top of page

QASJE SHUMËDIMENSIONALE E NJË EPOKE TË TRISHTË


Xheladin Mjeku

Fatmir Terziu: “SHTËPIA NË KORNIZË”, roman – 2019-2020


Kolanës së romaneve të Fatmir Terziut i shtohet edhe një fuqi lokomotore për t’i shtyrë tutje vargojtë e vlerave në krijimtarinë letrare – artistike të tij. E them këtë mendim, pas leximit të romanit të radhës “Shtëpia në kornizë”, i cili sjell deri në detaje e finesa një periudhë të caktuar historike, që kishte ngulitur thellë në shpirtin e njerëzimit një të keqe që nuk do t’i shqitej për një kohë të gjatë nga trualli i tyre, meqë kthetrat e atij përbindëshi gllabërues ishin ngulitur thellë në shpirtin e pafaj të tyre, duke shtrënguar fort lakun e dhunës deri në plandosje. Mirëpo, siç thotë një fjalë e urtë: “Zullumi këputet prej së trashi”, edhe kësaj situate i erdhi fundi, për të bërë që këto kthetra t’i rikthehen në mënyrën më të ashpër deri në përdhosje dhe zhbërje të plotë, po atyre që i kishin krijuar dhe shfrytëzuar për rreth një gjysmë shekulli.

Tashmë, kur një periudhë kaq e gjatë, me të gjitha elementet e dhunës dhe shfrenimeve shtazarake nga një kastë e tërbuar politike po shpërbëhej përfundimisht, për t’i hapur rrugë ndryshimeve të reja, për krijues e artistë të shumtë u hapën rrugë të reja të trajtimit të temave të reja nga kjo epokë, për t’ua përcjellur brezave mesazhin që mos të përsëritet më kurrë. Kjo mbase edhe ishte arsyeja që edhe Fatmir Terziu iu qas kësaj teme, me gjithë arsenalin e tij krijues për ta nxjerr në dritë këtë periudhë gjysmëshekullore të komunizmit, që përfundimisht ta kemi si dëshmi të argumentuar me romanin e tij të radhës “Shtëpia në kornizë”.


Përkufizimi brenda kornizës, apo hapja e perdes së një historie


Baraspeshimi me të kaluarën do të sillte një analizë pak më të zgjeruar të asaj periudhe kohe, kur Shqipëria po përjetonte kohën e iluzioneve premtuese komuniste, por gjithnjë nën fuqinë e shtypjes, persekutimeve, torturave e shumë elementeve tjera që do ta mbajnë të mbyllur e të izoluar nga bota tjetër, që kishte zënë të lulëzonte me ekonominë, kulturën, arsimin dhe gjithëçka që i duhej zhvillimeve demokratike. Për këtë gjendje të krijuar nga pushteti i atëhershëm mund të mësohet më shumë nga paraqitjet e ngjarjeve përmes romanit të radhës “Shtëpia në kornizë”. Ndoshta do të ishte me interes të theksohet se gjatë leximit të kësaj proze romanore duhet kujdes me leximin, për të fiksuar çdo ngjarje e mendim që takojmë këtu, meqë ndryshe nuk do të shijohet kënaqësia e çdo “rikapje” – kapitulli të romanit. Kjo nga fakti se, paraqitja e ndodhive këtu krijon parafytrimet e ngjarjeve e të personazheve të kohës, sikur në pamje celuloidi filmik, ku të detyrohen për tu rikthyer sërish në ato periudha, që herë vijnë të përjetuara, herë si kujtime nga personazhe të kohës, nga e cila kanë lënë shkrime e dëshmi, e herë vijnë si rrëfime nga njerëz, që në vazhdimësi sjellin fakte e dokumentacion të ndryshëm për ngjarje të përjetuara kudoqoftë nëpër Shqipëri.


