top of page

Ramazan Hushi: Duart

  • Jun 9
  • 8 min read

Dje, pasdite vonë, në fakt ishte pragmbrëmje, kur dielli sapo qe fundosur në horizontin e largët, aty ku puqet magjishëm qielli me tokën, më ndodhi të shikoja një njeri të çuditshëm. Njerëz të çuditshëm ka plot sot në të gjithë globin e ata mund të jenë të tillë për arësye nga më të ndryshmet. Kurse kjo që po ju rrëfej m’u shfaq pikërisht dje aty tek  shtatrivani, në qendër të qytetit tonë, rreth të cilit janë vendosur në formë rrethore stola dy e nga dy, përballë njëri-tjetrit, dy-tre metra largësi. Gjatë verës këta stola flasin me gjuhë njerëzish pa u lodhur nga mëngjesi deri në darkë vonë, kurse në dimër janë të heshtur e të ngjallin trishtim.  

E kisha lënë të shkoja tek një i njohuri im, por kisha ardhë aty se m’u duk akoma  herët, kështuqë isha    i ngeshëm të kullosja sytë gjithandej ose t’i lëshoja fre mendjes, e cila, dihet, ajo ku nuk bredh! Ujët e shkumëzuar që dilte nga shatërvani e hidhej përpjetë me shushurima gazmore, të ndillte një gjendje qetësie, shplodhjeje. Stërkalat e shumta të tij ajri i shpërndante gjithandej, jashtë bordurës rrethuese, nuk të bezdiste, por të grishte t’i  afroheshe dhe më shumë, të përkulje trupin mbi sipërfaqen e ujit dhe aty të freskoje duart, faqet e qafën. Stina e verës, veç vapës së madhe, të dhuron edhe kënaqësi të shumta, ajo ta pushton ëmbëlsisht gjithë qenien e të sjell në shpirt përtëritje, dëshirë për t’u shkrirë njësh me të.

Duke pritur të kalonin një çerek ore a njëzet minuta, në stolin përballë meje erdhi e u ul një tip, aty e aty në moshë me mua, të cilin nuk e kisha parë ndonjëherë më parë. Me siguri, thashë me vete, është ndonjë i ardhur këtu me banim nga veriu a nga jugu i vendit, gjë që është bërë diçka e zakonshme sot: qyteti ynë është vend bregdetar, aq sa këmbët t’i lag deti Adriatik dhe qysh në mëngjes herët ia ndien aromat e këndshme e jetëdhënëse të pishave e të jodit. E lakmojnë të gjithë. Kanë blerë tokë, kanë ndërtuar shtëpi ose vijnë turistë në verë dhe marrin këtu dhoma me qera. Nuk thonë kot: afër detit, afër mbretit!

