top of page

R.I.P. DALIP GRECA...


NJË BOTË NDRYSHE, E NJËJTA PUNË PËR TË BËRË

(Greca dhe një hap ndryshe në gazetarinë e kohës)

Fatmir Terziu



Zemra e të mirënjohurit Dalip Greca tashmë ka mbetur mbi mijëra radhë shkrimesh, publikimesh, intervistash, opinionesh. Ajo troket në heshtjen e saj në itinerarin Lushnjë-Tiranë-SHBA. Dhe tashmë ndjen përkuljen e thellë të mijëra dashamirësve të kësaj pene dhe zemre të qetë anembanë Globit. Ikja është dhe një reflektim në sytë e përlotur të miqve, kolegëve dhe mjaft të tjerëve. Dhe kështu ikja është dhe një kujtesë në memorjen tonë... Dikur, mjaft vite më parë nisa të shkruaj kështu:

1.

Gazetaria po ndryshon me shpejtësi, aq të madhe saqë është vështirë t’a gjesh hapin me të. “Gazetaria është një botë tjetër tashmë, por e njëjta punë për të bërë”, do të shprehej në mbledhjen e fundit të NUJ-së, Paul Mason i BBC Neësnight. Duke qenë anëtar i këtij unioni gazetarësh, kjo thënie e Mason nuk më shkaktoi çudi, por më udhëtoi pak në vite dhe në vend. Vitet e pas 1990-ës dhe vendi: Vendlindja ime e dashur Shqipëria. Lidhja me faktin: Gazetaria, krijimtaria, publicistika…, pra ndryshimi?! Kështu, Mason do të shtonte si për të kthjelluar ‘prapa-udhëtimin’ tim, “edhe gazetarët duhet t’i përshtaten këtij ndryshimi”. E ndërsa Mason e kishte fjalën e tij konkrete për teknologjinë e re, që po ndryshon termin gazetari, unë në mendjen time sillja çastet lidhëse me gazetarinë shqiptare, ku fjala teknologji e pas viteve 90-të lidhej vetëm me termin ndryshim, me demokracinë, me fatin e gazetarisë dhe gazetarëve shqiptarë, pra aspak me teknologjine e re, që edhe pse diku tentonte të bëhej oreks-shqetësimi, shkurt biznes-përfitimi. Në këtë ndryshim më erdhi ndërmend diçka që lidhet me gjeografinë gazetareske shqiptare, ku Tirana ‘mbidominon’ me gazeta dhe gazetarë të të përditshmeve dhe shtirret si një hijedominim mbi fatin gazetaresk që vjen nga periferia. Kur ndodh që edhe periferia ‘shkëlqen’ dhe sfidon gazetarinë e kryeqytetit shqiptar, në Tiranë, pakkush mund të mendojë ndryshe, madje edhe harron të të urojë ose përgëzojë për arritjen tënde, arritjen Kombëtare. Se kur dikush grabit, vjedh, rrjep, vret, dhe …, çfarë nuk bën është në faqet e para të gazetave, si një ushqim i kronikës së zezë, (turpëron Kombin) … ndërsa kush përgëzohet dhe lavdërohet për punën e tij, këtë rast në gazetari, ose edhe në publicistikë, zor se gjenden dy rrjeshta për ta përgëzuar atë. Në këtë ndryshe hapi i dikujt mbetet një hap i pandjeshëm, një hap që mbytet nga shugurimi njërëzor i zyratekave shqiptare.