Fatmir Terziu: “SHTËPIA NË KORNIZË”, roman – 2019-2020

Kështu, derisa në romanin “Kojrillat” mund të kalosh nëpër një ngjarje bazament, me shumë episode kronologjike që ndërlidhen me temën bosht, për të nxjerr esencën e rrëfimit, këtu kemi një veçanti tjetër në realizimin dhe kuptimin e lëndës rrëfimore. Në romanin “Shtëpia në kornizë” ngjarjet vijnë si pamje të ndara, duke pasqyruar kohën me shumë të panjohura e të paimagjinueshme për kohën kur janë zhvilluar, por në pikëtakimin e tyre mblidhen si një e keqe e përbashkët që sjell veç dhimbje. Kjo dhimbje akumulohet nga shumë veprime të shkaktuara nga dora djallëzore e një pushteti që mëton të qëndroj në këmbë të veta përmes dhunës e persekutimeve të pashembullta në ndonjë vend tjetër.

Pothuajse i gjithë rrëfimi vjen në njëjësin e vetës së parë, po gjithmonë autori kujdeset të shpalos ngjarje e finesa nga më të veçantat, për ta parashtruar sa më autentike jetën dhe vlerat e asaj kohe, gjithnjë duke e prezantuar njeriun e vuajtur, të persekutuar e plot sprova jete, pa mos e tëhuajsuar asnjëherë realitetin që po shtronte në këtë prozë, paksa më ndryshe. Në realitet, Fatmir Terziu njihet gjatë gjithë krijimtarisë së tij si njëri ndër krijuesit dhe studiuesit që synon të shtroj temën bosht me paraqitjet ndryshe të ngjarjeve, për të bërë të kuptohen drejtë dhe të shumtën e herës edhe më bindëse, se i kujtojmë në realitet. Autori vjen edhe si rrëfimtar, edhe si dëshmitar i kohës së jetuar e përjetuar, njëkohësisht, duke pasqyruar atë periudhë të jetuar, gjithnjë në frymën e dëshmive të pafund, ku, siç do ta thotë edhe vet në një rast:Për të marrë mbi shpinë peshën e atij “realizmi”, tashmë më duhej t’i shpjegoja vetvetes, se për mua arti është bukuria në ekuilibër. Dhe në qoftë se nuk mund të ngrihem mbi troshamën e rrugës për të identifikuar gjërat, kur të dyja janë të kombinuara, atëherë arti nuk është niveli i duhur”. (fq. 39). Në vazhdimësi shtrohen edhe qështje tjera, që nuk e kanë hiq më pak rëndësinë e trajtimit, duke sjellur shembuj nga më banalët, në shikim të parë, por tepër persekutues si veprime për një popull të ndëshkuar, me arsyetimin e mbrojtjes së vlerave të masave popullore dhe shtetit socialist, për ta saktësuar edhe përmes “fakteve” që do të mjaftonin për hapje dosjesh me pretekst, si: “ai që grabit një kalli gruri, apo dhe një kokërr gruri është armiku ynë, është armiku i popullit”, duke e identifikuar edhe veten e tij si njërin ndër aktorët e mundshëm në përballjen e akuzave të kësaj përmase ndëshkimi: “edhe unë kisha pikturuar pula të tilla, edhe unë kisha shkruar për kohën e artë të pulave, për shtimin e tyre në fushën e armiqësimit mes nesh. Edhe unë kisha parë “pula në kafaz”, edhe unë kisha qenë dëshmitar i “pulave të ndëshkuara” me atë rast”. (po aty, fq. 39).

Tashmë autori duhet ta ketë kuptuar ndodhjen e tij në ngjarjet e rrëfyera këtu, për të dhënë pastaj vlerësimet subjektive në përmasën e ngjarjeve: “Simetria e trupit tim gati-gati përputhej me simetrinë e dhomës, shkallën, volumin dhe përmasat e saj. Unë tashmë isha përshtatur aty”. (fq. 42). Poashtu, në vazhdimësi të leximit të këtij romani takojmë edhe elemente biografike të autorit, siç mund të kuptohet edhe nga mbiemri i tij, rrjedh nga një familje punëtorësh artizanal, që vet autori nuk ngurron ta thotë hapur, duke e paraqitur kështu imazhin e familjes dhe të personalitetit të tij. Kjo vjen e trajtuar mirë edhe në “Rikapjen e nëntë”, siç e shpreh me plotninë e fjalës: “Dhe shtoja me vete, “dikush në krye, për të udhëhequr”, për ta vazhduar tutje rrëfimin:

Gjyshi im, ndoshta ishte, është dhe do të jetë përgjegjës për tiparet e pakuptimta, të hollësishme, se ishte terzi, pasi burrat e tjerë, më së shumti ustallarë, zakonisht mbetën në arkitekturë dhe në fushën e ndërtimit. Ai e shihte burimin e jetës, dhe jeta e kishte rrahur, për të ndryshuar kursin e jetës në atë vatër, për të ndryshuar vendosjen tradicionale të mistrisë dhe mjeteve të ndërtimit nën jastëkun e fëmijës së sapolindur, me libra, lapsa e fletore, me më shumë arsye të tjera jete”. (fq. 43). Në vazhdën e rrjedhojave të trajtimit të këtyre realiteteve për kohën, autori shpalosur edhe shumëçka për veten dhe familjen, gjithnjë përmes figurës së gjyshit, me virtytet e njeriut të paepur, përmes paraqitjes së të cilit pasqyron realitetin historik të rrethit ku jetoi dhe veproi edhe vet ai.

Fatmir Terziu përmes portretit të gjyshit, paraqet gjithë të kaluarën e familjes, për të sjellë ngjarje e karaktere të shumta njerëzish të asaj kohe, plot diksurs. Kështu, gjyshin e nxjerr si udhërrëfyesin më të denjë, gjithnjë në frymën e një burri me karakter të fortë, që asnjëherë nuk do të pajtohet me veset e disa njerëzve cipëdalë, që për interesa të veta nuk lënë asgjë pa lëvizur nga vendi, madje shkojnë edhe deri në amoralitet, duke iu referuar lojërave e zakoneve të vjetra, që ishin kthyer kahmot në ritual, herë fetar, e herën tjetër në vese të këqia të njerëzve tregtarë që vinin nga Selaniku për të bërë kontratat e tyre tregtare, pa mos harruar asnjëherë të takoheshin me vartësit e tyre. Në ahengjet që organizonin së bashku nuk mungonin edhe dëshirat në përmbushjen e epsheve të tyre, veti këto që kishin filluar të merrnin përmasa të theksuara. E tërë kjo përzierje veprimesh e ndjenjash të njeriut të asaj kohe ishte pjesa e errët, për të cilën nuk mund të kuptohej asnjëherë nga pjesa tjetër e njerëzimit, të cilët në vazhdimësi përballeshin me përpjekjet e parreshtura të pushtetit në “ngritjen e moralit” shtetëror dhe sprovat e mbijetesës së tyre të mbytura në pellgun e varfërisë dhe represaljeve të pafund.


Dy kahet e një paraqitje


Derisa përmes “Shtëpisë në kornizë” zbërthyem një Shqipëri të kohës, po aq e rëndësishme është ta kundrojmë edhe anën tjetër të rrëfimit, ku shtëpia si objekt banimi familjar paraqitet e plotë, me të gjitha vetitë dhe karakteristikat që e identifikojnë, që brenda Shqipërisë së vuajtur, ishte realiteti në fuqinë e dytë të trajtimit. Këtu lexuesi mund ta kundroj gjithë kompozicionin romanor në dy forma të trajtimit, që vjen pak më ndryshe, por me mundësi zbërthimi në dy pamje të një baraspeshe tregimtare, ku ndërlidhet gjithë fabula e ngjarjeve, si në rrafshin kohor, poashtu edhe në shtrirjen hapësinore. Për ta kuptuar më saktë këtë paraqitje reale shkëpus një fragment paksa më të gjatë, ku në formë vizuele na vjen e paraqitur shtëpia, si objekt, që pastaj mund të kuptohet edhe pjesa tjetër, poaq e saktë brenda kësaj kornize.

