Kadri Tarelli, shkruan:
“TË DUASH KOMBIN”
Rënkim, lutje, klithmë apo thirrje për bashkim!???
Romeo Lazaj në librin “Kodi i jetës”.
Që në krye po them se, si nga forma e ndërtimit, ashtu edhe nga përmbajtja, është një libër i rrallë në ato që kam lexuar apo kam kaluar nëpër duar. Siç thuhet edhe në hyrje, është një kombinim i letërsisë analitike me kodin juridik, duke i emëruar kapitujt me numër kodesh. Zgjedhje interesante……..!
“Kodi i jetës” nuk është emërtim mistik i këtij libri, por përpjekje për të hyrë në analizë psikologjike dhe filozofike, ndaj nuk kam ndërmend të hallakatem në kodet e ndryshëm, që kanë zanafillë, lindjen e një njeriu, fëmijërinë, adoleshencën, burrnimin dhe vjeshtën me venitjen e gjetheve, deri në tharjen e trungut. Një proces biologjik, apo ligj natyre i pashmangshëm.
Ajo që më tërheq vëmendje, janë problematikat e larmishme, të mira, të bukura, por edhe të hidhura, të tharta, të shëmtuara, që has gjithsecili nga ne gjatë udhëtimit jetësor. Të gjitha janë degë e degëza me gjethe të pemës biologjike, që është vënë në ballinë të librit, për t’u ngjitur në majë, me nenin 55, “Të duash kombin”, më pas vijon kulmi “Pjesa e posaçme. “Familja””.
Meqë i përkas fushës së historisë, më ngacmoi të ndalem te shkrimi, “Të duash kombin”, që unë e vlerësoj si më të veçantin, më të shtrenjtin dhe më të shenjtin. Për kombin bien heronjtë, ngrihen përmendore, për kombin thuren poezi dhe himne përjetësie, etj, etj.
Në fakt kjo temë është shumë e gjerë për tu trajtuar, dhe më vjen mirë që e cek apo na shpon, kur dhemb sa më shumë ta ngacmosh, sikur ta ngulësh thellë shtizën e ndjeshmërisë atdhetare. E them këtë, pasi e gjithë analiza bëhet me pyetje retorike, ku ka shumë dhimbje, rënkime dhe klithje atdhetarie, mbase edhe thirrje për bashkim, sepse e përfshijnë gjithë veprimtarinë tonë jetësore, në çastet që përjetojmë, në ndodhitë që dëgjojmë, shikojmë dhe i prekim në përditsinë tonë, ku ka pak diell, pak dritë, e më shumë mjegull, zymtësi, erë e stuhi vjeshtë dhe acar dimri.
Do dëshiroja që pranë këtij shkrimi të ishte vendosur neni 39, “Kush e pagoi çmimin”. Sepse të gjitha sa i bëhen kombit dhe atdheut, i paguan dheu ynë dhe ne njerëzit që ecim mbi të, që gjallojmë, ushqehemi, dashurohemi, shumohemi, punojmë e luftojmë, dhe vdesim mbi këtë dhe, që quhet me nderim “Kombi ynë”. Për t’u bindur mjaftojnë vetëm këto pak fjalë që shkruan autori: “Nuk e di kush e ka shitur atdheun, por e kam parë kush e ka paguar çmimin… Nuk e di kush i përzuri të rinjtë, por e di kush po paguan..”. etj, etj. Faqe 115
Kam bindjen se neni 55, “Të duash kombin”, do të dilte më i plotë, po të përfshihej në të, pyetja dhe përgjigja, qբ na çojnë tek rrբnjբt: Cili është shkaku i këtij rrënimi shpirtëror, arsimor, varfërim ekonomik, etj, etj, deri në pafundësi!? Kështu, kjo pjesë do të merrte karakter studimor shkencor.
Ja si shprehet autori: “Po si mund ta duam atdheun, kur ne i bëjmë dëm njerëzve të këtij vendi, kur nuk ndjejmë kënaqësi për suksesin e tjetrit, kur ne e shkatërrojmë atë duke e djegur, betonuar, apo duke fshirë historinë e kombit…???”. Faqe 149.
