top of page

Ramazan HUSHI: Ajsbergu  

ree

                                                                                                                                    

Tregim     

 

Në çastet kur m’u kujtua që duhej të kryeja një porosi, të cilën ma kishte lënë gruaja kur dola, 

për të blerë diçka në market, bashkëbiseduesi im në tavolinë po më thoshte:

-Kurrë nuk e kisha menduar më parë që do të vinte kjo kohë, kur unë e gruaja, të dy pensionistë, do të vinim të jetonim këtu në Itali me fëmijët tanë! E ku, në shtëpinë e dhëndrit, edhe ti, edhe unë! Jeta vërtet qenka e çuditshme e dallgët e saj ku nuk të hedhin! Bah, u bëmë refugjatë edhe ne shqiptarët! Ne, që jemi në zemër të Evropës! Të ishte për ndonjë zezak afrikan nga Somalia a Kenia apo arab nga ato vende ku bëhet luftë, kjo do të kishte kuptim, por për ne shqiptarët?! Unë desha t’i thoja që zhvillimi i një vendi varet shumë nga aftësitë drejtuese të atyre që na kanë udhëhequr e të tjera fjalë bajate të kësaj natyre, por e lashë shokun përballë të mbaronte mendimin e tij. Ai fliste e fliste dhe në fakt  fjalët e tij nuk ishin flluska në ajër, por pohime fare të zakonshme, që tashmë i bën çdo shqiptar me dy para mend në kokë. Gjithashtu, i trullosur nga breshëria e atyre fjalëve, kisha përshtypjen që njerëz të tillë, të cilët kanë vetinë të flasin shumë, pa të lënë radhë të flasësh edhe ti, këta njerëz edhe natën në gjumë, mbase, flasin shpesh e më shpesh. Jemi gati moshatarë, por ai duket më i mbajtur fizikisht se unë. Ka fytyrë të gjerë, ku bien në sy buzët e trasha, sytë e mëdhenj, tepër të shndritshëm e depërtues, vetullat e thinjura, të dendura, kurse flokët, fare të shkurtra, edhe ato të thinjura.    

                                                                                                                                                                                              Pastaj të dy na bashkoi heshtja. Mendova kështu, sepse gjatë kohës që ai fliste, m’u duk sikur po largohesha çdo sekondë disa metra prej tij, kështu që ai e ngrinte zërin gjithnjë e më shumë. Por e gjitha kjo s’ishte, veçse një iluzion dëgjimor. Sytë e mi  ishin përqëndruar tek një kornizë në mur, diku prapa shpinës së tij: një ajsberg gjigand, brenda një kornize të thjeshtë, që sfidonte rrezet e një dielli fosforeshent, gati verbues. Më kishte tërhequr vëmendjen edhe herë të tjera ajo tabllo, me përmasa rreth 1m x 0.7m, e cila ishte aq e gjallë në ngjyra, sa nuk arrije dot të kuptoje në se ishte një pikturë mjeshtri apo një fotografi profesionisti. Aq e gjallë ishte ajo tabllo, sa shpesh më dukej sikur, duke qenë pranë saj, ndieja ftohtë në gjithë trupin. Një ndjesi e rrallë, që s’e kam provuar kurrë në artet figurative.