“Nëse natyra paska qenë armiku, që ka mbetur duke pritur nga krahët, të rrëmbejë mbrapsht të gjithë atë që ka fituar prej saj njeriu, madje dhe vetë njeriun, atëherë vetëm qëndrueshmëria, strategjia dhe forca, aq karakteristike për mashkullin e kësaj shtëpie, si veçoria e dallueshme shekullore, mund ta mbajnë atë në gji. Për shembull, sulmet ekstreme, kur tokën e tyre të begatë e kanë lakmuar historikisht grabitqarët, apo kur bashkoheshin në një grup të tërë burrash për të shkuar jashtë për të fituar bukën e gojës, me çekiç e mistri në dorë, prania e një gruaje konsiderohet e papërshtatshme dhe madje edhe e pafat. Kjo është bota e një njeriu dhe ne qëndrojmë këtu në shtëpinë e një burri, “të mbajtur nga gruaja” (fq. 45). Pasqyrim identik me realitetet historike të ndërtuara mbi traditat shekullore të njeriut të këtyre trevave, por që pastaj të përvetësohet plotësisht nga regjimi totalitar, që me propagandën e ndërtimit të jetës së re vazhdon për pesë dekada në shkatrrimin e njeriut, si qenje dhe, njeriut si element përmes të cilit ndërton kurrizin e vet shtetëror, për ta përdorur pastaj në situata të caktuara si arsyetim dhe shkas për ngritjen e fuqisë pushtuese përbrenda vetvetes, deri në shembjen e idhullit të saj dhe zhbërjen e sistemit socialist, që kishte zënë të kundërmonte me fillimin e kalbjes që nga koka sovjetike. Ky mund të konsiderohet si pasqyrimi më përmbajtësor i një periudhe kohore. “Ishte kohë kur pushtetin në dorë me jetën e njeriut e kishin rrufetë. Kur garën për të marrë jetë njerëzish e bënin mollnjat, vetëtimat, shkrepëtimat e thata, e natyrisht rrufeja jetëmarrëse. E ndërsa rrufeja kishte sjellë zi në atë shtëpi, pakkush e besonte se e vërteta ishte edhe vdekje, edhe lotë, edhe frikë..., ishte dhe një siklet i përjetshëm. Pas kësaj vdekjeje vërtet qëndronte rrufeja, por frika ishte se “frika” kërkonte arsye të tjera” (fq. 56).

Mbi bazën e këtyre citimeve në “Rikapjen e dymbëdhjetë”, duhet shikuar edhe një faktografi tjetër të kohës, kur vdekja edhe e trilluar nga pushteti, bëhej realitet i torturve e dhunës për familjet, të cilave u drejtohej gishti i dyshimit dhe etiketimit. Këtu, siç shprehet autori, mund të ketë përjetuar një ngjashmëri edhe vet ai, si personazh dhe realitet i kohës, siç do ta shprehte: “Një ëndërr të atillë, që vetë e kam pasur në mënyrë të rregullt.” (fq. 57). Në kontekstin e këtyre situatave, me qëllim të mbajtjes gjallë frikën, dhunën, torturat e parreshtura, etj. nuk pushojnë së vepruari njerëz të pushtetit, që konsideroheshin me plot të drejtë kahdo që vepronin, në çdo ambient, për ta përkufizuar me saktësinë e paraqitjes si: “një dorë misterioze ende vazhdonte të bënte detyrën e artistit të padukshëm dhe vetëm sillej e sillej mes hijeve të shumta duke pikturuar e zhgarravitur papushim.” (fq. 59).

Kjo prozë romanore mund të kundrohet, varësisht shijes dhe përgatitjeve pararendëse të lexuesit, por gjithnjë me pikëpjekjen në një realitet të vetëm të dy kahjeve të saj të jetuara e mbijetuara në vazhdimësinë e një epoke gjysmëshekullore.