Personi që kisha përballë as që përshëndeti, por nxorri paketën e duhanit, mori një cigare dhe e ndezi me duart që i dridheshin dukshëm. Dukej çehrevrarë, me fytyrë anemiku, shikimi i syve të tij m’u duk i vrazhdë, i egër. Një gungë, gati sa një kokërr arrë, i binte në sy dukshëm mbi vetullën e majtë. Me një kostum të dalë boje në trup, veshur pa kujdes, me ata sy që i lëviznin shpesh të shpërqendruar sa në një anë në tjetrën, pa u ndalur askund. Ata sy më tërhoqën vëmendjen, por duket se kjo gjë e shqetësoi disi. Ndodhesha i ulur në një pozicion, gati përballë tij, sepse nga andej shikoja mirë orën e madhe të qytetit. Kështu, për dreq, sytë e mi rastiste të takonin shpesh me sytë e tij dhe ky fakt e bënte acaruese situatën mes nesh.  Isha i sigurtë që kisha pikasur tek ai njeri një tip krejt të veçantë. Por nuk e vrava mendjen të deshifroja  dridhjet e shpeshta të duarve dhe sytë e tij të shpërqendruar. Herë pas here, dorën e djathtë e ngrinte me nervozizëm dhe me të prekte në mënyrë krejt mekanike gungën sipër vetullës, veshët ose hundën. Pastaj ajo dorë zinte vendin e vet mbi gjurin e djathtë. Ndofta mund të ishte edhe ndonjë i moshuar me probleme mendore apo nga ata të azilit të qytetit tonë, ku vijnë herë pas here të tillë nga qytete të tjera të vendit, nga ata që nuk kanë njerëz t’u bëjnë shërbime, ndërsa këtu ata ndihen mjaft mirë. Madje në këtë azil vijnë edhe të moshuar, që kanë  rreth të gjerë familjar dhe gjendje financiare të mirë, por që parapëlqejnë të një jetë të qetë e të rehatshme në komunitet. Kohë të reja, zakone të reja: deri para pak vitesh, në qytet, por edhe në gjithë vendin, e quanin për turp ardhjen e të moshuarve në një shtëpi pleqsh dhe pëshpëritej vesh më vesh për “kohët e këqija” që kanë ardhë, për djem e vajza mosmirënjohëse, që nuk duan pleq në shtëpi, për nuse që…  

Kurse dorën e majtë ai e mbante vazhdimisht mbi gjurin e majtë e ajo dukej aty si e ngurtësuar, sikur të ishte ngjitur në atë vend të trupit, sikur të ishte pjesë e tij. Vetëm gishtërinjtë aty bënin ca lëvizje të vockëla, që në pamje të parë dukeshin si të pavullnetshme, por që në fakt nuk ishte krejt ashtu. Hera-herës ata bëheshin më të gjallë, lëviznin me zor, nervozë, aritmikë, si të ishin lidhur me dhunë aty, të dënuar, që mos të bënin lëvizje të tjera pa pëlqimin e të zot. Madje në një çast më tërhoqi vëmendjen dora e djathtë, e cila prap u ngrit nxitimthi, nuk di përse, por, o zot, dora e majtë u shkëput menjëherë si me dhunë nga vendi ku qe ngjitur, u ngrit vetëtimthi e iu sul simotrës së saj! E mbërtheu atë në mënyrë inatçore te kyçi dhe e detyroi forcërisht të ulej në pozicionin e parë, domethënë mbi gju. Gjatë këtyre pak çasteve pata përshtypjen që edhe i zoti i atyre duarve diç po mërmëriste me vete, sepse edhe buzët e tij sikur morën pjesë në atë skenë. Më pas pati një dialog të heshtur, misterioz, me lëvizje gishtërinjsh nga të dyja pëllëmbët, që ishte e vështirë t’i deshifroje në gjuhën njerëzore. Befas, dora e tij e majtë u ngrit vetëtimthi dhe e goditi me zemërim  të djathtën! Por i zoti i tyre as që i mori në konsideratë këto ngacmime mes dy duarve, ashtu siç vepron një prind, kur shikon një grindje mes dy fëmijëve të vet. Në sytë e tij shquhej qartë një  lloj indiferentizmi deri në përhumbje. Më pas ky rit i i çuditshëm u përsërit disa herë, madje shumë shpesh dhe dora e majtë bëhej gjithnjë më nervoze në goditjet e saj në drejtim të së djathtës. Nga dy pjesë të një qenieje njerëzore, ato po më dukeshin në ato çaste si dy qenie të veçanta, si dy shpendë a dy kafshë të vogla që grinden ashpër mes tyre. Si duhej shpjeguar kjo? Dëshiroja ta ndiqja gjatë atë duel duarsh, por pashë orën tek sahati i madh i qytetit, që më tregonte se kishin kaluar tridhjetë minuta dhe u ngrita. Sheshi aty qe gjallëruar nga lëvizjet e shumta të njerëzve në mbrëmjen që kishte zbritur pa u ndier prej qiellit, nga ndriçimi i fortë i dritave të neonit përreth, kurse mua padashur më vidhej shikimi i  syve nga duart e atij njeriu, a thua se tek të gjithë njerëzit ndodh po ashtu si me atë person të panjohur! A thua tek të gjithë njerëzit të dyja duart janë në gjendje lufte me njëra-tjetrën dhe herë pas here çukisin njëra-tjetrën si me sqepa! Por të gjithë këto hamendësime qenë thjesht një fiksim imi i çastit.