Në rrethana të veçanta qe njohja ime me këtë person. Qysh në ditët e para, në fjalët e para që këmbyem bashkë, m’u duk njeri i mirë, i sjellshëm, me kulturë, madje ai m’u rrëfye pa ndrojtje edhe për hallet e tij familjare. Them se në rrethana të veçanta qe njohja jonë, sepse, të dy ne, nga dy qytete të ndryshme bregdetare në Shqipëri, kishte rastisur të ndodheshim bashkë, një mijë e ca kilometra larg atdheut tonë, në një qytet të vogël në veri të Italisë, jo larg nga Venecia e bukur. Oderzo quhet. Qytet ku banojnë njerëz të sjellshëm, punëtorë e që jetojnë gjatë dhe të moshuarit ndjekin me kureshtje çdo ditë, duke zënë radhën njëri pas tjetrit, tek vendi  ku afishohen lajmërimet e vdekjeve, dhe, kur dikush ndodh që vdes 70-75 vjeç, ata habiten dhe shprehen: “Quanto giovane!” Duken njerëz të ftohtë e gjatë ditës të rëndomtë, vishen pa sqimë a thua s’dinë të bëjnë gjë tjetër në jetë, veç të punojnë. Por, kur vjen mbrëmja, ata çuditërisht shndërrohen në njerëz të ngrohtë, të gjallë, të qejfit, puthen e përqafohen pa ndrojtje edhe në mes të rrugës, të rinj e pleq, madje edhe vallëzojnë, në raste festash, aty tek piaca në formë katrore, rreth së cilës gjenden kisha e vjetër, zyra e policisë bashkiake, Veneto-Banca, farmacia, tabakeria, dyqani i orëve të bukura e të shtrenjta, si dhe kafenetë e shumta, me çadrat të nxjerra jashtë, verë e dimër. Qe muaji prill e ne po flisnim për pranverën, për lulet që kishin shpërthyen nga të gjitha anët me aromat e tyre dehëse, për zogjtë që fluturonin gjithë cicërima në ekstazë...Si gjithnjë, ai fliste më shumë e unë e dëgjoja. Rrinim  në të njëjtin lokal, në qendër, tek piaca, me emrin domethënës “Incontro”, pra që është vend takimi për të gjithë, sidomos për të moshuarit çdo ditë, por edhe për    të rinjtë e të rejat çdo mbrëmje, sidomos në fundjavë. Ndërtesat e vjetra tri, katër- katëshe, që na rrethonin kudo, të shekujve 13, 14 apo 15, të rikonstruktuara me shije të hollë, rruga gjarpëruese automobilistike aty pranë, që buiste nga makinat e shumta që shkonin e vinin pa pushim, apo edhe malet Dolomite, që të duken aq afër, sa ke përshtypjen se, po të zgjatësh dorën, i arrin,  janë pjesë e dekorit të këtij qyteti të vjetër me emrin e lashtë Opitergium, ku të ftohtët e bora nuk kanë shumë forcë, edhe në kulmin e dimrit. Të gjitha këto në tërësi më krijonin një gjendje qetësie e sigurie, aq sa nganjëherë, në përhumbje të ëmbël, më dukej sikur isha në qytetin tim të lindjes. Epo, kam gati njëzet e pesë vjet që jam pajisur me dokumente italiane! Por më duhej, që, me takt, të shikoja e të dëgjoja nga bashkëbiseduesi im, i cili do të gjente gjithnjë fjalë e gjëra të reja për të më thënë. Takoheshim dy-tri herë në javë para dite. Përshëndeteshim e ai më pyeste me përzemërsi: “Si je? Çfarë ke bërë, si e kalon?...Çfarë na thua? Si i ke njerëzit e familjes, djemtë, vajzën, zonjën, ata çamarrokët e vegjël? Ç’ kemi ndonjë të re? Ku ke qenë?..”etj. Kurse unë, gjithë asaj breshërie pyetjesh, i përgjigjesha shkurt me një fjalë: “Mirë”, si të isha banor vendas aty e jo një shqiptar, që bën shumë pyetje për të marrë vetëm një përgjigje. Pinim herë kafe, herë një gotë verë, shoqëruar me patatina. Unë ngulja këmbë që të paguanim si pensionistë, dmth. secili të vetat, por në fakt  ai ngulmonte e paguante më shpesh, bile aq shpesh, sa që nganjëherë bëhesha nervoz me veten time, nga që këmbëngulja e tij më gërvishtte diku përbrenda. Ta them më saktë, më vinte në siklet. Sepse  janë tri arësyet që e shtyjnë njeriun të qerasë një apo disa të tjerë: ose dashuria, respekti e mirënjohja, ose interesat e ngushta vetjake, apo egoizmi. Në rastin tim, nuk mund të vija dorën në zjarr për asnjë nga këto tri arësye, sepse ne shumë pak kohë kishim që qemë njohur bashkë  (-A dalim ndonjë mbrëmje me gratë të pimë nga një kafe?- më kishte thënë para dy ditësh shoku, pas një pauze të shkurtër, kur të dyve na kishin tërhequr vëmendjen tri gra të moshuara italiane aty pranë, që flisnin e qeshnin me zë të lartë, pa ndrojtje. Propozimi i tij më gjeti të papërgatitur dhe u ndieva  ngushtë, që po ia vonoja përgjigjen, teksa ai nuk m’i ndante sytë. Dua të sqaroj se, për mirësjellje, pranova atë mbrëmje të dilnim me gratë, por pastaj gruaja më kishte batërdisur me fjalët ankuese “Uf, sa shpejt i zë shokët !..Dhe pastaj pranon menjëherë t’i bësh miq në familje!” )  -…A i sheh ato dy gratë aty?..- më pëshpëriti shoku i tavolinës, duke treguar me sy diku nga e djathta jonë.- Janë ukrainase.     -Ashtu?- pyeta kot, pa pikë interesi.- E thua nga pamja e tyre, apo i njeh?- Isha bërë nervoz.                                                                                                                                                    -Jo, nuk i njoh,- m’u përgjegj, pa ia ndarë sytë lakmiqarë atyre dy femrave, që as e kishin mendjen nga ne.    -Edhe unë nuk i njoh,- thashë duke ngritur supet, sepse vërtet nuk e kam në natyrën time atë lloj interesimi të tepërt për ata që nuk i njoh.   -Nuk i njoh,- vijoi ai të më fliste me shumë dëshirë për gratë ukrainase,- por e di që ato punojnë si badante këtu në qytet. Kjo e shëmtuara me flokë të shkurtra gështenjë rri në shtëpinë e një plaku parelli ulok dhe e shëtit atë çdo ditë, duke shtyrë biçin e tij me tri rrota. Kurse ajo tjetra, bjondja bukuroshe, është e punësuar në shtëpinë e një çifti pleqsh, në periferi të qytetit; u bën shërbime, u gatuan, pastron, lan rrobat, mbjell zarzavate e perime e u blen gjërat në treg.                                                                                                                          -Qenka shumë e re dhe simpatike bjondja,- i thashë, ashtu kot, por u pendova në çast. U pendova thellësisht, sepse gjykova pak a shumë kështu: gruaja e botës ka ardhë nga aq e aq larg për të fituar ca para, që të mbajë familjen me bukë atje në vendin e saj, ndofta ka edhe njerëz të sëmurë atje, që duan para për ilaçe, ndoshta ka hyrë në borxhe! Por bashkëbiseduesi im, sikur të m’i kishte lexuar mendimet, më sqaroi më tej:

-Kjo bukuroshja, që thua ti,  është nga një fshat 80 kilometra larg Kievit. Ka tri vajza, njërën pas tjetrës, 8, 10 e 13 vjeç, ka edhe një burrë dembel, që vetëm dy gjëra di të bëjë në jetë: të lërë gruan me barrë dhe të pijë vodka.   Po bindesha që shoku im kishte informacione të shumta për atë grua. Por jo vetëm për atë; herë të tjera, fjala vjen, ai më tregonte për një djalë shqiptar, i cili kishte marrë edhe plakën aty në Itali, ndonse nusja nuk e donte një gjë të tillë. Për një tip tjetër që rrinte pa punë e nuk dihej se si ushqehej, për filan grua, (sidomos për gratë shfaqte më tepër interes,)që e dridhte me cilindo që i dilte përpara, për...  Kur më fliste për këto gjëra, s’di përse sytë më shkonin vetiu tek tablloja e varur në mur aty afër nesh: ajsbergu. Masa gjigante akujsh që notojnë nëpër oqean, të cilat pjesën më të madhe të tyre e fshehin nën ujë e shumë pak e ekspozojnë në sipërfaqe. Duke parë kalimthi fytyrën e shokut,  më lindi brenda vetes pyetja: a thua, edhe njerëzit në këtë botë janë njëlloj si ajsbergët, që në pamje të jashtme shumë pak e ekspozojnë veten, kurse pjesën më të madhe të saj, pikërisht atë më të rëndësishmen, më thelbësoren, e fshehin, e kanë të padukshme?      Gjithmonë, gjatë bisedave tona, ai do të gjente rastin të më fliste për letërsinë. Si lexues i brezit të viteve 60-70, ai më thoshte se kishte dobësi për Remarkun, Floberin, Pushkinin, Cvajgun, Hygoin e të tjerë të mëdhenj, që bënë epokë me veprat e tyre. Më thoshte ndonjë citat nga filan libër i tyre, apo vargje që i dinte përmendsh dhe sytë i shkëlqenin e s’harronte së thëni: “Po këtë, e mban mend? Po këtë tjetrën?.” Dhe unë e dëgjoja me durim, por me kalimin e javëve e të muajve këto gjëra m’i përsëriste shpesh, sepse harronte që m’i kishte thënë një herë apo më shumë.(Po këtë ta kam thënë? Po këtë tjetrën?..) Kishte raste kur stimulonte polemika me mua për këtë apo atë autor ose vepër. Ndonse kishte punuar gjithë kohën si hidraulik atje në qytetin e tij të lindjes dhe gjimnazin e kishte mbaruar në shkollën e mbrëmjes, ai e donte letërsinë e dukej që kishte lexuar libra. E kuptoja, këto polemika ai   i sajonte për të më përfshirë edhe mua në bisedë, që të më nxiste të flisja.   -Po ti fol një fjalë, or burrë, mos më lër vetëm mua të flas!- s’u përmbajt ai një ditë, por me ton të dukshëm mirësjelljeje, gjithsesi, qortues, jo të zakonshëm.- Fol edhe ti, më thuaj të paktën “Plaç!” me gojë! Më trego për veten tënde, për njerëzit e tu, për dëshirat e pasionet që ke në jetë, për aventurat e rinisë...Ti e shikon, unë të jam hapur në biseda, sepse më pëlqen miqësia me ty, të çmoj për vlerat që ke! Të quaj shok! (Do doja që biseda të vijonte kështu: -Përse më quan shok?- t’i thoja.- Sepse të njoh shumë mirë,- do më përgjigjej.- Po ti ku më njohe kaq mirë në kaq pak kohë që jemi takuar bashkë?! Ti mbase di vetëm disa anë të mira të mijat, por nuk di çfarë të metash kam! Edhe ti për mua, edhe unë për ty, duhet t’i njohim edhe të metat apo dobësitë njëri-tjetrit. Ai:- Jo, nuk dua t’i di të metat. Ti s’ke të meta. Unë:-Ja, po të them se kam edhe unë të metat e dobësitë e mia, si çdo njeri. Dhe e di pse duhet t’ia njohim njëri-tjetrit edhe këto anë? Po them për veten time: që jo vetëm të përfitoj nga virtutet e tua, por edhe të ndikoj tek ti në pastrimin nga veset. Po kështu, edhe ti për mua. )      Fliste i përmbajtur, por ia dallova në sy irritimin. Kishte dhe një notë të fshehtë pakënaqësie në tonin me të cilin më drejtohej. Pastaj hidhej tek “Lahuta e malsisë”, e Gjergj Fishtës. Vargje të tëra përmedsh nga “Lahuta”, nga “Antologjia poetike” e Hygoit, nga Esenini...                                                                                                                                               