Ëndrra e një zhgjëndrre të domosdoshme


Fatmir Terziu, në vazhdën e paraqitjes së viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, ku vendi ende po lëngonte nga kthetrat e komunizmit, papritmas, si nëpër ëndërr i parafytyrohet një ndryshim, që po e zgjonte nga gjumi, për t’ia zhdavaritur atë ëndërr, sa të trishtë, poaq edhe shpresëmadhe, se diçka po lëviz ndryshe: “Isha zgjuar me një rrahje të fortë të zemrës dhe me një shtytje të vetvetishme të kokës nga jastëku. Kisha hyrë pandjeshëm në një mëngjes që niste menjëherë pas vitit 1985. Ndërsa gjërat që kishin ngrirë vazhdonin të melteshin në sytë e mi, përtej kësaj zërat lukuniseshin dhe bënin arsyen si me një forcë magjike që e gjitha të bëhej grusht me ne dhe të gjithë të ecnim grushtbashkuar përpara” (fq. 60). Kjo ëndërr nuk i shqitet pothuajse për ansjë çast, duke iu parafytyruar skena nga më të ndryshmet, me pamje trishtuese, me përpjekjet e mundimshme për të shpërndarë perden e hekurt, që gërvishtej nga macja, që me agresivitetin e saj turret dhe përplas edhe pikturat panoramike me paraqitje të ambienteve të vendit, që në një mënyrë na kujton vet situatën që ishte krijuar, me veprimet trishtuese të pushtetarëve, duke u përpjekur në vazhdimësi në “edukimin e masave” në ngritjen e moralit dhe idealeve të klasës. Këto tmerre që nuk kishin të ndalur, po paralajmëroheshin si thyerje përfundimtare, meqë turma njerëzish, që kishin përjetuar këto veprime, tashmë “Kishin dalë dhe po zgjoheshin të përgjumur, të jetëikur me dënime kapitale, të errësirëzuar në jetë të jetëve, të shkulur nga trungu e damarët, dhëndurë pa kostum e kollare dhe me litarë në qafë, nuse të bojatisura me lotë e gjak, fëmijë me gojë të qepura, foshnja të helmatisura, pleq, plaka, burra e gra të ngjeshura në rrjeshta aksionesh e vullnetarizma, njerëz që mbanin në një dorë kazmën e në dorën tjetër pushkën, të gjithë në një rrjesht të madh… A thua qanin e vajtonin me shpirt?” (fq.62). Nuk kërkohen dëshmi tjera për tu bindur se gjithçka këtu kishte kaluar kufinjtë e durimit, për të shpërthyer me revolta të pandalshme gjithëpopullore, deri në daljen nga kthetrat gjysmëshekullore, për të vazhduar pastaj rrugën e hapjes ndaj botës, drejt zhvillimeve politike dhe shoqërore të vendit dhe integrimeve evropiane, si shpresa e vetme e kësaj shoqërie me vizione të përcaktuara në ndërtimin e jetës së re.

Por, ky rrëfim nuk ndalon me kaq. Ai vazhdon të sjellë edhe fakte tjera që e bëjnë gjithnjë e më bindës realitetin e krijuar, duke aluduar në prekjen e çdo sfere të jetës, madje edhe në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit në përgjithësi. Kështu, siç do të shënonte më tutje autori, “I njëjti alarm i përmbysur mbi një pellg prej mbeturine të derdhur mbi mbulesën e tavolinës, që mban shënime, lënie dezhurni, fiksim materialesh dhe armësh, perdesh, laps e bojë dhe Rregulloren e Ushtarit të Armatosur në Republikën Popullore Socialiste. I njëjti njeri që të alarmon…”, për të paralajmëruar më pas:

“Kujdes! Edhe muret kanë veshë!

Vetëm tryeza e marrje-dorëzim të rojes operative mungon” (fq. 64).

Këtij pasqyrimi vizuel autori i rikthehet në disa raste, duke sjellur të gjalla kujtimet me fakte e dëshmi të shumta, që këtë prozë e bëjnë shumë të dashur për lexuesin, duke pasur parasysh paisjet e pambarim me “mjete konkretizimi” të një faktografie kohore, me plot të njohura e të panjohura, që ia paraqesin fytyrën e vërtetë një sistemi politik që detyrohet të ik, duke lënë pas gjurmët e tij prej përbindëshi, për tu kujtuar gjatë si epoka e padëshiruar për askend.