Që nga ai rast jo i zakonshëm deri sot kanë kaluar gati dy vjet dhe unë vazhdimisht vras mendjen të zbërthej atë gjuhë misterioze duarsh tek ai njeri që ndesha tek shatërvani, në qendër të qytetit. Në jetë kam parë e shoh plot raste të gjuhës enigmatike të duarve të njeriut. Përshembull, ka ca njerëz që i fërkojnë shpesh duart me njëra-tjetrën, kjo do të thotë që ndihen mirë, ose me humor, por edhe kur kanë ftohtë. Ka të tjerë që i çojnë ato shpesh në kokë dhe ndreqin a përziejnë flokët, dmth u pëlqen të duken të hijshëm, ose kur janë në një gjendje dileme shpirtërore. Dikush tjetër i mban të dyja duart ose njërën gjithmonë në xhepat e pantallonave, një tjetër me to kruan hundën a veshin. Ka pastaj tipa që me ato duar kruajnë edhe pjesë të tjera intime të trupit, nganjëherë pa e kontrolluar fare veten nga sytë e të tjerëve! Një tjetër, tip maniak pas këpucëve, shpesh nxjerr nga xhepi një copë leckë e me të përkulet e fshin këpucët shumë shpesh, edhe kur ato nuk kanë asnjë pikë pluhuri! Ka jo pak tipa të tjerë, duart e të cilëve janë me plagë në majë të gishtave, sepse ata herë pas here i hanë thonjtë me dhëmbë, gjë që është shenjë e qartë inati apo nervozizmi. Por ka duar që zgjaten tinëzisht që të hapin një kasafortë shtëpie a shitoreje sendesh me vlerë, për të vjedhur gjithçka  gjejnë aty brenda, ashtu siç ka edhe duar që pa u dridhur aspak, kapin thikën ose armën e me të bëjnë një krim. Madje ka edhe duar që dhunojnë pa pikë mëshire fëmijët, gruan, deri edhe prindët! Kam parë një herë dy duar që dridheshin tmerrësisht nga sëmundja e parkinsonit, ashtu siç ka duar që dridhen edhe kur pronari i tyre pijanec nuk ka lekë të shkojë të pijë raki apo drogë, ose kur i zoti i tyre prej ditësh nuk ka pasur rast të vjedhë diçka, sepse është mësuar me këtë ves e nuk e zë gjumi natën. Ka duar që dridhen në mënyrë të frikshme, kur nuk kanë shkruar prej disa ditësh një letër anonime a një mesazh anonim në celular, me shpifje, kërcënime kafshërore e me intriga të paskrupullta. 

Përpëlitur në valët e këtyre mendimeve të zymta për duart njerëzore, sesi më erdhi në kokë ideja që në atë mbrëmje të qetë, ku të dukej sikur gjithçka gjallonte natyrshëm, do të kishte edhe plot duar, qofshin të djathta ose të majta, që po futeshin në një kasafortë banke, në një derë shtëpie a makine, nëpër xhepa a çanta grash, duke nxjerrë tinëzisht një thikë a një armë, një stilolaps a një vulë fallse, për të kryer një vjedhje, një vrasje, një plaçkitje, një intrigë a mashtrim, falsifikim a shpifje monstruoze!                                                                             

