1.
Zogu i Butrintit
Nga Fatmir Terziu
Në sqepin e ngrirë,
në heshtje në ngjyrimin tënd,
në një kristal që na bën më afër
përhumbem brenda një miti të largët
dhe vetëm Ti,
vetëm Ti, mund të më seleksionosh fjalët.
Një zog si ty mbetet gjithnjë në pranverë
si një enigmë
sytë mbajnë brenda tyre sekretet e kohërave
një puthje mbështjell ylberin në gji
bie shi,
shih…, dhe në ata sy.
Mbi guralecë
zbrazet historia nga kapakët e padukshëm
por krahët janë zvetënuar
në baticat e thella
kur cicërrima jehon në shtrojën e vetmuar
mendja rishkruan vargun e munguar
pa laps në duar.
Ti mban motesh një lule në sqepin e ngrirë
u jep bekimet atyre që të vijnë për vizitë
me pjesën tjetër trupi yt flet më mirë,
për fatet e dashurive në Butrint.
2.
Shi në Llogara
Dhe ti zbret. Dhe zbret
në këtë të vërtetë të ethshme
që lëshon litarët e vet për të prekur, kaltërsi, baticë,
ndërsa mendimet prekin atë që lënë pas sytë,
vetëm për të ndjerë një grimë në sy:
le të bjerë ai shi i imët
le të bjerë si begonjat që varen nën çati.
E mesazhi të zbret në celular në dy gjuhë,
i lagur dhe djegur nga valët,
mbart këtu dërgimin e fraqtë veri,
mbart fjalën,
për modelet e shiut të gjuhëve që u përhapën
dhe ti me gisht e zgjedh të parën,
çfarë ndodh. Dhe ajo
është ajo që na vjen,
na flet,
dhe na kap për shpatulla,
ajo që na dridhet dhe na bërtet nën shi,
është horizonti i tretur
për një gjuhë të pastër aty.
Në Llogara,
gjuhët mbetën duke u trazuar si në një çorbë,
përballë kësaj gjuha shqipe qëndron e fortë,
patjetër,
askush nuk do që ta dëgjojë gjuhën tjetër.
Kjo e vërtetë e errët, kjo mendësi e pabindur
si pëshpërima e bulkthave të pafund,
të gjithë duke alarmuar rrugën e syve,
për të thënë në heshtje jo më ndërhyrje gjuhe si kjo,
le të bjerë shiu në ndërhyrjen brutale të gjuhëve
le të vazhdojë t'i shpëlajë ato.
3.
Qeparo
Ndërsa dëgjova rrëfimin e Dukeshës Camilla
fjalët e saj të bukura u pagëzuan nga kopshtet,
me një aromë të lashtë lirie,
duke mbjellë historinë e Bregut me lule
për vargjet e kësaj poezie.
Mijëra fjalë të tjera dilnin në korr
mbi një varkë të ankoruar nga mitet
gruaja e Princit anglez në Qeparo
prej fjalës së saj vetvetiu ngjizej,
një bukuri që kurrë s'e harron.
Dhe kështu u dëgjua në UNESCO,
një fjalë mbretërore si kjo
i bukur është ky Breg i Detit
i bukur është Qeparo!
Shënim: Pak kohë më parë u mblodh në Qeparo „gjysma e ekonomisë Europiane“, ku ishte e pranishme edhe Dukesha Camilla Parket Bowles, bashkëshortja e princit Charles, kandidati i parë për Mbret i Britanisë së Madhe.
Merita Arapi
Bregdeti Jon eshte I bukur dhe te huajt e admirojne.Mjafte mire e ke shprehur Fatmir . Te pershendes nga New York
Eleonora Niko Qeparoi
Urime Fatmir per frymezimet e bukura e te pafundme te tuat! Te falenderoj dhe per poezine e Qeparoit tim, "keshtjelle", qe ka mbetur si fosilet prehistorike te nxjerra nga deti...pre e shitjes ne duart e huaja.Te zotet nuk u bene zoter kurre te tokes se tyre... genjehen me ndonje atavizem te ndertuar nga artizanet e thjeshte...sa te harrohet dhe pronari i fundit, te shuhet emri dhe trashegimnia e tij!Te ishte ne doren time, do ju a kisha dhene titullin "Dukesha" te gjitha grave tona qe si sorkadhe ngjiteshin majave te larta, e me maje te kazmes, benin te pikonin shkembenjte... vere te kuqe " Dionysiane" !Respekte, Eleonora.