Mbi këto gjetje e takojmë edhe “Rikapjen e pesëmbëdhjetë”, ku autori përsëri e rikthen në skenën e ngjarjeve gjyshin e tij, si njërin nga personazhet më të pranishëm në këtë roman, me përpjekjet e vazhdueshme për mbajtjen gjallë të lidhjeve me pjesën tjetër të atdheut, me situatat e krijuara gjatë shpërndarjes së librave, ruajtjen e besimit, duke mos u ndalur për asnjë çast me takimin e shpeshtë dhe plot rreziqe me priftërinjtë nëpër kishat e shumta, që pastaj u mbyllën nga pushteti i atëhershëm më1967, sipas vendimeve të shtetit, etj.

Me shumë dëshmi e fakte pasqyrohet një periudhë e trishtë me të gjitha elementet që e përshkojnë, për ta shprehur më në fund habinë e tij, si kanë arritur ta tejkalojnë këtë vështirësi elementare për mbijetesën njerëzore.

Eh, kështu kemi qenë dhe atëherë! Kështu, por të paktën ishim njerëz, kishim njerëzillëk dhe e ndanim kafshatën me të Tjerët, tani…eh, tani…

Dhe zëri gati-gati u përhumb thellë në kornizë.” (fq.73), do ta përkufizonte mendimin e tij Fatmir Terziu.


Mbindërtimi i historisë


Fatmir Terziu, me romanin “Shtëpia në kornizë” paraqet një pasqyrë të plotë të një kohe të vuajtjeve e shtypjeve të popullit të tij, që pastaj shtynë vendin të ri-rrjeshtohet në daljen nga ato kthetra, me gjithë çmimin e lartë që pagoi. Njohuritë e shumta, përballja me realitetet e kohës dhe puna e pandërprerë në terren në atë periudhë e bëjnë më të sprovuar dhe të kompletuar edhe me kujtimet e tij, që pastaj t’i sjellë për lexuesin të përmbyllura në një shtëpi-shtet, që reflektojnë kujtesën e trishtë të kohës. Fatmir Terziu, përveç si narrator i sprovuar edhe më herët me sjelljen në jetë të shumë romaneve të tjera, si “Grykës”, “Bunari”, “Fijet e barit të thatë”, “Blirët e Pejës”, “Mbi Dudë”, këtu tek romani “Shtëpia në kornizëka bërë dhe një lëvizje tjetër, që zgjon shumëfish kurreshtjen e lexuesit, meqë ndërtimi i kësaj proze ka një mënyrë tjetër të të rrëfyerit, ku personazhi gjithnjë qëndron si hije që të përcjell në kapjen e pamjeve dhe ngjarjeve, por me qëllimin e pandalur që të bashkëjetoj me lexuesin edhe si personazh - rrëfimtar i ngjarjeve, duke përvijuar nëpër ngjarje e situata nga më të tmerrshmet, për t’ia dhënë vulën e pashlyeshme kohës së një sistemi totalitar, që më në fund do ta dëboj totalisht nga jeta, mendjet dhe besimi i njerëzve, për ta ngulitur në kujtesën e tyre si një të keqe të pakthyeshme.

Këtu në të shumtën e rasteve personazhi vjen në paraqitjen e përgjithësuar, si njeri i vuajtur, narrator dhe si kryepersonazh i ngjarjeve, pa ndonjë identifikim vetjak, por gjithnjë duke u mishëruar me çdonjërin prej figurave e karaktereve që prekin ngjarjet e trajtuara, varësisht interpretimit të roleve përfaqësuese e narratore, njëkohësisht.

Në fakt, Fatmir Terziu, me këtë roman mbindërtoi në kujtesën tonë një pjesë të historisë së trishtë, për të dhënë forcë e kurajo në tejkalimin e saj me frymën e dashurisë për jetën, për përkushtim e dashuri atdhetare për të renë, jetën, ardhmërinë…!

Mbase në një vazhdim të dytë do ta kemi një “happy end” të kësaj ringjalljeje të jetës së një populli të përvuajtur, por të pathyeshëm e plot moral për jetën! Duhet thënë hapur se “Shtëpia në kornizë është dhe mbetet leximi i çdokujt mes një vlere dikursive të qasjes në kohë, hapësirë dhe vend.

Prishtinë, 17. 02. 2020

104 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page