top of page

Për të qenë e sinqertë


Alda Taçe Shpata

Për të qenë e sinqertë

Kur isha e vogël, fshihesha, humbisja për orë të tëra, aq sa ngrija lagjen në këmbë. Gratë dhe fëmijët e tyre kishin një mënyrë të çuditshme të kërkuari. Unë ia dalloja hapat çdokujt që i afrohej vendit tim të fshehtë. Kur afroheshin te skuta ime, kafshoja dorën derisa ia ndieja shijen gjakut të ngrohtë, por dhimbje nuk ndieja. Përfshihesha në fshehjen time, nuk e dija nga vinte ajo sajesë e bukur, as idenë që më shpinte tek ajo, nuk e dija. Kur dilja nga vendi im sekret, haja nja dy të mira nga ime më dhe, më pas, përfundoja në krahët e saj. Si pa vënë re, iu bëra shumë besnike skutës sime të fshehtë. E lija jashtë pështjellimin dhe më mbërthente një lehtësim e qetësi shpirtërore e admirueshme. Gjithmonë dëgjoja fjalë e biseda që nuk i kuptoja, por e gjithë ajo aq më bënte. Mjaftonte të ndieja dëshirën të shkëputesha nga gjindja dhe, sa hap e mbyll sytë, gjendesha ku doja. Shumë kohë më pas, kur pothuajse isha shkëputur nga aroma e nënës, shihja veten tek ecte sërish në drejtim të skutës. Ecja lart e poshtë me rrobat ngjitur pas trupi nga djersa, duke e tejkaluar idenë se duhej të fshihesha. Asnjëherë nuk e kam ndier veten më keq sesa kur nuk arrija të fshihesha. Nuk ia kisha idenë si arrinin njerëzit të mos kishin një vend të fshehtë, nuk e dija si mundeshin ta linin veten aq pas dore. Mbrëmë fjeta vonë. Vendosa të bëja një shëtitje për të qetësuar veten dhe për të fjetur e patrazuar. Të gjitha këto i bëra para se të më zinte gjumi. Kisha kohë që ndieja të fshihesha. E kisha humbur shtegun e ngushtë nëpër të cilin kaloja symbyllur dikur. Me idenë se do të më gjente dikush, isha larguar aq shumë. Befas, përfytyrimin tim e shtrënguan gulçet dhe dëshira parapriu me një dritë të dobët drejt vendit misterioz. U gjenda vetëm me veten time, hapat e hershëm ishin gozhduar në kujtesë, nuk përbënin më rrezik të më gjenin. U fsheha plotësisht, ashtu e vërtetë siç isha. Asgjë personale nuk mundi të më krijonte frikë. Tek e fundit, isha për një çast ashtu siç kisha dashur gjithë jetën, e fshehur. Përfundimisht e kisha gjetur sërish rrugën të fshihesha. Ndoshta do të jetë dikush të më tregojë se ç’pamje të pëlqyeshme marr kur fshihem. Për të qenë e sinqertë, nëse më gjen...

69 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page