Nëse më lejohet unë po përmend vetëm një prej të shumtave përgjigje, për burimin dhe rrënjën që e ushqen, që është “Përçarja”, sëmundja vrastare e mbjellë në këtë truall prej mijëra vjetësh nga pushtuesit, por që nuk po na ndahet si mallkim edhe në ditët e sotme nga pushtimi i vetvetes. Në diktaturë “lufta e klasave’, sot lufta mes partive politike, e veshur me kostum demokracie, që pasi fitojnë, nisin e sundojnë, në vend që të drejtojnë! Ka një arsyetim fare të thjeshtë: Prej mijëra vjetësh nuk kemi pasur shtetin tonë, që të kujdesej për kombin, ekonominë, gjuhën, letërsinë, artin, kulturën dhe në veçanti unitetin kombëtar, marrëdhëniet mes njëri-tjetrit, përfshi marrëdhëniet mes popullit dhe shtetit, në nderim dhe zbatim të ndërsjelltë.
Duke udhëtuar në faqet e librit, bindemi se autori është vëzhgues i hollë, pasi gjetjet dhe problematika e shumta, tregojnë se Romeo Lazaj, hyn në letrat shqipe me bindje dhe kurajë për t’i thënë gjërat troç, ashtu siç i ndjen, ashtu siç janë, pa zbukurime letrare apo ngjyra ylberi. Më pëlqejnë edhe këshillat që jep, për t’i pasur në kujtesë gjithsecili nga ne, sidomos brezi i ri, të cilit i përket edhe ai vetë.
“Në të vetmin rast që e duam kombin tonë është stadiumi, kur luan ekipi ynë i futbollit. Aty tregohemi patriot………!” - Thotë me keqardhje autori. Vërtet është një ngjarje e bukur, që na pëlqen ta rrëfejmë në çdo bisedë tavoline. Nëse mbetemi këtu, këto fjalë janë thjesht letërsi, madje moralizim. Unë nisem ta shoh, ashtu si vetë autori, në kuptimin më të thellë: Është një lloj simbolike që godet për ta dëgjuar e vlerësuar të mençurit dhe të diturit. Këtu simbolika i drejtohet filozofisë, sepse pikërisht aty lindin shumë pyetje që duan përgjigje:
E para: Pse ndodh vetëm këtu? – Sepse është i vetmi vend dhe i vetmi rast, ku të gjithë ndjehen të barabartë. Aty rrinë bashkë komandantë dhe ushtarë, qytetarë e fshatarë, pedagogë dhe studentë, të varfër dhe pronarë, politikanë dhe rrogëtarë. Me një fjalë ndjehen të gjithë shqiptarë dhe, i drejtohen e i falen vetëm simbolit kombëtar, flamurit. Në këtë udhëtim mbi librin, ndjej se po u hap thesi i pyetjeve, ato vijnë varg: A i pyesim sportdashësit pasi qetësohen nga euforia e fitores, se ku strehohen, ku punojnë, ku studiojnë, si e ngrysin ditën, a kanë të ardhura për familjen dhe fëmijët, etj, etj, pa mbarim!????
Nuk dua ta teproj, por nuk më rrihet pa shtuar edhe dy-tre pyetje të vogla: - Cili është çelësi i zgjidhjes? Kush ka përgjegjësi dhe kush merr përsipër ta ndryshojë gjendjen………!? Autori me siguri do të thotë: përgjigjen e ka vetë lexuesi. Pavarësisht se në mendje ka shumë përgjigje, ku më kryesoret janë: Dashuria për kombin, klasa politike dhe elita intelektuale. Në vazhdim të këtij gjykimi, unë do të thosha, se historia na mëson, se: “I vlerësuar është ai drejtues, politikan apo intelektual, që merr përsipër të bashkojë kombin dhe t’i shërbejë deri në fund. Atij dhe vetëm atij i ngrihen përmendore, për t’u kujtuar në përjetësi”.
Në fund, mendoj se kjo temë mund të prodhojë një libër studimor me mjaft interes shkencor dhe shoqëror, për më tepër me vlera që i shërbejnë kombit.
I nderuar Romeo Lazaj! Je i ri, por ke në dorë një fener që të ndriçon udhën e shkrimit dhe studimit. Urime dhe suksese për libra të tjerë.
Shfrytëzoji simbolikat, qofshin edhe të thjeshta dhe fare të rastësishme. Të ndihmojnë të ecësh bukur.
Kadri Tarelli
Durrës më: 04. 02. 2024.
Comments