë në rritje, lekë çdo muaj për të blerë ilaçet, dritat, uji...Jetë e vështirë. Kështu e ndava mendjen të shkoja e të punoja ca kohë në Itali, me shpresën të gjeja punë atje e të sillja ca para në shtëpi. Por,(këtu mori frymë thellë e balli iu rrudh,) nuk më eci. Kështu u ktheva në krye të vitit dhe gjeta punë si roje në një firmë ndërtimi. Edhe aty rrogë e vogël. Një ditë vetë pronari më thirri në zyrë e ma qau hallin. Jemi shokë fëmijërie e gjithmonë shokë kemi mbetur. Biseduam gjatë e në fund ai më tha: “-  O Gimo, po mendoja për ty, për vështirësitë që po kalon. Edhe gruaja këtë po më thoshte mbrëmë. Rroga këtu tek ne si roje, nuk të mjafton për të mbajtur shtëpinë, e di. Kam menduar sikur të dalësh taksist. Je shofer me stazh pune, patentën e ke!” Unë u tkurra brenda vetes nga fjalët e tij. Fukarallëku është këmishë hekuri, thonë të vjetrit. “- E ku kam para për të blerë makinë unë!?”-i thashë me zë të dridhur. “-Të jap unë,- më nxiti shoku.-Do të gjejmë një makinë me çmim të arësyeshëm dhe ti nis punën, se për të tjerat merrem unë: bëjmë dokumentacionin, lejen nga bashkia e të tjera.  Më vonë shohim e bëjmë. Hë, si thua? Bisedoje sonte me gruan dhe qysh nesër ia nisim kësaj pune! Lekët e makinës do m’I shlyesh pjesë-pjesë, kur të bëhesh me para.” Si përfundim , or vëlla i dashur, po ai vetë më gjeti një makinë, tip Opel, të mbajtur mirë, dhe ia nisa punës së re si taksist! Hë, hë, nisa të fitoja para mirë, sidomos me rrugë të gjata: në aeroportin e Rinasit, në pikat doganore me Malin e Zi, me Kosovën, me Maqedoninë e me Greqinë. Ishin vitet ‘95-‘6, lëvizje njerëzish nga të katër anët, leku ishte nëpër këmbë! Punova derrçe dhe për dy vjet arrita t’ia shlyeja shokut tim borxhin prej pesë milionë lekësh të vjetra, kurse pas një viti arrita të punoja për shtëpinë time…Sot, shyqyr zotit, jam mirë nga ana ekonomike, djali ka ikur me llotarinë amerikane, jeton e punon atje në SHBA, kurse vajza e martuar në një familje shumë të mirë, burrë e grua, merren me një biznes të vogël, janë bërë me fëmijë. E ç’të të them tjetër?! Çdo ditë, falenderoj zotin dhe shokun tim zemërflori, që m’u gjendën në ditë të vështira. Nuk qahem, nuk më dhemb koka për para. Tashti lutem të kem jetë, shëndet dhe paqe në familje. Dhe    e merr vesh ti tashti se kush më nxorri nga fukarallëku? Zoti dhe ja, ky shoku im i fëmijërisë, askush tjetër! As im vëlla, as kushërinjtë, as shokët e tjerë! Pikërisht ky babloku që është këtu në fotografi, i cili për mua është engjëlli im mbrojtës. Ma dërgoi zoti atë, kur isha në pikë të hallit. Dhe unë tashti, për t’ia shpërblyer Zotit dhe shokut këtë mirësi të madhe, a e di se çfarë bëj? Hë, a e merr me mend? Kemi dy familje aty në lagje trokë nga gjendja. Tek furra e bukës paguaj për të dyja lekët e bukës që konsumojnë gjatë muajit. Ndofta nuk bëra mirë që ta rrëfeva këtë, sepse kjo bie si mburrje dhe feja na mëson të mos i rrëfejmë këto të mira që u bëjmë të tjerëve. Vërtet, nuk është ndonjë gjë e madhe, por ja që aq i kam mundësitë.                                                                                                                                                                                    Akti i tretë fillon kur klienti e kupton që i ka ardhë radha dhe nisi të flasë për veten e tij: ai kishte ardhë në Kavajë për punë tregtie e vendin e punës e kishte andej nga lagjja Ali Demi. Në ato çaste, kur taksisti po gjykonte me vete “Po si dreqin po kthehesh në Tiranë me taksi, kur qenke tregtar?!”, klienti sqaroi se i qe prishur makina, e kishte dërguar tek një servis në dalje të qytetit, por nuk mund ta merrte dot të rregulluar atë ditë. Kishte pasur dëshirë të fliste gjatë klienti, por mendimet iu përzien keq nëpër kokë. Fliste, por ndër veshë i tingëllonin fjalët e taksistit “..Dhe unë, për t’ia shpërblyer zotit edhe shokut... çdo muaj.. tek furra e bukës paguaj..” Në ato pak sekonda ai u përpoq të kujtonte fëmijërinë e tij. Trokë kishin qenë edhe ata dikur. Por edhe taksisti që kishte në krah trokë kishte qenë. Tashmë nuk ishin më ashtu. Ai vetë qe bërë një tregtar i pasur, kurse taksisti, aq mirë, sa mbante me bukë me paratë e tij edhe dy familje të vobekta. 

                                                                                                                                                                                           Pastaj taksisti diç po tregonte për një djalosh, bashkëqytetarin e tij, i cili në moshën 14 vjeç kishte emigruar në Greqi, sapo u hapën kufinjtë me dhunë në turbullirat e vitit 1991. Punonte kamarier në një lokal luksoz në ishullin e Kretës. Pastaj po tregonte se një çift, turistë nga SHBA,  pleq, shumë të pasur, e kishin afruar, kishin hyrë në bisedë me të dhe pastaj qenë marrë vesh, me dëshirën e djaloshit dhe me lejen e familjes së tij, ta merrnin në Amerikë, ta rrisnin ata, sepse vetë nuk kishin fëmijë. Ashtu u bë, ata e morën të riun në atdheun e tyre, e adaptuan si djalin e vet, u kujdesën, e dërguan nëpër shkolla, atje ai kishte mbaruar studimet e larta si ekonomist dhe punonte në një bankë të madhe, shumë të njohur. Veç trashëgimisë së madhe që e priste djalin në të ardhmen, dy pleqtë i kishin lënë amanet për së gjalli atij, që edhe ai të merrte në mbrojtje një njeri në nevojë, ashtu si dikur edhe plaku vetë, shumë e shumë vite më parë, kishte qenë i varfër posi ai dhe dikush i kishte dhënë dorën e ndihmës në jetë...                                                                                                                                                                                                Historia kishte qenë e gjatë, minutat kishin fluturuar pa u ndjerë fare, aq sa për të mbërritur në hyrje të Tiranës, afër Zogut të zi. Por tregtarit tiranas kjo vite-jetë e plakut amerikan apo e taksistit sikur i ishte përmbledhur e gjitha në një kohë, në një dhimbje, në një mendim.                                                                    Kur po zbriste nga taksia, ai i dha paratë taksistit fytyrëçelur e, duke i shkelur syrin miqësisht, i tha:    

                                                                                                                                                                                                         -Më ke dhënë një mësim të vlefshëm sot, o shofer! Qenke njeri i mirë!                                                                Dhe, duke ecur i lehte pendë, nuk i shqitej nga sytë fotografia në veturën e taksistit.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page