top of page

Raki, në rrugën e vjetër


Raki, në rrugën e vjetër

Fatmir Terziu


Rruga drejt kutisë ka erë ndotje,

pluhur,

mjafton një rreze dielli

të gëlojë llustrën e sipërme

fasadat,

si goja e një manjole të zverdhur,

bari nuk mban erë

asgjë,

asgjë,

asgjë.

Gjurmët vijnë erë uji të ndotur,

(edhe ai ka mbetur peng?!)

një njollë si plagët që mban në trup

koha e mbarsur në një pellg.

Aty dikush pështyn. Dikush shfryn.

Dikush hesht.

Dikush mendohet dhe prek. Prek

qelqin e ftohtë me gradacion

dhe sytë e përskuqur si heq

nga ekrani i madh që gëlon..

Por më në fund e ka kuptuar

ajo rrugë s'ka vetëm erë rruge,

ajo rrugë është rrugë pune.

Rruga drejt asaj rruge ka erë kafeje,

ajo shuan fatin e tij të mjerë,

ku me dy a tre fakultete është bërë kamarier.

Ky kamerier është edhe mesazhieri i ditës,

të sjell kafenë dhe të pëshpërit pa letër,

eh, edhe këta i kanë rënë pikës,

duan vota nga ne patjetër…

…dhe i ngrin sytë në ekranin e madh

edhe ai, si rrugëtarët e tjerë është në hall.

Fshih sytë, si në mes të vegimit

pastaj kuqalashe i hedh mënjanë

përhumbet tek „Qendra e Votimit“

hesht, hesht…, përlotet i pafjalë.

Dhe kupton se edhe atij i ka humbur vlera

rruga e re i duket edhe më rrugë e vjetër,

sikur i ka rilind vetëm ditët e vjetra

– Kamarier! Një raki tjetër.


Ndërsa presim lindjen e diellit, 25 pril 2021

Fatmir Terziu


Agimi i rremë, Bulevard: një belbëzim drite. E djeshmja

pikturohet me avullin në makinën e kafesë,

kamarieri rri pezull i lodhur,

megjithatë një grim i freskët miklon ajrin

dhe një re beqare

ndahet nga e verdha në blu mbi Parkun „Rinia“,

sipër Stadiumit,

bulevardi i vajzave të parfumuara përthithet nga makinat e beqarëve

ndërrimi i xhirros, mbi bulevardin ku kalimtarët e radhës,

meditojnë me trurin e lidhur në kolateralin e fjalëve,

negociojnë heshtjen.


Edhe unë erdha këtu, me një recetë ilaçesh për nënën,

shkrimi i saj është i gjatë,

i dhimbshëm,

përcjell mistere të mbartura nga duart e doktorit nga Londra,

dikush më përshendet nga larg,

„Eh, tungjatjeta, paske ardhur Fat…“

Unë zgjas heshtjen, dëgjimin e përçart

humbas

dhe unë kurrë nuk kam parë,

dhe unë kurrë nuk jam parë.


Shkund veten, bëhem disi i malluar,

Nuk e njoha. Dhe emrin e kujt e kam harruar?!


Pastaj ai afrohet më shumë, dhe më afër

i bie shkurt

ecën duke grisur shtratin e luleve sikur të ishte një rrotull

qilim shkallësh,

i mbajtur, me syze, me mjekër

të fola, por do të më falësh

në Londër je? Më duhet një ndihmë patjetër…

dhe vazhdoi të flasë,

të rrjeshtojë dhjetëra dhimbje me fjalë.


E dëgjova këtë njeri, që u ul pranë meje

akoma nuk mund t'ia kujtojë fytyrën,

emrin e tij

megjithëse fjalët e tij kishin qenë kaq prekëse.

- Agimi, mendova,

një qiell i njomur me gjak

sipër bulevardit, ngjyra e tij pasqyrohet në çehren e zbehtë të njeriut,

ata kalimtarë të përhumbur,

ata shtytës të karocës me fytyrë të freskët,

që pastron kanaçet në koshat e plehrave.


Receta kishte marrë shijen e bulave që pushtuan fytyrën

e shtrëngoja në dorë,

e sytë kishin ngrirë tutje Krastës,

ku fjalët më vinin ripërsëritje në korr:

Agimi i rremë, Bulevard: një belbëzim drite. E djeshmja

pikturohet me avullin në makinën e kafesë,

kamarieri rri pezull i lodhur,

megjithatë një grim i freskët miklon ajrin

dhe një re beqare

ndahet nga e verdha në blu mbi Parkun „Rinia“,

sipër Stadiumit, në të gjithë Shqipërinë.


Ngrehu! Pse rimë…?

82 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page