Të them të vërtetën, unë vetë i lija shokut hapësirë të shprehej, qoftë edhe për letërsinë, por çdo ditë e më tepër po ndihesha i trullosur nga këto biseda, të cilat nuk po më dukeshin të natyrshme. Dhe arrita deri aty sa t’i bëja pyetjen vetes: “Ore, vërtet i ka ky këto që më flet e më shet për letërsinë?” Ishte njëlloj si t’i flisja unë atij për zanatin e hidraulikut! Kurse ai vetë asnjëherë nuk më kishte folur për zanatin e tij. Por me kalimin e kohës, doli në pah diçka: ndërsa mua më nervozonte furia e fjalëve të tij, atë e nervozonte heshtja ime. Një herë tjetër ai po më tregonte për aksh bufist në një lokal të qytetit, ku unë vetëm një herë u futa me të, kurse ai shkonte shpesh. Më tregoi që ai ishte gei e se këtë gjë ia kishte thënë në intimitet një italian, komshi me të në pallat. Kurse kishte njohur një vajzë, që sipas tij ishte travestite, se... Ndërsa unë tundja kokën i trullosur, me sytë, si përherë, nga tablloja me ajsbergun. Po aty, në vendin e përhershëm. Ajsberg i madh, i bukur, nën një qiell të kaltër, gjithë dritë, por, gjithsesi, misterioz. Aq real m’u duk ai ajsberg në ato çaste, jo si një kopje e realitetit, por vetë një pjesëz e këtij realiteti, sa pata përshtypjen këtë herë se vërtet ftohtësia e tij më kishte hyrë nëpër trup e më shkaktoi drithërima.    Një herë tjetër çuditërisht më ftoi në shtëpi!Qe mbasdite vonë, në fund të prillit dhe nëpër rrugët plot lëvizje njerëzish përhapeshin edhe aroma trëndafilash shumëngjyrësh dhe gjithfarë lulesh të tjera. E falenderova për ftesën shokun tim të kafenesë, por i bëra bisht me takt. Pas dy ditësh më kërkoi një libër të Markesit, që ai e dinte se e kisha e më tha se do të vinte pasdite në shtëpinë e dhëndrit tim, ku jetoja përkohësisht, ta merrte! I thashë nxitimithi se do t’ia nxirrja vetë në mbrëmje, ose të nesërmen tek kafeneja jonë. Derisa, pas pak ditësh ai më mori me celular dhe u takuam tek bar- “Incontro”. E gjeta aty, dukej i trishtuar. Më përshëndeti ftohtë në mënyrë të dukshme, më shikoi për disa sekonda drejt në sy, pastaj më tha:

Dëgjo..unë..jam i prekur nga qëndrimi yt...dua të di përse rri kaq i ftohtë e i largët me mua?..Ti e di, unë nuk kam shokë e miq të tjerë këtu, vetëm me ty më pëlqen muhabeti...Më duket një miqësi e sinqertë kjo jona, kurse ti..nuk di pse..     Më në fund ai nuk e kishte duruar më situatën e krijuar mes nesh. Në fakt edhe unë në atë gjendje kisha arritur, pak a shumë, por isha më i përmbajtur. E këqyra për disa çaste thellë në sy, po ndihesha liksht dhe një shije e hidhur ma kishte mpirë gjuhën.   -Edhe unë s’di  çfarë të të them..- ia nisa të flisja, por shija e hidhur në gjuhë s’po më ndahej.- Ti, në fakt, ke pjesërisht të drejtë me këto vërejtjet e tua, me ankesat që shfaq ndaj meje..Por..dua të them.. Unë po përpiqem të të kuptoj, por s’po arrij.. Edhe ti si duket nuk më kupton si duhet.. ose nuk e ke njohur mirë natyrën time...Po të bëj një pyetje tashti: si më njeh ti mua?- dhe përpiqesha të isha sa më serioz e i qetë në tonin e fjalëve që po thoja. Ai m’u duk se u befasua nga pyetja ime, ngriti supet e më dha një përgjigje që m’u duk naive:

Je njeri i mirë, dukesh në sy! I njoh njerëzit që në pamje të parë.                                                                                                                                         -Epo, ja ku po ta them tashti që po gabon, se nuk më njeh mirë, e shikon?- S’po ia ndaja sytë, por edhe ai mua. Dukej i çoroditur krejt.-Dikur unë kam dalë dëshmitar për një shokun tim, i cili u dënua me burg për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor..”Kam bërë vetë pesë vjet burg për një vrasje..-(Oh, si u nxi fytyra e tij, si një qiell me re shiu.)-Kam ndarë tri gra, kjo që kam është e katërta...Ndahen me mua se kam një zakon: i rrah keq...Kështu bënte edhe Pikaso, ai piktori kubist.. ti e di, besoj.. -Jo, nuk janë të vërteta këto që thua!- tundi kokën shoku përballë në mënyrë mohuese, pa m’i ndarë sytë, duke kruar shpesh faqet me nervozizëm dhe unë s’e ruajta dot më seriozitetin e shtirur.                                                                                                                                                                                           -Ha-ha-ha!- qesha hidhur.- T’i  thashë për humor këto. Dua të them që jeta është një rrugë e gjatë,  e mundimshme dhe të gjithë nxitojmë përpara për diku. Dikush ecën më shpejt, dikush më ngadalë. Edhe ne jemi dy njerëz që jemi takuar rastësisht në këtë rrugë, siç ma ke thënë vetë në fillim të njohjes sonë. Ashtu si u takuam, ashtu edhe do të ndahemi një ditë. Por, ama, sa më shumë kohë të ecim bashkë në këtë rrugë, aq më mirë do ta njohim njëri-tjetrin..Ti më fton në shtëpi, këtë ftesë mund ta bëj edhe unë ty, por mendoj se të dy do të vepronim gabim kështu, sepse edhe ne vetë jemi mysafirë në shtëpitë e fëmijëve tanë apo të dhëndrave tanë...Unë e dua miqësinë, e çmoj së tepërmi, por një miqësi të shëndoshë, që kalon nëpër shumë prova në jetë

Ai ia kish ngulur vështrimin kafes me qumësht, si ato gratë që bëjnë magjira, kur e kthejnë filxhanin përbys pas pirjes. Pata përshtypjen sikur m’u buburriq i gjithë trupi në ato çaste dhe më shkuan sytë përsëri tek ajsbergu në tabllonë përballë: sesi m’u duk ndryshe këtë herë, sikur kishte ai marrë përmasa më të mëdha, kishte dalë më tepër mbi sipërfaqen e ujit, shumë më tepër, në mënyrë enigmatike, kërcënuese. (Bashkë me të ftohtin nëpër trup, nga ndjesia që po më shkaktonte gjithmonë ai ajsberg, ndjeva edhe një lloj frike të pashpjegueshme. Kurse mendja më fluturoi larg, në Shqipëri, në Tiranë, ku kam dy miq të vjetër, me të cilët takohemi shpesh e pimë ndonjë gotë birrë a raki herë pas here. Edhe në kulmin e dimrit, të ftohtit, ne bashkë ndihemi ngrohtë, jo se na ngroh pija, por...)   Tri ditë nuk u takuam në “Incontro” dhe në ato tri ditë e kam vrarë mendjen kushdi sa herë për ato që biseduam bashkë herën e fundit.  Gjithnjë më ka intriguar koncepti i miqësisë. Për këtë ndjenjë të lartë njerëzore kanë shkruar qysh në kohë shumë të vjetra mjaft dijetarë e filozofë, sociologë dhe edukatorë. Miqësia është një nga vlerat morale më themelore të njeriut, e ngritur mbi bazën e njohjes së ndërsjelltë. Është një marrëdhënie, ku japim e marrim, jo thjesht në kuptimin fizik, komercial, por në kuptimin shpirtëror. Kurse mua, krahas gjykimeve teorike filozofike apo etiko-morale, më ka pëlqyer edhe një gjykim i zakonshëm, disi naiv e jo shumë i pranueshëm ndoshta, si kuptim metaforik: e kam quajtur miqësinë si një qenie ireale, si një engjëll a djall, që rri brenda shpirtit tonë. Disa herë e kam pyetur veten: përse kërkon me ngulm, përse nxiton ky njeri të bëjë një lidhje miqësie të shpejtë me mua?