Prej kohësh në këtë ndryshim të hapit gazetaresk kam ndjekur edhe fatin e një gazetari shqiptar, që ka një emër jo pak të vogël në gazetarinë shqiptare, e pse jo edhe në publicistikën shqiptare. Dalip Greca është një udhëtim ndryshe, një hap ndryshe në hapësirën gazetareske. Një hap që nis me gazetarinë e tij të hershme e të pëlqyer dhe pikëtakohet me “Ora e Fjalës”, organ i Lushnjës ku ai vuri në interes të lexuesve shembullin e Pluralizmit dhe shembullin e tij si një Sekretar i Komitetit Pluralist, ku u zgjodh me siglën e hapit të tij të matur gazetaresk. Greca është një hap më shumë tani në itinerarin Atdhe-Amerikë, në itinerarin që ende mban nën sqetull dorëshkrimet e tij të guximshme të “Rebublika”-s dhe i qëmton tani me stilin e tij dhe profesionalitetin e veçantë në drejtimin e seksionit shqip të gazetës “Illyria” të shqiptarëve të Amerikës. Në këtë ndryshim Greca është një shembull, është një hap i sigurtë, që ka treguar se si duhet të arrihet kjo botë ndryshe, me të njëjtën punë, të cilën Paul Mason e pasqyroi në Unionin e Gazetarëve Britanikë, vetëm pak kohë më parë. Kur Mason foli, dhe unë sillja ndërmend Grecën, natyrshëm unë nuk e dija se një grup gazetarësh, kritikësh dhe artistësh shqiptarë kishin një mendje ndryshe, të propozonin Grecën të bëhej një “Qytetar Nderi” i merituar i qyetit të Lushnjës. Janë pikërisht Xhevahir Spahiu, Konstandin Dhamo e mjaft të tjerë krijues, intelektualë dhe gazetarë që i kanë bërë thirje Këshillit Bashkiak të qytetit të Lushnjës, që të shpallë Dalip Grecën “Qytetar Nderi”. Mësohet sipas një shkrimi të Faslli Halitit, se edhe kryetari i Bashkisë, Albert Sanxhaku, i cili është edhe sponzorizuesi nga xhepi i tij i ngritjes së bustit të shkrimtarit dhe skenaristit të shquar e të dashur të lushnjarëve, Vath Korreshi, e ka mirëpritur këtë propozim. Gjithashtu dihet tashmë edhe për vlerësimin e Grecës nga akademia shqiptaro-amerikane me një certifikatë arritje, duke shtuar edhe vlerësimet e përditshme intelektuale për të.

2.

Në kohën kur politika dominonte gazetat, madje edhe ato ‘kulturore’, një gazetë politike, “Republika”, organ i Partisë Republikane të Shqipërisë, premtoi dhe realizoi vend për krijuesit, kulturën dhe tematikën në fjalë. Ishin vitet kur kryeredaktor ishte Dalip Greca, ky mik dhe dashamirës i krijuesve që të hapte vend për krijimtarinë që e kishte zënë ‘tërmeti’ i politikës nën sonduqe me interesa meskine dhe karrigesh. Duke u kthyer nga Tirana, një të shtunë pasdite do të udhëtoja me Agim Baçin, atë kohë zëvendëskryeredaktor i Republikës. Në bisedë e sipër më thotë: “Shefi po ma merr frymën. Ai e ka kthyer “Republika”-n në “Drita”…Dhe unë në fakt qesha. Qesha se të njëjtën ankesë e kisha dëgjuar nga disa ‘politikanë’ që shisnin ‘filozofi’ me demokraci të kulluar. Një rast tjetër ishte me një korrespodent … Shefi më kërkon edhe kronika kulturore. Po ku t’i gjej unë?!...

Të njëjtën gjë bën edhe tani ky dashamirës i krijuesve. Në faqet e “Illyria”-s gjejnë vend penat e mirënjohura shqiptare, por inkurajohen edhe ato në ecje dhe premtim e sipër. Por kjo është pak. Dalip Greca gjen frymëzim jo vetëm tek krijuesit, krijimtaria dhe kultura, por tek çdo pjesëz që i përket të shkuarës, të tashmes dhe të nesërmes. Pena e tij dhe duart mbi tastierën e kompjuterit janë një mesazh i përditshëm për vlerat që gazetaria ka dhe merr kur interpretohet nga shpirti gazetaresk i gazetarëve si Greca. Për Grecën nuk ma merr mendja se ka ndonjë fjalë ndryshe…

3.

E shkuara me atë ‘kleçkën’ në biografi ka mbetur diku larg për Grecën. Ndoshta bangat e shkollës ku ai punoi si mësues, apo më vonë si drejtor, ende e ndjejnë këtë zullum kohe, nën peshën e dritëhijeve të kohërave, por shkrimet dhe talenti i tij e kanë flakur tej, siç e flakën edhe atëherë kur ‘dikushat’ ishin askusha dhe kur ‘askushat’ më vonë u bënë dhe po bëhen ‘dikusha’. Në rrugëtimin e tij është vetëm një merak të cilin në fakt e kanë shprehur fjalët e tij, shkrimet dhe analizat e tij, kritikat dhe tematikat me vlerë, që ai ka thënë, shprehur e shkruar në lëmi të ndryshme. Tek shkrimet e Grecës, në fakt fle e qetë mesazhierja e kohërave dhe gjeografisë shqiptare. Njohuria dhe diapazoni i tij i flasin historisë, i lajmërohen brezave me mesazhin e qartë e të denjë.

4.

Dhe ndërsa tashmë mes ngushëllimeve për familjen dhe kolegët, miqtë dhe dashamirësit, fjala e përlotur nga larg është një mesazh i bardhë për atë që duhet të jemi dhe për atë që duhet të pranojmë se jemi. Lamtumirë i respektuari Dalip Greca!


(Shtator 2005- Maj 2022: Fjala e Lirë Londër, Albanian Post)

39 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page