top of page

Për Timon unë mund të flas nja dy net të tëra dimri


Petrit Ruka

Të nderuar pjesëmarrës,

I nderuari Kryetar i Bashkisë Himarë, zoti Gjergji Goro!

Nderi dhe zakoni ma donte sot të isha patjetër në Himarë, Por një sëmundje jo e zakonshme nuk më lejoi të jem sot aty dhe kjo më trishton shumë. Megjithatë sërish jam aty me këto dy fjalë që dua të them si një vëllai juaj aty pas maleve të Pilurit, fshat në të cilin kam qënë kaq herë, e kam filmuar, kam xhiruar një dokumentar për plakun legjendar Lefter Mërkuri dhe e kam bërë këtë fshat vendin ku luhet si në një teatër homerik, një nga legjendat e famshme arbërore “Kostandin i vogëlith”, në poemën time baladeske “ Nëntë vjet e nëntë ditë”. Ja, për të gjitha këto arsye e të tjera duhet të isha sot patjetër aty në festën e bukur që po bëni, duke i akorduar vëllait, shokut dhe mikut tim të dashur Timo Mërkuri titullin “Nderi i Himarës”.

Për Timon unë mund të flas nja dy net të tëra dimri dhe të mos e tepëroj fare për këtë djalë me rrënjë të forta nga fshati juaj e prapë të më duken pak. Jam krenar të them; se sot për sot, Timo Mërkuri është një nga studiuesit më të mirë të këngës popullore, isopolifonisë shqiptare, riteve të ndryshme të vdekjes e dasmës, zakoneve, të atyre mijëra gjërave shpirtërore që e bëjnë Bregdetin dhe Labërinë time më tej një minierë ari të trashëgimisë sonë kulturore. Pa ardhur nga shkollimet akademike, sot Timo Mërkuri vlen në bursën e studimeve etnokulturore sa një Institut i tërë stutimesh i këtij lloji. Me një pasion dhe vullnet të hekurt prej vitesh ai gërmon e zbulon në studimet e tij pasuri të reja që vezullojnë dhe që ne i shohim të magjepsur për herë të parë.

Studimet e tij reshtëse për disa nga baladat dhe legjendat e famshme shqiptare janë një pasuri që nesër do çmohen si thesare të rralla. Por këtu nuk është vendi të zgjatem më tej, se në një festë si kjo ne na jepet rasti i lumtur ta urojmë e ta falenderojmë me gjithë shpirt këtë burrë fisnik me shpirt të madh sa Vanova e gjerë, që jetën e vet e mbushi me këtë dashuri të rëndë për kulturën popullore të vendit të tij.

Ndihem i lumtur që më erdhi radha aty në atë vend të bekuar të ngre një dolli për shëndetin e tij.

Ndihem i gezuar si për veten time që jam i pranishën pranë atij rrapit tuaj aq të shenjtë dhe që po ta shkundësh kullon vesë malesh, nder, besë, trimëri, dhe këngë të famshme të atij fshati magjik.

Ju përqafoj të gjithëve!

Timo Mërkuri, mos u ndal, na i kthe këtë dashuri me libra të tjerë edhe më të bukur!

Juaji,

Petrit Ruka

Tiranë, 6 nëntor 2020

53 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page