                                                                                                                                                                                      Ditën e katërt ai erdhi më gjeti vetëm në tavolinën tonë, tek “Incontro”. Përshëndeti si zakonisht, por kuptohej menjëherë që ishte i ngrysur, i zymtë, nervoz. E pyeta:                                                                                                                                                                                     -Çfarë ke kështu sot? Me ato shqetësimet e përhershme të stomakut?

                                                                                                                                    

-Jo, hiç. Nuk kam bërë gjumë të rehatshëm mbrëmë.

                                                                                                                                                      Unë i thashë si me shaka që mosha jonë i ka këto shqetësime, sepse, kuptohet, na janë ndryshkur pjesët e brendshme e ato duhen ndërruar. Ai u përpoq të vinte buzën në gaz. Pastaj më tregoi pa ndojë emocion të veçantë për një kushëririn e tij të afërt atje në Shqipëri, sepse kishte marrë vesh  që kishte bërë ca fallsifikime me dokumentet e pronave e kështu kishte dalë më i fituar për vete se pjesëtarët e tjerë që ishin bashkëtrashëgues. 

                                                                                                                                                                                             ...Kishim një javë a diçka më shumë që nuk ishim parë e nuk ishim lidhur me telefon. Në fakt unë dilja pothuaj çdo paradite, takohesha dhe me shokë të tjerë shqiptarë, me të cilët kisha ndërtuar marrëdhënie shumë korrekte mirëkuptimi e respekti.

                                                                                                                                             Atë ditë, qe kohë dreke, me qiell të vrenjtur, kur, sapo kisha dalë nga kafeneja e po shkoja me biçikletë në shtëpi, befas u ndodhëm përballë. Edhe ai me biçikletën e tij e të dy ndaluam, me një këmbë në tokë, me tjetrën në pedal. E përshëndeta si zakonisht, por ai vetëm tundi kokën dhe pashë në sytë e tij po atë qiell të vrenjtur. Pastaj më foli ballas me ton të egër e të ashpër:                                                                                                  

-Po ti çfarë ke, që më rri larg e më shmangesh gjithnjë? Çfarë të kam bërë, që më sillesh kështu? Më thuaj, pra, ku të ka mbetur qejfi me mua? Unë jam sjellë korrekt me ty, kurse ti më rri ftohtë, bën sikur nuk më sheh në rrugë, unë të marr në telefon, ti jo. Të kam qerasur me dhjetra herë, të kam ftuar edhe në shtëpi, kurse ti nuk e vlerëson sjelljen time. Nuk e kuptoj këtë qëndrim...                                                                                                                                         

Në çast ndjeva dhimbje therëse në kokë dhe u përpoqa të rendisja fjalët. I thashë me qetësi se e kishte gabim që më paragjykonte ashtu, se asnjëherë nuk kisha bërë sikur s’e kisha parë, se edhe unë e kisha marrë në telefon, edhe unë e kisha qerasur, ndonse më rrallë. I thashë me sinqeritet se kështu e kam natyrën, nuk shikoj majtas e djathtas në rrugë, se nuk shikoj mirë nga larg etj. Kurse ai qe inatosur keq e nuk i pranoi arësyetimet e mija, por vijoi me ankesat:                                                                                                                              