Por prap më shfaqet para syve ai personi i çuditshëm, me gungë në ballë, sidomos dy duart e tij, të cilat bënin po ato lëvizje: sapo e djathta tentonte të ngrihej, e majta i hidhej përsipër dhe e godiste fort, gjë që e detyronte tjetrën të kthehej në pozicionin e mëparshëm, mbështetur mbi gju. Ato të kujtonin një çift macesh zevzeke, që aty pranë e pranë, njëra godet erë pas here me çapok tjetrën, nuk dihet për ç’arësye. Atëherë imagjinata ime u shfrenua: Ato dy duar janë si dy motra që nuk rrinë dot pa njëra-tjetrën, ndonse edhe grinden herë pas here. Njëra motër është tip i gjallë, dëshiron të lëvizë e të merret me diçka, kurse tjetra, tip i mbyllur, së cilës i pëlqen të rrijë mbyllur në guaskën e vetvetes. Ka raste kur ato të dyja janë të një mendjeje për të kryer një veprim, fjala vjen , për të kryer një punë, e cila nuk mund të bëhet vetëm me njërën dorë! Por edhe secila prej tyre ka një pavarësi të cunguar. Sepse çdonjëra prej tyre ka nga pesë gishtërinj. Dhe duhet të jenë të pestë në një mendje për t’i diktuar dorës një veprim. Pra brenda vetë njeriut, organeve të tij, jeta funksionon ashtu si në familje apo në shoqëri. Po përse te dyja duart e atij njeriu ishin në këto marrëdhënie të ashpra mes tyre? Herë pas here e majta ngrihej me vërtik dhe godiste të djathtën, sa herë që kjo e fundit tentonte të ngrihej në një pozicion tjetër. Një çast gjykova që ato dy duar kishin diçka të përbashkët me ato mijëra duar që kisha përmendur më lart. Dhe nisja të bëja interpretimin  tim: me të djathtën ai njeri mund të ketë bërë një gjë të keqe në jetë, një herë, dy herë, shumë herë. Ose ka vjedhur, ose ka vrarë, ose ka dhunuar a përdhunuar. Dhe në këto veprime me siguri ka qenë aktive ajo, dora e djathtë, kurse e majta e ka ndihmuar atë! Ose, e kundërta,  ajo nuk ka qenë dakord me veprimin e dorës simotër, por nuk ka pasur forcë ta ndalojë atë. Atëherë me këtë njeri tashmë po ndodhte një fenomen i rrallë: dora tjetër e godiste vazhdimisht, si për të shprehur dufin e vet për prapësitë e tjetrës! Ose ka mundësi që të dyja ato vetërrihen me njëra-tjetrën, sepse kanë qenë bashkëpunëtore, ose i zoti i tyre mund të jetë ndjerë i penduar më vonë.  Ndoshta nuk është penduar, por vazhdon t’i përjetojë gjithnjë paudhësitë e tij, se nuk i fshin dot nga kujtesa! Në botë ka pasur popuj apo fise, që vjedhësvet ua prisnin me sëpatë dorën me të cilën kishin bërë vjedhjen. Ndëshkim barbar! Ka edhe të tillë, që për këto veprime, rrahin veten: fytyrën, gjoksin, shpinën, krahët, deri në gjakosje. Pra ata vetëndëshkohen. Vetëndëshkim që ka pak a shumë këtë domethënie: i shpëtuam ndëshkimit hyjnor dhe atij ligjor, por ja tashti po vetëndëshkohemi! Është një ndëshkim më i rëndë ky se dy të parët. Kam lexuar diku që banorët katolikë në Filipine, në prag të Pashkëve, rrahin veten me mjete të forta, derisa e gjakosin trupin! Dhe këtë veprim e bëjnë të gjithë, si për të dëshmuar që nuk ka njeri pa mëkate.  Nuk e di, vërtet nuk di, cili është ndëshkimi më i drejtë për këta njerëz mëkatarë: ndëshkimi ligjor, ndëshkimi hyjnor apo vetëndëshkimi fizik!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page