-Unë të pata konsideruar një shok të mirë dhe dëshiroja që këtë shoqëri ta shndërronim në miqësi, kurse ti me mendjemadhësi nuk e përfille afërsinë time. Jam i zhgënjyer vërtet.                                                                                                                                                                  Po çuditesha me atë pamje të egër që kishte marrë, por edhe me tonin e tij cinik. Nuk e kisha parë kurrë ashtu. Gjithnjë e kisha njohur tip të qetë, babaxhan, që më fliste me mirësjellje, shoqëruar me buzëqeshje dhe me nota humori. Tashmë kisha përballë një njeri tjetër, ndjehesha i befasuar e morrnica më përshkuan gjithë trupin! Nuk po dija të dalloja tek ai njeri fytyrën e vërtetë nga maska. Kisha krijuar bindjen që ai, diku thellë në ndërgjegjen e tij, ndihej i fyer nga qëndrimi im, ku shquhej qartë hezitimi për t’u afruar më thellë me të. Atëherë përsëri m’u shfaq para syve ai, ajsbergu gjigand, brenda kornizës 1m x 0.7m në lokalin “Incontro”: ajsbergët pjesën më të madhe të tyre e fshehin nën ujë e ashtu, me atë pak çka na tregojnë mbi ujë, na duken të bukur, të pëlqyeshëm, ndërsa më e madhja, më e padukshmja dhe më enigmatikja është nën ujë, me gjithë misteret që fsheh brenda vetes. Dhe gjykova që të gjithë njerëzit janë nga pak ajsbergë.  -Edhe unë të konsideroj shok të mirë, prandaj dhe rri shpesh me ty,- i thashë i përmbajtur. -Po  të flas me sinqeritet të thellë, të siguroj që kurrë nuk të kam qëndruar ftohtë e, aq më tepër, nuk kam bërë kurrë sikur s’të kam parë. Këto fjalë që po më thua janë shumë të rënda e të padrejta dhe vërtetojnë atë që ti nuk më njeh akoma mirë.  Ai më shikonte në mënyrë pyetëse, sikur priste më shumë sqarime nga unë. Por çfarë t’i thoja tjetër? T’i thoja që miqësia, ashtu si dashuria, nuk lypet, nuk blihet me para e nuk imponohet? Se është e vështirë ta fitosh në jetë mirëqenien apo miqësinë e vërtetë? Se ajo kërkon jo tre muaj, katër, pesë apo dhjetë muaj, por kërkon një thes me vite, të mbushura me sprova të shumta?   ...Kanë kaluar disa muaj e vite dhe kam gjykuar që njeriu duhet të harrojë plot gjëra të pakëndshme në jetë, mos të jetë i ngarkuar në ndërgjegje me mendime negative e mllefe, se ai duhet patjetër të shkarkohet nga këto mllefe, duke falur, duke harruar. Me shokun tim vijojmë të takohemi, por shumë rrallë. Takohemi më tepër rastësisht, pa i telefonuar njëri-tjetrit; ose ai më gjen mua aty në klub, ose unë atë. Nganjëherë i telefonoj unë për një kafe, por ai më thotë se është i ngarkuar me punë shtëpie. Kështu veproj edhe unë. Ka raste që edhe shkoj, por pa dëshirë: pimë kafen, flasim për gjëra të përgjithshme dhe aq. Ndoshta edhe ai vjen pa dëshirë. Ndoshta. Mendoj se kështu është më mirë. 

 Dhe përsëri kujtoj ajsbergun aty tek lokali Incontro e më vjen në mendje të bëj krahasimin, që edhe njeriu, me gjithë qenien e tij të ndërlikuar, ngjan me një ajsberg, që shumë pak gjëra të tij i nxjerr t’i shohin të tjerët, kurse pjesën më të madhe të vetvetes e fsheh tinëzisht dhe në fakt kjo është pjesa më e rëndësishme  dhe më misterioze e tij.

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page